← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 21 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:21–33:27

Shembullin më të mirë për durim, për trimëri luftarake, për fjalën, veprat dhe sjelljen, myslimanët e kanë në Pejgamberin e tyre, andaj, do të duhej orientuar dhe pajisur me cilësitë e tij.

Besimtarët e pajisur me cilësi të duhura, nuk mundi t'i trembë numri i madh i armikut, përkundrazi, ata edhe më shumë u forcuan, pse e dinin se sprovimi në këtë jetë është rregull, e ishin edhe të bindur se Allahu do t'u ndihmojë. Prandaj pati prej tyre që e flijuan jetën për rrugën e Allahut, e pati që mezi e pritnin momentin që të vdisnin si dëshmorë.

Jehuditë e fisit Beni Kurejdha, të cilët e thyen marrëveshjen me myslimanët dhe ndihmuan armikun e tyre, idhujtarët, Zoti i dënoi ashtu që u detyruan të hapin fortifikatën ku ishin të strehuar dhe të dorëzohen, kurse burrat e tyre u dënuan me vdekje, ndërsa gra e fëmijë u robëruan. Vendin e tyre e trashëguan myslimanët, e trashëguan edhe toka të tjera, si atë të Hajberit etj.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:21–33:22

- “Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe që e përmendin shumë shpesh Allahun.” - Ky ajet konsiderohet si një rregull madhështor, që na mëson të pasojmë dhe të marrim si shembull Profetin ﷺ në fjalët, veprat dhe gjendjet e tij. Allahu i Lartësuar i urdhëron njerëzit që ta marrin si shembull Profetin në qëndrimin e tij në luftën kundër ushtrive idhujtare, në durimin e tij të madh dhe në përpjekjet e tij vigane. Ata duhet ta marrin shembull, gjithashtu, në mënyrën se si ai e priste dhe shpresonte çlirimin prej Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Paqja, lëvdatat dhe begatitë e Allahut qofshin përherë me Profetin tonë, deri në Ditën e Gjykimit! Allahu i Lartësuar u thotë atyre të cilët u tronditën dhe lëkundën në veten e tyre gjatë luftës së Ahzabit: “Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë...”. Domethënë, a nuk e morët Profetin e Allahut si model, sipas të

cilit të silleshit dhe të qëndronit si burrat? Do të ishte më mirë për ju që ta kishit atë si shembull të përkryer në të gjitha cilësitë dhe vlerat e tij, në fjalët dhe veprat e tij, nëse vërtet shpresoni tek Allahu i Madhëruar dhe shpërblimet e Tij. I Lartësuari thotë: “... për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmendin shumë shpesh Allahun.” Sigurisht që marrja e Profetit ﷺ si shembull mund të bëhet veçse nga ata që kanë të tilla cilësi: ata shpresojnë tek Allahu, kanë bindje për Ditën e Llogarisë dhe e përkujtojnë Allahun e Madhëruar shpesh e në çdo gjendje. Në vijim, duke na treguar rreth robërve të Tij besimtarë, të cilët ishin të bindur në premtimin dhe mbështetjen e Tij, Allahu i Madhëruar thotë: - “Kur panë ushtrinë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan. ” - Kjo është sprova që Allahu na premtoi, pas së cilës vjen triumfi. - “Allahu dhe i Dërguari i Tij thanë të vërtetën! - Premtimi i Tij nuk thyhet kurrë. - Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu).” - Kjo tregon se imani shtohet dhe forcohet, në varësi të veprave dhe gjendjeve që njerëzit kalojnë. Shumica e imamëve kanë thënë që imani shtohet dhe pakësohet. Diçka të tillë e kemi pohuar dhe shtjelluar në fillim të komentarit të haditheve të Imam Buhariut. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë që na ka dhuruar! 162 Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo vetëm ua shtoi më shumë besimin dhe mbështe-tjen.” Domethënë, ajo gjendje e ngushtë dhe sprovë e madhe, me të cilën ata po përballeshin, ato vështirësi të pashembullta veçse ua shtuan besimin tek Allahu besimtarëve të sinqertë e të bindur në ndihmën e Tij; u shtoi gjithashtu edhe “teslimen”, pra, nënshtrimin në përmbu - shjen e urdhëresave, bindjen ndaj Allahut dhe ndaj Profetit të Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:21–33:24

- Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmendin shumë shpesh Allahun. - Ai e dha këtë shembull të mirë kur mori pjesë edhe vetë në këtë luftë. Ai ishte vetë në vendin e luftës, madje më i fismi e i nderuari, më trimi dhe guximtari. Atëherë, si është e mundur që ju t'i shmangeni dhe të tregoheni koprracë me veten tuaj, kur vetë Profeti i Allahut e ofroi veten e tij në këtë luftë? Ju duhet ta merrni atë si shembull në këtë çështje dhe në çdo çështje tjetër. Dijetarët e usul fikh-ut e kanë marë këtë ajet si dëshmi që tregon se veprat e Profetit (a.s) janë dhe konsiderohen si provë edhe për umetin. Rregulli thotë se dhe umeti i tij duhet t'u përmbahet këtyre veprave, vetëm në rastet kur një provë tjetër tregon se ajo vepër ka qenë detyrë ose e pëlqyeshme vetëm për Profetin. Shembulli që ndjekin njerëzit është i mirë ose i keq. Shembulli i mirë është Profeti (a.s). Ai që e merr si shembull Profetin e Zotit, ai ka ndjekur rrugën që të çon në shpërblimin e madh të Zotit dhe nderimet e Tij të shumta. Pikërisht kjo është rruga e drejtë. Ndërsa çdo shembull tjetër, nëse bie ndesh me rrugën dhe traditën e tij, ai është një shembull i keq. Kjo i ngjan pasimit të verbër që mohuesit u bëjnë të parëve të tyre të devijuar dhe të humbur. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje” . [Zuhruf 23]. Por cilit i jepet mundësia që ta pasojë shembullin e mirë? Kjo i jepet veçse atij që shpreson shpërblimin e Allahut dhe daljen faqebardhë në Ditën e gjykimit. Ai e ka zemrën të mbushur me iman dhe frikë për Zotin, me shpresë për shpërblimin e Tij, me frikë nga ndëshkimi i Tij. Të gjitha këto e nxitin dhe e forcojnë atë për të ndjekur rrugën e Profetit, duke e patur atë si shembull. Pasi përshkroi gjendjen e munafikëve gjatë momenteve të frikës, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e besimtarëve dhe qëndrueshmërinë e tyre. Ai thotë: - Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. - Kur gjithë ato ushtri ishin përballë tyre dhe gati të sulmonin, pikërisht atëherë kur frika pushton edhe zemrat e burrave, këta të zgjedhur thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan..." Këtë premtim ata e kishin lexuar në fjalën e Allahut kur thotë: "A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u sprovuar si ata që ishin para jush?! Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur, sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?” Po. Vërtet, ndihma e Allahut është (gjithmonë) afër!” [Bekare 214]. Pastaj thanë: "dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”.. Ne po e shohim me sy atë që Zoti na pati lajmëruar se do të ndodhë. Allahu i Madhëruar na tregon për këta trima në vijim: - Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu). - Kjo përballje ua mbushi zemrat me iman dhe ua forcoi trupin, për të përmbushur urdhrin e Allahut dhe të luftonin për çështjen e Tij. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na tregoi se munafikët i premtuan dhe i dhanë besën Atij se nuk do t'i kthenin shpinën, por e shkelën besën e dhënë. Ndërsa në këto ajete, Ai na tregon se besimtarët e mbajtën premtimin e dhënë. Ai thotë:

- Prej besimtarëve pati burra të tillë që e mbajtën besën e dhënë Allahut. - Ata e përmbushën atë që premtuan, pa asnjë mangësi. Ata dhanë gjithçka zotëronin për të kënaqur Allahun. Ata dorëzuan gjithë qenien e tyre në bindje ndaj Zotit dhe në shërbim të Tij. - Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën... - Pati prej tyre që e përmbushën detyrën me të cilën ishin ngarkuar. Pati prej tyre që u vranë në rrugën e Zotit ose vdiqën, duke përmbushur detyrën e tyre, pa e cenuar aspak atë që i premtuan Zotit. - dhe ka të tjerë që janë duke pritur (për ta përmbushur) dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut) . - Ata po presin që ta përmbushin atë detyrë, prandaj i sheh që punojnë pa pushim, por ende nuk kanë përfunduar. Ata shpresojnë shumë që ta përmbushin premtimin dhe kurrë nuk sprapsen (nga rruga e Allahut) , ndryshe nga të tjerët, që e braktisën këtë rrugë. Ata nuk dredhojnë. Ata janë burra të vërtetë. Ndërsa të tjerët, edhe pse kanë pamje burrash, cilësitë e tyre i tradhtojnë, sepse janë shumë poshtë cilësive të burrave të vërtetë. - Që Allahu t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre - Për shkak të vërtetësisë në fjalët, veprat e në të gjitha gjendjet e tyre në marrëdhënie me Allahun. Ajo që kanë në zemra është e njëjtë me atë që shfaqet në fjalët dhe veprat e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” [Maide 119]. Kuptimi i ajetit është: Ne i përcaktuam që të ndodhin këto sprova, që të dallohen qartë i sinqerti nga mashtruesi. Kështu, i sinqerti të shpërblehet për sinqeritetin... - ... dhe t’i ndëshkojë, nëse do, hipokritët,... - Këta ndryshe shfaqen dhe tjetër gjë mbajnë fshehur. Por kur ndodhin sprovat, ata nxjerin në pah atë që e mbajnë fshehur. Ata nuk e mbajnë fjalën dhe e shkelin besën, që i japin Zotit. Po ta vërejmë me kujdes, Allahu i Madhëruar thotë: "dhe t’i ndëshkojë hipokritët, nëse do”. Ai do t'i ndëshkojë ata, nëse dëshiron. Nëse Ai e sheh që nuk ka mirësi tek ata, nuk ka për t'ua dhënë udhëzimin e plotë, dhe kështu ata do të meritojnë dënimin. - ose t’ua pranojë pendimin atyre. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Mund të ndodhë që Ai t'u japë mundësi që të pendohen dhe të kthehen tek Ai të nënshtruar. Në fakt, kjo ndodh në shumicën e rasteve, e kjo është ajo që shpresohet, sepse Allahu është Bujar e Mëshirëplotë. Për këtë arsye, Ai e përfundon ajetin me dy emra të Tij, që tregojnë falje të madhe dhe mëshirë. Ai fal e mbulon gjynahet e atyre që e kanë ngarkuar veten me gjynahe, nëse ata kthehen tek Ai me pendim të sinqertë. Ai tregohet Mëshirëplotë me ta që kur ua mundëson që të pendohen dhe të ndiejnë keqardhje. Pastaj, Ai ua pranon pendimin dhe ua mbulon ato që kanë bërë.

← Ahzab 33:21