33. Ahzab · Ajeti 45 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:36–33:48
Vendimi i Zotit ose i Pejgamberit përkitazi me çfarëdo çështje qoftë, është obligim për secilin besimtarë dhe besimtare, të veprojë sipas tij, edhe nëse ka të bëjë me jetën e tyre personale. Ndoshta ky ajet ka të bëjë me martesën e Zejdit me Zejneben, por është rregull i përgjithshëm.
Ai të cilit Zoti i kishte ndihmuar të largohet prej kufrit e të pranojë fenë islame, i kishte ndihmuar edhe Pejgamberi pse kishte qenë rob dhe e kishte liruar, ishte Zejd ibni Harithi. i Zejdi ishte rob i Hadixhes qysh nga koha e injorancës. Pasi prej robërve ishte i pari që e pranoi fenë islame, e edhe prej myslimanëve të parë, Muhammedi a.s. e donte shumë. Zejdi nuk pat pranuar të shkojë te babai i vet që ishte idhujtar, shfaqi dëshirën të mbesë te Pejgamberi, e për këtë qëndrim të tij Pejgamberi e adoptoi për djalë, andaj quhej Zejdi i Muhammedit.
Nga dashuria që ushqente ndaj Zejdit, Pejgamberi u përpoq dhe arriti ta martojë me Zejnebe binti Xhahsh, grua autoritaive kurejshite. Ajo martesë nuk qe aq fatlume, sepse Zejnebeja e ndiente veten të përulur pse ishte martuar për robin (skllavin) dhe harmonia e respekti në bashkëshortësi nuk ishte në nivel. Pejgamberi ishte njoftuar nga ana e Zotit se do t'i duhej të martohej me Zejneben, ngase Zejdi do ta prishë kurorën me të. Këtë e dinte Pejgamberi, por kur iu ankua Zejdi se nuk mund të jetojë në bashkëshortësi me Zejneben për shkak se ajo ishte kryelartë ndaj tij, Pejgamberi i tha: kij dro Zotin, e mbaje gruan dhe mos e lësho! Kjo ishte ajo që i thuhet Muhammedit: e mbaje fshehtë në vete. Pejgamberi e dinte se urdhëri i Zotit pa tjetër duhej zbatuar, se urdhëri i kësaj martese të tij me Zejneben kishte për qëllim likuidimin e traditës së kahershme sipas së cilës fëmija e adoptuar konsiderohej si të ishte fëmijë nga barku e gjaku me të gjitha të drejtat edhe në trashëgim. i Këtë zakon prapanik duhej thyer njëherë e përgjithmonë, por Pejgamberi e dinte edhe atë se njerëzit do ta përgojonin se u martua me gruan e djalit, andaj edhe heshtte deri sa iu tërhoq vërejtja seriozisht se duhej frikësuar Zotit, e jo thënieve të njerëzve të padijshëm. Ajsheja, bashkëshortja e Pejgamberit thotë: Sikur Pejgamberi të kishte mundësi dhe leje të fshehte diçka nga shpallja e Zotit, nga Kur'ani, ai do ta fshehte këtë: E mban fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta: publikojë... ajeti 37.
Armiqtë e përbetuar të Pejgamberit, të Kur'anit dhe të fesë islame, trilluan dhe thurën llojlloj variantesh rreth këtij rasti, pati edhe myslimanë komentatorë e muhadithinë që pa ndonjë qëllim të keq, por nga naiviteti dhe nga pakujdesia, ranë në kurth të armiqve.
Ky ligj i Zotit duhet zbatuar si prej Pejgamberit ashtu edhe prej besimtarëve pa kurrfarë ngurrimi, kështu e zbatuan edhe pejgamberët e mëparshëm.
Pejgamberi nuk ishte baba i njerëzve, por i dërguar i Zotit me të cilin përfundon dërgata, shpallja, është dëshmitar, është pishtar i dritës së pashuar që lajmëron besimtarët për xhennet, e mëkatarëve u tërheq vërejtjen me zjarr, është i mbështetur në Zotin, e nuk çanë kokë për dredhitë e armiqve, pse Zoti është në krahun e tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:45–33:48
Imam Ahmedi sjell rrëfimin e Ata Ibn Jesarit: “Takova Abdullah Ibn Amrin dhe i thashë: “Më trego diçka rreth përshkrimit të Profetit të Allahut në Teurat?” Ai më tha: “Po, do të tregoj. Betohem në Allah, se ai përmendet në Teurat me të njëjtin për - shkrim që është në Kuran: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmues, si përgëzues dhe si qortues. Të dërguam si mbrojtës i popullit umij arab. Ti je adhuruesi Im, robi dhe profeti Im. Emri yt është El Muteuekkel (i Mbështeturi tek Allahu). Ai nuk është i vrazhdë dhe as i ashpër. Ai nuk e ngre zërin lart nëpër tregje dhe të keqes nuk i përgjigjet me të keqe, por fal shumë dhe toleron. Allahu nuk ka për ta marrë atë, derisa ta fusë në rrugë të drejtë popullin e devijuar e derisa ata të thonë: ‘Nuk ka Zot tjetër të adhuruar me meritë veç Allahut!’ Ai do të çelë nëpërmjet tij zemra të mbyllura, veshë të shurdhuar dhe sy të verbuar.” Kështu e kanë sjellë imam Buhariu me Ibn Ebu Hatimin. - “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmues, si përgëzues dhe si qortues. ” - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi (r.a), i cili rrëfen: “Kur zbriti ky ajet, Profeti dërgoi Aliun dhe Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) që të shkonin në Jemen dhe u tha: 2149. “Shkoni atje! Përgëzoni njerëzit dhe mos i largoni ata, lehtësoni dhe mos vështirësoni! Me të vërtetë mua më është shpallur: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmues, si përgëzues dhe si qortues.” Allahu i Lartësuar e përshkruan Profetin e Tij të zgjedhur, Muhamedin ﷺ , duke thënë: “Ne të kemi dërguar ty si dëshmues ...” Muhamedi është dëshmues për faktin se Allahu është një i vetëm dhe se nuk meriton adhurimin askush tjetër veç Tij; është dëshmues i njerëzve në lidhje me punët e tyre, pra, dëshmues në Ditën e Kijametit. Ai është dërguar gjithashtu, “si përgëzues dhe si qortues.” Domethënë, si përgëzues i besimtarëve për shpërblimin e madh që Allahu u ka premtuar në dynja dhe ahiret, dhe si paralajmërues i mohuesve për ndëshkimin e tmerrshëm që i pret, nëse nuk pendohen dhe nuk kthehen në besimin e vërtetë. - “Gjithashtu, si thirrës në rrugën e Allahut, me lejen e Tij ...” - Si ftues i krijesave, që ta adhurojnë Zotin e tyre, që kujdeset, i ka krijuar, i furnizon përkujdeset dhe rregullon çështjet e tyre. Kjo ftesë bëhet pikërisht me urdhrin që Zoti të ka dhënë ty, o i Dërguar. - “... dhe si fener ndriçues .” - Çështja që solle prej Zotit është aq e qartë dhe aq e ndritshme, siç është dielli me dritën që përhap në tokën e errët. Këtë dritë të qartë e të bukur e refuzon veçse ai që është i mbushur me mendjemadhësi, inat, armiqësi dhe urrejtje për të vërtetën. - “Atëherë, ti përgëzoji besimtarët se do t'u vijë nga Allahu një mirësi e madhe. Mos iu bind jobesimtarëve e hipokritëve ...” - Mos iu bind atyre dhe as mos denjo të dëgjosh fjalët që ata trillojnë dhe përhapin. - “... dhe mos ua vër veshin mundimeve që të sjellin ty! ” - Tolero dhe thjesht distancohu prej tyre! Lërja çështjen e tyre Allahut të Lartësuar, sepse kjo është mëse e mjaftueshme për t’u ruajtur prej sherrit të tyre dhe për t’u dhënë atë që meritojnë: - “Mbështetju Allahut sepse të mjafton Allahu si Mbrojtës dhe Ndihmës.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:45–33:48
Këto cilësi me të cilat Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Muhamedin (a.s.) janë pikërisht qëllimi i dërgimit të tij si profet. Ato janë cilësitë themelore dhe veçoritë e tij si Profeti më i dalluar dhe më i zgjedhur i Zotit. Ato janë katër cilësi, që përmblidhen në këto fjalë: - O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmues, si përgëzues dhe si qortues. Dhe si thirrës në rrugën e Allahut (për të udhëzuar njerëzinë) me lejen e Tij, dhe si fener ndriçues . - Së pari, Allahu i Lartësuar e ka quajtur atë shahiden - dëshmues. Profeti (a.s.) do të dëshmojë për umetin e tij rreth asaj që ata kanë bërë në dynja, vepra të mira apo të këqija. Ai është dëshmues i drejtë dhe i pranuar nga Zoti i botëve. I Lartësuari thotë: “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” [Bekare 143]. Gjithashtu: “Si do të bëhet kur, për çdo popull Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë Ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë." En-nisa 41, 42. Së dyti, ai është mubeshshiran (përgëzues) e nedhîra (qortues). Allahu i Lartësuar na njofton se e dërgoi Muhamedin (a.s.) si përgëzues dhe si qortues. Por që ai të jetë dhe të konsiderohet i tillë me plot kuptimin e fjalës duhet që të përcaktohen dhe dallohen qartë të përgëzuarit dhe të
qortuarit, me cilësitë dhe me veprat e tyre përkatëse. Duhet, gjithashtu, që të sqarohet se për çfarë përgëzon dhe për çfarë qorton. Nëse ky profet nuk do të na qartësonte cilësitë e të përgëzuarve dhe të qortuarve dhe veprat që i bënë ata të tillë; nëse ai nuk na sqaron se çfarë shpërblimi kanë të përgëzuarit dhe çfarë kërcënimi dhe ndëshkimi i pret të qortuarit, atëherë ai nuk mund të quhet përgëzues dhe qortues. Por Allahu i Lartësuar e pajisi këtë profet me dije dhe argumente të shumta, të cilat e bënë atë që të ishte përgëzuesi dhe qortuesi i umetit të fundit të botës. Të përgëzuarit janë besimtarët e devotshëm, me besim të pastër dhe të saktë dhe që punojnë me sinqeritet sipas këtij besimi. Janë ata që i pranojnë fjalët dhe porositë e Zotit dhe punojnë me sinqeritet për të kryer urdhrat dhe për t’iu larguar ndalesave të Zotit. Ata kanë besim, vepra të mira dhe rrinë larg poshtërsive dhe mosbindjes ndaj Zotit. Këta janë të përgëzuar në dynja dhe ahiret me çdo të mirë, që ata e dëshirojnë dhe me shpëtim nga çdo e keqe, së cilës i druhen. Dihet se Allahu i Lartësuar, nëpërmjet Kur'anit dhe traditës së Profetit të tij, na ka sqaruar gjithçka që duhet të besojmë dhe çdo fjalë e vepër nëpërmjet së cilës të adhurojmë Atë. Vetëm Ai e përcakton se çfarë duhet të besojmë dhe me çfarë mënyre duhet ta adhurojmë Atë. Çdo shtesë në këto drejtime konsiderohet risi në fenë e Zotit, dhe Profeti (a.s.) na ka njoftuar se çdo risi (shtesë) në fenë e Zotit të çon në humbje, dhe çdo humbje të çon në Zjarr. Ndërsa “të qortuarit” janë kriminelët dhe ata që bëjnë padrejtësi. Ata janë të zhytur në padituri të thellë rreth të drejtës të Zotit dhe të drejtës së krijesave të Zotit. Ata janë të zhytur në padrejtësitë kundër Zotit dhe padrejtësitë kundër krijesave të Zotit. Ata nuk mendojnë për Ditën e Llogarisë dhe qëndrimit para Zotit të gjithësisë. Këta janë të kërcënuar me ndëshkime dhe dhimbje në dynja dhe në ahiret, të cilat i meritojnë me mospërfilljen e porosive të Zotit dhe të Profetit. Së treti, Profeti (a.s.) ishte daijen ilell-llahi, domethënë thirrës në rrugën e Allahut. Ai i ftoi njerëzit në rrugën e Zotit të tyre dhe në rrugën e kënaqësisë dhe lumturisë së përjetshme. Ai i urdhëroi ata që të adhuronin Allahun e Lartësuar si të vetmin Zot që meriton adhurimin e tyre, sepse pikërisht ky ishte qëllimi i krijimit të tyre. Për të qenë ftues në rrugën e Allahut dhe të meritosh këtë gradë, së pari duhet ndihma dhe mbështetja e Allahut dhe, së dyti, duhet të jesh: 1. I vazhdueshëm dhe këmbëngulës, fillimisht në zbatimin e asaj në të cilën i fton të tjerët, pastaj në ftesën e tyre në të vërtetën e sigurt. 2. Duhet, gjithashtu, të edukosh njerëzit me kujdes dhe ngrohtësi me gjithçka që udhëzon Zoti, duke u mësuar atyre fenë e të Madhëruarit në mënyrë të shtjelluar. Ndër më të rëndësishmet çështje që duhet shpjeguar njerëzve dhe mësuar atyre janë: - Prezantim i qartë dhe i plotë i Zotit të cilin ata duhet ta adhurojnë. Ai është Allahu, me emrat dhe cilësitë e Tij madhështore dhe të
bukura. Distancimi nga çdo përshkrim dhe shtrembërim në cilësitë dhe emrat e Zotit. - Përkufizimi i qartë i adhurimit të Zotit, çfarë quhet adhurim dhe sqarimi i tij në mënyrë të shtjelluar, sipas porosive dhe udhëzimit të Profetit a.s. - Qartësimi i të drejtave të domosdoshme të cilat njeriu është i detyruar që t’i plotësojë, qofshin ato të drejtat e Krijuesit apo të krijesave. 3. Duhet të zgjedhë rrugët më të mira dhe më të pranueshme në ftesën e njerëzve. 4. Të jetë i sinqertë në davetin e tij dhe jo ta bëjë këtë për të fituar simpatinë e njerëzve dhe famë. Muhamedi a.s. i plotësoi të gjitha këto kushte në gradën më të lartë. Ai e kreu amanetin e Zotit të tij, e qartësoi të vërtetën plotësisht dhe na la në një rrugë të qartë, nga e cila devijon veçse i prishuri dhe i padrejti, që dëshiron thjesht të plotësojë dëshirat e tij të kësaj bote. Së katërti, ai ishte siraxhem-munîra (fanar ndriçues). Kjo të jep të kuptosh se krijesat janë në një errësirë shumë të madhe dhe të thellë. Ata janë të paditur për të shpëtuar nga skutat e kësaj errësire dhe të paaftë për të gjetur udhëzimin e për të dalë në dritë. Kështu vazhdoi, derisa Allahu i Lartësuar solli këtë profet, për të nxjerrë njerëzit nga këto errësira, për t’u mësuar atyre ato që nuk i dinin dhe për të udhëzuar të humburit në rrugën e drejtë. Besimtarët e sinqertë janë shumë të qartë, sepse rruga e tyre ndriçohet nga drita e Zotit. Ata ecin të sigurt pas këtij imami, nëpërmjet mësimeve të të cilit arrijnë të dallojnë qartësisht të mirën nga e keqja, rrugën e lumturve nga rruga e të dëshpëruarve. Nëpërmjet mësimeve të tij, ata njohin saktësisht dhe plotësisht të Adhuruarin e tyre, me cilësitë e Tij të lavdërueshme, me veprat e Tij të urta dhe të drejta, si dhe me gjykimet e tij të mrekullueshme dhe të urta. - Atëherë, ti përgëzoji besimtarët se do t'u vijë nga Allahu një mirësi e madhe. - Në këtë ajet janë përmendur: 1. Të përgëzuarit, pra, besimtarët. Cilësia e tyre është besimi i drejtë dhe i bazuar në dëshmi të sakta nga Zoti, si dhe veprat e mira sipas këtij besimi të sinqertë. 2. Ajo me të cilën përgëzohen, pra, dhuntia e madhe, që është shpërblimi dhe mirësia e madhe e dhuruar nga Allahu i Lartësuar për ta në dynja dhe në ahiret. Këtu hyn ndihma dhe fitorja që Zoti u dhuron atyre në dynja, udhëzimi i zemrave të tyre në rrugën e drejtë, falja e gjynaheve dhe mbulimi i të metave, largimi i fatkeqësive dhe shpëtimi nga ato, shtimi i begatisë në çdo drejtim, mirësitë e shumta lumturisjellëse dhe, mbi të gjitha, kënaqësia e Zotit dhe shpërblimi i Tij i pamatë, duke shpëtuar nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij i drejtë. Përmendja e këtyre shpërblimeve dhe mirësive që premtohen për besimin dhe punën sipas tij, i shkathtëson dhe u jep forcë besimtarëve për të qenë këmbëngulës dhe me vullnet të pathyeshëm në rrugën e drejtë. Kjo është një nga urtësitë e shumta të Sheriatit që, për të nxitur veprat e mira dhe devotshmërinë ndaj Zotit, përmend shpërblimet që janë premtuar për të, ndërsa për të nxitur largimin nga veprat e këqija dhe mosbindjen ndaj Allahut të Lartësuar, përmend ndëshkimin që lidhet me të. Kjo është një ndihmë më e madhe për t’ia arritur të largohesh nga gjynahet dhe nga shkelja e kufijve të Allahut të Madhërishëm. Nga ana tjetër, ata që vazhdimisht do të mundohen të pengojnë besimtarët nga rruga e drejtë dhe t’i luftojnë ata në besimin e tyre do të jenë gjithmonë të pranishëm dhe të vazhdueshëm në luftën e tyre. Të tillë janë munafikët, të cilët shfaqin Islamin dhe në brendësi fshehin kufrin dhe armiqësinë e madhe ndaj besimtarëve. Të tillë janë edhe mohuesit e hapët të besimit dhe të besimtarëve. Duke qenë se këta vazhdimisht do t’i luftojnë besimtarët, Allahu i Lartësuar u jep besimtarëve një këshillë të mrekullueshme në lidhje me mënyrën e sjelljes dhe të komunikimit me të tilla kategori njerëzish.
- Mos iu bind (fjalëve të) jobesimtarëve e hipokritëve dhe mos ua vër veshin mundimeve që të sjellin ty! - Mos iu bind mohuesve të Zotit dhe hipokritëve, në lidhje me çdo gjë që të pengon dhe të largon nga rruga e Allahut. Gjithsesi, mosbindja dhe mospasimi i tyre nuk nënkupton që domosdoshmërisht t’i fyesh apo të veprosh diçka që i zemëron ata. Thjesht bindju Allahut, mos iu bind atyre dhe bëj durim në ftesën që u bën atyre për të pranuar Islamin. Kjo do të bëjë që ata të afrohen më shumë me Islamin dhe do t’i ndalojë ata nga mundimi që ju japin juve dhe familjeve tuaja. Por kjo kërkon një ndihmë të madhe dhe durim. Dhe nuk ka ndihmës tjetër që mund të të ndihmojë në këtë rrugë të vështirë, veç Allahut të Lartësuar. Për këtë arsye, i Lartësuari udhëzon që vetëm Atij t’i mbështetesh, t’i kërkosh strehim dhe vetëm në dorë të Tij t’i lësh çështjet e tua. - Mbështetju Allahut sepse të mjafton Allahu si Mbrojtës dhe Ndihmëtar. - Allahu është Uekil, që do të thotë Mbrojtës dhe Ndihmëtar, pra, Ai të Cilit i besohen çështjet e rëndësishme. Nuk ka ndonjë më të mirë se Allahu, që të përkujdeset për veprat tona. Ai i rregullon ato dhe i lehtëson për ne. Çdo përcaktim dhe gjykim i Tij është më i miri për ne.