← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

31. Lukman · Ajeti 12 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 31:12–31:19

Tregimi për këshillat e Llukmanit drejtuar birit të vet, është edhe një fakt bindës se njerëzit e mençur gjithnjë kanë ndjekur rrugën e drejtë, rrugën e Zotit, e jo siç bënin idhujtarët injorantë.

Zoti xh. sh. bëri aq shumë mëshirë ndaj krijesave të veta, e veçanërisht ndaj krijesës më të zgjedhur, ndaj njeriut, sa që nuk la popull pa ndonjë pejgamber, ose pa njeri të zgjedhur, i cili ndihmoi orientimin për në rrugën e drejtë. Madje na dha të kuptojmë se njerëzit janë të barabartë para Tij, nuk ka privilegj i bardhi ndaj të ziut dhe anasjelltas, më i miri tek ai është më i ruajturi. Llukmani ishte zezak, abisinosudanez, siç ishte edhe Bilali, edhe Nexhashiu. Sipas mendimit të komentatorëve të Kur'anit, Llukmani nuk ishte pejgamber, ishte njeri shumë i talentuar, e këshillat e tij ishin të qëlluara, andaj edhe i përmend Kur'ani. Si duket djali dhe gruaja e tij në fillim nuk ishin besimtarë, por Llukmani i vazhdoi këshillat deri sa i bindi. Ka mendime se Llukmani ishte djalë i motrës apo i tezës së Ejubit.

Falënderimi ndaj Zotit ka përparësi ndaj falënderimit të prindërve, andaj kur është çështja rreth besimit, nuk ka respket ndaj krijesës e kundër Krijuesit. Për sa i përket kujdesit ndaj tyre, ai duhet të jetë edhe nëse janë të fesë tjetër. Respekti ndaj nënës është edhe më i kërkuar, prandaj edhe janë përmendur vuajtjet dhe kujdesi i saj në këtë ajet të Kur'anit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 31:12

Dijetarët e selefëve kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me Lukmanin, a ishte ai një profet apo thjesht një rob e adhurues i mirë i Zotit? Shumica janë me mendimin e dytë, pra, që ai nuk ishte profet, por thjesht një adhurues i sinqertë dhe i ditur, të cilit Zoti i pati dhënë urtësi. Përcillet se Ibn

Abasi ka thënë se Lukmani ishte një skllav abisinas, i cili punonte si marangoz. Xhabir Ibn Abdilahi citohet të ketë thënë se ai ishte shtatshkurtër, me një hundë të gjerë të puthitur pas fytyrës së tij. Ndërsa nga Seid Ibn Musejbi përcillet të ketë thënë se Lukmani ishte prej zezakëve të Egjiptit, të cilit Allahu i Madhëruar i pati dhuruar urtësi, por jo profetësinë. Ibn Xheriri thotë që Lukmani ishte një skllav abisinas dhe zdrukthëtar. Një ditë, zotëria i tij e urdhëroi Lukmanin që të therte për të një dele, dhe pastaj i tha: “Na sill dy pjesët më të mira të saj!” Ai i solli gjuhën dhe zemrën. Pasi kaloi njëfarë kohe, zotëria i tij e urdhëroi që të therte për të një dele, dhe pastaj i tha: “Na sill dy pjesët më të këqija të saj!” Ai i solli përsëri gjuhën dhe zemrën. Atëherë, zotëria i tha: “Të urdhërova që të sillje më të mirin mish prej saj, dhe ti solle gjuhën dhe zemrën. Edhe kur të urdhërova të sillje më të keqin mish prej saj, nxore po gjuhën dhe zemrën?” Lukmani iu përgjigj: “Nuk ka gjë më të mirë se ato, nëse ato synojnë mirësinë dhe nuk ka gjë më te keqe se ato, nëse ato synojnë ligësinë.” Njëherë, dikush e pyeti Lukmanin: “Si e arrite këtë gradë urtësie dhe mençurie?” Ai tha: “Sinqeriteti në të folur dhe heshtja apo largimi nga çdo gjë që nuk më intereson.” Nga këto rrëfime bëhet e qartë se Lukmani ka qenë një skllav, dhe skllavëria bie ndesh me statusin e profetit, sepse profetët përzgjidheshin nga fiset më të larta të popullit të tyre, prandaj shumica e dijetarëve selefë ishit të mendimit se ai nuk ishte profet. Njëherë, e pyeti sërish dikush se si e kishte arritur gradën e lartë të mençurisë dhe urtësisë, dhe ai iu përgjigj: “O biri i vëllait tim! Nëse dëgjon me vëmendje atë që të them, edhe ti do të bëhesh si unë: Ule shikimin, ruaje gjuhën tënde, ji i kujdesshëm në ushqimin që ha! Unë kam ruajtur dëlirësinë morale, kam folur gjithmonë të vërtetën, i kam mbajtur gjithmonë premtimet, e kam nderuar gjithmonë mikun që më ka vizituar, e kam mbrojtur komshiun dhe i jam larguar gjithmonë asaj që nuk më ka interesuar. Këto më kanë bërë kështu si më sheh.” - “Ne i dhamë Lukmanit urtësi dhe e urdhëruam të ishte mirënjohës ndaj Allahut.” - Ne i dhamë atij aftësi për të kuptuar, i dhamë dituri, aftësinë për të shprehur dhe artikuluar qartë urtësitë dhe mendimet e tij. Ne i mundësuam një kuptim të qartë të besimit të vërtetë, dorëzimit ndaj Allahut, Islamit. Por ai nuk ishte profet dhe nuk pati ndonjë shpallje. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar e urdhëroi që të ishte mirënjohës ndaj Tij për të gjitha ato mirësi dhe veçori, me të cilat Ai e kishte dalluar mbi të tjerët në popullin e tij dhe mbi të gjithë njerëzit që jetuan në kohën e tij. - “Çdokush që është mirënjohës, këtë e bën për veten e vet ...” - Dobia e mirënjohjes u kthehet vetë atyre që janë të tillë, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Çdokush që nuk beson (në Allahun), do të përgjigjet për mosbesimin e vet, e çdokush që bën punë të mira, ai po përgatitet për veten e vet. Ai (Allahu) ka për t’i shpërblyer me Mirësinë e Tij ata që besuan dhe bënë

vepra të mira. Me të vërtetë, Ai nuk i do jobesimtarët.” [Rum 44, 45]. - “... dhe çdokush që është mosmirënjo - hës, le ta dijë se Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar.” - Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për krijesat, sepse është i Pasur dhe i Lartësuar. Ai nuk ka nevojë për asgjë prej adhuruesve të Tij dhe kurrë nuk mund të dëmtohet nga askush dhe asgjë. Edhe sikur të mohojnë të gjithë banorët e Tokës, të mbledhur bashkë, Ai është i Pasuri, që s’ka nevojë për asgjë. 151 Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut dhe ne nuk adhurojmë asgjë dhe askënd tjetër, veç Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 31:12–31:19

- Ne i dhamë Lukmanit urtësi dhe e urdhëruam të ishte mirënjohës ndaj Allahut. - Allahu i Lartësuar na tregon rreth mirësive të shumta, me të cilat e veçoi Lukmanin, këtë rob dhe adhurues të zgjedhur. Ai e dalloi atë me dituri dhe urtësi të madhe. Ai i dhuroi dituri rreth të vërtetës dhe dispozitave të fesë. Ai mundësoi të njihte hollësi dhe detaje të shumta të ligjit dhe urtësive të Zotit. Por i dhuroi edhe urtësi të madhe në gjithë këtë dituri, sepse ndoshta njeriu mund të jetë i ditur, por jo i urtë. Ndërsa atij që i ka dhënë urtësi, patjetër që i ka dhënë edhe dituri. Urtësia presupozon edhe diturinë. Madje, ajo presupozon edhe të punuarit sipas diturisë. Prandaj edhe shumë dijetarë e kanë përkufizuar urtësinë si: dituri e dobishme dhe puna sipas asaj diturie. Kështu, duke qenë se i dhuroi një mirësi kaq të madhe, e urdhëroi që të tregohej mirënjohës për atë që i dhuroi, që Ai t’ia shtonte nga bujaria e Tij dhe ta bekonte e lartësonte më shumë. Pastaj e njoftoi se mirënjohja dhe mirësitë që ajo sjell me vete, janë thjesht në dobi të mirënjohësve, pasi Allahu nuk ka nevojë për të. - Çdokush që është mirënjohës, këtë e bën për veten e vet. Dhe çdokush që është mosmirëjohës, le ta dijë se Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar. - Kështu, ai që mohon dhe tregohet mosmirënjohës dëmton thjesht vetveten. Allahu është El Ganij - i Pasur, që s’ka nevojë për krijesat e Tij. Ai është El Hamid - i Lavdëruar për gjithçka që ka caktuar dhe ka ligjëruar, si në ligjin e Sheriatit, ashtu edhe në ligjin e krijimit të Tij. Ai është i Pasur dhe Jonevojtar, dhe kjo është domosdoshmëri e Qenies së Tij. Me fjalë të tjera, Ai është Zot, i Plotë dhe Absolut, prandaj dhe si i tillë Ai është El Ganij dhe është El Hamid - i Lavdëruar në emrat cilësitë dhe atributet e Tij. Allahu është i lavdëruar, dhe çdo gjë që Ai ka krijuar e përcaktuar është e bukur dhe e drejtë. Që të dyja këto cilësi janë tregues të madhështisë së Allahut dhe të faktit që Ai është i Plotë dhe Absolut. Vetëm njëra prej tyre do të tregonte se Ai është i Plotë e Absolut dhe përmendja e të dyjave bashkë e përforcon edhe më shumë këtë fakt. Mufesirët kanë mendime të ndryshme për çështjen, a ka qenë Lukmani profet apo jo? Por Allahu i Lartësuar ka përmendur veçse faktin se i dha atij urtësi dhe përmend disa këshilla që ai i dha të birit, të cilat tregojnë për urtësinë dhe maturinë e Lukmanit. Në këto këshilla përmenden themelet më të mëdha të urtësisë dhe rregullat bazë të saj. - Lukmani, duke e këshilluar, i tha të birit: “O biri im! Mos i bëj shok Allahut, sepse idhujtaria është vërtet padrejtësia

më e madhe!” - Lukmani iu drejtua të birit me disa fjalë këshilluese, që përmbajnë urdhëra e ndalesa nga njëra anë, por duke përmendur edhe inkurajime dhe kërcënime, në të njëjtën kohë. Kështu, këshilla është më e plotë dhe dobiprurëse kur shoqërohet me të tilla fakte e fjalë inkurajuese dhe kërcënuese. Fillimisht, Lukmani e urdhëroi për sinqeritet e teuhid dhe e ndaloi nga shirku. Pastaj i shpjegoi edhe shkakun se përse duhet t'u përmbahej këtyre këshillave, duke thënë: “O biri im! Mos i bëj shok Allahut, sepse idhujtaria është vërtet padrejtësia më e madhe!” Pse është padrejtësia më e madhe? Sepse nuk ka poshtërsi dhe paturpësi më të madhe sesa ta krahasosh krijesën, që është krijuar nga balta, me Krijuesin, që ka në pronësinë e Tij çdo gjë. Këta të mjerë krahasojnë atë që nuk ka asgjë në dorë me atë që ka çdo çështje në dorën e Tij; krahasojnë të varfërin nga çdo drejtim me Zotin, Krijuesin që është i Plotë, Absolut dhe i Pasur nga çdo drejtim; krahasojnë atë që nuk ka në dorë asnjë thërmijë mirësie, as për veten e as për të tjerët, me Atë që çdo mirësi është dhe buron nga bujaria e Tij, qofshin mirësitë e dynjasë, qofshin mirësitë të fesë e besimit dhe mirësi të ahiretit, mirësitë e trupave dhe të shpirtrave. Ai jep çdo mirësi dhe vetëm Ai i largon dhe të ruan nga çdo ligësi. Atëherë, a ka padrejtësi më të madhe se kjo? Allahu i Madhëruar na ka krijuar për ta adhuruar Atë si një të vetëm sinqerisht dhe duke jetuar sipas Ligjit të Tij. Nëse e bëjmë këtë, e kemi vlerësuar dhe nderuar trupin dhe shpirtin që Zoti na ka dhënë. Por nëse njeriu cënon teuhidin dhe zhytet në errësirën e adhurimit të kotësirave, që nuk kanë në dorë asgjë, ky është vërtet një poshtërim e nënçmim i shpirtit dhe trupit, që Zoti të ka dhënë dhe konsiderohet si padrejtësia më e madhe ndaj vetvetes. Pasi e urdhëroi për të plotësuar hakun e Zotit, për teuhidin e Tij, që do të thotë ta adhurosh Allahun si një të vetëm dhe të largohesh nga shirku, Lukmani i urtë vijon që të urdhërojë e të këshillojë të birin për të plotësuar detyrën tjetër më të rëndësishme pas plotësimit të hakut të Zotit, që është bamirësia ndaj prindërve. Ai thotë: - Ne e kemi urdhëruar njeriun që të jetë bamirës ndaj prindërve të tij. Nëna e vet e bart atë mund pas mundi dhe pas dy vjetësh ia ndan gjirin. (E porositëm) "Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu. Vetëm tek Unë është kthimi juaj. - Kjo është ndër porositë më të rëndësishme që Zoti i ka dhënë njeriut dhe për të cilën do ta pyesë në e ka përmbushur apo jo. Ai e urdhëron që të jetë bamirës ndaj prindërve: "...të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu." Të jesh mirënjohës ndaj Meje, duke më adhuruar si një të vetëm e duke përmbushur detyrimin Tim. Të jesh mirënjohës duke mos i përdorur mirësitë që Unë të kam dhuruar për të bërë gjynahe e poshtërsi ndaj Meje. Gjithashtu, të jesh mirënjohës edhe ndaj dy prindërve të tu, duke u bërë mirë atyre, duke u thënë fjalë të ngrohta e të buta, me sjellje të bukur e modesti. Të jesh mirënjohës ndaj tyre, duke u nderuar dhe respektuar emrin me sjelljen tënde dhe duke përmbushur nevojat e dëshirat e tyre. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të mos sillesh keq ndaj tyre, as me fjalë e as me vepra! Allahu na jep këtë porosi të rëndësishme dhe na thotë: “Vetëm tek Unë është kthimi juaj!" O njeri, ti do të kthehesh tek Ai që t'i dha këto porosi dhe të ngarkoi me këto detyra e përgjegjësi. Ai do të të pyesë, a i përmbushe ato apo jo?! Nëse po, atëherë do të të japë shpërblimin më të madh. Por nëse i ke shpërfillur ato, ka për të dhënë dënimin e dhembshëm dhe të drejtë. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa nga shkaqet përse duhet të jemi bamirës me nënën, në mënyrë të veçantë. Ai thotë: Nëna e vet e bart atë mund pas mundi, e bart me vështirësi pas vështirësie. Ajo ndien vështirësi e lodhje që në momentin kur ngjizja është thjesht një pikë në barkun e saj. Ajo kalon lodhje, rëndesë, ndryshim të gjendjes fizike dhe psikologjike. Mos përmendim këtu dhimbjet e lindjes, sa të forta janë! Më

vonë, "pas dy vjetësh, ia ndan gjirin". Fëmija ka nevojë për përkujdesin e nënës dhe gjidhënien. Të gjitha këto ajo i bën pa përtesë dhe me një dashuri të madhe e të pashembullt. A nuk është detyrë që këtij njeriu, që duroi gjithë ato vështirësi dhe të fali aq dashuri e përkujdesje, t'i falësh edhe ti bamirësi e dashuri? Ja për këtë na urdhëron Allahu i Madhëruar! - E nëse ata të dy të shtyjnë që ti të më bësh Mua shok (në adhurimin për mua), për çka ti nuk ke aspak dije, atëherë mos iu bind atyre; megjithatë, për çështjet e jetës së kësaj bote, të sillesh mirë me ta. - Këto lloj kërkesash dhe dëshirash nuk bëjnë pjesë në bamirësinë ndaj prindërve dhe nuk duhen plotësuar, hepse haku i Zotit është më parësor për t'u përmbushur se çdo e drejtë tjetër. Rregulli në Islam thotë qartë: "Nuk lejohet t'u bindesh krijesave duke thyer urdhrin e Krijuesit." Por kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: "...atëherë mos iu bind atyre; megjithatë, në çështjet e jetës së kësaj bote të sillesh mirë me ta." Nuk thotë që tregohu i vrazhdë dhe shkeli të gjitha përgjegjësitë ndaj tyre. Por thjesht mos iu bind kur të urdhërojnë për idhujtari dhe për gjynahe ndaj Zotit. Përsëri, bamirësia ndaj tyre duhet të jetë e vazhdueshme, madje më e spikatur. Shoqëroji dhe bashkjeto me ta, duke qenë gjithnjë bamirës, sipas normave të përhapura ndër njerëz. Ndërsa pasimi i tyre në gjynahe e idhujtari është i ndaluar dhe i dënueshëm. - Pasoje (me përkushtim) rrugën e atij që është kthyer (i penduar e i nënshtruar) drejt Meje. - Ne jemi urdhëruar të ndjekim rrugën e besimtarëve, që besojnë korrektësisht dhe me sinqeritet Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, profetët e Tij dhe iu dorëzuan plotësisht Zotit të tyre, për të jetuar sipas Shpalljes së Tij. Ata pendohen dhe kthehen në rrugën që të çon në kënaqësinë e Zotit dhe Xhenetin e Tij. Kjo është rrugë që jemi urdhëruar të ndjekim me përkushtim. Ashtu si besimtarët e sinqertë, edhe ne ndjekim rrugën e kthimit tek Zoti me nënshtrim e bindje. Me fjalë të tjera, ne i përkushtojmë të gjitha forcat trupore, mendore e shpirtërore veç për të kënaqur Zotin tonë dhe të gjitha qëllimet tona janë të drejtuara veçse për të jetuar sipas urdhëresave të Tij. Dhe kur qëllimet tona dhe zemrat tona janë të përkushtuara veçse për këtë rrugë, atëherë edhe trupat tanë do të lëvizin e bëjnë veçse punë që kënaqin Allahun dhe të afrojnë tek Ai. - Në fund, ju tek Unë do të ktheheni të gjithë... - Si të bindurit, ashtu edhe të pabindurit, si ata që janë penduar, ashtu edhe ata që i kanë kthyer shpinën rrugës së Tij, tek Ai do të kthehen. Ai thotë: - dhe Unë do t’ju tregoj atë që keni bërë. - Allahut nuk i fshihet asgjë prej veprave të robit dhe Ai është shpërblyesi më bujar dhe ndëshkuesi më i drejtë. - O biri im (tha Lukmani) ! (Ditën e Gjykimit) Allahu ka për ta sjellë (prej veprave të robit) edhe një thërrmijë të vogël sa një farë sinapi, edhe në qoftë ajo e fshehur nën një rrasë guri, ose (diku) në qiej ose në tokë. - Edhe një farë sinapi, - që konsiderohet nga më të voglat gjëra, -

sikur të jetë fshehur në mes të ndonjë shkëmbi ose në lartësitë e qiejve dhe thellësitë më të errëta të Tokës, Allahu i Madhëruar ka për ta nxjerrë dhe ka për ta sjellë atë në shesh. Kjo ndodh sepse dituria e Allahut është e gjerë dhe gjithëpërfshirëse dhe pushteti i Tij është i plotë e absolut. Ai di çdo gjë të fshehtë në hollësi. Asgjë nuk i fshihet Allahut. - Vërtet, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur. - Ai është Latif, që do të thotë i ditur për çdo hollësi të fshehtësive. Ai sheh dhe di çdo fshehtësi, edhe sikur të jetë strukur në thellësitë e errësirat e Tokës dhe të oqeaneve. Qëllimi i të gjithë kësaj është për të na nxitur që të ndiejmë mbikëqyrjen e Zotit dhe t'i frikësohemi e kemi turp prej Tij me sa kemi mundësi. Ky është një kërcënim për t'u larguar nga çdo punë e shëmtuar dhe e ndaluar, e vogël apo e madhe qoftë, e pakët apo e shumtë. - O biri im! Fale namazin rregullisht... - Lukmani e nxiti për të falur namaz. Ai e porositi në mënyrë të veçantë për këtë vepër, sepse falja e namazit është ndër adhurimet më të mëdha të shprehura me trup e me zemër. Pasta tha: - ...urdhëro për çfarë është e drejtë dhe ndalo nga çfarë është e keqe dhe bëj durim në çfarëdo që të të godasë! - Kjo presupozon që fillimisht të njohë të mirën dhe mbarësinë, që pastaj të urdhërojë njerëzit për të, duhet të njohë edhe të keqen, që t'i ndalojë njerëzit prej saj. Gjithashtu, Ai duhet të pajiset edhe me disa cilësi të domosdoshme për këtë mision si: butësia, mirësjellja, durimi. Të gjitha këto bëjnë pjesë në urdhrin: "...urdhëro për çfarë është e drejtë...", sepse ky është urdhër edhe për ato gjëra pa të cilat nuk mund të realizohet misioni i mësipërm. Në fund e përmend durimin, duke thënë: "...bëj durim në çfarëdo që të të godasë!" Fillimisht duhet të jesh i durueshëm, që të jesh i pari që zbaton atë për të cilën urdhëron të tjerët dhe të jesh i pari që largohet nga ajo gjë për të cilën i ndalon të tjerët. Ky është një urdhër për të kompletuar vetveten duke bërë punë të mira dhe duke u ruajtur nga të këqijat, dhe pastaj për të rregulluar të tjerët me urdhëresat për mirë e ndalesat nga të këqijat. Por dihet mirë se, nëse njeriu urdhëron për të mira dhe ndalon nga e keqja, do të sprovohet dhe përballet me vështirësi dhe përplasje. Në këto urdhëresa e ndalesa ka njëfarë vështirësie për shpirtin, prandaj Lukmani urdhëroi për durim. - Vërtet, këto janë nga çështjet më të vyera (e të shpërblyeshme) . - Në këto këshilla që Lukmani i dha djalit të vet janë nga çështjet më të vështira për nefsin dhe më të shpërblyeshmet njëkohësisht, për të cilat e meriton të sakrifikosh. Por për realizimin e tyre u jepet sukses veçse njerëzve të vendosur dhe me ambicie të lartë. - Dhe mos ua kthe shpinën njerëzve me mendjemadhësi - Mos u vrenjt para njerëzve me mendjemadhësi dhe duke u mbajtur me të madh. - dhe mos ec nëpër tokë si kryeneç... - Mos ec me mendjemadhësi, vetëpëlqim e duke u mburrur për mirësitë që ke, duke harruar Atë që t'i dhuroi ato. - sepse Allahu nuk e do atë që tregohet mendjemadh e mburravec! - Allahu nuk i do ata që sillen me kryeneçësi dhe që mburren me fjalë. - Gjithashtu, ji modest në ecjen tënde – pra duhet të ecësh me modesti dhe jo si kryeneç e keqbërës. - ...dhe fol me zë të ulët, - Duke treguar respekt dhe edukatë me Allahun dhe me njerëzit. - sepse zëri më i vrazhdë është pallma e gomarit. - Zëri i gomarit është zëri më i shëmtuar dhe më i urryer. Kështu, nëse do të kishte dobi dhe mirësi në ngritjen e zërit, kjo nuk do t'i jepej gomarit, i cili dallohet si i nënçmuar dhe i mangët. Në këto këshilla që Lukmani i dha birit të vet janë përmbledhur çështjet më madhore e të rëndësishme. Ato ngërthejnë në vetvete edhe shumë këshilla e çështje të tjera, që nuk janë përmendur shprehimisht. Përveç

këtyre, ai përmend edhe arsyet e duhura që e nënshtrojnë dhe inkurajojnë njeriun për t'i kryer ato nëse janë urdhëresa dhe për t'iu larguar, nëse janë ndalesa. Ky është përkufizimi i urtësisë, ashtu siç e përmendëm edhe më parë. Pra, urtësia është: dituria rreth ligjeve e dispozitave, rreth urtësive që fshihen pas tyre dhe pas shkaqeve të ligjërimit, si dhe puna sipas tyre. Kështu, Lukmani e urdhëroi fillimisht për atë që është themeli i fesë së vërtetë, pra, për teuhidin e Zotit, dhe e ndaloi nga shirku, duke ia bërë të qartë shkakun e kësaj ndalese. Pastaj e urdhëroi për bamirësi ndaj prindërve, duke përmendur edhe arsyen e këtij urdhëri. Pastaj e urdhëroi për të qenë mirënjohës ndaj Zotit dhe mirënjohës ndaj prindërve. Por i sqaroi, gjithashtu, që bindja ndaj prindërve duhet përmbushur në çdo rast, përveç nëse ata të urdhërojnë për poshtërsi, idhujtari dhe mosbindje ndaj Zotit. Megjithatë, edhe në një rast të tillë, njeriu nuk duhet të heqë dorë nga sjellja e mirë dhe bamirësia ndaj prindërve dhe aq më pak të sillet vrazhdë me ta. Përkundrazi, ai duhet të sillet në mënyrë shembullore ndaj tyre, edhe kur i duhet që të mos u bindet për ndonjë kërkesë të padrejtë. Gjithashtu, Lukmani e urdhëroi të birin për të ndjerë mbikëqyrjen e Allahut dhe e këshilloi që t'i frikësohej takimit me Zotin. Ai i kujtoi faktin se Zoti nuk do të lërë asnjë vepër, të madhe apo të vogël, pa ia nxjerrë në pah atë ditë dhe pa i dhënë shpërblimin ose ndëshkimin e merituar për të. Më pas e këshilloi që të ruhej nga mendjemadhësia dhe e urdhëroi për modesti. Ai e këshilloi djalin që t'i largohej shprehjes së fodullëkut në të ecur e në të folur ose në komunikimin me njerëzit. Pastaj sërish e urdhëroi për të bërë vepra të mira dhe e ndaloi nga veprat e këqija, të falte rregullisht namazin dhe të ishte i duruar. Dhe dihet se me namaz dhe me durim lehtësohet çdo çështje, siç ka thënë i Madhëruari: "O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz! Vërtet, Allahu është me durimtarët". [Bekare 153]. Një njeri që i jep të birit të tilla porosi, e meriton që të quhet i urtë dhe i famshëm. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar u tregoi njerëzve diçka nga urtësia e këtij njeriu të mirë, që të jetë shembull për ta.

← Lukman 31:12