فَـَٔاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ ثَوَابَ ٱلدُّنۡيَا وَحُسۡنَ ثَوَابِ ٱلۡأٓخِرَةِۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ
Ndaj All-llahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër; All-llahu i do punëmirët.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Kurani i cili është sqarues i së vërtetës për të gjithë njerëzit, është këshillues e përkujtues për besimtarët parashtron goditjen që pësuan besimtarët në Uhud, si ngjarje të zakonshme në ligjet e Zotit, pse edhe armiku i tyre një vit më parë, pësoi një aso goditje. Kur grupi që ishte roje, nuk ju përmbajt mësimeve dhe porosive të Pejgamberit a.s., u manifestua drejtësia e ligjeve të Zotit, të cilat mbretërojnë ndër njerëz, prandaj edhe thuhet se situata kalon prej një dore në dorën tjetër, kuptohet sipas përgatitjes dhe fuqisë. Ndihma e Zotit nuk u manifestua, sepse rojtarët e thyen urdhrin e Pejgamberit a.s, dhe nuk iu përmbajtën atij. Megjithatë Kurani i këshillon besimtarët të jenë krenarë, sepse një goditje të tillë, e edhe më të rëndë e përjetoi edhe armiku në Bedr. Urtësia e Zotit ishte, që në atë luftë të sprovohen e të dihen besimtarët e sinqertë, të shpërblehen disa me gradën dëshmor (shehid) dhe t’iu shërbejë besimtarëve si përvojë në të ardhmen. Në vlimin e luftës plagoset pak edhe vetë Pejgamberi a.s., e armiku shfrytëzon rastin dhe hap fjalën se u vra Muhamedi a.s., ashtu që disa besimtarë u hutuan. Zoti i porosit besimtarët, se edhe nëse vritet e vdes Pejgamberi a.s, ata duhet ta vazhdojnë luftën në rrugën e Tij. Ashtu bënë besimtarët e mëparshëm me pejgamberët e tyre në raste të tilla, sepse vdekja është e caktuar në afatin e vet, e ajo nuk vjen, as më parë, as më vonë. ata i trillojnë e i veshin Allahut zota të tjerë, duke mos pasur për këtë kurrfarë fakti, ndaj vendbanimi i tyre do të jetë xhehenemi. Sa i shëmtuar është vendi i mizorëve.