← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 104 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:104–3:112

Dijetarët dhe njerëzit autoritativë janë të obliguar nga Zoti ta udhëheqin masën në rrugë të drejtë, ta këshillojnë për punë e sjellje të mira dhe ta pengojnë prej të këqiave. Myslimanët nuk guxojnë të ndahen në grupe e të përçahen as në çështje të fesë e as të jetës siç bënë ithtarët e librit. Pejgamberi ka thënë: "Kush largohet prej bashkësisë vetëm sa një pëllëmbë, atij i hiqet prej qafe kresha (simboli) Islami"

Zbardhja ose nxirja e fytyrave do të jetë në ditën e kijametit. Kur u prezentohen njerëzve veprat e tyre, nga gëzimi për vepra të mira atyre u shndrisin fytyrat, ndërsa nga dëshprimi për veprat e këqia, u nxihen.

Ymeti i Muhammedit është ymeti më i dobishëm për mbarë njerëzinë, sepse është i obliguar të mbajë drejtësinë si në çështjet e jetës materiale e fizike, ashtu edhe në jetën shpirtërore Nuk favorizon asnjerën në dëm të tjetrës, siç është vepruar te popujt e mëparshëm. Eshtë ymeti më i mirë ngase Pejgamberi i tij është mëshirë për tërë botën.

Për shkak të sjelljeve të shëmtuara, Allahu i ka dënuar jehuditë të jenë të nënshtruar, të poshtëruar e të shtypur edhe në këtë jetë. E, derisa Allahu i ka përbuzur, ata janë të përbuzur edhe prej njerëzve të botës.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:104–3:109

- Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira dhe që ndalon nga e keqja! Këta janë të

shpëtuarit. - Le të jetë prej jush një grup që veçohet për t’iu kushtuar çështjes së Allahut, thirrjes së njerëzve tek e mira, urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja. Allahu i Madhëruar thotë për këta të zgjedhur që ata janë të shpëtuarit. Pra, ata që luftojnë dhe përpiqen me të gjitha mënyrat, për të ndihmuar fenë e Allahut dhe janë të ditur për këtë fe, ata janë të shpëtuarit. Ebu Xhafer el Bakiri tregon: 539. “Profeti i Allahut lexoi këtë ajet “Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira...”, pastaj tha: “E mira që përmendet në ajet është ndjekja e Kur'anit dhe e traditës sime.” Hadithin e sjell Ibn Merdeuejhi. Mesazhi i përftuar nga ky ajet është që një grup nga ky umet duhet të ngrihet, të përpiqet fort dhe të përkushtohet rreth kësaj çështjeje, edhe pse kjo është detyrë për çdo individ, në varësi të diturisë, të aftësive e mundësive të tij. Në Sahih-un e Muslimit vjen një hadith nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 540. “Ai që shikon një padrejtësi dhe një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë le ta bëjë (me fjalë) me gjuhën e tij; nëse përsëri nuk mundet, le ta bëjë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët.” Sipas një transmetimi tjetër, ai tha në fund: 541. “Dhe pas këtij niveli (pra, ndryshimit me zemër), nuk ka nuk më ka iman në zemrën e njeriut as sa kokrra e elbit.” Imam Ahmedi e sjell hadithin nga Hudhejfe Ibn Jemani, se Profeti ﷺ ka thënë: 542. “Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Ose do të urdhëroni për të mira dhe të ndaloni nga të këqijat, ose Zoti do të lëshojë ndëshkim mbi ju, dhe pastaj do t’i luteni Atij dhe Ai nuk do t’ju përgjigjet juve.” Hadithin e sjellin Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e ka gjykuar si hadith hasen. Në fakt, hadithet për këtë çështje janë të shumta. - E mos u bëni si ata që janë përçarë dhe që kundërshtojnë njëri -tjetrin, pasi u kanë zbritur argumentet e qarta! Për ata do të ketë një dënim të madh. - Allahu i Lartësuar na ndalon dhe na këshillon që të mos ndjekim rrugën e atyre që janë grindur e përçarë, rrugën e atyre që kanë braktisur urdhëresën për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, edhe pse atyre u ka ardhur e vërteta për këtë çështje dhe janë sqaruar për të. - Ditën kur do të ketë fytyra që zbardhen dhe fytyra që nxihen - Këtu flitet për Ditën e Kijametit, kur do të zbardhen fytyrat e pasuesve të Sunetit dhe të xhematit dhe kur do të nxihen fytyrat e bidatçinjve dhe përçarësve. Kështu ka thënë Ibn Abasi (r.a). - atyre të cilëve u janë nxirë fytyrat do t'u thuhet: “A mohuat edhe pasi kishit besuar?! - Këta janë munafikët. - Atëherë, vuajeni dënimin, për shkak të mohimit tuaj!” - Ky përshkrim përfshin të gjitha kategoritë e mohuesve. - Ndërsa ata të cilëve u janë zbardhur fytyrat, ata janë në mëshirën (xhenetin) e Allahut, ku do të jenë përjetësisht. - Këtu është për qëllim Xheneti, nga i cili ata nuk do të kërkojnë kurrë të largohen, për të shkuar në tjetër vend. - Këto janë Argumentet e (drejta të) Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi.

- Të gjitha këto janë ajetet e Allahut dhe argumentet e Tij të qarta, të cilat po t’i lexojmë ty, o Muhamed, me vërtetësi. Ne po të zbulojmë se si qëndrojnë çështjet në dynja dhe në ahiret. Allahu nuk dëshiron padrejtësi në botë. - Allahu nuk e do padrejtësinë për botën. - Allahu nuk është kurrë i padrejtë ndaj krijesave. Përkundrazi, Ai është gjykuesi më i drejtë, i Cili kurrë nuk bën padrejtësi dhe kurrë nuk del nga e vërteta. E si mund të jetë i padrejtë, kur Ai është i plotfuqishëm për gjithçka, pra, edhe për të vënë drejtësinë në vend. Allahu është i gjithëdituri për çdo gjë. Për këtë arsye, duke qenë se është i Plotpushtetshëm dhe është i Gjithëdijshëm, atëherë Ai nuk ka nevojë që t’i bëjë padrejtësi asnjë krijese të Tij. - Të Allahut janë çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në Tokë - Gjithçka është pronë nën sundimin e Tij, të gjithë janë rob të Tij dhe krijesa të Tij. - dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet (për gjykim). - Allahu është gjykuesi dhe Ai që administron të gjitha çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:104–3:105

- “Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira!...” - Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve të cilëve u bëri mirësi, duke i udhëzuar që të kapen fort pas “litarit” të Tij, dhe i nxit që një grup prej tyre të ftojnë njerëzit tek e mira. “E mira” është një nocion që përfshin të gjitha ato fjalë dhe vepra që të afrojnë tek Allahu dhe të largojnë e të ruajnë prej zemërimit të Tij. - “...që urdhëron për vepra të mira dhe që ndalon nga e keqja ” - Ata duhet të urdhërojnë për të mirën, që ligji hyjnor dhe logjika e shëndoshë e pranon si të tillë, dhe të ndalojnë nga e keqja, e cila është konsideruar si e tillë përsëri nga ligji hyjnor dhe logjika e shëndoshë. Kjo, pra, është një nxitje nga Allahu i Lartësuar që një grup besimtarësh të marrin përsipër përgjegjësinë e thirrjes së njerëzve në rrugën e Tij dhe të sqarimit të kësaj feje madhështore. Te ky grup futen disa kategori të përzgjedhurish, si: - Dijetarët, që u mësojnë njerëzve fenë e Zotit. Hatibët dhe vaizët, të cilët, me stilin e tyre të lartë të ligjërimit, i ftojnë njerëzit e të gjitha feve që të pranojnë Islamin. Ata ftojnë, gjithashtu, të devijuarit dhe të larguarit nga rruga e drejtë, që t’i kthehen asaj rruge dhe të përqendrohen në rrugën e shpëtimit. - Luftëtarët në rrugën e Allahut, që luftojnë për t'u lartësuar feja e Tij. - Çdokush që kujdeset për njerëzit, duke i kontrolluar dhe duke i nxitur ata që të jenë të rregullt me ritet e Islamit, si me namazin, zekatin, agjërimin, haxhin etj. - Çdokush që këshillon njerëzit për të peshuar e matur drejt, për t’ju larguar mashtrimeve dhe padrejtësive të ndryshme në tregti apo në fusha të tjera të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Thirrja në rrugën e Zotit është përgjegjësi e të gjithë umetit, derisa një grup prej tyre ta kryejë një gjë të tillë; vetëm atëherë hiqet përgjegjësia nga të tjerët. Kjo duket nga fjala e Allahut: “Le të dalë nga ju një grup...”. Dihet mirë se urdhri për të realizuar një objektiv është urdhër edhe për çdo gjë tjetër pa të cilën ai objektiv nuk mund të arrihet. Kështu, është detyrë që gjithmonë një grup besimtarësh të përpiqen që të mundësojnë dhe të krijojnë mënyrat dhe mjetet pa të cilat nuk mund të arrihet objektivi i mësipërm, që është thirrja në rrugën e Allahut. Ndër to, mund të përmendim: - Përgatitjen për xhihad me të gjitha format e saj, nëpërmjet të cilave arrihet qëllimi i xhihadit dhe kryerja e tij. - Mësimi i dijes së dobishme, pa të cilën nuk mund të mendohet ftesa e të tjerëve në veprat e mira. Është detyrë, gjithashtu, që të krijohen mjetet dhe mundësitë për kryerjen e një detyre të tillë, për shembull, duke ndërtuar shkolla, ku të studiohet dhe të përhapet e vërteta dhe dija e dobishme. - Është detyrë e popullit, gjithashtu, që të ndihmojë udhëheqësit dhe punonjësit e shtetit që të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë. Ndihma e tyre ndaj shtetit mund të bëhet me fjalë, me vepra, me mbështetje financiare etj.; pra, me çdo lloj mënyre për të cilën shteti i drejtë, që gjykon me ligjin e Zotit, ka nevojë. Për sa i përket grupit që ka marë përsipër përgjegjësinë e urdhërimit të njerëzve për të mirë dhe të ndalimit nga të këqijat, ata janë më të zgjedhurit mes besimtarëve. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë për ta: - “Këta janë të shpëtuarit.” - Këtyre u është dhënë suksesi që të arrijnë çdo të mirë dhe të shpëtojnë nga çdo e keqe. Pastaj Allahu i Lartësuar na këshillon që të mos bëhemi si çifutët e të krishterët, të cilët u përçanë dhe u kundërshtuan mes njëri - tjetrit: - “E mos u bëni si ata që janë përçarë dhe që kundërshtojnë njëri -tjetrin, pasi u kanë zbritur Argumentet e qarta! ” - Është e çuditshme se përçarja e tyre erdhi pasi iu ishte bërë e qartë e vërteta. Ishin shumë porosi dhe urdhra të Zotit që i

ndalonin ata të përçaheshin mes njëri -tjetrit. Kështu, ata duhej të ishin ndër të parët që do t’i përkushtoheshin plotësimit dhe zbatimit të fesë së Zotit. Megjithatë, edhe pse të bindur se po kundërshtonin të vërtetën e sjellë nga Zoti, ata bënë të kundërtën e asaj që Zoti i urdhëroi, duke merituar në këtë mënyrë ndëshkimin e madh, siç thotë i Lartësuari: - “Për ata do të ketë një dënim të madh.”

← Ali Imran 3:104