← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 53 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:49–33:57

Edhe në këto ajete jepet shenjë për disa rregulla të martesës, por bëhet një përjashtim i tyre kur është fjala për Pejgamberin, i cili ishte i lejuar të mbajë numrin e grave që i kishte me kurorë, që kishin migruar si dhe ato që i kishte si robëresha të luftës, ose që ndonjë grua paraqet dëshirën të jetë nën strehimin e Pejgamberit, e që Pejgamberi nuk është i obliguar t'u përmbahet rregullave.

Gjendja në të cilën ishin myslimanët në ditët e para dhe rrethanat që diktonin për përhapjen e fesë islame, ishin si faktorë që Pejgamberi të jetë i lirë për martesë me gra: të kurorëzuara, robëresha si pre lufte, muhaxhire dhe me ato që shprehin dëshirë të jenë gra të tij edhe pa kushte paraprake.

Kur gratë e Pejgamberit u vunë para zgjedhjes: të vazhdojnë jetën modeste me Pejgamberin ose të përcaktohen për jetën e kësaj bote. Ato shprehen dëshirën të mbesin pranë rrugës së Allahut, të Pejgamberit dhe të botës tjetër. Allahu ua ngriti nderin duke mos lejuar Pejgamberin që pos atyre të martohet edhe me ndonjë grua tjetër.

Për të mos e penguar Pejgamberin në kryerjen e detyrave të veta e të myslimanëve dhe për të mos e shqetësuar oreçast, myslimanët udhëzoheshin se si duhet të sillen ndaj tij. Këto rregulla vlejnë edhe ndaj njëri-tjetrit. Pas zbritjes së shpalljes për mbulimin e grave, myslimanët nuk kanë qenë të lejuar të hyjnë te gratë e Pejgamberit, me përjashtim të të afërmëve që përmenden. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për besimtarët.

Gratë e Pejgamberit, të cilat konsiderohen nëna të myslimanëve, pas vdekjes së Pejgamberit, me to nuk mund të martohet askush.

Myslimanët kanë për detyrë të bijnë salavatë për Pejgamberin, kur thuhet se edhe Zoti e engjëjt i shprehin mëshirë e respekt. Salavati për Pejgamberin është detyrë e të gjitha krijesave, ngase çdo të mirë që e përjetojnë është rezultat i mëshirës, të cilën Allahu ia dhuroi atij për të gjitha krijesat, e derisa krijesat nuk janë në gjendje t'ia shprehin falënderimin që e meriton, i drejtohen Zotit që Ai t'i japë shpërblimin e merituar, andaj thonë: "Allahume sal-li ala Muhammed..."

Për rëndësinë e salavatit ndaj Pejgamberit flasin shumë hadithe, por edhe sikur të mos kishte të tjera pos atyre që janë shënuar në hadithet e sakta që Pejgamberi ka thënë: "Kush bën salavatë për mua njëherë, Allahu bën për atë dhjetë herë", do të kishte mjaft për të kuptuar rëndësinë e salavatit.

Fyerje për Allahun është: mosbesimi ndaj Tij, përshkrim i fëmijës së Tij, Zoti i varfër, Isai bir i Zotit etj. Fyerje ndaj Pejgamberit është përgënjeshtrimi, tallja me shpalljen që e sillte dhe me dispozitat e fesë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:53–33:54

Këto janë ajetet e ashtuquajtura të hixhabit. Në to ka rregulla dhe ligje të dobishme. Ky është njëri ndër ajetet, për të cilët Umer Ibn Hatabi tha: 2157. “E kam miratuar Zotin tim në tri çështje, ose: më ka miratuar Zoti im në tri çështje...”, siç vjen e transmetuar në dy Sahih-ët. Kështu, Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umeri ka thënë: “Në tri raste mendimi im është përputhur me shpalljen. Njëherë thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur ta shfrytëzonim vendin e Ibrahimit si vendfalje?” Pastaj zbriti ajeti: “Vendin ku qëndroi Ibrahimi bëjeni vend adhurimi (namazi)!”.” [Bekare, 125]. Edhe për rastin e ajetit të hixhabit, unë thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur t'i urdhëroje gratë e tua të mbulohen, sepse me to flet edhe i miri, edhe i keqi.” Atëherë zbriti ajeti i hixhabit. Një ditë, gratë e Profetit ﷺ u tubuan nga xhelozia ndaj tij dhe unë u thashë: “Nëse ai ju divorcon, është Zoti i tij që kujdeset t’i dhurojë atij si zëvendësim gra edhe më të mira se ju ...”. Atëherë zbriti ky ajet (Tahrim, 5).” Në variantin e Muslimit përmendet edhe çështja e robërve të Bedrit, domethënë katër raste. Buhariu sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku (r.a), i cili tregon se Umer Ibn Hatabi tha: 2158. “O i Dërguari i Allahut, te ti vijnë të mirët dhe të këqijtë, ndaj sikur t'i urdhëroje nënat e besimtarëve (gratë e tua) të mbulohen!” Atëherë, Allahu zbriti ajetin e mbulesës.”. Ky ajet zbriti mëngjesin e martesës së Profetit me Zejneb Bintu Xhahshin, martesë të cilën e lidhi vetë Zoti i botëve. Kjo ndodhi në muajin Dhul kide të vitit të pestë pas hixhretit. Allahu është më i ditur. Buhariu sjell hadithin tjetër nga Enes Ibn Maliku (r.a), i cili tregon: 2159. “Kur i Dërguari i Allahut u martua me Zejnebe Bintu Xhahshin, ai i ftoi njerëzit në gosti. Ata hëngrën, pastaj po rrinin duke biseduar. Profeti ﷺ donte të ngrihej, por ata nuk largoheshin. Kur pa se ata nuk po ngri - heshin, Profeti u ngrit vetë dhe bashkë me të edhe një pjesë e njerëzve, përveç tre personave, të cilët vazhduan të qëndronin aty. Kur Profeti ﷺ u kthye, i gjeti ata sërish brenda. Më vonë, ata u ngritën dhe shkuan, ndaj unë shkova dhe e lajmërova Profetin ﷺ që ata kishin ikur. Ai erdhi dhe hyri brenda. Desha të hyja edhe unë, por ai e lëshoi perden pas. Atëherë, Allahu e zbriti ajetin: “O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë e Profetit, veçse nëse thirreni për ndonjë gosti...” deri në fund.” Hadithin e sjellin gjithashtu Muslimi dhe Nesaiu. - “O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë e Profetit ...” - Ky ishte një mësim dhe këshillë për besimtarët, që kurrë të mos hynin në shtëpitë e Profetit pa lejë, sikundër ndodhte rëndom mes tyre në kohën e injorancës para Islamit. Atëherë, Allahu i Madhëruar u kujdes për këtë umet dhe i urdhëroi për të ruajtur këtë edukatë të vizitës dhe hyrjes në shtëpitë e njëri -tjetrit. Profeti i Allahut ka thënë: 2160. “Kujdes! Mos hyni te gratë e huaja!” Një ensar tha: “O i Dërguari i Allahut, po nëse është kunati?” - “Kunati është si vdekja!”, - i tha Profeti ﷺ”. - “... veçse nëse thirreni për ndonjë gosti dhe (edhe atëherë) jo aq herët sa të rrini duke pritur sa të përgatitet ushqimi! ” -

Muxhahidi e të tjerë shpjegojnë: Dome - thënë, jo të vini aq herët, sa t’ju duhet të prisni sa të përgatite t ushqimi. Kjo është e papëlqyeshme dhe Allahu e ka ndaluar. Ky është argument se është i ndaluar kurioziteti ose ndërhyrja në gjëra që nuk të takojnë, të fusësh hundët ku nuk duhet, të vësh në vështirësi tjetrin ose të shkosh diku i paftuar. - “Por, kur të thirreni, hyni dhe kur të keni mbarruar së ngrëni, shpërndahuni ...” - “Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton hadithin e saktë se Profeti ﷺ ka thënë: 2161. “Sikur të ftohesha në gosti për një kofshë ose kërci deleje, do të përgjigjesha; nëse do të më dhurohej një kofshë ose kërci, do ta pranoja.” [Buhariu]. Por pasi të mbaroni atë për të cilën jeni ftuar, atëherë lehtësojani gjendjen bujtësve dhe largohuni. - “... e mos qëndroni për biseda me njëri - tjetrin!” - Ashtu siç ndodhi me tre personat, të cilët u harruan në biseda me njëri-tjetrin, sa e vunë në veshtirësi të Dërguarin e Allahut. - Vërtet, këto e mundojnë Profetin, por atij i vjen turp, ...” - Thuhet se ajo që e rëndonte atë ishte hyrja në shtëpinë e tij pa kërkuar leje fillimisht, por atij i vinte turp që t’i ndalonte, për shkak të natyrës së tij shumë të butë e turpit që kishte. Ai vazhdoi kështu, derisa Allahu i Lartësuar zbriti ajetet, që e ndalonin nga diçka e tillë. - “... kurse Allahu nuk turpërohet t'ju thotë të vërtetën. ” - Prandaj ju qortoi dhe jua ndaloi ato sjellje. - “E kur të kërkoni diçka prej tyre (grave të Profetit), kërkojeni pas perdes, ...” - Në mënyrë që të mos i shihni ato, kur kërkoni diçka, bëjeni pas perdes. - “... sepse kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre! ” - Këto rregulla të hixhabit, që ju caktova, janë më të pastra dhe më të mira për ju. - “Ju nuk duhet ta mundoni të Dërguarin e Allahut dhe nuk ju lejohet të martoheni kurrë me gratë e tij, pas tij. ” - Dijetarët janë unanimë në qëndrimin se askujt nuk i lejohej që të martohej pas Profetit me ndonjë nga gratë e tij, sepse ato janë gratë e tij në dynja dhe në ahiret dhe sepse ato konsiderohen si nënat e besimtarëve, siç e përmendëm më herët. I Lartësuari thotë se ky është një gjynah shumë i madh. - “Allahu di gjithçka, - e bëtë haptazi ose e mbajtët fshehur. ” - Dija e Tij përfshin gjithçka dhe Atij nuk mund t’i fshihet asgjë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:53–33:54

Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të pajisen me edukatën e nevojshme, në lidhje me të Dërguarin e Allahut dhe me vizitën në shtëpinë e Tij. Ai thotë: - O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë e Profetit, veçse nëse thirreni për ndonjë gosti. - Kurrë mos hyni në to, kur shkoni për ndonjë vakt, pa ju dhënë leje i zoti i shtëpisë. Madje, Ai thotë:

- ... dhe (edhe atëherë) jo aq herët sa të rrini duke pritur sa të përgatitet ushqimi! Por, kur të thirreni, hyni dhe kur të keni mbarruar së ngrëni, shpërndahuni e mos qëndroni për biseda me njëri -tjetrin! - Mos shkoni më herët, që të prisni sa të bëhet ushqimi dhe mos rrini gjatë pas përfundimit të vaktit. Duke e përmbledhur, mund të themi se për të hyrë në shtëpinë e Profetit, kishte dy kushte: të merrej leje për të hyrë dhe të qëndrohej atje veçse aq sa ishte e nevojshme. Pastaj Allahu i Madhëruar shpjegon urtësinë dhe dobitë e kësaj ndalese. - Vërtet, këto (pritja, qëndrimi dhe bisedat e gjata) e mundojnë Profetin, por atij i vjen turp (t'ju thotë shkoni) , kurse Allahu nuk turpërohet t'ju thotë të vërtetën. - Pritja dhe qëndrimi juaj i gjatë në shtëpinë e Profetit "…e mundojnë Profetin…", sepse ishte rëndesë për të, për punët dhe nevojat e tij. Por ai nuk mund t'ju thotë ikni, sepse: "… atij i vjen turp…". Njerëzve të moralshëm, e sidomos fisnikëve dhe njerëzve e lartë, u vjen turp që t'i nxjerrin të tjerët nga shtëpia e tyre. Por Allahu nuk turpërohet nga e vërteta. Dispozitat dhe ligjet duhet të zbatohen, edhe pse gabimisht dikush mund të pretendojë se edukata dhe turpi të detyrojnë të veprosh ndryshe. E mira është e kufizuar dhe e lidhur ngushtë me ligjin e Zotit dhe rregullat e vendosura nga Ai. Çdo gjë që bie ndesh me rregullat dhe ligjet e Zotit, nuk është prej edukatës dhe mirësjelljes. Allahu i Lartësuar nuk ka turp që t'ju urdhërojë për atë që, në fakt, është më e mira dhe vetë mirësia për ju, por edhe më e mira për Profetin (a.s). Ky ishte rregulli i tyre në lidhje me sjelljen ndaj Profetit të Allahut. Ndërsa në lidhje me edukatën me gratë e Profetit (a.s), besimtarët u mësuan se si të silleshin kur të flisnin me to. Kështu, ishin dy raste: 1. Kur nuk kishin nevojë që të flisnin me to. Në këtë rast, çështja është e qartë, që ata nuk kishin përse të kërkonin që të flisnin me to. 2. Kur ishte e nevojshme të flitej me to, si për shembull, kur u kërkohej ndonjë enë etj. Në këtë, rast Allahu na mësoi që: - E kur të kërkoni diçka prej tyre (grave të Profetit) , kërkojeni pas perdes, sepse kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre! - Domethënë, të ketë perde, që ju pengon shikimin mes jush dhe atyre. Kështu, shikimi i tyre ishte i ndaluar në të dyja rastet, ndërsa të folurit me to bëhej sipas shpjegimit që solli Allahu i Madhëruar. Pastaj Ai përmendi urtësinë e këtij urdhri:"...sepse kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre!" Kështu qëndron larg çdo keqkuptimi. Sa më shumë që njeriu të largohet nga shkaqet që e afrojnë drejt sprovës dhe të keqes, aq më i sigurt dhe më i qetë do të jetë dhe aq më e pastër do të mbetet zemra e tij. Në shumë çështje të ligjit të Zotit, që Ai ka shtjelluar për ne, kuptojmë qartë se të gjitha mjetet dhe rrugët e të keqes, ato që i paraprijnë asaj dhe janë urëlidhëse drejt gjynahut dhe të ndaluarës, janë të ndaluara. Madje robi duhet t'u rrijë sa më larg dhe të mbrohet prej

tyre me çdo mënyrë. Pastaj Allahu i Madhëruar sjell një rregull të përgjithshëm: - Ju nuk duhet ta mundoni të dërguarin e Allahut,... - Kjo është gjëja më e shëmtuar, që nuk i shkon asnjë besimtari, i cili as që duhet t'ia lejojë vetes që ta mundojë të Dërguarin e Allahut. Nuk lejohet t'i sjellësh mundim Profetit të Zotit, qoftë me fjalë, qoftë me vepra dhe në çdo rrugë që mund të ndodhë diçka e tillë. - e nuk ju lejohet të martoheni kurrë me gratë e tij, pas tij.. - Edhe kjo është nga gjërat që konsiderohen si shqetësim e mundim. Profeti i Zotit kishte një gradë të lartë respekti e nderimi, ndaj martesa me ndonjë nga gratë e tij pas largimit të tij nga kjo botë e cenonte këtë prestigj të merituar. Gjithashtu, ato ishin gratë e tij në dynja dhe lidhja martesore mes tyre mbeti e lidhur edhe pas vdekjes së tij, prandaj nuk i lejohej askujt që të martohej me gratë e Profetit (a.s.) pas vdekjes së tij. Allahu e përshkruan një gjë të tillë me fjalët: - Këto janë gjynah shumë i madh tek Allahu. - Dhe umeti e zbatoi këtë urdhër të Zotit, të Cilit i takon lavdërimi dhe mirënjohja për çdo çështje. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Allahu di gjithçka, - e bëtë haptazi ose e mbajtët fshehur. - Në çdo rast, qoftë kur e fshehni, qoftë kur e shfaqni diçka, për Allahun është njëlloj. Ai i di mirë ato që vërtiten në zemrat tuaja dhe do t'ju shpërblejë për to.

← Ahzab 33:53