3. Ali Imran · Ajeti 25

سورة آل عمران
Përkthimi Sherif Ahmeti
25

فَكَيۡفَ إِذَا جَمَعۡنَٰهُمۡ لِيَوۡمٖ لَّا رَيۡبَ فِيهِ وَوُفِّيَتۡ كُلُّ نَفۡسٖ مَّا كَسَبَتۡ وَهُمۡ لَا يُظۡلَمُونَ

E, si do të jetë gjendja e tyre kur Ne do t'i tubojmë ata një ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe çdo njeriu do t'i ofrohet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë atyre kurrnjë e padrejtë.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Bukuritë e kësaj bote, të cilat Zoti i krijoi për njerëzit, sado që janë të lakmueshme e të dëshirueshme, nuk duhet të mashtrohemi pas tyre dhe t’i keqpërdorim, sepse edhe jeta e njeriut, e edhe përjetimi i tyre është për një kohë të shkurtër, e nëse njeriu mashtrohet pas tyre dhe lë anash mësimet e Zotit, atëherë dështimi është shumë i madh, sepse e humb të drejtën për shpërblimet e botës tjetër, që janë të përjetshme, e humbja më e madhe është ajo se njeriu i tillë nuk do të mund ta gëzojë kënaqësinë e Zotit, që është kulmi i shpërblimeve, sepse atë kënaqësi mund ta gëzojnë vetëm ata që kanë qenë të ruajtur, të matur. Meqë Allahu i bëri me dije besimtarët për shpërblimet që do t’i gëzojnë, vërtetoi se argumentet e besimit janë të qarta. Dëshmia e Allahut për veten, se është Një, i Plotfuqishëm, është kjo ekzistencë, është gjithësia me të gjitha qeniet. Këtë mund ta kuptojë çdo njeri i mençur. Besimi në një Zot është ai besim, ajo fe, të cilën e shpalli Zoti, që nga ekzistimi i njerëzve në këtë botë. Çdo besim tjetër përkitazi me njësinë e Zotit është devijim i së vërtetës së shpallur prej Zotit. Jehuditë e pyetën Muhamedin a.s. për dënimin, që duhet dhënë kundër atij që ka bërë imoralitet – zina, duke qenë i martuar, e kur Muhamedi a.s. iu tha, se edhe në Tevrat është masa ndëshkuese gurëzimi, ata refuzuan ta sjellin Tevratin dhe të veprojnë sipas tij, edhe pse e dinin se ashtu ishte e vërteta, por derisa e vërteta e Tevratit dhe e Kuranit përputheshin, ata e fshehën Tevratin, përndryshe do të duhej të pranonin atë që iu tha Muhamedi, e ai ishte pranim edhe i Fesë Islame, e atë nuk e deshën. Zoti i Madhëruar i thotë Muhamedit, se obligim yti është vetëm komunikimi i qartë, e Ne do t’u japim hesapin e merituar për kokëfortësinë e tyre, që bënë kundër pejgamberëve, kundër Tevratit dhe e mashtruan veten duke trilluar shpifje, se në xhehenem do të qëndrojnë vetëm dyzet ditë, aq sa e patën adhuruar edhe viçin. Në Ditën e Gjykimit do të dalin para Zotit të gjitha çështjet.