← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

31. Lukman · Ajeti 33 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 31:20–31:34

E tërë gjithësia me të gjithë trupat qiellorë dhe me të gjitha qeniet dhe sendet që janë në tokë, është në shërbim të njeriut, po jo me mjeshtërinë ose fuqinë e njeriut, pse njeriu i gjeti të gatshme të gjitha këto të mira, këto ia përgatiti Allahu, i cili i dha edhe shumë të mira të tjera fizike e kuptimore siç janë: të dëgjuarit, të parit, shëndeti, mendja ndjenjat, zemra etj. E megjithatë se Zoti ua dha të gjitha këto të mira, ka disa njerëz që nuk ndjekin rrugën që u caktoi Zoti, por imitojnë verbërisht traditat e të parëve, edhe pse ato janë krejt të gabuara. Prej këtij ajeti duhet marrë mësim se çdo traditë e të parëve nuk duhet respektuar, por vetëm ato që janë të dobishme.

Kush i është dorëzuar sinqerisht Allahut, ai është i sigurt pse çdo send tjetër zhduket, e Allahu është i përjetshëm dhe të gjitha çështjet janë në duar të Tij.

Allahu nuk ka nevojë për asgjë, nuk ka nevojë as për falënderimin e njerëzve, Ai vetvetiu është i lavdishëm. Faktet për fuqinë, urtësinë dhe mrekullinë që manifestohen në krijesat e Tij, janë të pasosshme, para do të soseshin drunjtë si lapsa dhe uji i detit si ngjyrë, nëse do të tentohej të regjistrohen ato fakte.

Në ditën e gjykimit çdokush do të jetë i preokupuar me punët e veta, ashtu që askujt nuk do t'i bjerë ndërmend për tjetrin edhe nëse është më i afërmi, siç janë fëmija me prindërit.

Në një hadith, të cilin e regjistrojnë Sahihajnët e të tjerë, pesë të fshehta janë që nuk i di askush pos Allahut: kur do të ndodhë katastrofa e përgjithshme, kur dhe në cilin vend do të bjerë shi, si është foshnja në barkun e nënës, i shëndoshë ose i gjymtë, mashkull ose femër: çka dhe çfarë do të punojë, çka do t'i ndodhë dikujt nesër, kur dhe në ç'vend do të vdesë dikush. Këto pesë të fshehta i përmend ky ajet, e në një ajet tjetër thuhet: "Çelësat e të fshehtave janë vetëm te Allahu", e Pejgamberi i përmend këto të pesta. Duhet kuptuar se tjetër është e fshehta, e tjetër çelësi i të fshehtës, pra çelësin e tyre e di vetëm Zoti. Ndonjë e fshehtë mund të zbulohet, por çelësi i këtyre të pestave, jo.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Llukman". Falënderim i qoftë Allahut të madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 31:33

- “O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj dhe kini frikë atë ditë, kur prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet dhe as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. ” - Allahu i Madhëruar paralajmëron njerëzit në lidhje me Ditën e Premtimit, që është dita e Kijametit dhe e llogarisë së drejtë para Tij. Ai i urdhëron që të jenë të devotshëm në zbatimin e fesë, të frikësohen nga ndëshkimi i Tij, të ruhen nga tmerri i madh në Ditën e Kijametit dhe llogaria e vështirë para Tij. Atë ditë, sikurse thotë i Lartësuari, prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet: edhe nëse do të dëshironte që të sakrifikonte veten për ta shpëtuar atë, nuk do të pranohej diçka e tillë. Po kështu, as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. Pra, edhe fëmija, nëse do të donte të shpëtonte prindin e vet në Ditën e Gjykimit, duke sakrifikuar veten në vend të tij, kjo nuk do të pranohej prej tij. Pastaj vijohet me këshillat dhe paralajmërimet: - “Premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj mos lejoni që t'ju mashtrojë jeta e kësaj bote ...” - Mos lejoni që dynjaja t’ju bëjë të zhyteni në prehjen dhe kënaqësitë e saj, duke e harruar ahiretin.

- “... dhe mos lejoni që Kryemashtruesi t'ju largojë nga Allahu.” - Këtu bëhet fjalë për shejtanin e mallkuar. Kështu e kanë shpjeguar Ibn Abasi, Muxhahidi, Dahhaku dhe Katade. Shejtani i mallkuar e mashtron dhe devijon birin e Ademit, e bën të ushqejë shpresa të kota, pasi asgjë prej tyre nuk është reale, sikurse thotë i Lartësuari: “Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë, por shejtani premton veçse mashtrim.” [Nisa 120].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 31:33

- O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj... - Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit për takua, pra, që të ruhen e të mbrohen nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Kjo bëhet e mundur veçse duke përmbushur urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar i paralajmëron dhe u kujton Ditën e Kijametit, atë ditë të vështirë dhe të madhe,

kur çdo njeriu do t’i interesojë veçse vetvetja dhe nuk do të pyesë për asnjë tjetër në botë. Allahu i Lartësuar thotë: - dhe kijeni frikë atë ditë kur prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet dhe as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. - Asnjë rob nuk ka mundësi që t'ia shtojë të mirat dhe as të ia pakësojë të këqijat tjetrit. Çdo robi i është përmbyllur llogaria e veprave të tij dhe tashmë është bërë gati shpërblimi i tij. Nëse robi e kujton dhe e përfytyron vazhdimisht atë ditë, kjo do t'ia lehtësojë arritjen e gradës së takuasë, pra, që të ruajë veten nga zemërimi dhe dënimi i Zotit, duke zbatuar urdhëresat dhe lënë ndalesat. Kjo sigurisht që është nga mëshira e Allahut për njerëzit. Ai fillimisht i urdhëron për devotshmëri ndaj Tij, gjë e cila u mundëson lumturinë, pasi Ai premton se do t'u japë shumë shpërblime. Në të njëjtën kohë, Allahu i kërcënon me dënim, duke u kujtuar ditën e frikshme të llogarisë, që t'ua bëjë më të lehtë realizimin dhe arritjen e gradës së devotshmërisë. Ty të qofshin të gjitha lavdërimet, o Zoti i botëve! - Premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj mos lejoni që t'ju mashrojë jeta e kësaj bote - Kurrë mos dyshoni në këtë fakt dhe mos u bëni si ata të cilët nuk e besojnë këtë premtim. Mos lejoni që t'ju mashrojë jeta e kësaj bote dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t'ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij) . Mos u mashtroni nga kjo jetë, megjithë stolitë e zbukurimet e saj, megjithë sprovat dhe kurthet e saj. - dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t'ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij) . - Mos u mashtroni nga shejtani i mallkuar, i cili vazhdimisht punon që të mashtrojë njeriun dhe nuk rresht asnjë çast. Njerëzit duhet të plotësojnë hakun e Zotit, i Cili ka premtuar se do t'i shpërblejë sipas veprave të tyre. Por a e përmbushin njerëzit hakun e Tij apo jo? Kjo është një çështje që njeriu duhet të përkushtohet seriozisht për realizimin e saj. Madje, ky duhet të jetë qëllimi i jetës së tij dhe gjëja më e rëndësishme që ai duhet të plotësojë. Le ta mësojë njeriu se ndër pengesat më të mëdha në këtë rrugë është kjo botë e zbukuruar dhe mashtruese, si edhe shejtani i mallkuar, që gjithmonë e cyt njeriun dhe e mbush me ëndrra të kota e mashtrime. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen që të mos na mashtrojë kjo dynja e që shejtani i mallkuar të mo na tërheqë në rrugën e tij, sikurse thotë në një ajet tjetër kuranor: "Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira). Por shejtani premton veçse mashtrime." [Nisa 120].

← Lukman 31:33