29. Ankebut · Ajeti 53 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:46–29:63
Në disa ajete para këtyre u përshkrua rruga krejtësisht e gabuar e atyre, që veç Zotit adhurojnë edhe ndonjë send tjetër, si idhuj ose ndonjë krijesë të çfarëdoshme. Adhuruesit e sendeve të tjera, e zotave të tjerë, prej të cilëve shpresojnë e presin ndonjë të mirë, t'i mbrojnë prej ndonjë të keqeje dhe mbështeten në ta, janë të dobët si shtëpia e marimangës, sepse ata nuk kanë kurrgjë në dorë, e ai që mbështetet në ta është si të mbështetet në rrjetën e marimangës, sikurse të kërkojë shpëtim nga pëlhura e saj.
Në këto ajete pas tyre, Pejgamberi dhe besimtarët e tij urdhërohen të sillen më butë me ithtarët e librit, kuptohet I me ata prej të cilëve priten shpresa se do ta pranojnë Kur'anin dhe Muhammedin, ndërsa me ata që qëndrojnë kundër, I nuk ka butësi ndaj tyre. Atyre duhet treguar realitetin islam sipas të cilit besimtarët e tij i pranojnë të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet, e derisa edhe ata besojnë Zotin një, atëherë do të duhej ta pranojnë edhe Pejgamberin e fundit. Ithtarët e librit, të cilët sinqerisht e lexuan librin e vet, i besuan Muhammedit, si Abdullah bin Selami, prijës fetar i jehudive, Selman Farisiu, persian dhe disa nga arabët idhujtarë.
Muhammedi jetoi sa vjet në mesin e popullit të vet, as nuk lexonte ndonjë libër e as nuk shkruante. Populli i vet e dinte se ai nuk ishte i shkolluar. Për këtë cilësi të Muhammedit shkruanin edhe librat e mëparshëm. Kur nisi t'i shpallej Kur'ani, ai filloi të lexojë, e dihej se ato citate të pamposhtura, ato tregime të panjohura për popujt e lashtë, ato çështje sekrete që i zbulonin ato, nuk ishin prodhim i aftësisë së Muhammedit të pashkolluar, por thënie të të madhit Zot që edhe pejgamberëve para tij u shpalli libra, pra nuk kishte vend për ndonjë dyshim për Kur'anin se ishte shpallje e Zotit, por ishte çështja e injorancës së atij populli. Pejgamberi ynë ka qenë dhe ka mbetur i tillë, që nuk ka shkruar me dorën e vet, për shkrimin e Kur'anit i kishte njerëzit e posaçëm.
Derisa mohuesit e Kur'anit të shpallur prej Zotit, nuk kishin kurrfarë argumenti për dyshim, Zoti u tërhoqi vërejtjen i për ndëshkimin e ashpër, të cilin do ta përjetojnë, e besimtarëve u tha: Ju jeni robët e mi të dashur, mos keni frikë për idare, e as prej vdekjes, pse vdekja është dukuri e pashmangshme. Kudo që të jeshë, në vendlindje ose në mërgim, I ajo e godit secilin njeri, e për sa i përket idares, ju duhet të kuptoni se ka shumë gjallesa që nuk dinë të mendojnë për të, e nuk e sigurojnë ate as nuk janë të afta ta sigurojnë, po Allahu i furnizon të gjitha ato, pra edhe juve, andaj mos iu frikësoni varfërisë.
Idhujtarët e dinin për Allahun, por adhuronin edhe idhuj, duke menduar se ata do t'i afrojnë dhe ndërmjetësojnë te Zoti.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:53–29:55
Allahu i Lartësuar na tregon rreth injorancës së idhujtarëve, kur ata kërkonin përshpejti - min e ndëshkimit të Zotit mbi ta, në formë sfide e për të treguar se nuk besonin në kërcënimet e Profetit, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kuran) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë dënim të rëndë!”.” [Enfal 32]. Ndërsa në këto ajete thotë: - “Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e dënimit. Sikur të mos ishte afati i caktuar, dënimi do t’u vinte menjëherë. ” - Sikur të mos ishte vendimi i Allahut për ta zbritur dënimin në Ditën e Gjykimit, atyre do t’u vinte dënimi menjëherë, pikërisht ashtu siç e kërkuan t’u përshpejtohej. - “Por ai sigurisht do t’u vijë, por do t'u vijë befas, atëherë kur ata nuk e presin. ” - Ai do t’u vijë e t’i gllabërojë papritur dhe pa e ndier fare. - “Ata kërkojnë shpejtimin e dënimit ...” - Ai do t’u vijë në mënyrë të pashmangshme. - “... dhe, sigurisht, Xhehenemi ka për t’i rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët.” - E si mund t’i shpëtojnë ata dënimit në të?! I Lartësuari thotë në ajetin tjetër: “Thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Për jobesimtarët, Ne kemi përgatitur një Zjarr, muret e të cilit do t'i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, do t'u jepet ujë (i nxehtë) si bakër i shkrirë, që do t'ua përvëlojë fytyrat. Sa e tmerrshme është ajo pije! Sa vend i keq është ai!”.” [Kehf 29]. - “Ditën kur ata do t'i mbulojë dënimi prej së larti dhe prej së poshtmi nën këmbët e tyre ... ” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart. Kështu i shpërblejmë Ne të padrejtët.” [Earaf 41]. Ose: “Ata do të kenë shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë i frikëson Allahu robërit e Vet: “O robërit e Mi, kini frikë!” [Zumer 16]. Ose: “Ah, sikur ta dinin jobesimtarët (kohën) kur nuk do të mund ta largojnë zjarrin nga fytyrat dhe as nga shpinat e tyre dhe (kur) asnjë ndihmë nuk do t'u vijë atyre!” [Enbija 39]. - “... do t'u thuhet: “Shijojeni dënimin për atë që keni bërë!” - Këto janë fjalë, që ua shtojnë më shumë torturën dhe vuajtjen. Allahu i Madhëruar thotë në ajetin tjetër: “Atë ditë, kur të tërhiqen zvarrë me fytyrat e tyre në Zjarr, do t’u thuhet: “Vuajeni dënimin në Sekar (Zjarrin përvëlues)!”. Ne e kemi krijuar çdo gjë me masë të caktuar.” [Kamer 48, 49]. Dhe thotë gjithashtu: “Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit, të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen. Ditë, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e Xhehenemit. Ky është zjarri, që ju e mohonit. Mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?! Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja.” [Tur 11 - 16].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:53–29:55
- Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e dënimit (për ta) . - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na tregon rreth injorancës së atyre që mohojnë Profetin dhe refuzojnë të besojnë Shpalljen që ai solli prej Zotit. Ata të mjerë thanë: “Na i përshpejto dënimin!” Duke treguar se nuk e besojnë diçka të tillë, ata thanë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?” [Junus 48]. Por Allahu i Madhëruar u thotë: - Sikur të mos ishte afati i caktuar (nga Allahu), dënimi do t’u vinte menjëherë. - Allahu i Lartësuar ka vendosur një afat për dënimin e tyre dhe ai afat akoma nuk ka ardhur. Po të mos ishte ky afat i vendosur nga Zoti: "dënimi do t’u vinte menjëherë", për shkak të mohimit të së vërtetës dhe kësaj sfide të paturpshme që i bëjnë Zotit. Sikur Zoti t’i ndëshkonte, sipas injorancës së tyre, ai do të sillte një ndëshkim të shpejtë dhe të ashpër. Megjithatë, të mos nxitohen duke kërkuar përshpejtimin e ndëshkimit, se ai ka për t’u ardhur, siç thotë Allahu: - Por ai sigurisht do t’u vijë, por do t'u vijë befas, atëherë kur ata nuk e presin. - Dhe ndodhi vërtet ashtu siç njoftoi Zoti i Madhëruar, kur ata shkuan me këmbët e veta në luftën e Bedrit, duke u lëvduar para njerëzve dhe të bindur plotësisht se do t’ia arrinin qëllimit. Allahu i Madhëruar i poshtëroi në atë luftë, kur u vranë krerët e tyre dhe u goditën të gjithë armiqtë e Profetit. Nuk mbeti shtëpi nga idhujtarët pa u goditur nga ajo fatkeqësi. Atyre u erdhi dënimi atëherë kur nuk e prisnin. - Ata kërkojnë shpejtimin e dënimit (dhe ai do t'u vijë) . - Edhe sikur ata të shpëtojnë dhe të mos i kapë dënimi në këtë dynja, ata i pret dënimi në ahiret nga i cili nuk ka për të shpëtuar askush prej tyre, pavarësisht nëse në dynja iu jepet menjëherë apo iu shtyhet dënimi. - Sigurisht, Xhehenemi ka për t’i rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët. - Ata nuk mund të gjejnë rrugëdalje e shpëtim prej Zjarrit. Ai ka për t’i përfshirë në flakë nga të gjitha anët, ashtu sikurse në këtë dynja ata u pushtuan dhe u zhytën në gjynahet e tyre, në poshtërsitë dhe mohimin e Zotit. Ai është një dënim i ashpër.
- Ditën kur ata do t'i mbulojë dënimi (i Zjarrit) prej së larti dhe prej së poshtmi nën këmbët e tyre, do t'u thuhet: “Shijojeni dënimin për atë që keni bërë!” - Punët tuaja të këqija ju janë kthyer në dënim, që ju mbulon pikërisht ashtu siç u mbuluat nga mohimi i Zotit dhe gjynahet ndaj Tij.