وَلَيَحۡمِلُنَّ أَثۡقَالَهُمۡ وَأَثۡقَالٗا مَّعَ أَثۡقَالِهِمۡۖ وَلَيُسۡـَٔلُنَّ يَوۡمَ ٱلۡقِيَٰمَةِ عَمَّا كَانُواْ يَفۡتَرُونَ
Ata patjetër do të bartin barrën e vet, e me atë të veten edhe barrë të tjera, e në ditën e kijametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Është ligj i Zotit xh. sh., që njerëzit të sprovohen, pse përndryshe nuk do të dihej i sinqerti prej atij që nuk është i sinqertë. Kjo lloj sprove është në të mirë të njerëzve, sepse ata do t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë. Allahut nuk i nevojitet një sprovë e tillë. Ai i di të gjitha të fshehtat, i di qëndrimet dhe qëllimet e njerëzve dhe pa i sprovuar ata fare. Besimtarët duhet t'i njohin ligjet e Zotit dhe të jenë të qëndrueshëm, të fortë në çdo rast sprovimi, pse ata e besojnë shpërblimin, që i pret tek Allahu, dhe e dinë se çdo përpjekje e tyre është në të mirë të tyre, dhe mundi i tyre do të shpërblehet shumëfish. Urdhri i Zotit për sjellje të mirë ndaj prindërve buron nga arsyeja, se fëmijët nuk janë aq të prirur për respekt ndaj tyre, e Allahu i obligoi me atë që është kundër natyrës së tyre, ashtu që ai veprim të çmohet ibadet. Prindërit nuk duhen respektuar, nëse tentojnë të largojnë prej rrugës së drejtë. Ky ajet shpallet rreth Sad ibni Ebi Vekasit. Ai thotë: Isha respektues i denjë ndaj nënës, e kur pranova Fenë Islame më tha: Ose lëre atë fe, ose do të bëj grevë urie deri sa të vdes, e ti do të turpërohesh. Unë i thashë: Mos oj nënë, se unë nuk largohem kurrë prej asaj feje.- Ajo filloi grevën, qëndroi një ditë e një natë, e luta ta ndërprejë grevën, por ajo vazhdoi edhe një ditë e një natë tjetër, kur pashë ashtu i thashë: Oj nënë, ta dish, se edhe t’i kishe njëqind shpirtra e të dalin njëri pas tjetrit, unë kurrë nuk do të largohem prej kësaj feje, në daç ha, në daç mos ha!- Kur e pa qëndrimin tim filloi të hajë. Sprovimet prej njerëzve, sado që të jenë të rënda, nuk kanë peshën e dënimit të Zotit, prandaj ato nuk duhet të të largojnë prej fesë, siç duhet të largohesh prej besimit të kotë nga droja e dënimit nga Allahu. Kufarët iu thonin besimtarëve, ejani në fenë tonë. Nëse me këtë bëni mëkat, ne do ta bartim mëkatin tuaj për këtë, ata ishin gënjeshtarë. Por në Ditën e Kijametit ata vërtet do të bartin mëkatet e veta, sepse mashtruan njerëz dhe i futën në rrugë të gabuar; do të bartin edhe mëkate të tjera.