← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 181 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:181–3:189

Kur qe shpallur ajeti i Kur'anit:... kush i huazon Allahut një hua të mirë..., njëfarë prijësi fetar i jehudive, Fenhas Azuaru i paska thënë Ebu Bekrit: Zoti qenka i varfër pasi po kërkon hua. Ebu Bekri i mëshon grusht në fytyrë dhe i thotë: sikur të mos ishte në fuqi marrëveshja për paqë ndërmjet nesh e jush, kisha për ta dredhur qafën. Jehudiu shkoi te Pejgamberi dhe u ankua kundër Ebu Bekrit. Pejgamberi e pyeti Ebu Bekrin për sjelljen, e tij. Ebu Bekri i tregoi se çka tha ai, por jehudiu e mohoi thënien, atëherë u shpall ky ajet: Allahu dëgjoi thëniet... dhe u vërtetua drejtësia e Ebu Bekrit.

Jehuditë bënë shpifje edhe ndaj Zotit, duke thënë se Ai u ka thënë: të mos besojnë pejgamber tjetër pas Musait, as Isanë, as Muhammedin dhe ashtu të vërtetën që e kishin në Tevrat e fshehën, madje edhe mburreshin për atë sukses të tradhëtisë që e bënë ndaj librit të tyre.

Myslimanët porositen të jenë të qëndrueshëm, të matur me rastin e sprovimit me çështje të ndryshme të kësaj jete, sepse maturia dhe durimi në zgjedhjen e çështjeve është kulmi i karakterit njerëzor.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:181–3:184

- Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur!” - Seid Ibn Xhubejri përcjell rrëfimin nga Ibn Abasi: “Kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Kush është ai që i jep Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia shumëfishojë atë (pasurinë) dhe t’i japë një shpërblim të mirë”, jehudët thanë: “O Muhamed! I varfër është Zoti yt, që po i kërkon robërve të Tij borxh?!” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur!” Vëreni me kujdes, kur Allahu i Lartësuar thotë: - Ne do ta shkruajmë atë që thanë ata, edhe vrasjen padrejtësisht të profetëve dhe pastaj, do t’u themi: “Vuajeni dënimin e djegies në Zjarr.” - Ky është një kërcënim dhe një paralajmërim i frikshëm për një ndëshkim të ashpër. Prandaj vërej me kujdes se si Allahu i Lartësuar e ka shoqëruar këtë fjalë me veprën e tyre të shëmtuar, pra, vrasjen e profetëve, duke thënë: “...edhe vrasjen padrejtësisht të profetëve dhe pastaj, do t’u themi: “Vuajeni dënimin e djegies në Zjarr.” Pra, këto janë fjalët e tyre të shëmtuara rreth Allahut dhe kjo është mënyra se si ata i trajtojnë profetët e Allahut. Kjo është arsyeja që Allahu ka për t’i ndëshkuar ata me mënyrën më të frikshme dhe më të dhimbshme. - Këtë (ndëshkim) e merituat me duart tuaja. Allahu nuk është i padrejtë ndaj krijesave”. - Atyre do t’u thuhen këto fjalë, në mënyrë që t’ua shtojnë dhe më shumë dhimbjen në shpirt. Ato janë fjalë qortuese dhe thuhen edhe në formë poshtërimi për ta. Në këtë mënyrë, ata do të vuajnë të nënçmuar dhe do të shijojnë poshtërimin në nivelet më të dhimbshme. - Ata thanë (gjithashtu): “Allahu na ka porositur që të mos besojmë asnjë të dërguar, derisa të na sjellë një kurban që ta përpijë zjarri.” - Allahu i Lartësuar përgënjeshtron pretendimin e tyre se: Allahu u ka marrë një premtim atyre në librat e tyre, që të mos besojnë asnjë të dërguar, derisa mes mrekullive që ai u jep, të jetë edhe kjo mrekulli që e përmendin ata. Pra, të zbriste një zjarr nga qielli dhe të përpinte kurbanin që do të bënte ky profet. Këta, pretendojnë se ky është një kusht i domosdoshëm për të pranuar profetët, për të besuar që ata thonë të vërtetën dhe se vërtet janë besnikë të dërguar nga Zoti. Por Allahu ua përgënjeshtron një kusht të tillë dhe u bën me dije se Ai u jep mrekullitë që Ai dëshiron, profetëve që Ai dëshiron. - Thuaju (O Muhamed): “Para meje, juve ju erdhën të dërguar me Argumente të qarta, madje edhe me atë (mrekulli) që

kërkonit. - Juve ju kanë ardhur profetë prej Meje me argumenta dhe fakte të dukshme dhe të qarta. Madje, edhe me atë që ju kërkoni, pra, me zjarr që vjen nga qielli dhe që përpin kurbanet, për të treguar pranimin e tyre nga Allahu i Lartësuar. Por, pavarësisht nga kjo, përse i vratë ata profetë? Në vend që t’i besonit e mbështesnit, ju i mohuat, i quajtët gënjeshtarë, i kundërshtuat ata, madje edhe i vratë e u morët jetën. - Përse, pra, i vratë ata, nëse thoni të vërtetën?” - Nëse jeni të sinqertë dhe të vërtetë në këtë që thoni, pra, se ju pasoni të vërtetën dhe iu nënshtroheni udhëzimeve dhe shpalljes së profetëve të Allahut, atëherë jepni një përgjigje për këtë krim të pashembullt! Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - Nëse ata të quajnë gënjeshtar, atëherë të jesh i sigurt se, edhe para teje janë quajtur të tillë të dërguar, që erdhën me argumente të qarta, me Shkrime qiellore dhe me Libër të ndritshëm. - Këto ajete erdhën për të qetësuar dhe ngushëlluar zemrën e profetit Muhamed ﷺ . Kuptimi i tyre është: Ty nuk duhet të të shqetësojnë këto fjalë, dhe as të ndihesh i zhvlerësuar dhe i parespektuar, nga fakti që këta të konsiderojnë gënjeshtar. Ti ke shembuj profetët para teje, të cilët u quajtën gënjeshtarë, edhe pse, ashtu si ti, sollën argumente të qarta dhe fakte të pakundërshtueshme dhe të prera nga Allahu i Madhëruar. Ata sollën edhe atë që quhet “Zubur”, pra, libra të zbritur nga qielli, si dhe fletë me dispozita dhe ligje të shpallura profetëve të Zotit. Allahu i Lartësuar u dha atyre libra të ndritshëm të qartë, që e sjellin dhe e shtjellojnë shumë mirë të vërtetën në mënyrë që njerëzit ta zbatojnë dhe të jetojnë sipas saj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:181–3:182

- “Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur .” Ne do ta shkruajmë atë që thanë ata, edhe vrasjen padrejtësisht të profetëve ...” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth disa kryeneçëve, që thanë fjalët më të shëmtuara dhe më të pista. Ai i kërcënon shumë frikshëm ata, kur thotë se i dëgjoi fjalët e tyre dhe i ka ruajtur me përpikmëri, së bashku me veprat e tjera të këqija që ata kanë bërë, dhe do të përdoren në gjyqin kundër tyre. Ata njihen gjithashtu si vrasës dhe torturues të profetëve dhe këshilluesve, që ftonin në udhën e drejtë të Allahut të Lartësuar. Ai do t'i ndëshkojë ata me dënimin më të ashpër. Për thënien e tyre të pistë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur .”, ata do të dëgjojnë të dëshpëruar fjalët që do u këpusin çdo shpresë: - “...dhe pastaj, do t’u themi: “Vuajeni dënimin e djegies në Zjarr !”. – Dënimi el muĥriķ, domethënë, me djegie që fillon nga jashtë trupit e depërton deri në brendësi të tij, deri në zemër. Ky ndëshkim nuk është aspak padrejtësi për ta. Ai është zgjedhur dhe arritur nga vetë ata, prandaj thotë i Drejti dhe i Lartësuari: - “Këtë (ndëshkim) e merituat me duart tuaja. Allahu nuk është i padrejtë ndaj krijesave”.”. - Janë poshtërsitë dhe paturpësitë e tyre ato që e bëjnë të meritueshëm këtë dënim të dhënë nga i Drejti dhe i Lartësuari. Janë fjalët dhe veprat e tyre të shëmtuara që sjellin ndëshkimin dhe vuajtjet dhe që largojnë shpërblimin dhe lumturinë. Studiuesit dhe shpjeguesit e Kur’ânit kanë thënë se ky ajet është shpallur për një grup çifutësh, që nxorën nga goja këto fjalë të shëmtuara.

Njëri prej tyre ishte Finhas Ibn Azura, i cili njihej si një ndër dijetarët çifutë më kryesorë të Medinës. Ky i poshtër, kur dëgjoi ajetin: “Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?” [Bekare 245] dhe ajetin: “Kush është ai që i ‘jep’ Allahut një hua të mirë, në mënyrë që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe që të ketë një shpërblim të mirë?” [Hadid 11], tha ato fjalë të çmendura , pra tha: "Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”. Allahu i Lartësuar na tregon, gjithashtu, se kjo nuk është diçka e papritur prej tyre, sepse janë pikërisht ata që kanë vrarë deri edhe profetë të Tij. Allahu i Lartësuar, për të treguar që vrasjet nuk kryheshin pa vetëdije nga ata, por me bindje dhe vullnet të plotë, e cilëson dhe thotë që ato ishin të padrejta. Nga ana tjetër, dihet që vrasja e një profeti nuk mund të jetë kurrë e drejtë. Kjo dëshmon se ata ishin aq të poshtër, saqë vrisnin e torturonin edhe profetët e tyre me vetëdije të plotë. Çfarë nuk mund të presësh nga një popull rebel dhe i fëlliqur si ata!

← Ali Imran 3:181