← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 14 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:14–3:25

Bukuritë e kësaj bote, të cilat Zoti i krijoi për njerëz, sado që janë të lakmueshme e të dëshirueshme, nuk duhet i mashtruar pas tyre dhe keqpërdorur, sepse edhe jeta e njeriut e edhe përjetimi i tyre është për një kohë të shkurtër, e nëse njeriu mashtrohet pas tyre dhe lë manash mësimet e Zotit, atëherë dështimi është shumë i madh, ngase e humb të drejtën në shpërblimet e botës tjetër që janë të përjetshme, e humbja më e madhe është ajo se njeriu i tillë nuk do të mund ta gëzojë kënaqësinë e Zotit që është kulmi i shpërblimeve, sepse atë kënaqësi mund ta gëzojnë vetëm ata që kanë qenë të ruajtur, të matur.

Meqë Allahu i bëri me dije besimtarët për shpërblimet që do t'i gëzojnë, vërtetoi se argumentet e besimit janë të qarta. Dëshmia e Allahut për veten se është Një, i plotfuqishëm, është kjo ekzistencë, është gjithësia me të gjitha qeniet.. Këtë mund ta kuptojë çdo njeri i mençur. Besimi në një Zot, është ai besim, ajo fe, të cilën e shpalli Zoti që nga ekzistimi i njerëzve në këtë botë. Çdo besim tjetër përkitazi me njësinë e Zotit, është devijim i së vërtetës së shpallur prej Zotit.

Jehuditë e pyetën Muhammedin për dënimin që duhet ekzekutuar kundër atij që ka bërë dhurim, e kur Muhammedi u tha se edhe në Tevrat është masa ndëshkuese gurëzimi, ata refuzuan ta sjellin Tevratin dhe të veprojnë sipas tij, edhe pse e dinin se ashtu ishte e vërteta, por derisa e vërteta e Tevratit dhe e Kur'anit përputheshin, ata e fshehën Tevratin, përndryshe do të duhej pranuar atë që u tha Muhammedi, e ai ishte pranim edhe i fesë islame, e atë nuk e deshën.

Zoti i madhëruar i thotë Muhammedit se obligim yti është vetëm komunikimi i qartë, e Ne do t'u japim hesapin e merituar për kokëfortësinë e tyre që bënë kundër pejgamberëve, kundër Tevratit dhe e mashtruan veten duke trilluar shpifje se në xhehenem do të qëndrojnë vetëm dyzet ditë, aq sa e patën adhuruar edhe viçin. Në ditën e gjykimit do të dalin para Zotit të gjitha çështjet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:14–3:15

- Njerëzve u është hijeshuar dashuria për të kënaqësitë e kësaj bote, për gratë (e hijshme), për djemtë (e pasardhësit e shumtë), për pasurinë e madhe (kintâr) prej ari e argjendi, për kuajt e stolisur e për bagëtinë e bujqësinë. - Allahu i Lartësuar na tregon se njerëzve u është hijeshuar dashuria për këtë dynja dhe kënaqësitë e kësaj jete. Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë kënaqësinë e grave dhe të fëmijëve. Ai e nisi me hijeshinë e grave dhe sprovën e tyre, sepse kjo është nga sprovat më të vështira dhe më të rënda, siç është transmetuar në hadith të saktë nga Profeti ﷺ :476. “Nuk kam lënë pas meje sprovë më të rëndë për burrat sesa ajo e grave.” Por, nëse qëllimi në marrëdhëniet me gratë është ruajtja e ndershmërisë dhe shtimi i fëmijëve, kjo përkundrazi është një qëllim i lavdëruar në vetvete, për të cilin ka nxitur Sheriati i Zotit. Profeti i Allahut ka thënë: 477. “Dynjaja është e mbushur me kënaqësi dhe hijeshi, dhe nga kënaqësitë dhe hijeshitë më të mëdha të saj është një grua e mirë, që, kur e vështron, të fut gëzim në shpirt, kur e urdhëron, të bindet dhe kur nuk je i pranishëm, ruan nderin e saj dhe pasurinë tënde.” Gjithashtu, në një hadith tjetër, Profeti ﷺ ka thënë: 478. “Martohuni me ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë, sepse unë do të lëvdohem me ju para popujve në Ditën e Kijametit për numrin tuaj të madh.” Po kështu, edhe pasuria, kur grumbullohet me qëllimin për të treguar mendjemadhësi dhe fodullëk, është e qortueshme. Por herë të tjera, kur fitohet dhe grumbullohet me qëllimin që të shpenzohet për hir të Allahut apo në rrugët e hajrit, si për shembull, për të mbajtur lidhjet farefisnore dhe për t'u shërbyer të afërmve, si dhe në të gjitha aspektet e bamirësisë dhe bindjes ndaj Allahut të Lartësuar, sigurisht që kjo është e lavdërueshme dhe e shpërblyeshme nga Zoti. Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth përcaktimit të masës së përmendur në ajet, e që quhet el kint âr. Megjithatë, fjalët e tyre vijnë në përfundimin se el kintar është një pasuri e madhe. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Enesi, dhe ky nga Profeti i Allahut, i cili kur e ka shpjeguar fjalën “ el kint âr”, e ka përcaktuar se është 1000 dinarë floriri. Në ajet është përmendur edhe dashuria për “ el ħajl”, pra, për kuajt. Përkushtimi ndaj kuajve ndahet në tri lloje: 1. Kujdesi për kuajt të cilët përgatiten për luftën në rrugën e Zotit dhe për t’i shërbyer fesë së Tij. Ai që ka këtë qëllim do të shpërblehet shumë nga Allahu i Lartësuar për dashurinë që ka për kuajt. 2. Shpeshherë, kuajt mbahen, trajtohen thjesht dhe vetëm për t'u lëvduar dhe për mendjemadhësi, dhe kjo e ngarkon me gjynah atë që merret me këtë punë. 3. Rritja dhe mbatja e kuajve për tregi, për të fituar pasuri dhe për të ruajtur gjakun dhe prejardhjen e pastër të këtyre kuajve, por duke mos harruar hakun e Allahut dhe duke dhënë zekatin dhe përmbushur detyrimet fetare në lidhje me këtë pasuri. Për sa i përket kësaj kategorie, Allahu i Lartësuar e di mirë gjendjen e tyre. Ata duhet të jenë të kujdesshëm në dhënien e hakut të Zotit, në lidhje me këtë pasuri. Për këtë çështje do të flasim, - në dashtë Allahu i Lartësuar, - kur të shpjegojmë ajetin: “Përgatituni kundër tyre me sa fuqi të keni, përfshirë kuajt e luftës, në mënyrë që t'i fusni tmerrin armikut të Allahut dhe armikut tuaj...”[Enfal 60]. Allahu i Lartësuar i ka cilësuar kuajt si “ el museu-ueme”, që do të thotë er-raijeh, pra, kuaj për të cilët tregohet kujdes i madh në trajtimin e stërvitjen e tyre. Thuhet, gjithashtu, se është fjala për kuajt el gur -ra ue muhaxhelin , që e kanë ballin dhe fundin e këmbëve të tyre të bardhë dhe që njihen si raca më e mirë i kuajve. Megjithatë, janë dhënë edhe mendime të tjera. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Suejd Ibn Hubejrate, se Profeti ﷺ ka thënë: 480. “Pasuria më e mirë e një

njeriu është “ mehratun me'mûrah ”, ose “sikketun me'bûrah ”. “ Me'murah” janë ato lloje kafshësh, që sjellin sa më shumë fëmijë nga pas. Ndërsa “ sikketu” është hurma që i ka frutat palë -palë. Hurma me'bura është ajo lloj hurme që pjalmohet lehtë dhe krijon sa më shumë fruta. Duke përmendur disa nga kënaqësitë e kësaj dynjaje, Allahu i Madhëruar përmend “ uel en'am” (bagëtitë), domethënë, devetë, lopët dhe delet. Kështu, përfshihen bagëtitë e trasha dhe të imta. Ai përmend edhe “ el ĥarth”, domethënë, tokën e cila është marrë për të mbjellë lloje të ndryshme pemësh apo farërash për ushqim. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - “Këto janë kënaqësi të kësaj bote ...” - Këto janë thjesht stoli të jetës së kësaj bote, që do të fanitet dhe zhduket. Ndërsa nga ana tjetër: “...por tek Allahu është e ardhmja më e mirë.” - Shpërblimi dhe përfundimi më i mirë është tek Allahu i Lartësuar. - Thuaju: “A t’ju tregoj për diçka shumë më të mirë se ato? - Ibn Xheriri sjell hadithin nga Umer Ibn Hatabi, i cili thotë: “Kur zbriti ky ajet: “Njerëzve u është hijeshuar dashuria për të kënaqësitë e kësaj bote, për gratë (e hijshme) , për djemtë (e pasardhësit e shumtë) , për pasurinë e madhe prej ari e argjendi, për kuajt e stolisur e për bagëtinë e bujqësinë.”, unë thashë: “Po tani, o Zoti ynë? Si do të bëjmë, kur tashmë na i ke zbukuruar në zemrat tona?!” Atëherë, zbriti ajeti: “Thuaju: “A t’ju tregoj për diçka shumë më të mirë se ato?” Pra, o Muhamed, thuaju njerëzve: A t'ju tregoj për diçka, që është më e mirë nga ajo që u është zbukuruar njerëzve në jetën e kësaj dynjaje, të cilat në fund do të zhduken? Madje, fakti që kjo botë do të zhduket, është diçka e sigurt dhe e padiskutueshme. Më pas, Allahu i Madhëruar na tregon atë mirësi, që është shumë më e mirë sesa kjo dynja dhe hijeshitë e saj, duke thënë: - Për ata që janë të devotshëm, janë përgatitur te Zoti i tyre kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku ata do të jenë përjetësisht. - Burimet shpërthejnë nga çdo anë dhe me lloje të ndryshme pijesh: mjaltë, qumësht, verëra të shijshme, ujë i kristaltë që nuk ndryshon kurrë shijen dhe mirësi të tjera, të cilat syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra e njeriut kurrë nuk i ka përfytyruar. Pastaj i Madhëruari thotë: “...ku ata do të jenë përjetësisht.” Pra, do të qëndrojnë në Xhenet në jetë të jetëve dhe mirësitë nuk do t’u pakësohen apo mbarojnë kurrë. - Atje do të kenë bashkëshorte të pastra dhe kënaqësinë e Allahut. - Atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ato janë të pastra nga papastërtitë, si cikli menstrual, lehonia apo çdo lloj papastërtie tjetēr fizike, konceptuale dhe shpirtërore. Ata do të kenë kënaqësinë e Allahut. Pra, ata do t'i mbulojë kënaqësia e Zotit, që kurrë nuk do të zemërohet me ta, pas asaj dite. Kjo ngjan me ajetin e Allahut të Lartësuar: “Besimtarëve dhe besimtareve, Allahu u ka premtuar kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit. Por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe.” [Teube 72]. Dhe kënaqësia e Allahut është më e madhja mirësi, më e madhe se çdo mirësi, bukuri dhe kënaqësi e përhershme në Xhenet. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Allahu është Gjithëshikues i robërve të Vet. - Pra, Allahu i Madhëruar ka për t’i dhënë secilit shpërblim të madh në Xhenet, sipas meritave.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:14–3:17

- “Njerëzve u është hijeshuar dashuria për kënaqësitë e kësaj bote, për gratë (e hijshme), për djemtë (e pasardhësit e shumtë), për pasurinë e madhe prej ari e argjendi, për kuajt e stolisur e për bagëtinë e bujqësinë.” - Allahu i Lartësuar na tregon se njerëzve u është hijeshuar dashuria për bukuritë e kësaj jete, duke përmendur në mënyrë të veçantë disa prej tyre, sepse ato janë bukuritë më të mëdha të dynjasë. Çdo bukuri e kënaqësi tjetër është degëzim i këtyre kryesoreve. Në suren Kehf, ajeti 7, i Lartësuari thotë: “ Gjithçka në Tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, për t’i provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.”. Kënaqësitë e numëruara në

ajet janë mjaft tërheqëse. Shpirti dhe zemra e njeriut i dëshiron shumë ato. Megjithatë, kundrejt këtyre kënaqësive, njerëzit ndahen në dy grupe: 1. Ata që e konsiderojnë arritjen e këtyre kënaqësive si qëllimin kryesor të jetës së tyre. Këta, çdo fjalë, vepër, mendim apo ndjenjë e kanë vetëm për hir të këtyre kënaqësive. Dëshira për të arritur këto kënaqësi i shmang ata nga qëllimi për hir të së cilit Allahu i Lartësuar i ka krijuar, duke u shndërruar kështu në kafshë të vërteta. Për ta është e rëndësishme thjesht që të përmbushin epshet dhe dëshirat e tyre, pa u shqetësuar aspak se me ç’rrugë do ta arrijnë këtë. Ata nuk shqetësohen aspak se si i fitojnë dhe si i shpenzojnë të mirat që zotërojnë. Ja, për të tillë njerëz, bukuritë joshëse të kësaj bote janë shkak për ndëshkimin dhe dëshpërimin e tyre. 2. Ata që e dinë cili është qëllimi i vërtetë i stolive të kësaj jete. Ata e dinë që Allahu i Lartësuar i ka bërë ato për të provuar besimin e njerëzve, për t’u dalluar qartë ata që i japin përparësi bindjes ndaj Tij dhe kënaqësisë së Tij, nga ata që parapëlqejnë përmbushjen e kënaqësive të pakontrolluara të kësaj dynjaje. Grupi i dytë i përdor bukuritë e kësaj jete thjesht si mjete për të arritur qëllimin kryesor: adhurimin e Allahut. Nëpërmjet kësaj jete dhe çdo çasti të saj, ata mundohen të grumbullojnë sa më shumë furnizime për rrugën e gjatë që i pret pas vdekjes. Çdo kënaqësi të kësaj bote ata e përdorin si ndihmë për të arritur përsosjen e adhurimit dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e kësaj jete zënë vend vetëm në trupin e tyre, ndërsa shpirti dhe zemra e tyre përkushtohen për të arritur një qëllim tjetër, shumë më të lartë dhe më të vyer. Ata e dinë se mirësitë e dynjasë janë sikurse i përshkruan Allahu i Lartësuar: - “Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.” - Çdo kënaqësi që shijojnë në këtë dynja, ata e shndërrojnë në një urë për të shkuar në lumturinë e përjetshme. Ata bëjnë një tregti shumë të madhe, duke shpresuar shpërblim dhe dhurata të mrekullueshme. Për këtë kategori njerëzish, bukuritë e kësaj jete janë mjete që i çojnë të sigurt te Zoti i tyre. Ky ajet është qetësues e ngushëllues për të gjithë ata të varfër që nuk kanë mundësi të shijojnë mjaft kënaqësi të kësaj bote, të cilat i provojnë të pasurit. Ajeti është, gjithashtu, edhe këshillë dhe qortim për çdo njeri që mashtrohet nga bukuritë e kësaj dynjaje. Nga ana tjetër, ai nxit të mençurit e të urtët që të tregohen asketë ndaj botës mashtruese dhe stolive të saj të kufizuara dhe të përkohshme. Ai i nxit ata që të shohin me zemrat dhe besimin e tyre shumë lart, te premtimet e mrekullueshme të Allahut. - “Thuaju: “A t’ju tregoj për diçka shumë më të mirë se ato? Për ata që janë të devotshëm, janë përgatitur te Zoti i tyre kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku ata do të jenë përjetësisht. ” - Allahu i Lartësuar na tregon se mirësitë e përgatitura për të devotshmit janë shumë herë më të çmuara se mirësitë e kësaj jete të shkurtër. Ato janë kopshte të dendura e të larta, me banesa të gjera, të rehatshme e plot luks. Kopshtet janë të mbushura me pemë të llojllojshme. Nëpër to rrjedhin lumenj, sipas dëshirës së tyre. - “Atje do të kenë bashkëshorte të pastra dhe kënaqësinë e Allahut.” - Gratë do të jenë të pastra nga çdo ndyrësi e jashtme dhe e brendshme, trupore, shpirtërore dhe morale. Të gjitha këtyre mirësive u shtohet e u plotësohet bukuria e vlera edhe nga fakti që ato do të jenë të përjetshme për besimtarët. Përveç kësaj, kjo përjetësi do të jetë në kënaqësinë e Allahut. Kënaqësia e Allahut ndaj tyre është mirësia më e madhe që ata do të shijojnë. A mund të krahasohen, pra, kënaqësitë e kësaj jete me ato të ahiretit? Bëj për veten tënde zgjedhjen më të mirë, duke kujtuar dallimin mes dy jetëve, dhe mos harro se - “Allahu është Gjithëshikues i robve të Vet.” – Allahu i di në hollësi dëshirat e njerëzve. Ai i di të mirat dhe të këqijat që përmban shpirti ynë. Ai e di shumë mirë se çfarë i përshtatet secilit. Ai i jep sukses atij

që Ai dëshiron, dhe l ë në humbje atë që Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar që i bëri përshkrimin më të bukur Xhenetit të Tij, përshkruan më pas edhe krijesat që e meritojnë atë vend. Kështu, të vetmit që do t’i gëzojnë këto premtime janë të devotshmit, domethënë ata që i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit të tyre, duke zbatuar çdo urdhër të Tij dhe duke u larguar nga çdo gjë që Ai e ka ndaluar. Këta luten vazhdimisht dhe thonë: - “Të tillë janë ata që thonë: “O Zoti ynë! Ne kemi besuar me sinqeritet. Na i fal gjynahet tona dhe na ruaj prej ndëshkimit të Zjarrit!” - Një cilësi e tyre është edhe fakti që ata afrohen tek Allahu i Lartësuar dhe ndërmjetësojnë tek Ai me besimin e tyre, që Ai t’i falë dhe të mbulojë të metat e tyre. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne kemi besuar me sinqeritet, prandaj, për hir të këtij besimi, na i fal gjynahet tona dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit!”. Është pikërisht Allahu i Lartësuar që u ka dhënë sukses dhe që i ka udhëzuar, dhe po nga Ai ata kërkojnë që, ashtu sikurse i ka udhëzuar në besim, t’ua mbulojë të metat, t’ua falë gabimet dhe t’i ruajë nga dënimi i Zjarrit. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon disa cilësi të tjera të të devotshmëve: - “Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës, dhe ata që në kohën e agimit kërkojnë falje. ” – Pra, të devotshmit dallohen për durimin e tyre. Ata e nënshtrojnë veten në bindjen ndaj Zotit. Ata durojnë gjithçka, për të plotësuar urdhrat që i do dhe i pëlqen Allahu. Ata durojnë për t’u larguar nga çdo gjynah dhe mosbindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ata janë të durueshëm përballë çdo përcaktimi të Zotit të tyre. Ata janë të kënaqur me caktimin e Zotit dhe janë durimtarë. Ata nuk tregojnë asnjë pakënaqësi apo zemërim me caktimin e Allahut të Lartësuar. Të devotshmit janë, gjithashtu, të vërtetë e të sinqertë në besimin e tyre. Veprat, fjalët, ndjenjat dhe besimi i tyre janë të çiltra. Ata nuk janë shtiracakë. Të devotshmit janë dorëdhënës. Ata shpenzojnë çdo lloj pasurie me të cilën Zoti i tyre i ka privilegjuar mbi të tjerët. Ata janë në ndihmë të vazhdueshme për krijesat e Zotit, e në mënyrë të veçantë për të afërmit e tyre. Të devotshmit kërkojnë falje gjatë kohës së agimit, dhe kjo është cilësi jashtëzakonisht e rrallë. Edhe pse gëzojnë virtyte të larta, si ato që u përmendën më sipër, ata e shohin veten me sy kritik dhe kurrë nuk pretendojnë se janë të devotshëm. Përkundrazi, ata mendojnë se janë shumë të mangët në fjalët dhe veprat e tyre, për të pretenduar një gjë të tillë. Për këtë arsye, ata e ndjejnë veten të detyruar që të kërkojnë falje nga Zoti i tyre i madhërishëm. Madje, ata nuk kërkojnë falje dosido, por përpiqen që këtë ta bëjnë në kohë të përzgjedhura, me qëllim që përgjigjja e Zotit të jetë më pranë dhe më e sigurt. Kjo dëshmon se me sa shumë ngulm e kërkojnë ata faljen nga Zoti i tyre. Ata luten në kohën e agimit, sepse atëherë e shpresojnë faljen nga Allahu i Madhëruar. Për shpjegimin e kësaj cilësie të të devotshmëve, Hasen el Basriu ka thënë: “Ata e zgjasin namazin e natës deri në kohën e agimit, pastaj ulen, shprehin pendesë dhe kërkojnë falje prej Zotit të tyre.” Këto ajete, ndër të tjera, flasin për: - gjendjen e njerëzve në raport me kënaqësitë e kësaj jete të shkurtër; - për mirësitë, zbukurimet dhe luksin e kësaj dynjaje, dhe për faktin që ato janë të papërfillshme në krahasim me jetën tjetër dhe bukuritë e saj të përjetshme; - për bukuritë e mrekullueshme të Xhenetit dhe për çdo mirësi që gjendet në të, duke na nxitur që të bëjmë dallimin mes dy jetëve. Duke na nxitur që t’i studiojmë mirësitë e secilës jetë, para se të bëjmë përzgjedhjen tonë, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai dëshiron prej nesh që t’i japim përparësi ofertës së Tij për të hyrë në Xhenetin e përjetësisë. E si mund të zgjedhim mirësitë e dynjasë të shkurtër, që e ka një fund, përpara mirësive të mrekullueshme dhe të përjetshme të Xhenetit?! Allahu i ka përshkruar banorët e Xhenetit, me cilësitë e tyre të rralla. Ata janë të devotshmit, të cilët

i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit të tyre, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, të cilat Ai i ka sqaruar në Kur’ân dhe nëpërmjet Profetit të Tij. Allahu i tregon më konkretisht disa virtyte të të devotshmëve, me të cilat adhuruesi duhet ta stolisë veten e tij. Ato cilësi janë kritere për të gjykuar në se mund të jesh prej banorëve të Xhenetit apo jo.

← Ali Imran 3:14