← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

3. Ali Imran · Ajeti 42 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:42–3:51

Pas tregimit për lindjen e Jahjasë nga një plak e një plakë të shtyer në moshë, gjë që sipas rregullave të natyrës ishte rast i jashtëzakonshëm, Kur'ani na rrëfen për një rast edhe më të jashtëzakonshëm, për lindjen e Isait pa babë. Me këtë refuzon bindjet e gabuara rreth Isait, të cilat në atë kohë mbretëronin. Përmendet se atë e lindi Merjemja, se ai ishte foshnjë në djep, se i thirri njerëzit në besim edhe kur ishte në moshë, e të gjitha këto dokumentojnë se ai ishte pejgamber dhe njeri, e jo zot.

Merjemja është gruaja më e lavdishme në përgjithësi nga gratë e botës, ngase asnjë grua në botë nuk ka përjetuar një lindje si ajo.

Isai quhet edhe "fjalë" ngase ishte i krijuar me dëshirën e Zotit nëpërmjet fjalës "kun" (bëhu).

Fjala "Mesih është epitet i Isait e do të thotë: i pa mëkat, i bekuar.

Të folurit e Isait si foshnje në djep, përveç që ishte mrekulli, kishte për qëllim mbrojtjen e nderit të nënës nga shpifja që i bënin jehuditë.

Këtu janë përmendur katër mrekulli të Isait: shpezët nga balta, shërimi i të verbërve dhe të të sëmurëve nga lëkura, ngjallja e të vdekurëve dhe lajmërimi për ushqimin e ngrënë dhe të deponuar.

Isai i theret njerëzit të besojnë po atë Zot, të cilin e besonte edhe vetë dhe u jepte të kuptojnë se ai nuk ishte zot, ajo ishte rrugë e gabuar, rruga e drejtë është besimi në një Zot xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:42–3:44

- Kujto kur melekët thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur dhe të ka pastruar ty. Ai të ka zgjedhur ty mbi të gjitha gratë e botës.”. - Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët me të cilat melekët iu drejtuan Merjemes, bijës së Imranit (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), me urdhër pikërisht prej Tij. Allahu na tregon se Ai e zgjodhi Merjemen, për shkak të adhurimeve të saj të shumta, si dhe për pastërtinë e saj nga ligësitë dhe mendimet e këqija. Ai e përmendi faktin e përzgjedhjes dhe dallimit të saj për herë të dytë, për të treguar epërsinë e kësaj gruaje mbi të gjitha gratë e botës. Muslimi sjell me senedin e tij këtë hadith nga Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “E kam dëgjuar Profetin e Allahut që të thotë: 498. “Gruaja më e mirë e kohës së saj ishte Merjeme bintu Imran. Gjithashtu, një grua tjetër më e mirë e kohës së saj ishte edhe Hadixhe bintu Huuejlid”. Këtë hadith e ka sjellë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahih-ët e tyre. Tirmidhiu sjell hadithin me senedin e tij nga Enesi, se Profeti i Allahut ka thënë: 499. “Nga të gjitha gratë e botës të mjaftojnë katër: Merjeme bintu Imrani, Hadixhe bintu Huuejlidi, Fatime bintu Muhamedi dhe Asia, gruaja e Faraonit.” Këtë hadith e ka përmendur i vetëm Tirmidhiu, duke e gjykuar si sahih. Ibn Xheriri sjell me senedin e tij hadithin nga Ebu Musa el Eshari, se Profeti i Allahut ka thënë: 500. “Nga burrat ka patur shumë që kanë qenë të përsosur, por prej grave vetëm Merjemja (e bija e Imranit), dhe Asija (gruaja e Faraonit) kanë qenë të përkryera.” Këtë hadith kanë sjellë të gjithë autorët e suneneve në librat e tyre, përveç Ebu Daudit. Ata e kanë sjellë përmes rrugësh të shumta transmetimi, të gjitha nga Shu 'ba dhe pothuajse me të njëjtin tekst. Ndërsa versioni i sjellë nga Buhariu është si vijon: 501. “Nga burrat ka patur shumë që kanë qenë të përsosur, por prej grave vetëm Merjemja (e bija e Imranit), dhe Asija (gruaja e Faraonit) kanë qenë të përkryera. Ndërsa grada dhe mirësia e Aishes mbi gratë e botës është si mirësia e theridit mbi çdo lloj ushqimi tjetër.” - “O Merjeme! Adhuroje Zotin tënd me përkushtim! Bëj sexhde dhe falu për Zotin tënd, bashkë me të tjerët që falen!” - Melekët e urdhëruan Merjemen që të shtonte adhurimet dhe të ishte e përkushtuar ndaj Allahut të Madhëruar. E urdhëruan ishte e përkushtuar dhe plot frikë -respekt gjatë rukuve dhe sexhdeve të namazit. E urdhëruan, gjithashtu, që të ishte e përkushtuar në çdo adhurim dhe vepër që ia dedikonte Allahut të Lartësuar dhe në përmbushjen e çdo urdhërese të Tij. Ajo

duhej të ishte e dorëzuar para Allahut dhe e kënaqur me çdo gjë që do të caktonte Allahu i Madhëruar për të. Ajo u këshillua edhe që të ishte e durueshme, sepse për të do të kishte sprova të mëdha, me caktimin e Allahut. Megjithatë, këto sprova do të ishin rritje gradash për të, në të dyja botët. Allahu i Madhëruar do të shfaqte tek kjo grua, madhështinë e pushtetit të Tij absolut, përmes të cilit Ai do të krijonte brenda saj një fëmijë, një djalë të pastër, pa nevojën e ndërhyrjes së një babai biologjik. Allahu i Lartësuar thotë: “Adhuroje Zotin tënd me përkushtim!” Për të treguar se si ta adhuronte Allahun, në ajet është përdorur fjala “el kunut”. “Kunut” quhet bindja ndaj Allahut të Lartësuar, e nxitur dhe motivuar nga frikë-respekti (el hushu) për Të, që vjen nga njohja e thellë e Tij. Në lidhje me këtë, Muxhahidi ka thënë: “Merjemja qëndronte në këmbë dhe falej aq gjatë, sa i lodheshin dhe çaheshin thembrat”. Kanë thënë, gjithashtu, se “ kunut” quhet qëndrimi i gjatë në ruku, gjatë namazit. Allahu i Lartësuar gjithashtu i tha: “Bëj sexhde dhe falu për Zotin tënd, bashkë me të tjerët që falen!” Pra, qëndro së bashku me ata që bien në ruku dhe në sexhde për Allahun e Madhëruar. Në vijim, pasi i tregoi me hollësi disa ngjarje të së shkuarës, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Këto janë disa nga lajmet e fshehta që po t’i shpallim ty (o Muhamed). - Këto janë nga ngjarjet e panjohura, që po t’i tregojmë ty, o Muhamed. Ti nuk ishe mes tyre, që t’i mësoje këto informacione. Por është Allahu i Madhëruar Ai që t’i tregon ty në detaje e saktësisht, njëlloj sikur të ishe i pranishëm dhe dëshmitar në gjithçka që ndodhi në atë kohë, edhe kur ata hodhën short në lidhje me çështjen e Merjemes dhe kujdestarinë e saj. Ata hodhën short për të marrë në kujdestari Merjemen, sepse dëshironin shpërblimin e madh në këtë çështje. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ikrime, i cili rrëfen: “Nëna e Merjemes doli së bashku me Merjemen, duke e mbajtur atë në krahët dhe rrobat e saj. Ajo shkoi tek prifti i Beni el Kahinit, që ishte nga bijtë e Kahinit, të birit të Harunit, pra, vëllait të Musait. Në atë kohë, ata ishin kujdestarë të Bejtul Makdesit. Ashtu siç janë kujdestarët e Qabes, ata kujdeseshin për Bejtul Makdesin. Kështu, kujdestarë të Bejtul Makdesit ishin fisi i Beni el Kahinit, pasardhës të birit të Harunit, vëllait të Musait. Ajo u tha: “Unë vendosa për hir të Zotit, që këtë fëmijë ta lë si shërbëtor në Bejtul Makdes. Unë e vendosa dhe i dhashë fjalën Zotit për këtë çështje. Vërtet, ajo është vajzë, dhe në tempull nuk lejohet që të hyjë gruaja gjatë ciklit mujor të saj, por unë nuk e kthej më atë në shtëpinë time!” Atëherë ata, duke e pranuar, thanë: “Kjo është vajza e imamit tonë.” - Ti nuk ishe atje, kur ata hidhnin short se cili prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes. Ti nuk ishe pranë tyre as kur ata grindeshin me njëri -tjetrin. - Imrani, babai i Merjemes, i printe ata në namaz. Ai ishte edhe kujdestari, që merrej me kurbanet në tempullin e Zotit. Zekeria tha: “Ma jepni mua kujdestarinë e saj!" Ata i thanë: “Nuk e kemi me dëshirë që ta japim kujdestarinë e bijës së Imamit tonë!” Secili nga ata dëshironte të merrte kujdestarinë e Merjemes, si nderim për imamin e tempullit të tyre dhe si afrim tek Allahu i Lartësuar. Ishte pikërisht ky shkaku që ata e hodhën në short se kush do të bëhej kujdestari i saj. Shorti i ra Zekerias, i cili e mori nën kujdestari Merjemen. Megjithatë, Zekeria ishte më i madhi dhe zotëria i tyre. Ai ishte më i dituri dhe udhëheqësi i tyre. E si të ishte ndryshe, kur ai ishte Profeti i Zotit, (paqja e Allahut qoftë mbi të, mbi Profetin tonë dhe mbi të gjithë profetët e Zotit!).

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:42–3:44

- “Kujto kur melekët thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur dhe të ka pastruar ty. Ai të ka zgjedhur ty mbi të gjitha gratë e botës. ”. - Allahu i Lartësuar na tregon kështu për vlerat e larta të kësaj gruaje. Melekët iu drejtuan asaj me këto fjalë të mrekullueshme, të cilat ia mbushën zemrën. E si të mos kënaqesh, kur dëgjon prej melekëve se Allahu i Lartësuar të ka zgjedhur e të ka dalluar mbi të tjerët?! Jo vetëm kaq, por madje të ka pastruar edhe nga çdo cilësi e mangët dhe e ulët. Allahu i Lartësuar e ka përdorur dy herë fjalën ‘iŝŧafâki’ – të dalloi, të veçoi. Herën e parë, kur thuhet: “ In-nell-llâhe-ŝŧafâki”, ajo ka kuptimin: “Allahu të dalloi ty, duke të dhuruar cilësi të mrekullueshme dhe duke të pajisur me vlera të larta, në krahasim me njerëzit e tjerë”. Në rastin e dytë, Allahu thotë: “ Ue-ŝŧafâki alâ nisãil -âlemîn”, domethënë: “të veçoi mbi gratë e botës”. Ky lloj veçimi mund të jetë bërë ndër të gjitha gratë e botës të kohës së saj, ose edhe ndër gratë e botës të të gjitha kohërave. Ky prestigj nuk cenohet aspak nga fakti që atë e kanë merituar edhe gra të tjera, siç ishin dy nga bashkëshortet e Profetit, Hadixhja dhe Aishja, dhe vajza e tij, Fatimja. Të gjitha këto kanë qenë gra të shkëlqyera, të përzgjedhura dhe të dalluara nga të tjerat, mbështetur kjo në dëshminë e vetë Zotit të botëve. Vetë melekët e njoftuan atë se Allahu i Lartësuar e kishte dalluar mbi të gjitha gratë e botës, dhe kjo ishte një mrekulli e madhe, ose një dhuratë që meritonte një mirënjohje të thellë për dhuruesin e saj. Për këtë arsye, menjëherë pas përgëzimit, erdhi ky udhëzim: - “O Merjeme! Adhuroje Zotin tënd me përkushtim! Bëj sexhde (e ruku) dhe falu për Zotin tënd, bashkë me të tjerët që falen!” - Pas mirësisë që i dhuroi, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Merjemen, së pari, për adhurim të vazhdueshëm, duke qenë gjithnjë e bindur ndaj Tij, e motivuar nga

dashuria dhe e mbushur me përulësi. Së dyti, Allahu e urdhëroi Merjemen për të falur namaz. Është përmendur në mënyrë të veçantë sexhdeja dhe rukuja, sepse ato janë shprehje të nënshtrimit dhe përuljes së thellë ndaj Allahut të Lartësuar. Në të vërtetë, Merjemeja i kreu të gjitha porositë e Zotit, duke treguar qartë bindjen e saj të plotë dhe adhurimin e sinqertë për Krijuesin e saj, për Allahun e Lartësuar. Ishte Allahu i Lartësuar që i tregoi Profetit të Tij të mëshirës, Muhamedit (a.s.), rreth këtyre ngjarjeve të hershme e të panjohura asokohe. Profeti (a.s.) nuk kishte asnjë mënyrë e mundësi për të njohur ato ngjarje të vërteta, prandaj i Lartësuari thotë: - “Këto janë disa nga lajmet e fshehta që po t’i shpallim ty (o Muhamed) . ” – Kuptimi: Këto janë histori që vijnë vetëm me shpallje nga Zoti i botëve, i Cili di gjithçka, dhe nuk janë fjalë nga mendja e Muhamedit (a.s.) dhe as të huazuara nga të tjerë. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë të vërtetë me fjalët: - “Ti nuk ishe atje, kur ata hidhnin short se cili prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes. Ti nuk ishe pranë tyre as kur ata grindeshin me njëri -tjetrin.” - Nëna e Merjemes, kur lindi Merjemen, shkoi te kujdestarët që shërbenin në Shtëpinë e Shenjtë, për t’u dhuruar vajzën, që edhe ajo të ishte shërbyese e shtëpisë së Zotit, ashtu sikurse bëri premtimin. Por ata filluan të grindeshin me njëri-tjetrin se cili do të ishte kujdestari i saj. Atëherë, ata vendosën që të hidhnin short se kujt do t’i takonte detyra e kujdestarisë së Merjemes. Ata duhet të hidhnin kalema druri në lumë. Ai njeri, kalemi i të cilit nuk do të ecte me rrjedhën, por do të qëndronte në vend, do të fitonte të drejtën e kujdestarisë së Merjemes, dhe ky qe më i miri i tyre, Zekeria, Profeti i Allahut. Kështu, kuptimi i ajetit është: Duke qenë se ti, o Muhamed, nuk ishe mes tyre dhe as ti e as populli yt nuk keni dije rreth këtyre ngjarjeve të vërteta, që edhe ata (ithtarët e Librit) i pranojnë dhe i dinë imtësisht, atëherë kuptohet lehtësisht se ti je Profet i Zotit, sepse rruga e vetme e informacionit mbetet shpallja e Zotit . Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ditur këto histori të largëta, përveç shpalljes nga Zoti i Gjithëditur. Atëherë, është e detyrueshme për të gjithë ithtarët e Librit që të pranojnë se ti je Profeti i Zotit dhe që të pasojnë udhëzimin e sjellë prej teje. Ti je Profet i vërtetë, i dërguar prej Allahut, Zotit të gjithësisë. Ata janë të detyruar që të të binden për të zbatuar udhëzimet e tua, nëse duan shpëtimin. Allahu i Lartësuar përdor të njëjtën mënyrë argumentimi në disa ajete të tjera, si për shembull, kur thotë: “Dhe ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit, ku Allahu i foli Musait) , kur Ne ia besuam Musait shpalljen dhe as nuk ishe dëshmitar në atë ngjarje. Ne krijuam breza të shumtë dhe koha (mes teje dhe Musait) është shumë e largët . Dhe ti nuk ishe banor në mesin e popullit të Medjenit, që të mund t’u tregoje këtyre (saktësisht) Argumentet Tona . Por, jemi Ne që dërgojmë profetë (dhe i njoftojmë për gjithçka) . Ti nuk ke qenë as pranë malit Tur, kur Ne i thirrëm (Musait). Por, (ti je dërguar) si mëshirë nga Zoti yt, për t’ia tërhequr vërejtjen një populli tek i cili nuk pati ardhur ndonjë profet para teje, që ata të marrin mësim. ” [Kasas 44 -46]. Ose: “ S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kur’anin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar. Thuaj: “Zoti im e di më sëmiri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. Dhe ti nuk ke shpresuar (ndonjëherë) se do të të shpallej Libri (Kur'ani), por kjo është mëshirë e Zotit tënd. Prandaj ti kurrë mos u bëj ndihmëtar i jobesimtarëve. ” [Kasas 86]. Ose: " Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë. Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë. Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” [Shura 52-53].

← Ali Imran 3:42