29. Ankebut · Ajeti 38 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:28–29:45
Në këto ajete në pika të shkurtra përshkruhen tregimet e disa pejgamberëve dhe popujve të tyre, prej të cilave kuptohet përfundimi i zullumqarëve. Ndëshkimi kundër popullit të Lutit ishte i llahtarshëm, e do të jetë më i rëndi në botën tjetër. Gjurmët e vendbanimeve të tyre të shkatërruara, janë diku rreth detit të vdekur, e gjurmët e vendbanimeve të popullit Ad e Themud, janë në Hixhaz dhe në Jemeni. Edhe pse ndëshkimet e përmendura kundër popujve të lashtë duken të ashpra, ato ishin meritë e tyre. Meqë edhe pas të gjitha udhëzimeve që u ofruan pejgamberët, ata me këmbëngulje qëndruan në kokëfortësinë e tyre, që si rrjedhojë kishte shkatërrimin e moralitetit njerëzor, andaj shfarosja e tyre, me vetë fajin e tyre, ishte nevojë e domosdoshme.
Namazi është mjeti më i mirë, i cili e largon njeriun prej punëve të këqija, kuptohet nëse ai kryhet me të gjitha rregullat e parashikuara: kur ai falet me vëmendje, me përkujtim ndaj Allahut, me vështrim të domethënies së Kur'anit që lexohet gjatë faljes. Në të gjitha pjesët e namazit përkujtohet madhëria e Allahut, e përkujtimi i madhërisë së Tij, është lutja më e madhe.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:38–29:40
- “Ne i shkatërruam edhe Adët e Themudët, vendbanimet e të cilëve ju i dini. Shejtani ua zbukuroi veprat e tyre dhe i shmangu nga e vërteta, edhe pse arritën ta shihnin (e kuptonin) qartë atë.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth këtyre popujve, që nuk e pranuan besimin e drejtë e të vërtetë dhe refuzuan të pasonin profetët e tyre. Ai na tregon për format e ndëshkimeve kundër tyre. Adi ishte populli, në të cilin Zoti dërgoi profetin Hud. Ata jetonin në Ahkaf, një zonë shumë pranë Hadrameutit, në viset e Jemenit. Themudi ishte populli, ku Zoti dërgoi profetin Salih. Këta banonin në El Hixhr, pranë luginës Uadu el Kura. Arabët i dinin mirë vendbanimet e këtyre popujve të vjetër dhe shpesh kalonin pran ë tyre në udhëtimet e tyre për tregti. - “Edhe Karunin, Faraonin dhe Hamanin. Musai u solli atyre argumente të qarta, por ata u treguan kryeneçë, prandaj nuk mundën t’i shp ëtonin dënimit.” - Karuni ishte një burrë me pasuri të mëdha, që i peshonin rëndë çelësat e depove të tij. Allahu i Madhëruar i pati dhënë shumë pasuri të kësaj bote, aq sa çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Faraoni ishte sundimtari i Egjiptit në kohën e Musait, kurse Hamani ishte ministri i tij. Që të dy këta ishin prej koptëve, që e mohonin Zotin dhe profetin e Tij. Për secilin nga këta, i Lartësuari thotë: - “Secilin prej tyre e dënuam për krimin e vet. ” - Secilit i ra ai ndëshkim që i përshtatej dhe që e meritonin. - “Disa prej tyre Ne i dënuam me furtunë të fuqishme (me rrebesh gurësh) ...” - Kështu u dënua populli i Adit. Ata e merituan këtë ndëshkim, sepse ata thoshin: “Kush është më i fuqishëm se ne?” Kështu, i Plotfuqishmi u dërgoi një furtunë të furishme, të zhurmshme, të acartë e shkatërruese. Ajo i ngriti lart gurët dhe i lëshonte me forcë mbi ta. Gjithashtu, i
rrëmbeu trupat e mohuesve, i ngriti lart në qiell, për t’i përplasur pastaj me forcë me kokë, dhe kështu ato shkëputeshin dhimbshëm dhe trupat mbeteshin pa koka, sikurse i përshkruan Zoti kur thotë: “Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme, që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara. A e gjen ndonjë që ka mbetur prej tyre?” [Haka 6 - 8]. Ose kur thotë: “Ne u lëshuam atyre një erë të fortë në një ditë ndëshkimi të ashpër dhe të vazhdueshëm. Ajo i shtynte njerëzit sikur të ishin trupa hurmash të shkulura.” [Kamer 19, 20]. - “... disa i shkatërruam me krisma (të forta) nga qielli ...” - Kështu u dënua populli i Themudit. Allahu i Madhëruar ua shtjelloi argumentet dhe ua qartësoi të vërtetën. Ai u solli si mrekulli devenë që doli nga shkëmbi, mrekulli e cila u erdhi ashtu siç vetë e kërkuan. Megjithatë, ata nuk besuan, por vazhduan në shfrenim, duke kaluar kufijtë e Zotit dhe mohimin e besimit të vërtetë, ku i ftoi Profeti i tyre. Ata kërcënuan Profetin e Allahut dhe ata që e besuan atë, se do t’i dëbonin prej vendit, madje do t’i vrisnin me gurë. Atëherë, i rrëmbeu një krismë nga qielli, që shtangu lëvizjet e tyre dhe ua mbylli gojën. - “... kurse disa të tjerë i fundosëm në tokë ...” - Kështu u ndëshkua Karuni, i cili e kaloi kufirin në padrejtësi, arrogancë e kryelartësi në tokë. Ai eci në tokë me mendjemadhësi e duke nënçmuar krijesat, duke tejçmuar e lëvduar veten. Allahu i lartësuar thotë: “Pastaj, Ne bëmë që të përpinte dheu atë, bashkë me pallatin e tij ...” [Kasas 81]. Profeti i Allahut ka thënë: “Ndërkohë që një burrë tërhiqte rrobën e tij (të gjatë nga mendjemadhësia dhe me mburrje), Allahu e hapi tokën poshtë tij dhe ai u rrokullis plot zhurmë në brendësi të saj. Kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit.” - “... dhe disa i mbytëm në ujë.” - Ky ishte ndëshkimi për Faraonin, Hamanin dhe ushtritë e tyre. Allahu i Madhëruar i mbyti në ujë në një mëngjes të vetëm dhe prej tyre nuk shpëtoi asnjë. - “Nuk qe Allahu Ai që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” - Të gjitha këto ndëshkime ishin mëse të merituara. Allahu nuk i bën padrejësi askujt. Ishin ata vetë që, me veprat e mosbesimin e tyre, me shfrenimin në kalimin e kufjve të Zotit dhe refuzimin e shpalljeve dhe rrugës së Tij, e merituan çdo ndëshkim që zbriti mbi ta. 138
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:38–29:40
- Ne i shkatërruam edhe Adët e Themudët, vendbanimet e të cilëve ju i
dini. - Po kështu vepruam me Adin dhe Themudin, dhe ju e dini atë histori. Tashmë ju i keni parë dhe dëshmuar me sytë tuaj disa nga vendbanimet dhe rrënojat e vendit ku ata jetuan. Profetët u erdhën atyre me shenja të qarta e shumë të dobishme, që të hapnin sytë dhe të arsyetonin drejt, por ata i mohuan ato dhe polemizuan padrejtësisht kundër të vërtetës. - Shejtani ua zbukuroi veprat e tyre dhe i shmangu nga e vërteta, edhe pse arritën ta shihnin (e kuptonin) qartë atë. - Shejtani ua zbukuroi veprat e tyre, prandaj dhe menduan se prirjet dhe kotësitë e tyre ishin më të mira se ajo që u sollën profetët. - (Kujtoni) Edhe Karunin, Faronin dhe Hamanin. - Po kështu vepruan Karuni, Firauni dhe Hamani, kur Allahu i Madhëruar dërgoi ndër ta Musain, birin e Imranit, me shenja të qarta dhe fakte të pamohueshme. Por ata nuk iu nënshtruan të vërtetës. Ata u treguan kryeneçë dhe të padrejtë me njerëzit. Ata u bënë armiq të së vërtetës duke e refuzuar atë, prandaj nuk i shpëtuan ndëshkimit. - Musai u solli atyre argumente të qarta, por ata u treguan kryeneçë, prandaj nuk mundën t’i shpëtonin dënimit. - Kurrë nuk mund t’i shpëtonin dhe shmangeshin dënimit të Allahut, prandaj nuk u mbeti gjë tjetër veçse të dorëzoheshin dhe të poshtëroheshin. - Secilin prej tyre e dënuam për krimin e vet. - Secilin nga këta popuj mohues e dënuam sipas asaj që merituan dhe me një ndëshkim që u shkonte për shtat. Kështu: - Disa prej tyre, Ne i dënuam me furtunë të fuqishme (me rrebesh gurësh) , - Disave u dërgoi furtunë shkatërrimtare, siç veproi me popullin e Adit: "Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme, që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. Sikur t’i shihje njerëzit që shembeshin përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara. " [Hakka 6, 7]. - ...disa i shkatërruam me krisma (të forta) nga qielli... - Kështu bëri me popullin e profetit Salih, siç thotë i Lartësuari: "Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me një ushtimë të tmerrshme. " [Hakka 5]. - ...kurse disa të tjerë i fundosëm në tokë... - Siç bëri me Karunin. - ...dhe disa i mbytëm në ujë. - Siç bëri me Firaunin, Hamanin dhe ushtrinë e tyre: - Nuk qe Allahu Ai që u bëri atyre padrejtësi... - Është e pavërtetë dhe nuk i shkon urtësisë dhe drejtësisë së Allahut që t'u bënte padrejtësi atyre. Allahu është i Plotë dhe Absolut në drejtësinë e Tij dhe është i Pasur dhe Jonevojtar për krijesat e Tij. - por ata i bënë padrejtësi vetvetes. - Ata e privuan vetveten nga e vërteta që iu ofrua. Ata u krijuan që të adhurojnë Allahun si një e të vetëm, porse e poshtëruan vetveten duke u marrë jo me atë për të cilën u krijuan. Ata u zhytën në përmbushjen e epsheve dhe gjynaheve, duke i shkaktuar vetes një dëm shumë të madh, madje duke menduar se ishte në të mirën e tyre.