3. Ali Imran · Ajeti 176 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:173–3:180
Pasi u larguan idhujtarët nga vendi i luftës, u shkoi ndërmend të kishin shkatërruar vetë Medinën. Pejgamberi dëgjoi për atë, i urdhëroi myslimanët t'u vëhen mbrapa dhe t'ju tregojnë se kanë fuqi e forcë luftarake. Të lodhur e të plagosur, myslimanët mblodhën forcat e veta dhe e ndoqën armikun deri në vendin e quajtur "Hamrael Esed". Ushtrisë që e ndoqi armikun, Pejgamberi nuk e lejoi t'i bashkohet asnjë që nuk kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit, me përjashtim të Xhabirit, të cilin e lejoi, sepse ai me leje kishte mbetur në shtëpi që t'i mbrojë shtatë motrat që i kishte.
Edhe pse hipokritët u përpoqën t'i frikësojnë myslimanët, këta nuk u frikësuan. Armiku nuk fitoi, sepse ai e lëshoi sheshin e luftës dhe iku, duke mos pushtuar asnjë pëllëmbë tokë të myslimanëve, ndaj nuk pati guxim ta sulmojë Medinën.
Pejgamberit i thuhet të mos brengoset përse dikush përpiqej të përhapë mosbesimin - kufrin, sepse ata kishin punë me Zotin, i cili gjithnjë është ngadhënjyes, i cili në duar të veta i ka, e nëse do, i shkatërron në këtë jetë, e nëse do i lë të jetojnë e të grumbullojnë mëkate, ashtu qe ai dënim i shëmtuar me zjarr të jetë meritë e tyre.
Lufta në Uhud i zbuloi tradhëtarët, e ajo u ndihmoi myslimanëve që t'i pastrojnë radhët e veta.
Gjithashtu, ajo luftë u dha të kuptojnë se nuk duhet lakmuar aq shumë për pasuri, sepse nëse ajo nuk shpenzohet në rrugën e Zotit, do të mbetet trashëgim i të tjerëve, e më në fund, pas shkatërrimit total të njerëzve, qiej e tokë mbetën ashtu sikurse edhe kanë qenë dhe siç janë, trashëgim i Zotit.
Deri më këtu përfundon rrëfimi për luftën e Uhudit, për tradhëtinë e hipokritëve prej së cilës myslimanët duhet të marrin mësim.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:176–3:180
Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Mos u brengos për ata që rendin në mosbesimin e tyre! - Kjo sepse Profeti ﷺ kujdesej dhe shqetësohej shumë për udhëzimin e njerëzve. Kur ai i ftonte njerëzit dhe ata nuk i përgjigjeshin ftesës së tij, ai trishtohej shumë, sepse mohuesit e kundërshtonin menjëherë, duke shprehur inat dhe armiqësi kundër Profetit ﷺ . Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i tha: “Mos u brengos për ata...” Pra, mos u shqetëso, sepse: - Ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu, me Urtësinë e Vet, dëshiron që atyre të mos u takojë asnjë e mirë në botën tjetër.” - Domethënë, është urtësia e Allahut ajo që e përcaktoi të ndodhte diçka e tillë. - Ata do të kenë një dënim të madh.” - Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Ata që, në vend të besimit, parapëlqyen kufrin, nuk i bëjnë asnjë dëm Allahut. Ata i pret një dënim i dhembshëm.” - Këta janë ata të cilët, në vend të imanit, parapëlqyen e zgjodhën mohimin e Zotit dhe jetën jo sipas porosive të Tij. Këta njerëz: “...nuk i bëjnë asnjë dëm Allahut.” Përkundrazi, ata dëmtojnë veçse veten e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i pret një dënim i dhembshëm.” - Të mos mendojnë jobesimtarët se afatin që Ne u kemi dhënë të jetojnë është në dobi të tyre! Ne i lëmë të jetojnë veç që të shtojnë edhe më shumë gjynahet e tyre. Ata i pret një dënim poshtërues.” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në një ajet tjetër: “Por, lëri ata edhe për pak kohë në vetëmashtrimin e tyre! Mos vallë ata po mendojnë se meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat? Jo, kurrsesi! Por, ata nuk kuptojnë.” [Mu'minun 54 - 56]. Ose ajetit tjetër: “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues.” [Teube 55]. - Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri. - Patjetër që Allahu i Lartësuar ka për t’ju sjellë ndonjë sprovë dhe vështirësi. Nëpërmjet sprovave do të dalë në pah besimtari i durueshëm nga ai që është munafik, i cili shkel kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe nuk i nënshtrohet Atij. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i referohet Betejës së Uhudit, me të cilën sprovoi besimtarët. Pikërisht në këtë ditë u shfaq qartë imani i besimtarëve të sinqertë dhe durimi i tyre. Atë ditë u shfaq qëndrueshmëria, devotshmëria dhe bindja ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. Por në këtë ditë, gjithashtu, Allahu i Madhëruar u çori maskën munafikëve dhe ua nxori të palarat. Në këtë sprovë u shfaq qartë tradhtia dhe pabesia e tyre ndaj Profetit ﷺ . El Siriu shpjegon: “Njëherë, munafikët thanë: ‘Nëse Muhamedi është i sinqertë (se është Profet i Zotit), atëherë le të zbulojë se cili prej nesh është besimtar dhe cili është mohues.” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri”, pra, pa e dalluar e pa e nxjerrë qartë besimtarin nga mohuesi.” Kështu e ka transmetuar Ibn Xheriri . Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Allahu nuk do t'ju lejonte juve t'i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai). - Ju nuk e dini të fshehtën, derisa të shfaqet dhe të dallohet qartë besimtari nga mohuesi përmes kalimit të sprovave, duke parë sjelljen e gjithësecilit gjatë tyre. - Por Allahu zgjedh atë që do nga të dërguarit e Tij (për t'ia zbuluar të fshehtat). - Allahu zgjedh kë të dojë prej profetëve të Tij. Kjo ngjan me fjalën tjetër të Allahut të Lartësuar: “Ai është i Gjithëdituri për të fshehtën dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt, përveç ndonjë të dërguari, që Ai dëshiron.” [Xhin 26, 27].
- Prandaj, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij.” - Bindjuni Allahut dhe Profetit të Tij! Pasojeni Profetin e Tij në gjithçka që ju fton dhe urdhëron prej Zotit dhe në të gjitha ligjet që ai sjell prej Tij. - Nëse besoni dhe ruheni, do të keni një shpërblim të madh. - Nëse besoni dhe jeni të devotshëm, duke u ruajtur nga ndalesat e Tij, ju do të keni një shpërblim të madh. - Ata që nuk japin nga të mirat që u ka dhënë Allahu, të mos mendojnë se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo (kopracia) është në dëm të tyre. - Të mos mendojë koprraci se grumbullimi i pasurisë do t’i sjellë ndonjë të mirë. Përkundrazi, kjo është në dëm të tij. Kjo është në dëm të fesë së tij dhe ndoshta edhe në dëm të dynjasë së tij. Pastaj Allahu i Lartësuar u tregon atyre që e mbledhin pasurinë dhe e fshehin, pa respektuar atë që urdhëron Allahu në lidhje me të, se çfarë do të bëhet me pasurinë e tyre e ku do përfundojë ajo në Ditën e Gjykimit: - Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. - Buhariu sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 609. “Për njeriun që Allahu i jep pasur i, por që nuk e pastron këtë pasuri duke e dhënë zekatin, pasuria e tij do të shndërrohet si një gjarpër shumë i madh dhe me helm shumë të fortë (akra), i cili ka dy brirë ose dy pulla në ballin e tij. Ai ka për ta mbështjellë dhe shtrënguar fort në Ditën e Gjykimit. Ai do ta fusë mes dy dhëmbëve dhe nofullave të tij dhe do t’i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!” Pastaj Profeti ﷺ lexoi këtë ajet: “Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre.” El Aufiu përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur dhe flet për ithtarët e Librit, të cilët u treguan koprracë me diturinë dhe informacionet që ishin brenda librave të tyre, duke mos ua shpjeguar dhe mësuar ato njerëzve.” Kështu e ka sjellë hadithin Ibn Xheriri, por më i saktë është mendimi i parë, edhe pse ajeti e përfshin edhe këtë kategori njerëzish. - Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe Toka. “ - Të Allahut janë dhe do t’i mbeten në trashëgimi qiejt dhe toka, prandaj për këtë arsye: “Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë ta trashëgoni! Për ata që besojnë dhe shpenzojnë për hir të Zotit, ka shpërblim të madh.” [Hadid 9]. Ose: “Ç’ndodh me ju, që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, kur dihet se Allahut i mbesin trashëgim qiejt e Toka?! Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar nga pasuria e tyre dhe kanë luftuar para Çlirimit. Këta kanë vlerë më të madhe sesa ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por të gjithëve Allahu u ka premtuar mirësi. Allahu di për gjithçka që ju punoni.” [Hadid 10, 11]. - Kush është ai që i jep Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia shumëfishojë atë (pasurinë) dhe ti japë një shpërblim të mirë. - Shpenzoni nga pasuria që ju ka dhuruar Zoti, sepse të gjitha çështjet do të kthehen tek Allahu Krenar dhe i Lartësuar. Prandaj, nxitoni e garoni të paraqisni punë të mira, që mund t’i bëni përmes pasurisë tuaj, në mënyrë që të mund të dilni faqebardhë e të fituar në Ditën e Premtimit. Dita e Premtimit është Dita e Gjykimit. - Allahu e di mirë atë që bëni ju. - Ai është i gjithëditur për qëllimet tuaja dhe për atë që fshihni brenda kraharorit dhe zemrave tuaja.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:176–3:177
Profeti (a.s.) ishte shumë i përkushtuar për udhëzimin e krijesave të Zotit. Ai përpiqej dhe shqetësohej që ata të udhëzoheshin. Kur ata nuk përgjigjeshin, ai trishtohej dhe shqetësohej shumë, prandaj i Lartësuari i thotë: - “Mos u brengos për ata që rendin në mosbesimin e tyre! ” – Kuptimi: Mos u shqetëso për ata që, nga dëshira për shthurje, nxitojnë në vepra të këqija dhe në mohimin e Zotit. Ata e dëshirojnë shumë mohimin e Zotit dhe shfrenimin, por: - “Ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak.” - Allahu i Lartësuar do ta ndihmojë fenë e Tij, do ta mbështesë Profetin e Tij dhe do ta shpjerë deri në fund kauzën e Tij, edhe pse ata e mohojnë, prandaj mos u kushto shumë rëndësi mohimit të tyre! Ata po punojnë veçse në dëm të vetes së tyre. A ka fatkeqësi më të madhe sesa të jesh bosh nga imani në jetën e kësaj dynjaje dhe i ndëshkuar përjetësisht në jetën tjetër?! Me zgjedhjen e tyre të keqe, ata janë të pavlerë dhe të papërfillshëm tek i Gjithmëshirshmi. Ata janë kaq të papërfillshëm, saqë Allahu i Lartësuar thotë: - “Allahu, me Urtësinë e Vet, dëshiron që atyre të mos u takojë asnjë e mirë në Botën Tjetër. Ata do të kenë një dënim të madh. – Ata që braktisen nga Allahu i Lartësuar janë të ulët, të parëndësishëm, prandaj e meritojnë këtë trajtim nga i Drejti dhe i Urti. Ata nuk mund të meritojnë shpërblimin e ahiretit. Allahu nuk u dha sukses atyre në veprat dhe fjalët e mira, me të cilat fitohet mirësia dhe mëshira e Tij. Pa dyshim, Ai është i Drejti dhe i Urti. Allahu është i Gjithëdituri, që e di shumë mirë se kush e meriton udhëzimin dhe dritën e Tij. Ndërsa mohuesit, të cilëve Ai nuk u dhuron udhëzim dhe dritë, nuk i meritojnë këto mirësi sepse ata parapëlqejnë kufrin kundrejt imanit, sikurse ai tregtari që paguan me pasurinë më të shtrenjtë për të arritur atë që do. Të tillët nuk mund ta dëmtojnë aspak Zotin e botëve. - “Ata që, në vend të besimit, parapëlqyen kufrin, nuk i bëjnë asnjë dëm Allahut.” – Madje, dëmi do të kthehet mbi ta, siç thotë i Lartësuari:
- “Ata vetë i pret një dënim i dhimbshëm.” - E si mund ta dëmtojnë ata Allahun e Madhëruar?! Mos vallë, duke u treguar shpërfillës ndaj besimit tek Ai dhe duke parapëlqyer mohimin e Mëshiruesit?! Le të kujtojnë ata se Allahu i Lartësuar është i Lavdëruar në qiej dhe në tokë dhe se nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, aq më pak të tyre. Allahu i Lartësuar ka adhurues të pastër dhe të sinqertë, të cilët e adhurojnë me dashuri, madhërim, bindje dhe përkushtim të plotë. Ai ka krijuar adhurues e dijetarë të mëdhenj, që të sqarojnë dhe transmetojnë këtë fe, duke kënaqur Atë. Ai ka zgjedhur njerëz të lartë, të ditur dhe të urtë për të ndihmuar dhe lartësuar këtë fe. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet: “ Thuaj: “Besoni në atë (Kur'anin) apo jo, atyre që u është dhënë dituri (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet (Kur'ani) lëshohen me fytyrë përdhe, duke bërë sexhde.”. Dhe thonë: “I Lartësuar qoftë Zoti ynë! Premtimi i Zotit tonë është përmbushur.” Ata lëshohen me fytyrë në tokë duke qarë dhe ai (Kur'ani) ua shton edhe më shumë përuljen. [Isra 107-109].