← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:7–33:20

Edhe në kaptinën Ali Imran është përmendur besa e marrë prej pejgamberëve se do ta vërtetojnë, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe do t'i përmbahen saktë detyrës së besuar prej Zotit. Këtu përmenden pesë pejgamberët më autoritativë, "Ulul Azmi", por për hir të pozitës dhe famës më të lartë, i pari përmendet Muhammedi, anipse është i dërguari i fundit.

Zoti xh. sh. i thërret besimtarët të përkujtojnë të mirën, ndihmën që u ofroi me rastin e rrethimit të Medinës prej ushtrisë së armikut.

Në të vërtetë, afër një viti e sipër pas luftës së Uhudit, idhujtarët arabë, kurejshë e Gatafanë dhe jehuditë: Beni Nadir dhe Kurejdha, formojnë një ushtri të përbashkët për ta sulmuar Medinën, gjegjësisht, Pejgamberin dhe myslimanët. Për aleancën e armikut, e cila kishte tubuar më tepër se dhjetëmijë ushtarë dhe të cilës ushtri i printe Ebu Sufjani, kishte dëgjuar Pejgamberi. Me propozimin e Selman Farisiut, Pejgamberi urdhëron hapjen e një kanali (hendeku, istikami) rreth e përqark Medinës. Ushtria myslimane numëronte tremijë veta. kur arriti ushtira e armikut dhe e rrethoi qytetin, e asaj iu kishin bashkuar edhe jehuditë e vendit me të cilët myslimanët kishin pasur marrëveshje, frika u shtua, belaja u zmadhua sa që pati mendime të ndryshme. Myslimanët mbanin shpresë në ndihmën e Zotit, e formalistët munafikë i humbën shpresat dhe premtimin e Allahut e të Muhammedit, e konsideruan mashtrim. Shumë prej munafikëve kërkonin leje nga Pejgmaberi të shkonin në shtëpitë e veta për t'u mbrojtur. Pejgamberi u dha leje, por e dinte se po ikin prej luftës. Kur'ani i thotë se ata, edhe sikur të ishin në mesin tuaj, nuk do të luftonin, do të pranonin të kthehen në idhujtari po qe se armiku do të dominonte. Ata thonin me vete se më mirë do të ishte për neve sikur të ishim beduinë, e të jetonim në shkretëtirë e të mos ishim në Medinë, e prej atje do të kuptonim se ç'po ngjanë me myslimanët. i Si përfundim i kësaj lufte që quhet: Lufta e Hendekut, sipas kanalit të hapur, ose: Lufta e Ahzabit, sipas aleancës i ushtarake të armikut, armiku e mban të rrethuar Medinën për disa ditë, por një natë kur ishte errësirë e madhe, Zoti I e lëshon një frymë të stuhishme e të ftohtë, ua shuan zjarrin, ua rrënon çadrat, ua shtie frikën në shpirt dhe e lëshojnë rrethimin e ikin. Myslimanët shpëtojnë pa kurrnjë të keqe, por zbulohen ata që ishin vetëm formalisht myslimanë dhe ashtu i pastrojnë radhët e veta. Thuhet se gjatë asaj nate të errët ushtria e padukshme që përmendet, ishin engjëjtë, të cilët i frikësuan ushtarët e armikut dhe ndihmuan ushtrinë myslimane.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:11–33:13

- “Atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën me një tronditje të fortë. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e besimtarëve kur ushtritë e idhujtarëve zbritën dhe u vendosën rreth Medinës. Ishte vërtet një gjendje shumë e vështirë, e mbushur me frikë e ngushti. Ata u tronditën fort, kur Profeti i Allahut ishte mes tyre. Tashmë, nifaku filloi të nxirrte krye. Ata që kishin sëmundje në zemër filluan të villnin atë që e fshihnin brenda shpirtit. I Lartësuari thotë: - “Hipokritët dhe ata që kishin sëmundje në zemrat e tyre, thanë: “Allahu dhe i Dërguari Tij na premtuan një gënje - shtër!” - Kështu, munafikët e shfaqën haptaz hipokrizinë e tyre, ndërsa ata që kishin në zemër sëmundjen e dyshimeve e pasigurisë në besim u dobësuan më shumë. Për shkak të dobësisë së imanit, iu ngushtua gjoksi e u mbushën me frikë. Ndërsa të tjerë po nxirrnin justifikime për t’u larguar nga lufta, siç na lajmëron i Lartësuari:

- “Disa prej tyre thanë: “O burra të Jethribit! Sot nuk do të mund t’i bëni ballë, ndaj kthehuni pas !” - O burra të Medinës, sot nuk keni mundësi t’i bëni ballë kësaj ushtrie të mbledhur kundër jush! Mos qëndroni me Profetin, por kthehuni në shtëpitë tuaja në Medinë! - “Disa i kërkuan leje Profetit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtu - ra!” Edhe pse, në fakt, ato nuk ishin të pambrojtura. E vërteta qe se ata donin veçse të iknin. ” - Ibn Abasi tregon se këta ishin fisi Benu Harithe, të cilët thanë: “Kemi frikë se do të na vjedhin shtëpitë e pasuritë tona!” Pra, ata kërkuan që të ktheheshin në Medinë, me pretekstin se shtëpitë e tyre ishin të pambrojtura dhe mund të grabiteshin nga armiku. Por Allahu i Lartësuar thotë: “...edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura.” Domethënë, nuk ishte aspak ashtu siç justifikoheshin ata. Në fakt, ata donin veçse të iknin nga fushëbeteja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:9–33:11

- O ju që keni besuar! Kujtojeni Mirësinë e Allahut, kur ju erdhi një ushtri (për t'ju sulmuar) dhe Ne lëshuam kundër tyre një furtunë dhe forca që ju nuk i shihnit. Allahu e sheh mirë gjithçka që bëni ju. - Allahu i Lartësuar u kujton robve të Tij besimtarë mirësinë e madhe që u bëri gjatë kësaj historie kur një ushtri e madhe e disa aleatëve u mblodh për t'i luftuar dhe shfarosur, duke i nxitur të jenë mirënjohës. Ushtritë e Mekës dhe gjithë Hixhazit u mblodhën për t'i luftuar nga sipër, ndërsa ushtritë e Nexhdit u mblodhën nga poshtë. Ata vendosën prerazi dhe u betuan që të shfarosnin Profetin dhe sahabët e tij. Kjo ishte lufta e Hendekut ose e Ahzabit. Përveç këtyre ushtrive, kundër tij u vunë edhe fiset judeje, që ishin rreth e rotull Medinës. Për të përballuar sulmet e ushtrisë së madhe, Profeti (a.s) hapi një hendek të madh rreth Medinës. Kështu aleanca e mohuesve dhe idhujtarëve bëri një rrethim shumë të dhimbshëm dhe të vështirë për muslimanët. Aq shumë u vështirësua jeta në Medinë, saqë Allahu i përshkroi me fjalët: - Kur ata ju erdhën prej së larti dhe prej së poshtmi, shikimet tuaja u shtangën, zemrat erdhën në fyt (nga frika) dhe ju sajonit për Allahun lloj lloj mendimesh (të kota). - Zemrat u shkuan në fyt nga frika dhe vështirësia, aq sa u shkonin lloj -lloj mendimesh. Pasiguria arriti kulmin kur shihnin gjithë ato masa shtrënguese dhe atë rrethim aq të fortifikuar. Ky rrethim vazhdoi për një kohë të gjatë. Allahu e përshkruan kështu gjendjen e besimtarëve: "...shikimet tuaja u shtangën, zemrat erdhën në fyt (nga frika) dhe ju sajonit për Allahun lloj lloj mendimesh (të kota) .". Ju kishit mendimet e këqija se Allahu nuk do të ndihmonte fenë e Tij dhe se nuk do të plotësonte dhe lartësonte fjalën e Tij.” - Atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën me një tronditje të fortë. - Kjo ishte për besimtarët një sprovë shumë e madhe dhe ata u tronditën shumë, me ankth e pasiguri për jetën e familjet e tyre, me uri e vuajtje të pashembullta. Kështu i sprovoi Allahu besimtarët, që të dilte në pah imani i tyre dhe t’u shtohej e forcohej më shumë siguria për ndihmën e Allahut. Dhe, vërtet,

u shfaq dhe doli në pah imani i tyre, sinqeriteti dhe siguria e mbështetja e pathyeshme në Allahun! Vetëm Allahut i qoftë lavdërimi e mirënjohja! Me këtë qëndresë, ata ia kaluan dhe i lanë pas të parët dhe të fundit. Pikërisht kur u shtuan vuajtjet e sprovat rëndonin njëra tjetrën, atëherë imani i tyre arriti gradën e sigurisë së plotë, ashtu si ta shihje të vërtetën me sy. I Lartësuari thotë: “Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu). " [Ahzab 22.] Në të tilla sprova del qartë edhe hipokrizia e dyfytyrëshve. Ata e nxorën në shesh atë që e mbanin fshehur në zemër.

← Ahzab 33:11