وَٱقۡصِدۡ فِي مَشۡيِكَ وَٱغۡضُضۡ مِن صَوۡتِكَۚ إِنَّ أَنكَرَ ٱلۡأَصۡوَٰتِ لَصَوۡتُ ٱلۡحَمِيرِ
Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Tregimi për këshillat e Lukmanit drejtuar birit të vet është edhe një fakt bindës, se njerëzit e mençur gjithnjë kanë ndjekur rrugën e drejtë, rrugën e Zotit, e jo siç bënin idhujtarët injorantë. Zoti xh. sh. bëri aq shumë mëshirë ndaj krijesave të veta, e veçanërisht ndaj krijesës më të zgjedhur, ndaj njeriut, saqë nuk la popull pa ndonjë pejgamber, ose pa njeri të zgjedhur, i cili ndihmoi orientimin për në rrugën e drejtë. Madje na dha të kuptojmë, se njerëzit janë të barabartë para Tij, nuk ka privilegj i bardhi ndaj të ziut dhe anasjelltas, më i miri tek ai është më i ruajturi. Lukmani ishte zezak, abisino-sudanez, siç ishte edhe Bilali, edhe Nexhashiu. Sipas mendimit të komentatorëve të Kuranit Lukmani nuk ishte pejgamber, ishte njeri shumë i talentuar, e këshillat e tij ishin të qëlluara, prandaj edhe i përmend Kurani. Si duket djali dhe gruaja e tij në fillim nuk ishin besimtarë, por Lukmani i vazhdoi këshillat deri sa i bindi. Ka mendime se Lukmani ishte djalë i motrës apo i tezës së Ejubit. Falënderimi ndaj Zotit ka përparësi ndaj falënderimit të prindërve, prandaj kur është çështja rreth besimit, nuk ka respekt ndaj krijesës e kundër Krijuesit. Për sa i përket kujdesit ndaj tyre, ai duhet të jetë edhe nëse janë të fesë tjetër. Respekti ndaj nënës është edhe më i kërkuar, prandaj edhe janë përmendur vuajtjet dhe kujdesi i saj në këtë ajet të Kuranit.