← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 50 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:49–33:57

Edhe në këto ajete jepet shenjë për disa rregulla të martesës, por bëhet një përjashtim i tyre kur është fjala për Pejgamberin, i cili ishte i lejuar të mbajë numrin e grave që i kishte me kurorë, që kishin migruar si dhe ato që i kishte si robëresha të luftës, ose që ndonjë grua paraqet dëshirën të jetë nën strehimin e Pejgamberit, e që Pejgamberi nuk është i obliguar t'u përmbahet rregullave.

Gjendja në të cilën ishin myslimanët në ditët e para dhe rrethanat që diktonin për përhapjen e fesë islame, ishin si faktorë që Pejgamberi të jetë i lirë për martesë me gra: të kurorëzuara, robëresha si pre lufte, muhaxhire dhe me ato që shprehin dëshirë të jenë gra të tij edhe pa kushte paraprake.

Kur gratë e Pejgamberit u vunë para zgjedhjes: të vazhdojnë jetën modeste me Pejgamberin ose të përcaktohen për jetën e kësaj bote. Ato shprehen dëshirën të mbesin pranë rrugës së Allahut, të Pejgamberit dhe të botës tjetër. Allahu ua ngriti nderin duke mos lejuar Pejgamberin që pos atyre të martohet edhe me ndonjë grua tjetër.

Për të mos e penguar Pejgamberin në kryerjen e detyrave të veta e të myslimanëve dhe për të mos e shqetësuar oreçast, myslimanët udhëzoheshin se si duhet të sillen ndaj tij. Këto rregulla vlejnë edhe ndaj njëri-tjetrit. Pas zbritjes së shpalljes për mbulimin e grave, myslimanët nuk kanë qenë të lejuar të hyjnë te gratë e Pejgamberit, me përjashtim të të afërmëve që përmenden. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për besimtarët.

Gratë e Pejgamberit, të cilat konsiderohen nëna të myslimanëve, pas vdekjes së Pejgamberit, me to nuk mund të martohet askush.

Myslimanët kanë për detyrë të bijnë salavatë për Pejgamberin, kur thuhet se edhe Zoti e engjëjt i shprehin mëshirë e respekt. Salavati për Pejgamberin është detyrë e të gjitha krijesave, ngase çdo të mirë që e përjetojnë është rezultat i mëshirës, të cilën Allahu ia dhuroi atij për të gjitha krijesat, e derisa krijesat nuk janë në gjendje t'ia shprehin falënderimin që e meriton, i drejtohen Zotit që Ai t'i japë shpërblimin e merituar, andaj thonë: "Allahume sal-li ala Muhammed..."

Për rëndësinë e salavatit ndaj Pejgamberit flasin shumë hadithe, por edhe sikur të mos kishte të tjera pos atyre që janë shënuar në hadithet e sakta që Pejgamberi ka thënë: "Kush bën salavatë për mua njëherë, Allahu bën për atë dhjetë herë", do të kishte mjaft për të kuptuar rëndësinë e salavatit.

Fyerje për Allahun është: mosbesimi ndaj Tij, përshkrim i fëmijës së Tij, Zoti i varfër, Isai bir i Zotit etj. Fyerje ndaj Pejgamberit është përgënjeshtrimi, tallja me shpalljen që e sillte dhe me dispozitat e fesë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:50

- “O Profet! Ne ta kemi lejuar ty marte - sën me gratë, të cilave u ke dhënë dhura - tën martesore ...” - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, duke i bërë të ditur se ia lejoi martesën me këto kategori grash, duke u dhënë mehrin (dhuratën martesore). Mehri që ai pagoi për gratë e tij ishte 12.5 ukije, pra, gjithsej 500 dirhemë, përveç Umu Habibes, bijës së Ebu Sufjanit, mehrin e të cilës e pagoi Nexhashiu (Allahu e mëshiroftë!), që ishte në shumën 40 0 dinarë (floriri). Ndërsa Safije Ibn Hujej ishte pjesë e robinjave të Hajberit. Profeti i dha asaj lirinë e u martua me të. Kështu, mehri ishte liria e saj. Po kështu, për Xhuejrije Bintu Harithin, Profeti

pagoi Thabit Ibn Kajs Ibn Shemasin për lirinë e saj dhe u martua me të. Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha ato! - “... dhe ato që me ndihmën e Allahut hynë në zotërimin tënd (robëreshat e luftës) ...” – Domethënë, lejoi edhe robinjat e fituara në luftë, sikurse u përmend më sipër rasti i Safijes dhe Xhuejrijes, të cilave u dha lirinë dhe u martua me to. Profeti ﷺ kishte në zotërim edhe disa robinja, si Rijhane Bintu Shemunin dhe Maria Kipten, e cila i lindi djalin e tij, Ibrahimin. - “... dhe me vajzat e xhaxhait, me vajzat e hallës, me vajzat e dajës, me vajzat e tezes, të cilat mërguan (nga Meka) së bashku me ty ...” - Domethënë, që mër - guan në Medinë. Ky gjykim është i drejtë e mesatar, mes teprimit të jehudëve dhe ngushtimit të të krishterëve. Jehudët e kanë të lejuar të martohen edhe me vajzën e vëllait e vajzën e motrës, çka është e papranueshme. Ndërsa të krishterët e kanë shtrënguar tepër dhe e lejojnë martesën veçse me gratë që janë shtatë ose më shumë gjyshër larg. - “... si edhe me një grua besimtare, nëse ajo ia fal veten Profetit (pa kërkuar dhuratën martesore) dhe nëse Profeti dëshiron të martohet me të - por ky rast është vetëm për ty, jo për (të gjithë) besimtarët - .” - Nëse një grua besimtare dëshiron të martohet me ty, pa kërkuar dhuratën martesore, kjo është e lejuar për ty, nëse e dëshiron diçka të tillë. Aishja tregon se në këtë ajet flitet për Hauletu Bintu Hakim Ibn Eukasin, nga fisi i Benu Sulejmit, e cila iu vetofrua Profetit që të martohej me të. Ajo ishte një grua dhe besimtare e mirë. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi përcjell prej Ibn Abasit, se ato që dëshironin martesën me Profetin duke iu vetofruar, ishin të shumta, por ai nuk u martua me asnjë prej tyre. Kjo praktikë ishte e lejuar veçse për Profetin dhe ishte lënë në dëshirën e tij, të pranonte ose jo, siç thotë i Lartësuari: “ ... nëse Profeti dëshiron të martohet me të”. Allahu i Madhëruar thotë: “... por ky rast është vetëm për ty, jo për (të gjithë) besimtarët.””. Ikrime shpjegon: “Domethënë, nuk i lejohet besimtarit që të martohet me një grua pa i dhënë asaj dhuratën martesore ( mehër). Kjo ishte dispozitë e veçantë për Profetin. Po kështu kanë thënë edhe Muxhahidi, Shabiju dhe të tjerë: nëse një grua ia lë në dorë burrit çështjen e mehrit, atëherë ai, pasi kryen marrëdhënie intime me të, e ka detyrë që t’i japë asaj për mehër një masë të ngjashme me simotrat e fisit të saj. Kështu gjykoi Profeti i Allahut në lidhje me mehrin e Bintu Uashiki, kur ajo e la në dorë të burrit masën e mehrit. Kur burri i saj vdiq, ai gjykoi që asaj t’i jepej sa mehri i simotrave të saj. Edhe me vdekjen e burrit jepet i njëjti gjykim si në rastin e mësipërm, kur gruaja ia ka lënë në dorë burrit përcaktimin e mehrit. Ky është gjykimi për çdo musliman. Vetëm Profetit i lejohej të martohej pa dhënë mehrin, pa qenë prezent kujdestari i vajzës dhe pa prezencën e dëshmitarëve , siç u përmend në rastin e martesës me Zejneb Bintu Xhahshin, - Allahu qoftë i kënaqur me të! - “Ne e dimë mirë se çfarë u kemi caktuar atyre në lidhje me gratë dhe me robinjat, që i kanë në pronësinë e vet ...” - Allahu e kufizoi në katër , numrin e grave të lira, me të cilat mund të martohen musli - manët, ndërsa skllave mund të kenë pa përcaktim. Gjithashtu, Ai ka bërë kusht të domosdoshëm për saktësinë e martesës miratimin e kujdestarit ligjor të vajzës, dëshmitarët dhe dhuratën martesore. Ndërsa për Profetin nuk ishin këto kufizime e kushte, në mënyrë që: - “... kështu, që ti të mos kesh asnjë rëndesë (në përmbushjen e detyrave të Zotit). Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:50–33:52

Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit (a.s), duke i treguar atij mirësitë e shumta që i ka dhuruar prej bujarisë së Tij. Allahu i Madhëruar i lejoi Profetit ato lloj mirësish që ua lejoi edhe besimtarëve. Por Ai i dhuroi atij edhe disa mirësi të tjera, që janë

të veçanta vetëm për të e jo për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: - O Profet! Ne ta kemi lejuar ty martesën me gratë, të cilave u ke dhënë dhuratën martesore (mehrin), - Domethënë, me ato të cilave u ke dhënë mehrin (dhuratën martesore) e tyre. Në këtë rregull janë njëlloj Profeti (a.s) dhe besimtarët, pra, kjo është e përbashkëta e tyre. Kështu, edhe besimtarëve u lejohen ato gra të cilave u kanë dhënë mehrin për martesë. Pastaj i Lartësuari thotë: - ...dhe ato që me ndihmën e Allahut hynë në zotërimin tënd (robëreshat e luftës) - Allahu ka bërë hallall për ty edhe ato gra që i ke në zotërimin tënd, siç janë robëreshat e luftës që keni zhvilluar kundër mohuesve, qofshin ato skllavet e mohuesve ose gratë e lira të martuara ose të pamartuara të tyre, që kanë rënë robinja lufte. Edhe kjo është një dispozitë e përgjithshme, që ishte njëlloj si për Profetin, ashtu edhe për besimtarët. Po kështu, prej ligjeve të përbashkëta janë edhe dipozitat e përmendura më poshtë: - dhe me vajzat e xhaxhait, me vajzat e hallës, me vajzat e dajës, me vajzat e tezes, të cilat mërguan (nga Meka) së bashku me ty... - Këtu bëjnë pjesë të gjitha bijat e xhaxhait, bijat e tezes, bijat e dajës dhe të hallës, si ato që jetojnë afër jush, ashtu edhe ato që jetojnë larg jush. Këtu përmenden të përcaktuara ato gra nga të afërmit që burri e ka të lejueshme për t'u martuar. Kjo tregon se të tjerat, përveç këtyre, nuk janë të lejuara, ashtu siç është përmendur qartë edhe në suren Nisa. 31 Nga gratë që janë të afërme, juve ju lejohet martesa veçse me këto katër kategori që përmenden këtu. Çdo grua tjetër nga të afërmit është e ndaluar, qoftë prej degëzimeve, qoftë prej trungut të farefisit, si për shembull: vajzat e nënës e babait e ç’ka poshtë tyre, si dhe degëzimet e prindërve të nënës dhe babait e ç’ka sipër tyre prej prindërve biologjikë, janë të ndaluara. 32 Pastaj Allahu i Madhëruar përmend ato gra që ishin të lejuara vetëm për Profetin dhe jo për besimtarët. Ai thotë: - si edhe me një grua besimtare, nëse ajo ia fal veten Profetit (pa kërkuar dhuratën martesore) dhe nëse Profeti dëshiron të martohet me të - Ky ishte një përjashtim veçse për Profetin, siç është mendimi më i saktë i dijetarëve, që janë të ndarë në dy mendime në tefsirin e këtij ajeti. Ndërsa për të tjerët, veç Profetit, ky rast martese është i ndaluar. I Lartësuari thotë: "…nëse ajo ia fal veten Profetit (pa kërkuar dhuratën martesore)", domethënë, ta kemi bërë të lejuar për ty edhe këtë rast, nëse një grua dëshiron ta dhurojë veten e saj ty. Gjithashtu: "... nëse Profeti dëshiron të martohet me të." Domethënë, kjo ishte në dorë Profetit, që mund të vepronte sipas dëshirës. Allahu i Madhëruar thotë: - por ky rast është vetëm për ty, jo për (të gjithë) besimtarët. – Domethënë, lejimi i martesës me një grua që ia dhuron veten e saj një burri ishte ekskluzivisht vetëm për Profetin (a.s.). Besimtarëve të tjerë nuk u lejohet të martohen me një grua thjesht sepse ajo i vetëjepet dikujt.

- Ne e dimë mirë se çfarë u kemi caktuar atyre në lidhje me gratë dhe me robinjat, që i kanë në pronësinë e vet kështu, që ti të mos kesh asnjë rëndesë (në përmbushjen e detyrave të Zotit) . - Ne e dimë mirë se me çfarë detyrash i kemi ngarkuar besimtarët, çfarë u kemi bërë të lejuar dhe çfarë ua kemi bërë të ndaluar, prej grave ose robinjave. Ne i kemi njoftuar dhe ua kemi shpjeguar këto ligje në mënyrë të qartë e të shtjelluar në tekstet e shumta të Shpalljes. Por ato rregulla që janë përmendur në këtë ajet dhe që ndryshojnë nga ligjet që u janë shtjelluar besimtarëve në tekste të tjera (të Kur'anit ose haditheve), ato janë të veçanta vetëm për ty. Në fakt, Allahu e filloi këtë ajet duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë Profetit. Ai thotë: "O Profet! Ne ta kemi lejuar ty martesën me gratë, të cilave u ke dhënë dhuratën martesore (mehrin), dhe ato që me ndihmën e Allahut hynë në zotërimin tënd (robëreshat e luftës) dhe me vajzat e xhaxhait, me vajzat e hallës, me vajzat e dajës, me vajzat e tezes, të cilat mërguan (nga Meka) së bashku me ty, si edhe me një grua besimtare, nëse ajo ia fal veten Profetit (pa kërkuar dhuratën martesore) dhe nëse Profeti dëshiron të martohet me të - por ky rast është vetëm për ty, jo për (të gjithë) besimtarët. Vini re se si Allahu thotë: "por ky rast është vetëm për ty, jo për besimtarët", domethënë, të kemi lejuar ty, o Profet, diçka që nuk ua kemi lejuar besimtarëve të tjerë. Ne – thotë Allahu - ta kemi zgjeruar lejueshmërinë përtej asaj që u kemi lejuar besimtarëve të tjerë. Dhe këtë Zoti e ka bërë në mënyrë që: "...ti të mos kesh asnjë rëndesë (në përmbushjen e detyrave të Zotit)." Kjo tregon përkujdesin e veçantë dhe të shtuar të Zotit për Profetin (a.s). - Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Allahu i Madhëruar vazhdimisht ka qenë, është dhe do të jetë i përshkruar me këto cilësi, domethënë, me falje të madhe dhe me mëshirë të plotë. Ai zbret mbi robërit e Tij faljen dhe mëshirën e Tij, bujarinë dhe mirësinë e Tij, ashtu siç e kërkon urtësia e Tij dhe sipas asaj që meritojnë robërit me veprat e tyre. - Ti je i lirë të largosh kë të duash prej tyre dhe të afrosh kë të duash prej tyre. - Edhe ky gjykim ishte i veçantë për Profetin (a.s) dhe prej lehtësimeve që Zoti i bëri atij, si mëshirë dhe kujdes për të. Nuk ishte detyrë për Profetin (a.s.) që t'i ndante netët njëlloj mes grave të tij. Kjo çështje i ishte e lënë atij në dorë ta bënte si të dëshironte dhe në formë bamirësie. Megjithatë, Profeti (a.s) përpiqej gjithmonë që të mbante sa më mirë drejtësinë dhe barazinë mes grave, si në çdo gjë tjetër. Ai thoshte: "O Zoti im! Kjo është ndarja dhe drejtësia që mbaj unë për atë që e kam në dorën time. Por mos më ngarko për atë që nuk e kam në dorë!" - Dhe nuk është gjynah për ty ta kthesh atë, nga e cila ke qenë larguar. - Domethënë, zgjedhja të takon ty, se me kë do ta kalosh natën dhe me kë jo. Megjithatë, shumë komentues të Kur'anit janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për ato gra që ia dhuronin veten tyre Profetit (a.s), që ai të martohej me to. Kështu, kuptimi i ajetit është: "Mbaj kë të duash nga ato që të ofrojnë veten si bashkëshorte, ose refuzo kë të duash". Por Allahu është më i ditur për gjithçka. Pastaj Allahu i Lartësuar na shpjegon urtësinë e këtyre lehtësimeve dhe përjashtimeve për Profetin (a.s) dhe thotë: - Kjo është më e mira, që ato të qetësohen shpirtërisht e të mos brengosen dhe të jenë të kënaqura me atë që ti u jep të gjithave. - Këto lehtësime dhe lënia e këtyre çështjeve në dorën tënde, që të veprosh si të dëshirosh janë sepse: "Kjo është më e mira,...", pasi ato e dinë mirë se ti nuk e lë kurrë ndonjë detyrim pa kryer apo të bësh ndonjë haram. Ato e dinë se ti nuk bën padrejtësi apo të lësh mangut ndonjë përgjegjësi ndaj tyre. - Allahu e di mirë atë që fshihet në zemrat tuaja. - Zoti e di mirë se çfarë vërtitet brenda shpirtit tuaj, kur ju përmbushni ndonjë përgjegjësi të detyrueshme ose të pëlqyeshme dhe kur

ndodhin përplasje gjatë realizimit të tyre. Për këtë arsye, Allahu ligjëroi për ty, o i Dërguar këto përjashtime e lehtësira, në mënyrë që zemrat e grave të tua të jenë më të qeta. - Allahu është i Gjithëditur e shumë i Mëshirshëm. - Dituria e Allahut është e gjerë, e po kështu është edhe falja, mëshira dhe butësia e Tij në kujdesin ndaj robve. Prej diturisë së Tij, Ai vendosi për ju ato ligje që janë në dobinë tuaj dhe që ju sjellin më shumë shpërblime. Prej mëshirës, faljes e butësisë së Tij është edhe fakti që Ai nuk ju ndëshkon menjëherë për padrejtësitë dhe gjynahet tuaja, por ju fal dhe ju jep mundësi të pendoheni, të përmirësoheni e pastroheni. - Prej tani e mbrapa ty nuk të lejohen më gra (të tjera) e nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër, edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre,... - Kjo tregon se Allahu i Lartësuar është Esh-Shekur, domethënë, Mirënjohës i madh. Ai i sheh dhe shpërblen shumë për veprat e mira që bën robi. Kështu, duke qenë se gratë e Profetit bënë zgjedhjen më të mirë, pasi zgjodhën të bëjnë durim dhe parapëlqyen ahiretin dhe kënaqësinë e Allahut dhe Profetit të Tij, Allahu i Madhëruar ua shpërbleu duke sjellë këto dispozita të veçanta për Profetin. Ai tha: "Prej tani e mbrapa, ty nuk të lejohen më gra (të tjera)...", Domethënë, Profetit nuk i lejoheshin më gra të tjera, përveç atyre ekzistuese. Gjithashtu: "...nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër...". Pra, nuk i lejohej që të divorconte ndonjë nga gratë ekzistuese e ta zëvendësonte me ndonjë tjetër. Kështu, ato gra u siguruan nga divorci dhe heqja e statusit si “bashkëshorte të Profetit”. Gjithashtu, Profeti (a.s.) nuk do të kishte më gra të tjera. Kështu, Zoti i zgjodhi dhe i dalloi ato si gra të Profetit në dynja dhe në ahiret, dhe i siguroi ato se nuk do të kishte ndarje mes tyre. Madje, i Lartësuari i tha Profetit: "nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër, edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre...", pra, edhe sikur të të mahisë bukuria e ndonjë gruaje tjetër veç atyre që ke, nuk të lejohet të marrësh asnjë tjetër. - përveç atyre që i ke në zotërim (robinjat). - Përveç nëse kënaqesh me robinjat. Kjo është e lejuar për ju, sepse ato nuk bëhen objekt xhelozie për gratë, ashtu siç ndodh me bashkëshortet. - Allahu është Mbikëqyrës i çdo gjëje. - Allahu mbikëqyr dhe sheh çdo çështje dhe është i Gjithëditur se ku të çojnë dhe si finalizohen veprat. Ai i rregullon dhe sistemon çdo çështje në mënyrën më të mirë dhe më të bukur.

← Ahzab 33:50