← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 23 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:21–33:27

Shembullin më të mirë për durim, për trimëri luftarake, për fjalën, veprat dhe sjelljen, myslimanët e kanë në Pejgamberin e tyre, andaj, do të duhej orientuar dhe pajisur me cilësitë e tij.

Besimtarët e pajisur me cilësi të duhura, nuk mundi t'i trembë numri i madh i armikut, përkundrazi, ata edhe më shumë u forcuan, pse e dinin se sprovimi në këtë jetë është rregull, e ishin edhe të bindur se Allahu do t'u ndihmojë. Prandaj pati prej tyre që e flijuan jetën për rrugën e Allahut, e pati që mezi e pritnin momentin që të vdisnin si dëshmorë.

Jehuditë e fisit Beni Kurejdha, të cilët e thyen marrëveshjen me myslimanët dhe ndihmuan armikun e tyre, idhujtarët, Zoti i dënoi ashtu që u detyruan të hapin fortifikatën ku ishin të strehuar dhe të dorëzohen, kurse burrat e tyre u dënuan me vdekje, ndërsa gra e fëmijë u robëruan. Vendin e tyre e trashëguan myslimanët, e trashëguan edhe toka të tjera, si atë të Hajberit etj.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:23–33:24

Pasi na tregoi gjendjen e munafikëve, se si ata e shkelën premtimin dhe i kthyen shpinën luftës në rrugën e Allahut, i Lartësuari përshkruan besimtarët, duke na treguar se ata ishin të qëndrueshëm e të palëkundur, duke iu përmbajtur premtimit të tyre. Imam Buhariu sjell hadithin nga Zejd Ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili rrëfen: 2114. “Kur shkruam të gjitha fletushkat kuranore në mus'hafe, më mungonte një ajet i sures Ahzab, të cilin e kisha dëgjuar shpesh ta lexonte i Dërguari i Allahut. Këtë ajet nuk e pata gjetur (të shkruar) tek askush, përveç te Huzejme Ensariu, për dëshminë e të cilit i Dërguari i Allahut kishte thënë se vlen sa dëshmia e dy burrave. Fjala është për ajetin: “Prej besimtarëve pati burra të tillë, që e mbajtën besën e dhënë Allahut. ...” (Ahzab, 23). Ky është një hadith që e ka nxjerrë Buhariu, por jo Muslimi. Gjithashtu, hadithin e ka përnxjerrë Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Imam Tirmidhiu ka thënë që ky hadith është hasen sahih . Buhariu sjell hadithin tjetër nga Enes Ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili rrëfen: 2115. “Xhaxhai im, Enes Ibn Nadri, nuk pati qenë në Luftën e Bedrit, prandaj tha: “O i Dërguari i Allahut! Në luftën e parë, që i luftove idhujtarët, kam munguar, por, nëse Allahu ma mundëson të jem i pranishëm në luftimin e idhujtarëve, Allahu ka për t'jua bërë të qartë se çfarë kam për të bërë!” Kështu, ditën e Uhudit, kur muslimanët pësuan disfatë, ai tha: “O Allah, kërkoj falje për veprimin e atyre (myslimanëve që ikën

nga fushëbeteja) dhe distancohem prej veprimit të këtyre (idhujtarëve)!” Pastaj u vërsul drejt. Rrugës takoi Sad Ibn Muadhin dhe i tha: “O Sad Ibn Muadh! Xheneti! Për Allahun, erën e tij po e ndiej këtu, në Uhud!” Sadi thotë: “O i Dërguari i Allahut, nuk arrij ta përshkruaj çfarë bëri!” Enesi thotë: “E gjetëm me tetëdhjetë e disa plagë në trup, të marra nga goditjet e shpatave, therjet e shtizave dhe majat e shigjetave. E gjetëm të vdekur e të masakruar, saqë nuk e njohu askush, përveç motrës së vet, e cila e njohu nëpërmjet gishtit të tij.” Enesi shton: “Kishim bindjen se ajeti vijues ka zbritur për të dhe shembujt si ai: “Prej besimtarëve pati burra të tillë, që e mbajtën besën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën dhe ka të tjerë që janë duke pritur; ata nuk sprapsen kurrë.” [Ahzab, 23]. Po kështu e kanë sjellë Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Musa Ibn Talha, i cili tregon: 2116. “Shkova njëherë tek Muauije, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Kur po bëhesha gati të dilja, ai më tha: “O biri i vëllait tim, a të të jap një hadith, të cilin e kam dëgjuar prej Profetit ﷺ ?Dëshmoj se e kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: “Talha është prej atyre të cilët e përmbu - shën premtimin, duke dhënë jetën.” - “Prej besimtarëve pati burra të tillë, që e mbajtën besën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën ...” - Të tillë janë a ta që e përfunduan kohën e jetës së tyre në këtë dynja, duke qënë të sinqertë dhe duke përmbushur besën që i kishin dhënë Zotit. - “... dhe ka të tjerë që janë duke pritur ...” - Domethënë, që presin ditën kur të ketë luftë, që të jenë të sinqertë dhe besnikë me Allahun e Lartësuar, duke mbajtur fjalën e dhënë Atij për të qenë burra në ndeshjen me armikun. - “... dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut) .” - Ata nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe nuk ndry - shojnë në bindjen që kanë ndaj Tij, ndryshe nga munafikët, që nxirrnin çdo justifikim, veç të largoheshin nga fushëbeteja. - “Që Allahu t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre dhe t’i ndëshkojë, nëse do, hipokritët, ose t’ua pranojë pendimin atyre.” - Kështu, Allahu i Lartë - suari sprovon robërit e Tij me frikë, me tronditje të forta, për të nxjerrë në pah dhe për të dalluar të pistën nga e pastra, të keqen nga e mira, edhe pse Ai është i gjithëditur për gjithçka, përpara se ato të ndodhin dhe të ekzistojnë. Allahu i Lartësuar nuk i ndëshkon krijesat duke u bazuar vetëm në diturinë e Tij rreth tyre, derisa ata ta shfaqin haptazi atë që Ai e di mirë që ata e fshehin në zemrat e tyre, siç thotë në ajetin vijues: “Ne do t’ju sprovojmë, me qëllim që të dalin në pah luftëtarët nga mesi juaj dhe të durueshmit. Ne kemi për t’ju vënë në provë në veprat tuaja.” [Muhamed 31]. Kështu, Allahu i Lartësuari sprovon ata, duke bërë që të shfaqen haptazi veprat e tyre, edhe pse dituria e Tij është gjithëpërfshirëse, duke e ditur atë që ata do të bëjnë që para se të ndodhin. I Lartësuari thotë: “Allahu nuk do t’i lërë kurrë besimtarët, ashtu siç jeni ju, pa dalluar të keqin nga i miri. Allahu nuk do t'ju lejonte juve t'i zbuloni të fshehtat (që i di vetëm Ai). ...” [Al Imran 179]. N dërsa në këtë ajet, i Lartësuari thotë: “Që Allahu t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre ...” Domethënë, t’i shpërblejë për shkak të durimit të tyre për t’iu përmbajtur premtimit dhe përkushtimit të tyre të plotë dhe të sinqertë në përmbushjen e tij. Më pas, Ai thotë: “...dhe t’i ndëshkojë, nëse do, hipokritët, ose t’ua pranojë pendimin atyre.” Janë ata të cilët e shkelën fjalën e dhënë Zotit, prandaj merituan ndëshkimin e Tij. Megjithatë, nëse Ai dëshiron, ua mundëson atyre të pendohen dhe ua pranon pendimin, duke i udhëzuar që të heqin dorë prej hipokrizisë dhe të arrijnë imanin e vërtetë, bashkë me punët sipas tij. Më pas, duke qenë se mëshira e Tij është më e madhe sesa zemërimi i Tij, Allahu i Lartësuar thotë: - “Allahu është Falës i Madh e Mëshirë - plotë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:21–33:24

- Vërtet, i Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmendin shumë shpesh Allahun. - Ai e dha këtë shembull të mirë kur mori pjesë edhe vetë në këtë luftë. Ai ishte vetë në vendin e luftës, madje më i fismi e i nderuari, më trimi dhe guximtari. Atëherë, si është e mundur që ju t'i shmangeni dhe të tregoheni koprracë me veten tuaj, kur vetë Profeti i Allahut e ofroi veten e tij në këtë luftë? Ju duhet ta merrni atë si shembull në këtë çështje dhe në çdo çështje tjetër. Dijetarët e usul fikh-ut e kanë marë këtë ajet si dëshmi që tregon se veprat e Profetit (a.s) janë dhe konsiderohen si provë edhe për umetin. Rregulli thotë se dhe umeti i tij duhet t'u përmbahet këtyre veprave, vetëm në rastet kur një provë tjetër tregon se ajo vepër ka qenë detyrë ose e pëlqyeshme vetëm për Profetin. Shembulli që ndjekin njerëzit është i mirë ose i keq. Shembulli i mirë është Profeti (a.s). Ai që e merr si shembull Profetin e Zotit, ai ka ndjekur rrugën që të çon në shpërblimin e madh të Zotit dhe nderimet e Tij të shumta. Pikërisht kjo është rruga e drejtë. Ndërsa çdo shembull tjetër, nëse bie ndesh me rrugën dhe traditën e tij, ai është një shembull i keq. Kjo i ngjan pasimit të verbër që mohuesit u bëjnë të parëve të tyre të devijuar dhe të humbur. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje” . [Zuhruf 23]. Por cilit i jepet mundësia që ta pasojë shembullin e mirë? Kjo i jepet veçse atij që shpreson shpërblimin e Allahut dhe daljen faqebardhë në Ditën e gjykimit. Ai e ka zemrën të mbushur me iman dhe frikë për Zotin, me shpresë për shpërblimin e Tij, me frikë nga ndëshkimi i Tij. Të gjitha këto e nxitin dhe e forcojnë atë për të ndjekur rrugën e Profetit, duke e patur atë si shembull. Pasi përshkroi gjendjen e munafikëve gjatë momenteve të frikës, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e besimtarëve dhe qëndrueshmërinë e tyre. Ai thotë: - Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. - Kur gjithë ato ushtri ishin përballë tyre dhe gati të sulmonin, pikërisht atëherë kur frika pushton edhe zemrat e burrave, këta të zgjedhur thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan..." Këtë premtim ata e kishin lexuar në fjalën e Allahut kur thotë: "A mendoni se do të hyni në Xhenet pa u sprovuar si ata që ishin para jush?! Ata u sprovuan nga vuajtje e fatkeqësi dhe ishin kaq të tronditur, sa edhe i Dërguari, e bashkë me të edhe besimtarët, luteshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?” Po. Vërtet, ndihma e Allahut është (gjithmonë) afër!” [Bekare 214]. Pastaj thanë: "dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”.. Ne po e shohim me sy atë që Zoti na pati lajmëruar se do të ndodhë. Allahu i Madhëruar na tregon për këta trima në vijim: - Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu). - Kjo përballje ua mbushi zemrat me iman dhe ua forcoi trupin, për të përmbushur urdhrin e Allahut dhe të luftonin për çështjen e Tij. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na tregoi se munafikët i premtuan dhe i dhanë besën Atij se nuk do t'i kthenin shpinën, por e shkelën besën e dhënë. Ndërsa në këto ajete, Ai na tregon se besimtarët e mbajtën premtimin e dhënë. Ai thotë:

- Prej besimtarëve pati burra të tillë që e mbajtën besën e dhënë Allahut. - Ata e përmbushën atë që premtuan, pa asnjë mangësi. Ata dhanë gjithçka zotëronin për të kënaqur Allahun. Ata dorëzuan gjithë qenien e tyre në bindje ndaj Zotit dhe në shërbim të Tij. - Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën... - Pati prej tyre që e përmbushën detyrën me të cilën ishin ngarkuar. Pati prej tyre që u vranë në rrugën e Zotit ose vdiqën, duke përmbushur detyrën e tyre, pa e cenuar aspak atë që i premtuan Zotit. - dhe ka të tjerë që janë duke pritur (për ta përmbushur) dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut) . - Ata po presin që ta përmbushin atë detyrë, prandaj i sheh që punojnë pa pushim, por ende nuk kanë përfunduar. Ata shpresojnë shumë që ta përmbushin premtimin dhe kurrë nuk sprapsen (nga rruga e Allahut) , ndryshe nga të tjerët, që e braktisën këtë rrugë. Ata nuk dredhojnë. Ata janë burra të vërtetë. Ndërsa të tjerët, edhe pse kanë pamje burrash, cilësitë e tyre i tradhtojnë, sepse janë shumë poshtë cilësive të burrave të vërtetë. - Që Allahu t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre - Për shkak të vërtetësisë në fjalët, veprat e në të gjitha gjendjet e tyre në marrëdhënie me Allahun. Ajo që kanë në zemra është e njëjtë me atë që shfaqet në fjalët dhe veprat e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” [Maide 119]. Kuptimi i ajetit është: Ne i përcaktuam që të ndodhin këto sprova, që të dallohen qartë i sinqerti nga mashtruesi. Kështu, i sinqerti të shpërblehet për sinqeritetin... - ... dhe t’i ndëshkojë, nëse do, hipokritët,... - Këta ndryshe shfaqen dhe tjetër gjë mbajnë fshehur. Por kur ndodhin sprovat, ata nxjerin në pah atë që e mbajnë fshehur. Ata nuk e mbajnë fjalën dhe e shkelin besën, që i japin Zotit. Po ta vërejmë me kujdes, Allahu i Madhëruar thotë: "dhe t’i ndëshkojë hipokritët, nëse do”. Ai do t'i ndëshkojë ata, nëse dëshiron. Nëse Ai e sheh që nuk ka mirësi tek ata, nuk ka për t'ua dhënë udhëzimin e plotë, dhe kështu ata do të meritojnë dënimin. - ose t’ua pranojë pendimin atyre. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Mund të ndodhë që Ai t'u japë mundësi që të pendohen dhe të kthehen tek Ai të nënshtruar. Në fakt, kjo ndodh në shumicën e rasteve, e kjo është ajo që shpresohet, sepse Allahu është Bujar e Mëshirëplotë. Për këtë arsye, Ai e përfundon ajetin me dy emra të Tij, që tregojnë falje të madhe dhe mëshirë. Ai fal e mbulon gjynahet e atyre që e kanë ngarkuar veten me gjynahe, nëse ata kthehen tek Ai me pendim të sinqertë. Ai tregohet Mëshirëplotë me ta që kur ua mundëson që të pendohen dhe të ndiejnë keqardhje. Pastaj, Ai ua pranon pendimin dhe ua mbulon ato që kanë bërë.

← Ahzab 33:23