← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 106 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:104–3:112

Dijetarët dhe njerëzit autoritativë janë të obliguar nga Zoti ta udhëheqin masën në rrugë të drejtë, ta këshillojnë për punë e sjellje të mira dhe ta pengojnë prej të këqiave. Myslimanët nuk guxojnë të ndahen në grupe e të përçahen as në çështje të fesë e as të jetës siç bënë ithtarët e librit. Pejgamberi ka thënë: "Kush largohet prej bashkësisë vetëm sa një pëllëmbë, atij i hiqet prej qafe kresha (simboli) Islami"

Zbardhja ose nxirja e fytyrave do të jetë në ditën e kijametit. Kur u prezentohen njerëzve veprat e tyre, nga gëzimi për vepra të mira atyre u shndrisin fytyrat, ndërsa nga dëshprimi për veprat e këqia, u nxihen.

Ymeti i Muhammedit është ymeti më i dobishëm për mbarë njerëzinë, sepse është i obliguar të mbajë drejtësinë si në çështjet e jetës materiale e fizike, ashtu edhe në jetën shpirtërore Nuk favorizon asnjerën në dëm të tjetrës, siç është vepruar te popujt e mëparshëm. Eshtë ymeti më i mirë ngase Pejgamberi i tij është mëshirë për tërë botën.

Për shkak të sjelljeve të shëmtuara, Allahu i ka dënuar jehuditë të jenë të nënshtruar, të poshtëruar e të shtypur edhe në këtë jetë. E, derisa Allahu i ka përbuzur, ata janë të përbuzur edhe prej njerëzve të botës.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:104–3:109

- Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira dhe që ndalon nga e keqja! Këta janë të

shpëtuarit. - Le të jetë prej jush një grup që veçohet për t’iu kushtuar çështjes së Allahut, thirrjes së njerëzve tek e mira, urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja. Allahu i Madhëruar thotë për këta të zgjedhur që ata janë të shpëtuarit. Pra, ata që luftojnë dhe përpiqen me të gjitha mënyrat, për të ndihmuar fenë e Allahut dhe janë të ditur për këtë fe, ata janë të shpëtuarit. Ebu Xhafer el Bakiri tregon: 539. “Profeti i Allahut lexoi këtë ajet “Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira...”, pastaj tha: “E mira që përmendet në ajet është ndjekja e Kur'anit dhe e traditës sime.” Hadithin e sjell Ibn Merdeuejhi. Mesazhi i përftuar nga ky ajet është që një grup nga ky umet duhet të ngrihet, të përpiqet fort dhe të përkushtohet rreth kësaj çështjeje, edhe pse kjo është detyrë për çdo individ, në varësi të diturisë, të aftësive e mundësive të tij. Në Sahih-un e Muslimit vjen një hadith nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 540. “Ai që shikon një padrejtësi dhe një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë le ta bëjë (me fjalë) me gjuhën e tij; nëse përsëri nuk mundet, le ta bëjë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët.” Sipas një transmetimi tjetër, ai tha në fund: 541. “Dhe pas këtij niveli (pra, ndryshimit me zemër), nuk ka nuk më ka iman në zemrën e njeriut as sa kokrra e elbit.” Imam Ahmedi e sjell hadithin nga Hudhejfe Ibn Jemani, se Profeti ﷺ ka thënë: 542. “Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Ose do të urdhëroni për të mira dhe të ndaloni nga të këqijat, ose Zoti do të lëshojë ndëshkim mbi ju, dhe pastaj do t’i luteni Atij dhe Ai nuk do t’ju përgjigjet juve.” Hadithin e sjellin Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e ka gjykuar si hadith hasen. Në fakt, hadithet për këtë çështje janë të shumta. - E mos u bëni si ata që janë përçarë dhe që kundërshtojnë njëri -tjetrin, pasi u kanë zbritur argumentet e qarta! Për ata do të ketë një dënim të madh. - Allahu i Lartësuar na ndalon dhe na këshillon që të mos ndjekim rrugën e atyre që janë grindur e përçarë, rrugën e atyre që kanë braktisur urdhëresën për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, edhe pse atyre u ka ardhur e vërteta për këtë çështje dhe janë sqaruar për të. - Ditën kur do të ketë fytyra që zbardhen dhe fytyra që nxihen - Këtu flitet për Ditën e Kijametit, kur do të zbardhen fytyrat e pasuesve të Sunetit dhe të xhematit dhe kur do të nxihen fytyrat e bidatçinjve dhe përçarësve. Kështu ka thënë Ibn Abasi (r.a). - atyre të cilëve u janë nxirë fytyrat do t'u thuhet: “A mohuat edhe pasi kishit besuar?! - Këta janë munafikët. - Atëherë, vuajeni dënimin, për shkak të mohimit tuaj!” - Ky përshkrim përfshin të gjitha kategoritë e mohuesve. - Ndërsa ata të cilëve u janë zbardhur fytyrat, ata janë në mëshirën (xhenetin) e Allahut, ku do të jenë përjetësisht. - Këtu është për qëllim Xheneti, nga i cili ata nuk do të kërkojnë kurrë të largohen, për të shkuar në tjetër vend. - Këto janë Argumentet e (drejta të) Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi.

- Të gjitha këto janë ajetet e Allahut dhe argumentet e Tij të qarta, të cilat po t’i lexojmë ty, o Muhamed, me vërtetësi. Ne po të zbulojmë se si qëndrojnë çështjet në dynja dhe në ahiret. Allahu nuk dëshiron padrejtësi në botë. - Allahu nuk e do padrejtësinë për botën. - Allahu nuk është kurrë i padrejtë ndaj krijesave. Përkundrazi, Ai është gjykuesi më i drejtë, i Cili kurrë nuk bën padrejtësi dhe kurrë nuk del nga e vërteta. E si mund të jetë i padrejtë, kur Ai është i plotfuqishëm për gjithçka, pra, edhe për të vënë drejtësinë në vend. Allahu është i gjithëdituri për çdo gjë. Për këtë arsye, duke qenë se është i Plotpushtetshëm dhe është i Gjithëdijshëm, atëherë Ai nuk ka nevojë që t’i bëjë padrejtësi asnjë krijese të Tij. - Të Allahut janë çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në Tokë - Gjithçka është pronë nën sundimin e Tij, të gjithë janë rob të Tij dhe krijesa të Tij. - dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet (për gjykim). - Allahu është gjykuesi dhe Ai që administron të gjitha çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:106–3:108

- “Ditën kur do të ketë fytyra që zbardhen dhe fytyra që nxihen...” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjendjes së njerëzve në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, gjykimi i Zotit, i bazuar në drejtësinë dhe bamirësinë e Tij absolute, do të lërë gjurmët e tij te krijesat. Kjo, sigurisht, është një mënyrë kërcënimi dhe përgëzimi, që nxit frikën dhe shpresën ndaj Zotit të Drejtë dhe Bamirës. I Lartësuari thotë se atë ditë do të zbardhen disa fytyra. Ato do të jenë fytyrat e atyre që pasojnë Librin e Allahut dhe që qëndrojnë të bashkuar me njëri-tjetrin. Atë ditë do të ketë edhe fytyra që nxihen, të cilat do të jenë fytyrat e atyre që do të meritojnë ndëshkimin dhe dëshpërimin e përjetshëm. Arsyeja është se ata bëjnë fjalë e vepra të këqija dhe nxisin kundërshtimet dhe përçarjen, prandaj poshtërimi që do të ndiejnë brenda zemrave të tyre do t’ua nxijë fytyrat atë ditë. Ndërsa të lumturve, për shkak të mirësisë dhe lumturisë që u gjenden në zemër, do t’u zbardhen fytyrat e tyre, sepse është lumturia që do të përjetojnë atë ditë, e cila do të lërë gjurmë edhe në fytyrat e tyre, sikurse thotë i Lartësuari në suren Insan, ajeti 11: “...e do t’i stolisë ata me ndriçim (në fytyrë) dhe me gëzim (në zemër). ” Ose në një ajet tjetër: “Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. Ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” [Junus 26, 27]. - “...atyre të cilëve u janë nxirë fytyrat do t'u thuhet: ...” – Për shkak të padrejtësisë që kanë bërë këta, do t’u thuhen disa fjalë, të cilat shprehin habi dhe qortim të rëndë njëkohësisht: - A mohuat edhe pasi kishit besuar?! – Kuptimi: Si është e mundur që ju i dhatë përparësi kufrit dhe rrugës së humbjes kundrejt besimit dhe udhëzimit në rrugën e drejtë?! Si është e mundur që e braktisët rrugën e drejtë të lumturisë dhe ndoqët rrugën e humbjes drejt dëshpërimit?! Për shkak të kësaj zgjedhjeje të keqe nga ana juaj, ju meritoni veçse Zjarrin. Ai është vendi i vetëm ku meritoni të hyni: - “Atëherë, vuajeni dënimin, për shkak të mohimit tuaj!” - Vuajeni poshtërimin, dëshpërimin dhe ndëshkimin, që i fituat vetë me kufrin tuaj! - “Ndërsa ata të cilëve u janë zbardhur fytyrat, ata janë në mëshirën e Allahut, ku do të jenë përjetësisht.” - Nëse ata do të jenë përjetësisht në mëshirën e Allahut, kjo do të thotë se ata do të gëzojnë përjetësisht mirësitë e Xhenetit, sepse Xheneti është një shenjë e mëshirës së Allahut të Lartësuar. Ata do të kënaqen dhe lumturohen përjetësisht me mirësitë e pafundme, pranë më të Mëshirshmit të të mëshirshmëve. Pas sqarimit të rregullave që

lidhen me urdhrat dhe ndalesat e Tij, si edhe të çështjes së shpërblimit me drejtësi, Allahu i Lartësuar thotë: - “Këto janë Argumentet e (drejta të) Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi.” - Këto rregulla e ligje janë cilësuar si “argumente të drejta”, sepse urdhrat dhe ndalesat e Allahut të Lartësuar përmbajnë urtësinë dhe mëshirën e Tij. Ato janë përcaktuese të shpërblimit dhe të ndëshkimit të Tij. Po kështu, edhe ligjet dhe dispozitat e shpërblimit dhe të ndëshkimit përmbajnë mëshirën dhe urtësinë absolute të të Lartësuarit, prandaj janë larg çdo padrejtësie. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë fakt me fjalët vijuese: - “Allahu nuk e do padrejtësinë për botën.” - Allahu i Lartësuar thotë se nuk e dëshiron padrejtësinë për botën, e jo më ta ushtrojë atë. Askujt nuk do t’i pakësohet gjë prej mirësive që ka bërë, ashtu si asnjë i padrejtë nuk do të ndëshkohet më tepër sesa padrejtësitë e tij. Çdokush do të shpërblehet vetëm për aq sa ka bërë.

← Ali Imran 3:106