← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 137 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:137–3:148

Kur'ani i cili është sqarues i së vërtetës për të gjithë njerëzit, është këshillues e përkujtues për besimtarët, e parashtron goditjen që e pësuan besimtarët në Uhud si ngjarje të zakonshme në ligjet e Zotit, pse edhe armiku i tyre një vit më parë, pësoi një aso goditje.

Derisa grupi që ishte në roje, nuk ju përmbajt mësimeve dhe porosive të Pejgamberit, u manifestua drejtësia e ligjeve të Zotit, të cilat mbretërojnë ndër njerëz, andaj edhe thuhet se situata kalon prej një dore në dorën tjetër, kuptohet sipas përgatitjes dhe fuqisë.

Ndihma e Zotit nuk u manifestua, sepse ngjarja zhvillohoj ndërmjet dy grupeve të njerëzve, e jo ndërmjet besimtarëve dhe idhujtarve, sepse ata që e thyen urdhërin e Pejgamberit, nuk numëroheshin si besimtarë të kulluar. Megjithatë Kur'ani i këshillon besimtarët të jenë krenarë, sepse një goditje të tillë, e edhe më të rëndë e përjetoi edhe armiku në Bedr. Urtësia e Zotit ishte I që në atë luftë të sprovohen e të dihen besimtarët e sinqert, të shpërblehen disa me gradën dëshmor (shehid) dhe t'u shërbejë besimtarëve si përvojë në të ardhmen.

Në vlimin e luftës plagosët pak edhe vetë Pejgamberi, e armiku shfrytëzon rastin dhe hap propagandën se u vra Muhammedi, ashtu që disa besimtarë u hutuan. Zoti i porosit besimtarët, se, edhe nëse mbytet e vdes Pejgamberi, ata duhet ta vazhdojnë luftën në rrugën e Tij. Ashtu bënë besimtarët e mëparshëm me pejgamberët e tyre në raste të tilla, sepse vdekja është e caktuar në afatin e vet, ajo nuk vjen as më parë, as më vonë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:137–3:143

Allahu i Lartësuar i ngushëllon robërit e tij besimtarë për atë që i goditi në betejën e Uhudit, ku u vranë 70 burra prej tyre: - Përpara jush kanë kaluar shumë popuj. - E njëjta gjë ka ndodhur edhe përpara jush, me pasuesit e profetëve, por pastaj në fund, përfundimi i mirë ishte për ta, ndërsa mohuesit u mposhtën dhe u nënshtruan. - Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën.” - Shëtisni në tokë dhe shihni se si ishte përfundimi i atyre që mohuan profetët dhe refuzuan të ndiqnin rrugën e tyre. - Ky (Kur'an) është sqarim për gjithë njerëzit dhe është udhëzim e këshillë për të devotshmit.” - Në Kur'an ndodhen lajme rreth popujve të shkuar dhe çfarë ndodhi me armiqtë e tyre. Këto lajme jepen të qarta dhe të shtjelluara hollësisht. Në Kur 'an ndodhet udhëzimi për zemrat. Ai përmban këshilla e paralajmërime, të cilat e ndalojnë robin nga gjynahet dhe veprat që i sjellin fatkeqësi e ligësi. - Mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u trishtoni (shpirtërisht), përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë. - Duke i ngushëlluar dhe duke u premtuar mirësi e lumturi, Allahu i Madhëruar u thotë besimtarëve: “Mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u trishtoni (shpirtërisht)...”. Pra, mos u dobësoni për shkakun e kësaj që ju ndodhi: “...përderisa ju qëndroni më lart, nëse jeni besimtarë të sinqertë.”. Përfundimi i mirë dhe fitorja do të jenë tuajat, o ju besimtarë, që besoni drejt Allahun e Lartësuar dhe i nënshtroheni Atij, ashtu siç Ai dëshiron. - Në qoftë se ju përjetuat dhembje (në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër).” - Nëse shumë nga ju u plagosën në këtë luftë dhe shumë të tjerë u vranë, dijeni se edhe armiqtë tuaj janë plagosur dhe janë vrarë më përpara. - Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve, që Allahu t’i nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej

jush si dëshmorë. Allahu nuk i do të padrejtët. - Edhe pse Ne vendosëm që armiqtë tuaj të fitonin mbi ju këtë radhë, dijeni se përfundimi i mirë do të jetë sigurisht i juaji. Sigurisht, kjo bëhet për urtësi të shumta, që Zoti i di. Duke treguar diçka nga këto urtësi, Allahu i Lartësuar thotë: “...që Allahu t’i nxjerrë në pah ata që besojnë dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë.” Ibn Abasi e shpjegon: “Pra, që Allahu i Lartësuar t’i dijë ata të cilët bëjnë durim në luftën kundër armiqve dhe të marrë e përzgjedhë nga radhët e besimtarëve dëshmorët, të cilët vriten në rrugën e Allahut dhe japin jetën e tyre për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Ndër urtësitë e përcaktimit të këtyre disfatave në luftë për besimtarët, Allahu i Madhëruar na tregon e thotë: - Kështu Allahu i pastron besimtarët... - Domethënë, ua mbulon fal gjynahet, nëse kanë; ose në të kundërt, ua rrit gradat, në varësi të sprovës a vështirësisë, me të cilën goditen në rrugën e Allahut të Lartësuar. 159 Allahu i Lartësuar thotë më pas: - dhe i shkatërron jobesimtarët. - Nga njëra anë, Allahu i Urtë dhe i Plotfuqishëm i pastron besimtarët nga gjynahet përmes disfatës së momentit dhe vrasjes së disa prej tyre dhe, nga ana tjetër, i shkatërron jobesimtarët. Kështu, kur Ai i bën të mundur që ata të fitojnë ndonjë betejë, atëherë ata e kalojnë kufirin, vetëkënaqen dhe tregohen arrogantë e të pashpirt. Më pas, kjo bëhet shkak për shkatërrimin dhe zhdukjen e tyre. - A mos mendoni ju se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që luftuan (në rrugën e tij) dhe pa i nxjerrë në pah durimtarët?! - Mos pandehët që do të hyni në Xhenet pa u sprovuar me luftëra dhe vështirësi, që Allahu të shohë se cilët janë luftëtarët, cilët janë të qëndrueshëm, të guximshëm dhe këmbëngulës në luftën për kauzën e Tij dhe që të dallohen të durueshmit në përballje me armikun?! - Ju ishit, vërtet ata që dëshironit vdekjen para se të përballeshit me të. - Më herët, ju dëshironit të përballeshit me armiqtë dhe të luftonit kundra tyre. Ja, ku ndodhi ajo që e kërkonit dhe që e shpresonit të ndodhte! Atëherë, luftoni dhe bëni durim, si burrat. Në dy Sahih-ët qëndron hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: 573. “Mos e kërkoni përballjen me armikun, por kërkojini Allahut që të t’ju shpëtojë e t’ju ruajë prej kësaj! Por nëse përballeni me armikun, atëherë bëni durim dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave.”“ - Ja, tani e patë atë (vdekjen) me sytë tuaj. - Ju e dëshmuat momentin kur rreshtat e ushtrive u vunë përballë njëri- tjetrit dhe ju i shihnit përpara armiqtë tuaj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:137–3:138

Këto ajete dhe ato që vijnë pas tyre flasin për luftën e Uhudit. Nëpërmjet tyre, Allahu i Lartësuar ngushëllon adhuruesit e Tij besimtarë. Ai u tregon se ka patur shumë popuj të tjerë që kanë kaluar para tyre dhe të gjithë janë sprovuar me luftë kundër qafirëve, me beteja tepër të ashpra mes tyre. Besimtarët kanë provuar fitoren dhe humbjen, por përfundimi i mirë u takon gjithmonë besimtarëve dhe të devotshmëve. Allahu i Lartësuar ka qenë gjithmonë në ndihmë të adhuruesve të Tij të sinqertë, të besimtarëve që pasuan Profetin e Tij. Thotë i Lartësuari: - “Përpara jush kanë kaluar shumë popuj. Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën.” – Kuptimi: Lëvizni nëpër tokë fizikisht dhe shpirtërisht, dhe vështroni me kujdes se si qe përfundimi i atyre që mohuan të vërtetën e sjellë prej profetëve (a.s.). Shihni me kujdes ndëshkimin dhe shkatërrimin total që ata i zuri. Të shumta dhe të larmishme kanë qenë llojet e ndëshkimeve që janë derdhur mbi vendbanimet e jobesimtarëve. Këto ndëshkime e zhdukën pushtetin dhe krenarinë e atyre popujve. Mendjemadhësia e tyre humbi nëpër kohëra dhe u harrua. A nuk konsiderohen të tilla ngjarje si argumentet më të mira dhe më të forta për vërtetësinë e fjalëve të profetëve? A nuk tregojnë këto urtësinë e madhe të të Lartësuarit, me të cilën Ai i sprovon njerëzit, për t'u dalluar qartë i sinqerti nga mashtruesi? Prandaj i Lartësuari thotë: - “Ky (Kur'an) është sqarim për gjithë njerëzit...” – Pra, ajetet e Kur'anit dhe këto shenja e ngjarje në tokë janë argumente sqaruese për njerëzit. Ato shpjegojnë të vërtetën nga e kota, cilësitë dhe përfundimin e fatlumëve dhe cilësitë e fatzinjve të trishtuar. Në to ka shenja treguese për ndëshkimet me të cilat Allahu i

Lartësuar i ka goditur gjithmonë mashtruesit dhe jobesimtarët. Këto shenja shërbejnë edhe si: - “...dhe është udhëzim e këshillë për të devotshmit.” – Pra, ato janë edhe udhëzim i qartë, dhe këshillë për muttekin-ët, sepse të vetmit që përfitojnë nga udhëzimi i qartë dhe këshillat e Zotit të tyre janë muttekin-ët. Këto udhëzime i drejtojnë ata në rrugën e mirësive dhe të drejtësisë. Ato janë qortim dhe këshillë shumë e fortë, që i pengon ata nga çdo rrugë e keqe dhe poshtërsi e padrejtësi. Ndërsa për njerëzit e tjerë, Kur’âni është thjesht një qartësim i të vërtetave të pamohueshme dhe këputje e çdo justifikimi që mund të parashtrohet prej tyre, që çdokush të jetë i qartë dhe i sigurt për rrugën që po zgjedh. Nëse zgjedhin rrugën e shkatërrimit, e kanë zgjedhur atë me vetëdije dhe plotësisht të bindur për gabimin e tyre. Kur’âni nuk ka lënë asnjë mundësi justifikimi për ta. Pra, ka shumë mundësi që këtu të bëhet fjalë për Kur’ânin dhe Urtësinë, dhe jo thjesht për shenjat e mbetura nëpër tokë, sepse ai është udhëzim i përgjithshëm, për të gjithë njerëzit, dhe këshillë dhe udhëzim i veçantë për të devotshmit. Të dyja kuptimet janë të pranueshme.

← Ali Imran 3:137