3. Ali Imran · Ajeti 28 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:26–3:32
Në ajetet e para u argumentua se Zoti është një, se Muhammedi është i dërguar i Tij, se e vetmja fe e drejtë është islami, e në këto ajete vërtetohet se çdo çështje është në dorën e Zotit, Ai lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë, andaj si Pejgamberi ashtu edhe besimtarët duhet drejtuar për ndihmë vetëm Atij, duke forcuar kështu bindjen e besimit në radhët e besimtarëve.
Të futurit e natës në ditë dhe të ditës në natë, do të thotë: marrja e njërës prej tjetrës, zgjatja e njërës në tjetrën gjatë ndryshimit të stinëve. Në këtë fenomen, sytë e zemrës së njeriut gati e shohin dorën e Allahut kah i vë në lëvizje trupat qiellorë, duke e ndriçuar vendin e errët, kurse të ndritshmin e errëson. Këtë nuk mund ta bëjë njeriu. Kjo nuk ndodhi rastësisht. Këtë qarkullim të padukshëm e dirigjon dora e Fuqiplotit, e Krijuesit, e Mëshiruesit. E tillë është edhe çështja e jetës dhe e vdekjes. Për çdo moment nëpër të cilin kalon i gjalli, vdekja e bën një hap para. Ky është një sinjal për mendjen e njeriut që di të mendojë. Miqësia me të tjerët është e lejuar në raste të nevojshme, por me kusht që ajo të mos shkojë në dëm të palës së vet besimtare. Qëllimet dhe motivet Zoti i di. Pendimi në ditën e kijametit për veprën e keqe është i kotë, për të duhet penduar sa jemi gjallë.
Sinqeriteti i besimit ndaj Allahut, manifestohet nëpërmjet zbatimit të traditës së Pejgamberit, i i cili është kumtues dhe sqarues i porosive të Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:28
- Besimtarët nuk duhet të marrin për miq (e aleatë) jobesimtarët, por besimtarët. - Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët kategorikisht që t’i konsiderojnë mohuesit si miq, të dashur e të afërt, që t'u besojnë punët e tyre të brendshme dhe sekretet, që t'u shprehin atyre dashuri dhe afrimitet, duke dalë kundër muslimanëve ose duke i lënë ata mënjanë. Më pas, i Madhëruari i kërcënon ata, duke thënë: - Kush e bën këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e Allahut, veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. - Allahu i Lartësuar është distancuar nga ata, të cilët, gjithashtu, nuk kanë asnjë premtim nga Allahu. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq jobesimtarët, në vend të besimtarëve! A mos, vallë, doni t’i sillni Allahut dëshmi të qartë kundër vetvetes?! Hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës.” [Nisa 144, 145]. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: “...veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre.” Domethënë, përveç atij i cili i frikësohet ndonjë dëmi, në ndonjë vend të caktuar apo në disa kohë të caktuara. Kështu, ai që i frikësohet sherrit që mund të vijë prej mohuesve, mund të mbrohet prej tyre thjesht duke u shfaqur nga e jashtmja e tij, por jo kur bëhet fjalë për punët e zemrës dhe qëllimin e tij. Ai mund t'u shprehë atyre buzëqeshje dhe miqësi nga ana e jashtme, por jo me zemër. Imam Buhariu sjell hadithin nga Ebu Darda, i cili ka thënë: “Ne u buzëqeshim në fytyrë disa njerëzve, por zemrat tona i mallkojnë ata.” Eth -Theuriu sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: “Pra, të shfaqurit e të shtirurit shprehet me fjalë dhe jo me vepra. Këtë e mbështet edhe ajo që thotë Allahu i Madhëruar: “Ai që e mohon Allahun pasi ka besuar në Të - përveç atij që dhunohet (për të mohuar) , e zemra e tij është e bindur plotësisht në besim - dhe ia hap gjoksin mosbesimit, mbi të do të bjerë zemërimi i Allahut dhe do të ketë një dënim të madh.” [Nahl 106]. Buhariu përcjell se Haseni ka thënë: “ Ettukjetu do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Të shfaqësh afrimitet, por të fshehësh urrejtjen dhe armiqësinë kundër qafirëve, do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit, pra, do të jetë e nevojshme deri në Ditën e Kijametit.” - Allahu ju paralajmëron që të ruheni prej Tij. - Allahu i Madhëruar ju paralajmëron dhe kërcënon që t'i ruheni urrejtjes dhe mallkimit të Tij. Kini kujdes që të mos dilni kundër Allahut dhe besimtarëve, dhe kështu të meritoni ndëshkimin e Tij, pasi dënimi i Allahut drejtohet kundër atyre që miqësohen me armiqtë e Tij dhe armiqësojnë të dashurit e Tij. Pastaj i Lartësuari thotë: - Tek Allahu do të ktheheni të gjithë. - Tek Ai do të ktheheni dhe të gjithë do të mblidheni para Tij, kur Ai do t'ju shpërblejë, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Mejmun Ibn Mehrani, i cili thotë: “Njëherë, Muadhi u ngrit mes nesh dhe tha: “O bijtë e Euedit, unë jam i dërguari i të Dërguarit të Allahut ndër ju, që ju ta dini mirë se Dita e Premtuar dhe takimi do të jetë tek Allahu, dhe atje do të ketë ose Xhenet ose Zjarr!”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:28
- “Besimtarët nuk duhet të marrin për miq (e aleatë) jobesimtarët, por besimtarët” - Allahu i Lartësuar i ndalon rreptësisht besimtarët që të miqësohen dhe të bëhen palë me qafirët, duke u dhënë atyre dashuri, ndihmë dhe mbështetje kundër besimtarëve, për çfarëdolloj çështjeje. Madje, Allahu i Lartësuar ka bërë një
kërcënim të hapur për cilindo që vepron ashtu, duke thënë: - “Kush e bën këtë, ai nuk ka asgjë nga feja e Allahut” – Domethënë që, kush vepron ashtu, i ka ndërprerë marrëdhëniet me Allahun e Lartësuar. Njerëz të tillë nuk kanë pjesë në fenë e Zotit, sepse miqësia dhe bashkëpunimi me qafirët kundër besimtarëve janë vepra që nuk përputhen kurrë me imanin; ato nuk bashkohen kurrë me imanin në të njëjtën zemër. Imani e udhëzon besimtarin që të dojë më shumë Allahun dhe që të miqësohet e të ndihmojë të dashurit e Allahut, pra, besimtarët e sinqertë. Imani e udhëzon muslimanin që të dojë, të miqësojë e të ndihmojë besimtarët e drejtë, të cilët bashkëpunojnë që feja Islame të ngadhënjejë. Imani urdhëron që t’i duash dhe t’i ndihmosh besimtarët që luftojnë në rrugën e Allahut, kundër armiqve të Tij, dhe nuk të urdhëron të duash dhe të miqësohesh me armiqtë e Allahut dhe të besimtarëve. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq e mbrojtës të njëri tjetrit; ata urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, falin rregullisht namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu do t’i mëshirojë ata. Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. ”. [Teube, 71]. Ndërsa ata që miqësohen me qafirët dhe i ndihmojnë ata kundër muslimanëve, duke bashkëpunuar me ata që duan ta shuajnë dritën e Allahut, që duan të devijojnë dhe të sprovojnë të dashurit e Zotit, ata janë jashtë grupit të besimtarëve. Kështu, ata janë bërë palë me qafirët. I Lartësuari: “ O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq (e aleatë) as judejtë e as të krishterët. Ata janë miq (e aleatë) për njëri-tjetrin. E kush prej jush i merr për miq (e aleatë) ata, ai është prej tyre. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull të padrejtë. ”. [Maide 51]. Ky ajet urdhëron që të largohemi nga qafirët dhe të mos përzihemi dhe miqësohemi me ta. Nuk duhet kurrsesi që të mbështetemi sadopak tek ata dhe të kërkojmë ndihmën e tyre. Nuk lejohet, gjithashtu, që të lihet në gjykimin e qafirit ndonjë çështje që ka të bëjë me muslimanët. Nuk lejohet të kërkohet ndihmë e mbështetje tek ata për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe dobinë në përgjithësi të muslimanëve. Pastaj i Lartësuari thotë: - “...veç nëse është për qëllim ruajtja prej së keqes së tyre. ” - Përjashtim nga gjykimi i mësipërm bëjnë vetëm rastet e jashtëzakonshme, kur kërcënohet jeta e muslimanëve. Kështu, nëse keni frikë për jetën tuaj, atëherë ju lejohet që të bëni diçka për t’u mbrojtur. Por kjo “diçka” që lejohet është e sqaruar dhe me kriter. Për shembull, në të tilla raste lejohet fshehja e besimit, por duhet pasur kujdes që të mos teprohet në përzierjet me ta. Gjithashtu, nuk është e nevojshme që të shfaqim kufër dhe miratim të tyre, në kësi rastesh. 14 - “Allahu ju paralajmëron që të ruheni prej Tij .” - Allahu ju kërcënon me madhështinë e Tij, prandaj mos lejoni që të meritoni zemërimin e Tij duke mos iu bindur dhe duke kryer poshtërsi, sepse këto gjëra e bëjnë të meritueshëm për ju ndëshkimin nga i Drejti dhe i Urti. - “Tek Allahu do të ktheheni të gjithë. ” - Krijesat do të kthehen tek Allahu Ditën e Llogarisë. Ai i ka shënuar veprat e tyre, të cilat Ai do t’ua llogarisë me drejtësi dhe po me drejtësi do t’i shpërblejë ata. Kujdes, pra, nga veprat e shëmtuara, që të mos ju godasë ndëshkimi i të Drejtit e të Urtit. Përpiquni maksimalisht për veprat që sjellin shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit tuaj.