وَلَا تَدۡعُ مَعَ ٱللَّهِ إِلَٰهًا ءَاخَرَۘ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۚ كُلُّ شَيۡءٍ هَالِكٌ إِلَّا وَجۡهَهُۥۚ لَهُ ٱلۡحُكۡمُ وَإِلَيۡهِ تُرۡجَعُونَ
Veç All-llahut mos adhuro ndonjë zot tjetër, s'ka të adhuruar tjetër veç Tij. Çdo send zhduket e Ai jo. Vetëm Atij i takon gjykimi dhe te Ai do të ktheheni!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Rregullimi i natës për të pushuar e ditës për të punuar është mirësi nga i madhi Zot, sepse edhe nëse mund të pushohet në ndonjë rast ditën, kurse të punohet natën ato janë raste të rralla, dhe nuk mund të jenë aq të përshtatshme. Për këtë të mirë duhet falënderuar vetëm Allahu. Karuni ishte nga të afërmit e Musait, si duket ishte nga ata të shtatëdhjetit, që shkuan me Musain në Tur, ishte një ndër më të aftit në leximin e Tevratit, por e tradhtoi besimin e drejtë, ia kishte zili Musait si pejgamber, e edhe Harunit si i parë, prandaj nuk falënderoi Zotin për atë pasuri aq të madhe që i dhuroi, por iu rrit mendja dhe i përbuzi të gjitha ato të mira. Atë dhe pasurinë e tij e lëshoi toka, ajo ishte masë ndëshkimore kundër mendjemadhësisë së tij. Besimtarët e sinqertë i patën thënë: Përpiqu e fitoje xhenetin me këto të mira, bëj mirë siç bëri Zoti ndaj teje, e ani, gëzoi edhe të mirat e kësaj jete që janë të lejuara, por ai përkundër këshillave, edhe më tej u tregua arrogant. Ata që i patën lakmi atij, u dëshpëruan kur panë shkatërrimin e tij dhe u bindën, se vetëm Zoti është Ai, i cili sipas urtësisë së vet, të cilën askush nuk mund ta kuptojë, i jep pasuri kujt të dojë dhe nuk i jep kujt të dojë, vetëm Ai e di pse. Ndodh që i jep, por jo për ta nderuar, ndodh që nuk i jep, por jo për ta nënçmuar, ajo është dëshirë dhe urtësi eTij. Vepër e mirë, e bukur është ajo, që kur e sheh i zoti në Ditën e Kijametit, i hijeshohet fytyra prej gëzimit, prandaj edhe quhet e bukur. Ajo është vepër që njeriu e bën vetë, ose dikush tjetër për të, f.v. sadaka për babën, nënën etj. Vepër e mirë është edhe qëllimi, orvatja për të, edhe nëse nuk realizohet, por kjo shpërblehet një për një, e jo shumëfish si ajo që kryhet. Në ajetin 85 mendohet, se Muhamedit a.s. i është premtuar qysh herët, se do të rikthehet prej Medinës në Meke. Pejgamberi a.s. porositet të mos Iëshojë pe në asnjë rregull të mësimeve kuranore, të mos bëjë kurrfarë kompromisi me jobesimtarët, e kjo vlen edhe për besimtarët, sepse e gjithë fuqia, madhëria i takon vetëm Allahut, që çdo send zhduket e Ai jo; Ai gjykon, tek Ai është fati i lumtur. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “El Kasas”. Falënderimi i takon vetëm Allahut!