← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 165 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:164–3:172

Zoti i favorizoi besimtarët ngase nga vetë mesi i tyre u dërgoi pejgamber, të cilit ia njihnin virtytet i e larta të moralit që i posedonte, i cili u fliste me gjuhën e tyre, i cili u shërbente si shembull praktik në të gjitha poret e jetës së tyre, andaj lypsej bindur atij, duhej respektuar urdhërin e tij.

Myslimanët nuk korrigjuan gabimin e vet në luftën e Uhudit, kur nga radhët e tyre ranë shtatëdhjetë dëshmorë, por u habitën e thanë: si u bë që të kemi humbje kaq të madhe" Zoti u tha se faji është, juaji, sepse nuk respektuat porosinë e Pejgamberit, e në anën tjetër, nuk duhet të habiteni, pse në luftën e Bedrit ju i mbytet shtatëdhjetë idhujtarë dhe shtatëdhjetë të tjerë i zutë robër, pra dëmi i tyre ishte i dyfishtë. Pastaj, rrjedhimi i luftës në Uhud ishte i paraparë prej Zotit për të dalë në shesh tradhëtia e hipokritëve, të cilët thonin se nuk e dinin që do të bëhet luftë se edhe ne do të dilnim e do të luftonim, e në anën tjetër tinëzisht i përqeshnin myslimanët pse shkuan të luftojnë dhe pse humbën aq shumë njerëz.

Dëshmorët e rënë në rrugën e Allahut nuk përjetojnë periudhën e jetës në varreza - Berzah, ata menjëherë ia fillojnë jetës së njëmendët tek Allahu, i përjetojnë dhe i shfrytëzojnë të mirat që u dhurohen, janë të gëzuar pse ranë dëshmorë dhe edhe besimtarëve të tjerë u dëshirojnë një asi fati. Këtu duhet kuptuar se fjala është për një jetë tek Allahu, e cila nuk është siç mendon dikush prej nesh lidhur me trupin e tyre se nuk prishet etj. Pra, ajo gjallëri e kënaqësi e tyre është te Allahu, jo siç e njohim ne në jetën tonë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:165–3:168

- “Kur ju goditi një disfatë, ndërkohë që më parë ju ia kishit shkaktuar dyfishin e saj armikut tuaj, ju thatë: “Si ndodhi kjo?!”. - Bëhet fjalë për humbjen në Betejën e Uhudit, dhe pikërisht për të vrarët nga mesi i muslimanëve. Allahu i Lartësuar thotë: “ndërkohë që më parë ju ia kishit shkaktuar dyfishin e saj armikut tuaj....”. Pra, në Betejën e Bedrit, ju i shkaktuat armikut dyfishin e humbjeve që pësuat në Uhud. Në Bedër, muslimanët vranë 70 idhujtarë dhe kapën robër 70 të tjerë. - Ju thatë: “Si ndodhi kjo?!” - Pra, përse na ndodhi kjo neve?! Allahu i Lartësuar tha: - Thuaj: “Ajo ndodhi nga vetë ju.” - Ajo ndodhi për shkak të mosbindjes tuaj ndaj urdhrit të Profetit të Allahut. Ai ju urdhëroi që të mos largoheshit në asnjë mënyrë nga pozicioni ku ai ju vendosi. Por ju e thyet urdhrin dhe lëvizët nga ai pozicion. Këtu

është fjala për skuadrën e shigjetarëve, që Profeti ﷺ i vendosi për t’u ruajtur shpinën nga pas malit të Uhudit. - S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. - Allahu vepron gjithçka që Ai dëshiron dhe përcakton e vendos me urtësinë e Tij. Askush nuk mund të kundërshtojë gjykimin dhe vendimin e Allahut. - Ajo që ju goditi ditën e ballafaqimit të dy ushtrive ndodhi me lejen e Allahut, për të sprovuar besimtarët e sinqertë - Kështu, largimi juaj nga fushëbeteja dhe nga përballja me armikun, vrasjet që armiku shkaktoi në mesin tuaj dhe plagosja e shumë të tjerëve, të gjitha këto ishin me caktimin dhe vullnetin e Allahut të Lartësuar. Gjithçka që Ai vendos, e bën me urtësinë dhe diturinë absolute të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “...për të sprovuar besimtarët e sinqertë.” Pra, për të sprovuar ata të cilët bëjnë durim, tregohen të qëndrueshëm dhe nuk luhaten në rrugën e Allahut të Lartësuar. Por Allahu thotë, gjithashtu: - dhe për t’i nxjerrë në pah munafikët. Atyre iu tha: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose (së paku) për të mbrojtur veten!”. Ata thanë: “Sikur ta dinim se do të bëhej luftë (e vërtetë), ne do të vinim pas jush.” - Këtu flitet për ata që shoqëronin Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulin (munafikun), të cilët, gjatë rrugës për në Uhud, u kthyen mbrapsht bashkë me të. Ata, në fakt, përbënin një të tretën e ushtrisë. Abdullah Ibn Ubeji, duke kundërshtuar vendimin e Profetit, tha: "Ai dëgjoi fjalën e tyre për të luftuar jashtë Medinës, dhe nuk e dëgjoi fjalën time. Vallahi, nuk e di, përse po vrasim veten këtu, o njerëz?" Dhe kështu, ai u kthye bashkë me ata njerëz nga populli i tij që e pasuan, që në fakt ishin munafikë dhe njerëz të mbushur me dyshime dhe luhatje. Me ta shkoi edhe Amr Ibn Harami, vëllai i fisit Benu Seleme. Ai po u thoshte: “O njerëz! Po ju kujtoj Allahun dhe po ju ftoj për hir të Tij, që të mos e tradhtoni dhe ta lini në baltë Profetin dhe popullin tuaj." Por ata thanë: "Po ta dinim se do të kishte luftë, nuk do ta linim, por nuk mendojmë se do të ketë ndonjë luftë këtu!” Kur e pa që ata po këmbëngulnin që të ktheheshin, atëherë Amri iu tha: “Allahu ju largoftë, o armiqtë e Allahut! Neve do të na mjaftojë Allahu dhe nuk do të kemi nevojë për ju!” Ndërkohë, Profeti i Allahu t vazhdoi rrugën drejt Uhudit. - Atë ditë, ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Ata thoshin me gojën e tyre gjëra që nuk i kishin në zemrën e tyre, por Allahu e di mirë se çfarë fshehin ata. - Pra, ata thanë disa fjalë të cilat, edhe vetë e dinin mirë se nuk ishin të sakta dhe të vërteta. Ndër këto fjalë të pavërteta ishte edhe: “Sikur ta dinim se do të bëhej ndonjë luftë, ne do të vinim pas jush.” Këto ishin fjalë të pavërteta, që ata i thoshin me gojën e tyre, por e dinin mirë se nuk ishin të vërteta, sepse ata ishin të sigurt se idhujtarët kishin ardhur aty, pikërisht për të marrë hak kundër muslimanëve. Ata kërkonin hakmarrje për vrasjen e fisnikëve të tyre në

Betejën e Bedrit. Ata e dinin shumë mirë se lufta do të ndodhte. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “...por Allahu e di mirë se çfarë fshehin ata.” - Atyre që nuk luftuan dhe që thanë për vëllezërit të vet “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të vriteshin”, thuaju: “Largojeni vdekjen prej vetes suaj, nëse thoni të vërtetën!” - Pra, sikur të dëgjonin këshillën tonë, që u dhamë për të qëndruar dhe për të luftuar brenda Medinës dhe për të mos ardhur në këtë vend, nuk do të vriteshin. Allahu i Lartësuar ua kthen: "...thuaju: “Largojeni vdekjen prej vetes suaj, nëse thoni të vërtetën!” Pra, mos vallë ju mendoni se nuk do të vdisni dhe se do t’i shpëtoni vdekjes duke mos vajtur në luftë?! Vdekja ka për t’ ju ardhur edhe sikur të jeni në kështjella të fortifikuara mirë. Kur t'ju vijë vdekja, atëherë largojeni vdekjen nga vetja juaj, nëse thoni të vërtetën, pra, se mund t’i shpëtosh vdekjes duke i ikur luftës dhe se vdekja është diçka që mund t’i shmangesh. Muxhahid përcjell se Xhabir Ibn Abdullahi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur dhe flet për Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulin dhe pasuesit e tij munafikë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:165–3:168

- “Kur një disfatë e vetme ju goditi, ndërkohë që ju ia patët shkaktuar më parë dyfish armikut tuaj, ...” - Ky qe një ngushëllim nga Allahu i Lartësuar për të qetësuar adhuruesit e Tij të sinqertë, pas humbjes së dhimbshme në Uhud, ku u vranë rreth shtatëdhjetë vetë prej tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar u kujtoi besimtarëve dhimbjet që ata u kishin shkaktuar armiqve të tyre në Bedër, ku vranë shtatëdhjetë vetë prej krerëve të kufrit dhe robëruan shtatëdhjetë të tjerë. Kështu, kuptimi i ajetit është: Le të qetësohen zemrat tuaja dhe të mos ju duket shumë e rëndë kjo fatkeqësi. Pastaj, kujtoni edhe diçka tjetër, që duhet t'ju lehtësojë krejt: ju dhe ata nuk jeni kurrë njëlloj në humbjet që ju godasin, sepse të vrarët tuaj janë tashmë në Xhenet, ndërsa të vrarët e tyre përfundojnë në Zjarr. - “...thatë: “Si ndodhi kjo?”. Thuaj: “Ajo ndodhi nga vetë ju. ”” – Ata pyetën se nga u erdhi ajo goditje. Përse kjo humbje e tillë? Allahu i Lartësuar u dha përgjigjen dhe u qartësoi se shkaku ishin ata vetë dhe veprat e tyre. Humbja filloi kur ata nisën të diskutonin dhe kundërshtonin urdhrin e Profetit (a.s.), edhe pse po e shihnin me sy atë që aq shumë e dëshironin (fitoren). Pra, Allahu u thotë: Kthejuni vetes suaj me qortim dhe me kërkesë llogarie të imët. Jini të kujdesshëm nga çdo gjë që shkakton humbje dhe shkatërrim. Për asnjë moment mos harroni se: - “S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” – Kini kujdes që kurrë të mos mendoni për Allahun e Lartësuar ndonjë gjë të keqe. Të jeni të sigurt se Ai është i Plotfuqishëm për t'ju ndihmuar dhe për t’ju dhuruar fitoren. Por Ai është Absolut në urtësinë e Tij të madhe për gjithçka që përcakton t'ju godasë. Pas çdo sprovë dhe fatkeqësie, fshihet urtësia e Tij madhështore. Kështu, në një sure tjetër, i Plotpushtetshmi thotë: “Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditini në qafë, derisa t’i mposhtni! Më pas, lidhini mirë, e kështu mund t’i lironi falas ose mund të kërkoni çmim për ta, derisa të përfundojë lufta. Po të donte, Allahu do t'i shkatërronte ata, por Ai dëshiron që t’ju sprovojë me njëri-tjetrin. Allahu nuk do ua humbë veprat atyre që bien dëshmorë në rrugën e Tij. Ai do t'i udhëzojë (drejt lumturisë) dhe do t'ua përmirësojë gjendjen e tyre. ” [Muhamed 4, 5]. - “Ajo që ju goditi ditën e ballafaqimit të dy ushtrive ndodhi me lejen e Allahut, ...” - Kështu, i Lartësuari tregon se humbja e madhe që i goditi besimtarët në luftën e Uhudit ndodhi me vullnetin dhe përcaktimin e Tij. Përcaktimi i Zotit është i padiskutueshëm dhe i pakthyeshëm, pandaj nuk mbetet gjë tjetër, por veçse t'i dorëzohesh dhe ta pranosh atë i kënaqur. Besimtarët duhet ta dinin se pas ngjarjes fshiheshin urtësi dhe dobi të shumta, ndër të cilat:

- “...për të sprovuar besimtarët e sinqertë dhe për t’i nxjerrë në pah munafikët. ” - Pra, për t’u dalluar qartë besimtarët e sinqertë nga munafikët shtiracakë, sepse në të tilla sprova, munafikët shfaqin fytyrën e tyre të vërtetë. - “Atyre iu tha: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose (së paku) për të mbrojtur veten!”” - Atyre iu tha: “Ejani të luftoni në rrugën e Zotit, për të mbrojtur fenë dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij! Ose, së paku, ejani dhe mbroni familjet, pasurinë dhe vendin tuaj, nëse nuk keni ndonjë qëllim më të lartë!” Por ata e hodhën poshtë këtë ftesë, duke thënë: - “Ata thanë: “Sikur ta dinim se do të bëhej luftë (e vërtetë), ne do të vinim pas jush.” – Pra, thanë: “Nëse do ta dinim se do të zhvillohej luftë mes jush, me siguri që do të vinim, por ne menduam se nuk do të bëhej luftë”. Ata sigurisht që gënjenin, sepse e dinin mirë që do të bëhej luftë, madje luftë e ashpër. Idhujtarët ishin të mbushur plot urrejtje dhe dëshirë për hakmarrje kundër muslimanëve, për humbjen që kishin pësuar në Bedër. Ata kishin shpenzuar të gjitha forcat njerëzore dhe financiare që zotëronin. Atëherë, si mund të mendohej se mes tyre nuk do të zhvillohej luftë?! Aq më tepër që besimtarët dolën në pritje të tyre. Ky justifikim i sjellë nga munafikët ishte qesharak, dhe të mjerët menduan se ai do të ishte i pranueshëm për besimtarët. Por çfarë thotë i Gjithëdi turi për ta?! - “Atë ditë, ata ishin më afër mosbesimit se besimit.” - Pra, në atë gjendje, kur nuk dolën me besimtarët, ata ishin më pranë kufrit se besimit. - “Ata thoshin me gojën e tyre gjëra që nuk i kishin në zemrën e tyre, ...” - Kjo është cilësi e përhershme e munafikëve. Ata gjithmonë thonë me gojë gjëra që nuk i kanë në zemër. Fjalët dhe veprat e tyre, në dukje, janë të bukura dhe tërheqëse për sytë e njerëzve , por ato që fshehin brenda janë ndryshe. E tillë konsiderohet edhe thënia e tyre: “Sikur ta dinim se do të bëhej luftë, ne do të vinim pas jush!”, sepse ata e dinin shumë mirë që lufta ishte e pashmangshme Ky ajet mbështet saktësinë e parimit në Islam, që thotë: “Lejohet të kryhet një vepër me dëm më të vogël, për t’ju ruajtur një dëmi më të madh. Po ashtu, është detyrë të kryesh punën me dobi më të vogël, nëse nuk mundesh të kryesh atë me dobi më të madhe.” Arsyeja është se munafikët u urdhëruan fillimisht që të luftonin për të mbrojtur fenë, por kur nuk e bënë këtë, atëherë u urdhëruan që të luftonin për të mbrojtur familjet, pasurinë dhe vendin e tyre. - “...por Allahu e di mirë se çfarë fshehin ata.” - I Gjithëdituri ua shfaq këto të fshehta adhuruesve të Tij besimtarë, ndërsa për munafikët ka përgatitur një dënim të dhembshëm. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Atyre që nuk luftuan dhe që thanë për vëllezërit të vet “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të vriteshin”, - Kështu, munafikët kryen njëherazi dy vepra të këqija: së pari, ata dezertuan, duke refuzuar luftën në rrugë të Allahut dhe, së dyti, kundërshtuan gjykimin e Allahut të Lartësuar dhe mohuan përcaktimin e Tij. Këtyre, Allahu i Lartësuar u ktheu si përgjigje një kërcënim të ashpër: - “...thuaju: “Largojeni vdekjen prej vetes suaj, nëse thoni të vërtetën! ” – Kuptimi: Nëse jeni të sigurt se mund t'i shpëtoni vdekjes me masat që mund të ndërmerrni, atëherë ndalojeni vdekjen kur ajo t'ju gllabërojë. Pa dyshim që ju jeni të pafuqishëm për diçka të tillë. Këto ajete dëshmojnë se tek një njeri mund të rrinë bashkë cilësi të besimit me cilësi të kufrit, dhe është e mundur që ai të jetë me pranë njërës cilësi sesa tjetrës.

← Ali Imran 3:165