← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 12 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:7–33:20

Edhe në kaptinën Ali Imran është përmendur besa e marrë prej pejgamberëve se do ta vërtetojnë, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe do t'i përmbahen saktë detyrës së besuar prej Zotit. Këtu përmenden pesë pejgamberët më autoritativë, "Ulul Azmi", por për hir të pozitës dhe famës më të lartë, i pari përmendet Muhammedi, anipse është i dërguari i fundit.

Zoti xh. sh. i thërret besimtarët të përkujtojnë të mirën, ndihmën që u ofroi me rastin e rrethimit të Medinës prej ushtrisë së armikut.

Në të vërtetë, afër një viti e sipër pas luftës së Uhudit, idhujtarët arabë, kurejshë e Gatafanë dhe jehuditë: Beni Nadir dhe Kurejdha, formojnë një ushtri të përbashkët për ta sulmuar Medinën, gjegjësisht, Pejgamberin dhe myslimanët. Për aleancën e armikut, e cila kishte tubuar më tepër se dhjetëmijë ushtarë dhe të cilës ushtri i printe Ebu Sufjani, kishte dëgjuar Pejgamberi. Me propozimin e Selman Farisiut, Pejgamberi urdhëron hapjen e një kanali (hendeku, istikami) rreth e përqark Medinës. Ushtria myslimane numëronte tremijë veta. kur arriti ushtira e armikut dhe e rrethoi qytetin, e asaj iu kishin bashkuar edhe jehuditë e vendit me të cilët myslimanët kishin pasur marrëveshje, frika u shtua, belaja u zmadhua sa që pati mendime të ndryshme. Myslimanët mbanin shpresë në ndihmën e Zotit, e formalistët munafikë i humbën shpresat dhe premtimin e Allahut e të Muhammedit, e konsideruan mashtrim. Shumë prej munafikëve kërkonin leje nga Pejgmaberi të shkonin në shtëpitë e veta për t'u mbrojtur. Pejgamberi u dha leje, por e dinte se po ikin prej luftës. Kur'ani i thotë se ata, edhe sikur të ishin në mesin tuaj, nuk do të luftonin, do të pranonin të kthehen në idhujtari po qe se armiku do të dominonte. Ata thonin me vete se më mirë do të ishte për neve sikur të ishim beduinë, e të jetonim në shkretëtirë e të mos ishim në Medinë, e prej atje do të kuptonim se ç'po ngjanë me myslimanët. i Si përfundim i kësaj lufte që quhet: Lufta e Hendekut, sipas kanalit të hapur, ose: Lufta e Ahzabit, sipas aleancës i ushtarake të armikut, armiku e mban të rrethuar Medinën për disa ditë, por një natë kur ishte errësirë e madhe, Zoti I e lëshon një frymë të stuhishme e të ftohtë, ua shuan zjarrin, ua rrënon çadrat, ua shtie frikën në shpirt dhe e lëshojnë rrethimin e ikin. Myslimanët shpëtojnë pa kurrnjë të keqe, por zbulohen ata që ishin vetëm formalisht myslimanë dhe ashtu i pastrojnë radhët e veta. Thuhet se gjatë asaj nate të errët ushtria e padukshme që përmendet, ishin engjëjtë, të cilët i frikësuan ushtarët e armikut dhe ndihmuan ushtrinë myslimane.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:11–33:13

- “Atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën me një tronditje të fortë. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e besimtarëve kur ushtritë e idhujtarëve zbritën dhe u vendosën rreth Medinës. Ishte vërtet një gjendje shumë e vështirë, e mbushur me frikë e ngushti. Ata u tronditën fort, kur Profeti i Allahut ishte mes tyre. Tashmë, nifaku filloi të nxirrte krye. Ata që kishin sëmundje në zemër filluan të villnin atë që e fshihnin brenda shpirtit. I Lartësuari thotë: - “Hipokritët dhe ata që kishin sëmundje në zemrat e tyre, thanë: “Allahu dhe i Dërguari Tij na premtuan një gënje - shtër!” - Kështu, munafikët e shfaqën haptaz hipokrizinë e tyre, ndërsa ata që kishin në zemër sëmundjen e dyshimeve e pasigurisë në besim u dobësuan më shumë. Për shkak të dobësisë së imanit, iu ngushtua gjoksi e u mbushën me frikë. Ndërsa të tjerë po nxirrnin justifikime për t’u larguar nga lufta, siç na lajmëron i Lartësuari:

- “Disa prej tyre thanë: “O burra të Jethribit! Sot nuk do të mund t’i bëni ballë, ndaj kthehuni pas !” - O burra të Medinës, sot nuk keni mundësi t’i bëni ballë kësaj ushtrie të mbledhur kundër jush! Mos qëndroni me Profetin, por kthehuni në shtëpitë tuaja në Medinë! - “Disa i kërkuan leje Profetit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtu - ra!” Edhe pse, në fakt, ato nuk ishin të pambrojtura. E vërteta qe se ata donin veçse të iknin. ” - Ibn Abasi tregon se këta ishin fisi Benu Harithe, të cilët thanë: “Kemi frikë se do të na vjedhin shtëpitë e pasuritë tona!” Pra, ata kërkuan që të ktheheshin në Medinë, me pretekstin se shtëpitë e tyre ishin të pambrojtura dhe mund të grabiteshin nga armiku. Por Allahu i Lartësuar thotë: “...edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura.” Domethënë, nuk ishte aspak ashtu siç justifikoheshin ata. Në fakt, ata donin veçse të iknin nga fushëbeteja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:12–33:18

- (Kujto) kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thoshin: “Allahu dhe i dërguari Tij, nuk na premtuan gjë tjetër veçse mashtrim,” - Ky është kriteri dallues për çdo munafik, që del në pah gjatë fitnes. Imani i tij është i paqëndrueshëm. Ai shikon me mendjen e tij të mangët dhe të lehtë ngjarjet dhe sprovat që i ndodhin dhe bie pre e tyre, duke e zënë frika dhe paniku. Atyre u shteron durimi, prandaj bëhen faktorë destabilizimi në radhët e besimtarëve. Kështu, as vetë nuk bëjnë durim dhe as të tjerët nuk i lënë rehat nga sherri i tyre. Pikërisht këta njerëz thanë: - Dhe (kujto) kur një grup prej tyre thanë: “O burra të Jethribit! - Vëreni me kujdes se si munafikët u drejtohen besimtarëve, jo duke u folur me emër si "o besimtarë" ose "o muslimanë", por duke u folur thjesht me emrin e qytetit, si banorë të atij qyteti. Me sa duket, në ato zemra që i kishte pushtuar frika nuk kishte vend lidhja e besimit dhe Islami. Për ta, ky detaj kaq i rëndësishëm nuk kishte asnjë vlerë. - Sot nuk do të mund ti bëni ballë (luftës), ndaj kthehuni (në Medine) !” - Në këtë vend ku jemi pozicionuar për të mbrojtur Medinën nuk kemi gjetur mbrojtje të mirë. Besimtarët, në fakt, pasi ishin këshilluar, kishin vendosur të dilnin jashtë Medinës, pikërisht në atë vend ku edhe gërmuan atë hendek të gjatë, për t’u mbrojtur sa më mirë. Dhe këta faqezinj frikacakë u kërkonin që ta linin frontin e mbrojtjes, që kishin përgatitur dhe të ktheheshin në Medinë. Prandaj thanë: "Sot nuk do të

mund t’i bëni ballë (luftës), ndaj kthehuni (në Medinë) !” Këto ishin fjalët e tyre destabilizuese dhe demoralizuese. Ata donin të rrënonin moralin dhe forcën e ushtrisë, duke u thënë se nuk kishin forcë të përballoni armikun. Me fjalë të tjera, po i urdhëronin që të braktisnin frontin dhe luftën dhe të iknin të dëshpëruar dhe të përçarë. Ky është lloji më i dëmshëm dhe më i lig i armiqve. Poshtë këtyre vinte një grup tjetër, të cilët i pushtoi frika dhe filluan të kërkonin që të largoheshin nga formacionet luftuese, duke nxjerë lloj -lloj justifikimesh të kota. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë: - Një grup prej tyre i kërkonin leje Profetit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtura.”, edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura. - Familjet tona janë në rrezik dhe kemi frikë se armiku do të na sulmojë dhe ne nuk do të jemi atje për t'i ndihmuar. Për këtë arsye, na jep leje që të kthehemi, që të mund t'i mbrojmë familjet tona. Dhe, në fakt, ata po gënjenin. I Lartësuari thotë: - Në të vërtetë ata nuk donin gjë tjetër por veçse të iknin. - Qëllimi i tyre i vetëm ishte largimi nga fushëbetejës. Të gjitha ato fjalë e justifikime ishin thjesht pretekste për t'u larguar. Këta e kishin imanin të dobët, aq sa ai tronditej gjatë sprovave dhe vështirësive. Madje, Allahu i Madhëruar thotë: - Nëse (armiqtë) do t’u hynin atyre nga anët e saj (Medines) dhe prej tyre të kërkohej tradhtia (e besimit të drejtë e kthimi në idhujtari) , ata me siguri do të tradhtonin pa u vonuar aspak . - Nëse armiku do të hynte në Medinë dhe ta pushtonte atë, ata jo vetëm që nuk do të luftonin, por do t'i përgjigjeshin ftesës së mohuesve për ta lënë fenë e Zotit dhe do të braktisnin fenë dhe besimin e pastër. Madje, Allahu thotë:"... ata me siguri do të tradhtonin pa u vonuar aspak...", sepse do t'u përgjigjeshin pa asnjë rezistencë. Ai thotë :"...pa u vonuar aspak", nuk do të bënin asnjë rezistencë, por thjesht, me të parë pushtimin e armikut, do t'i përgjigjeshin atij në gjithçka që ai kërkonte, duke miratuar kufrin e tyre. Ky është realiteti i këtyre njerëzve dhe gjendja e besimit të tyre. - Dhe ishin ata që më parë i patën dhënë besën Allahut se kurrë nuk do të bënin prapa (në luftë) .... - Kjo ishte gjendja e tyre, edhe pse i patën dhënë besën Zotit se kurrë nuk do të tërhiqeshin. - ... Dhe për premtimin që i jepet Allahut (sigurisht) duhet përgjigjur. - Le ta dinë të gjithë se premtimet ndaj Allahut kanë përgjegjësi për t'u mbajtur. Ai ka për t'i marrë në llogari të gjithë për këto premtime, prandaj nëse ata i kanë thyer, atëherë si e mendojnë se do të jetë përfundimi i tyre? Çfarë do të bëjë Zoti me ta? - Thuaj: “Ikja për t'i shpëtuar vdekjes ose vrasjes (në luftë) nuk ju sjell asnjë dobi. Edhe po të shpëtoni atëherë, nuk do të jetoni veçse për pak kohë.”. - Duke i qortuar për dorëzimin e tyre dhe duke i njoftuar se kjo nuk ka për t'u sjellë asnjë dobi të pretenduar, thuaju atyre: “Ikja për t'i shpëtuar vdekjes ose vrasjes (në luftë) nuk ju sjell asnjë dobi. Edhe po të shpëtoni atëherë, nuk do të jetoni veçse për pak kohë.” Siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: "Thuaju: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata që u është shkruar të vriten, do të shkonin patjetër në vendin e vrasjes.” [Al -Imran 154]. Shkaqet mund të sjellin pasojat vetëm nëse nuk bien ndesh me ligjin dhe caktimin e Zotit. Por nëse vjen caktimi kaderi dhe vendimi (el -kadau) i Zotit, zhvlerësohet çdo shkak dhe nuk sjell asnjë pasojë. Çdo përpjekje që njeriu mendon se mund ta ndihmojë, nuk ka për t'i sjellë asnjë dobi të shpresuar. Kur ju u larguat nga lufta, që t'i shpëtoni vdekjes dhe vrasjes, e bëtë këtë që të mund të jetoni e shijoni akoma kënaqësi të kësaj dynjaje. Por diheni se: "...atëherë do të jetoni veçse për pak kohë." Dhe kjo kënaqësi e pakët është shumë e papërfillshme përballë gjynahut të madh që bëtë me dezertimin tuaj dhe braktisjen e urdhrit të Zotit. Me këtë, ju

privoni veten tuaj nga mirësia e madhe që Zoti u premtoi durimtarëve në këtë jetë dhe në ahiret, mes atyre kënaqësive të pashembullta dhe të pashtershme. - Thuaj: “Kush është ai që mund t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai dëshiron (t'ju godasë me) ndonjë të keqe, ose (kush mund ta ndalë të mirën e tij) nëse Ai dëshiron ndonjë të mirë? - Në këto ajete, Allahu i Madhëruar u tregon njerëzve se asnjë masë e tyre nuk mund t'i mbrojë ata nga dënimi i Tij, nëse Ai dëshiron t'i godasë me fatkeqësi. Ai thotë: "Thuaj: “Kush është ai që mund t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai dëshiron (t'ju godasë me) ndonjë të keqe, ose (kush mund ta ndalë të mirën e tij) nëse Ai dëshiron ndonjë të mirë?" Allahu është i Vetmi që ka në dorë të japë ose të privojë, të sjellë mirësi ose të godasë me dënime e fatkeqësi. Mirësia vjen veçse prej Tij dhe e keqja mund të largohet veçse prej Tij. Le ta dinë këta dezertorë dhe braktisës të çështjes së Allahut se: - Përveç Allahut ata nuk do të gjejnë asnjë mbrojtës e asnjë ndihmëtar”. - Ata nuk do të gjejnë asnjë ndihmëtar, që t'u japë ndonjë mirësi dhe as mbrojtës që të mund t'u largojë ligësinë dhe fatkeqësitë. Le t'i përkushtohet njeriu veç Atij që është i vetëm dhe i pashoq në çdo drejtim, Atij i Cili i ka në dorë të gjitha çështjet. Le ta dijë se ajo që do të përmbushet është veçse dëshira dhe vullneti i Allahut dhe ajo që Ai e ka përcaktuar në kaderin e Tij. Nëse Allahu të braktis, atëherë nuk ka për të të vlejtur asnjë ndihmëtar e mbrojtës. Në vijim, Allahu i Lartësuar i kërcënon këta dezertorë, që përpiqen të lëkundin besimin e besimtarëve dhe të përçajnë radhët e tyre, madje u jep një kërcënim të fortë. Ai thotë: - Allahu i di mirë ata që i pengojnë vëllezërit e tyre (nga lufta) dhe u thonë: “Ejani me ne!” - Allahu i Lartësuar i di mirë të dy këto grupe tradhtarësh dhe dezertorësh, si ata që nuk dolën fare në luftë, edhe ata që u thoshnin të tjerëve “Ejani me ne!”, kthehuni në Medinë. Këta lloj njerëzish i dallon sepse: - Ata vijnë në luftë vetëm për pak kohë. - Ata rrinë në luftë shumë pak. Ata do t'i shohësh se janë të parët për të dezertuar dhe bërë bisht luftës. Çfarë mund t'i shtyjë ata që të bëjnë luftë? Çfarë imani kanë ata në zemër e çfarë durimi do t'i bënte ata t'i hyjnë luftës në rrugën e Zotit?! Përkundrazi, zemrat i kanë të mbushur tërësisht me frikë e hipokrizi. Ata janë frikacakë e burracakë, që nuk kanë iman aspak ose kanë iman shumë të dobët.

← Ahzab 33:12