30. Rum · Ajeti 42 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 30:41–30:51
Fatbardhësia e jetës në këtë botë është e lidhur me zbatimin e udhëzimeve të Zotit. Ai që nuk respekton porositë e Zotit, ai bën çrregullime, të gjitha të këqiat, të gjitha fatkeqësitë në këtë botë, janë rrjedhim i veprave të këqia të njerëzve, e ato të këqia mund të jenë rezultat i veprave të njerëzve, e mund të jenë edhe ndërhyrje e qiellit, prandaj duhet marrë mësim prej punës së keqe se si e pati përfundimin tek popujt e mëparshëm, e duhet përmbajtur sinqerisht mësimeve të Zotit, të cilat na i solli përmes Kur'anit para se të vijë dita kur nuk ka mundësi për përmirësim.
Qarkullimi i erërave, të cilat i bartin dhe formojnë retë, të lehta ose të rënda, të rralla ose të dendura, në një lartësi të madhe ose të vogël prej tokës, e prej të cilave lëshohet shiu jo në valë të mëdha, të cilat më shumë do të dëmtonin, por në pika të vogla e të përshtatshme për ta ujitur tokën dhe për të ngjallur bimët në të. Të gjitha këto janë argument për fuqinë e Zotit, se po kështu do të ngjallë edhe të vdekurit.
Vetëm në këta shekuj të vonë të jetës së njerëzve është arritur njëfarë njohurie për mënyrën e formimit të shiut, e Kur'ani ka cekur të gjitha ato elemente, që kanë ndikim në formimin e tij, si avullimin, takimin e tij me ajër të ftohët, qarkullimin e erërave, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në grumbullimin e reve. Pra, mësimet e Kur'anit dalëngadalë do t'i zbulojë mendja e njeriut dhe ashtu në të gjitha të mbërrimet e veta do të gjejë mbështetje në atë që e ka thënë Kur'ani shumë më përpara.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 30:41–30:42
- “E keqja është shfaqur në tokë e në det, për shkak të asaj që bëjnë duart e njerëzve ...” - Pakësimi i prodhimeve dhe begative vjen për shkak të gjynaheve e poshtërsive të njerëzve. Ebu el Alije ka thënë: “Ai që nuk i bindet Allahut dhe zhytet në poshtërsi e gjynahe, në fakt, ka shkaktuar dhe përhapur shkatërrimin në tokë. Rregullimi e mirësia në qiej dhe në tokë arrihet veçse përmes bindjes ndaj Allahut të Madhëruar.” Në një hadith që e sjell Ebu Daudi thuhet: 2067. “Një dënim i ekzekutuar me drejtësi në tokë është më i mirë për njerëzit sesa të bjerë shi (i begatshëm) për dyzet mëngjese rresht.” Shkaku i kësaj mirësie është se, kur në tokë zbatohen ligjet e Zotit dhe dënimet për padrejtësitë e poshtërsitë, njerëzit, ose shumica e tyre ndalen nga veprimi e përhapja e gjërave të ndaluara nga Zoti. Rrjedhimisht, lënia ose pakësimi i poshtërsive e padrejtësive bëhet shkak për shtimin e bekimeve nga qielli dhe toka. Në fundin e kohës, në tokë do të zbresë Isai Biri i Merjemes, Profeti i dashur i Zotit, dhe do të gjykojë në tokë me ligjin e Zotit. Ai do të vrasë derrat, do të thyejë kryqet dhe nuk do të pranojë prej askujt fe dhe besim tjetër veç Islamit, prandaj nuk do të ketë më xhizje. Në kohën e tij, Allahu i Madhëruar do të vrasë Dexhalin, do të shfarosë jexhuxhët dhe mexhuxhët. Atëherë kur toka të jetë pastruar nga padrejtësitë dhe të padrejtët e të jetë mbushur me drejtësinë e ligjit të Zotit, asaj do t’i thuhet: “Le të dalin e lulëzojnë begatitë e tua!” Siç vjen në hadith: “Pastaj tokës do t’i thuhet: “Nxirri frutat dhe u ktheftë begatia jote!” Atë ditë, disa burra do të ngopen vetëm me një kokërr shegë dhe do të mund të qëndrojnë nën hijen e lëvores së saj. Allahu sjell begati në kafshët e qumështit, aq sa një mjelje deveje do të mjaftojë për një turmë njerëzish. ...” E gjitha kjo do të vijë si
dhuratë, për shkak të zbatimit të ligjit të sjellë nga Zoti prej Profetit të Tij. Sa më shumë të zbatohet drejtësia, aq më shumë shtohen e lehtësohen begatitë e mirësitë. Në një hadith të saktë thuhet: 2068. “Kur vdes një keqbërës, gjejnë rehat njerëzit dhe vendet, pemët dhe kafshët.” - “... që ata të shijojnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë dhe me shpresë që të kthejnë rrugë.” - Allahu i Lartësuar i godet me telashe, me pakësim të mirësive, zvogëlim të prodhimit, me vdekje e varfëri, si ndëshkim i merituar për padrejtësitë e tyre, por edhe si sprovë, me qëllimin që ata të reflektojnë e të kthejnë rrugë, të heqin dorë nga poshtërsitë e nga shpërfillja e besimit në Zot, siç thotë i Lavdëruari: “Ne i vumë në provë ata edhe me mirësi edhe me fatkeqësi, që të kthenin rrugë.” [Araf 168]. - “Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që ishin më parë! Shumica prej tyre ishin idhujtarë.”. - Popujt e shkuar ishin edhe më të shumtë në numër e më të fuqishëm se ju. Shumica e tyre ishin idhujtarë, por shihni se si qe përfundimi i tyre. Mësoni nga ndëshkimet që zbritën mbi ta, për shkak të refuzimit që u bënë profetëve dhe shpalljeve të Zotit, mohimit dhe mosmirënjohjes së tyre ndaj mirësive të Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 30:42–30:46
- Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si qe përfundimi i atyre që ishin më parë!” - Ky është një urdhër për të udhëtuar me trup, me mendje dhe me zemër, në mënyrë që të meditojmë dhe të nxjerrim mësime rreth fundit të këtyre popujve të shkuar, të cilët: - Shumica prej tyre ishin idhujtarë! - Kështu do ta shihni se përfundimi i tyre ishte më i keqi. Mbi ta goditi një dënim shfarosës dhe i ndoqi një mallkim i pandashëm nga gjithë krijesat e Zotit. Kështu, atyre nuk ka për t'iu ndarë poshtërimi e ndëshkimi i Zotit. Kështu do të jeni të kujdesshëm që të mos veproni njëlloj siç vepruan ata që të mos ju përfshijë edhe ju dënimi i tyre. Të jeni të bindur se drejtësia dhe urtësia e Allahut vepron në çdo kohë e në çdo vend. - Prandaj, përqendrohu në fenë e drejtë, - Përkushtohu me zemër dhe nënshtroje tërësisht trupin tënd, që të plotësosh fenë e drejtë të Zotit në jetën tënde. Përmbushi urdhëresat, ruaju nga ndalesat me këmbëngulje, përkushtim gjallëri dhe zbato urdhëresat, si ato të dukshmet dhe ato të padukshme. Nxito të shfrytëzosh kohën dhe rininë, para se të jetë vonë. - ...para se të vijë dita (e Kjametit) e caktuar nga Allahu, të cilën askush nuk mund ta pengojë (që të ndodhë) . - Ajo është Dita e Kijametit, e cila, kur të vijë, askush nuk mund ta kthejë. Atëherë njerëzit nuk mund t'ia nisin punëve të tyre nga e para dhe të rregullojnë ndonjë gjë. Në atë çast, kapitulli i veprave është mbyllur dhe mbetet veçse shpërblimi për to. - Atë ditë, ata (njerëzit dhe xhindet) do të ndahen (në dy grupe - të shpëtuar e të dënuar). - Atë ditë do të shpërndahen dhe do të tubohen në grupe të ndryshme për t'u llogaritur veprat e tyre. - Çdokush që nuk beson (në Allahun) do të përgjigjet për mosbesimin e vet... - Çdokush do të mbajë peshën e vet të mohimit dhe gjynaheve. Askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit. - ...e çdokush që bën punë të mira, ai po përgatitet për veten e vet. - Janë ata që bëjnë punë të mira duke përmbushur detyrimet ndaj Zotit dhe detyrimet ndaj krijesave, ose duke bërë punë të pëlqyeshme e vullnetare në këto drejtime. Çdokush që bën këto punë të mira, i bën për veten e vet. Ata kështu po përgatiten për ahiretin e tyre dhe po e ndërtojnë dynjanë me mirësi e mbarësi. Ata po përgatitet për mirësitë e mëdha në vendbanimet e kështjellat e larta në Xhenetin e përjetësisë. Pastaj i Lartësuar premton me bujarinë e Tij: - Ai (Allahu) ka për t’i shpërblyer me mirësinë e Tij, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Shpërblimi i tyre nuk është i
kufizuar vetëm me veprat që paraqesin, por Allahu i Lartësuar ka për t’u dhënë nga mirësitë e Tij të pakufishme, prej bujarisë së Tij të paanë, shumë më tepër sesa ç’mund të arrijnë me veprat e tyre. Kështu do të ndodhë, sepse Allahu i Lartësuar i do ata dhe kur Allahu i Madhëruar e do dikë, e mbulon atë me mirësitë e Tij të mëdha, ia shton dhuratat dhe begatitë dhe e lumturon me mirësi që duken, por edhe me ato që janë të fshehta e të padukshme. Kështu i trajton Allahu besimtarët, ndryshe nga mohuesit. Duke qenë se Allahu i urren ata, u jep dënimin e merituar, por nuk thotë se do të shtojë dënimin mbi ata që e meritojnë: - Me të vërtetë, Ai nuk i do ata që refuzojnë të besojnë. - Përfundimi i tyre është dënimi i merituar, me drejtësinë e Allahut. - Nga argumentet e Tij janë edhe erërat, që Ai i dërgon (të mbledhin retë) si përgëzim (para shiut) - Ndër argumentet që tregojnë për mëshirën e Tij dhe për faktin që Ai do t’i ringjallë të vdekurit dhe se Ai është i vetmi Zot që meriton adhurimin, që Ai është Mbreti dhe i Lavdëruari, janë edhe erërat që Ai i dërgon si përgëzim (para shiut). Ai dërgon erërat, që mbledhin retë, dhe kështu shpirtrat qetësohen e lumturohen sepse do të bjerë shiu i shumëpritur. - ...që ju të mund të përfitoni mirësi (të shumta) nga mëshira e Tij; - Nga mëshira e Tij, Allahu ju lëshon shiun, nëpërmjet të cilit Ai ngjall tokën pas vdekjes së saj, dhe gjallërohen bimësia, njerëzit e të gjitha gjallesat. Kështu, ju e përjetoni mëshirën e Tij dhe e kuptoni mirë se është Ai, me mëshirën e Tij, që kujdeset për gjallesat, duke u dhënë jetë dhe furnizim. Duke medituar në këtë fakt, juve ju shtohet dëshira për të kryer edhe më shumë punë të mira, të cilat akoma më shumë bëhen shkak që të hapen depot e mirësive të Allahut dhe mëshirës së Tij. - ...që anijet të lundrojnë me vullnetin e Tij në kërkim të mirësive të Tij... - Në mes të errësirës, në dete e oqeane, lundrojnë anije, me ligjin që Ai ka përcaktuar të realizohet në këtë botë. Ai e bëri të mundur diçka të tillë, që anijet të lundrojnë, me vullnetin e Tij në kërkim të mirësive të Tij, që të arrini e të realizoni jetën tuaj. Ai jua lehtësoi çështjet që: - ...dhe që të jeni mirënjohës. - Të jeni mirënjohës ndaj Atij që ju lehtësoi shkaqet dhe vendosi ligje që jua lehtësojnë punën në këtë jetë. Ky është qëllimi i zbritjes së mirësive: që robi të tregohet mirënjohës ndaj Zotit. Nëse robi e bën këtë, atëherë Zoti jo vetëm që do t'ia ruajë të mirat, por edhe do t’ia shtojë ato, me mirësinë e bujarinë e Tij. Ndërsa ata që, në vend të mirënjohjes, mohojnë e shpërfillin mirësitë e Allahut, ata e kanë transformuar mirësinë e Tij në dëmtim, dhe ajo mirësi do t’u ikë e do të dëshpërohen.