← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 6 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:1–33:6

Idhujtarët kërkuan prej Pejgamberit që të mos i fyej dhe të mos asgjësojë zotat e tyre, të: thotë se edhe ata do të ndihmojnë në Ahiret, e atëherë edhe idhujtarët do të ndalen nga fyerjet ndaj Muhammedit dhe myslimanëve.

Zoti i madhëruar që i di qëllimet e njerëzve, e urdhëroi Muhammedin që ta vazhdojë rrugën e drejtë ndaj Allahut, e të mos u vërë veshin fjalëve boshe të idhujtarëve e munafikëve, fundja mbrojtja e tij është Allahu fuqiplotë.

Njëfarë njeriu prej kurejshëve kishte memorie të fortë, e kundërshtarët e Muhammedit donin ta ngrisnin edhe më lart se Muhammedin për nga zgjuarësia, andaj thonin se ka dy zemra dhe di më mirë se Muhammedi. Këtë trillin të tyre e mohon Kur'ani kategorikisht, madje i mohon edhe ato zakone të dëmshme e të trashëguara, si: gruaja i bëhej haram burrit sikur të ishte nënë e tij, vetëm pse burri i ka thënë: shpina jote është si shpina e nënës sime. Gruaja pra është grua e jo nënë. Ndër arabë ishte adet që fëmija e adoptuar, të thirret bir i atij që e kishte adoptuar, e jo në emër të babait të vet të vërtetë, madje ai konsiderohej anëtar i ngushtë i familjes si trashëgimtar me të gjitha të drejtat si të ishte fëmijë i vërtetë i adoptuesit. Këto dy zakone të shëmtuara Kur'ani i anuloi rreptësisht. Nëse ndonjë fëmijë nuk i dihet i ati i vërtetë, myslimanët janë të obliguar ta thërrasin vëlla ose dashamirë, e jo bir i ndonjë tjetrit.

) Përpjekja, kujdesi, butësia dhe dashuria e Pejgamberit ndaj çështjeve të besimtarëve ishte në kulminacion, andaj gjykimi i tij për ndonjë çështje, respekti ndaj tij, këshilla e tij, në krahasim i me të cilitdo besimtarë tjetër, ka përparësi, është e preferuar, është obligim i besimtarëve të aplikohet ajo që është prej Pejgamberit, para të gjitha të tjerave.

Gratë e Pejgamberit për besimtarët janë si në vend të nënave, pra martesa me to është e ndaluar si me nënat, obligim i besimtarëve është respekti ndaj tyre, e për sa u përket çështjeve të tjera, ato janë si të huajat.

Sipas dispozitave të sheriatit islam që dalin nga Kur'ani, e Kur'ani është shpallje dhe ligj prej Zotit, çështja e trashëgimit është sipas afrisë së gjakut etj., e jo sipas afrisë së besimit e sipas cilësisë muhaxhir.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:6

- “Profeti është më i mëshirshëm (e i kujdesshëm) për besimtarët se sa ata vetë për veten e tyre ...” - Allahu i Madhëruar e dinte mirë dhembshurinë e Profetit për popullin e vet dhe përkujdesin e tij të pashembullt për udhëzimin dhe mbarësinë e tyre, prandaj na tregon se ai Profet është më i mëshirshëm e më i kujdesshëm për besimtarët sesa ata vetë për veten e tyre. Po kështu edhe çdo gjykim që ai jep për ta është i detyrueshëm dhe më parësor se çdo gjykim tjetër dhe përzgjedhje e tyre, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër : “A nuk i ke parë ata që pohojnë se besojnë në Shpalljen që të është dhënë ty (o Muhamed) dhe në Shpalljet e ardhura para teje, por (në të vërtetë) dëshirojnë që mes tyre të gjykojë tagut-i (shejtani), megjithëse janë urdhëruar ta mohojnë atë? Shejtani dëshiron t’i çojë ata shumë larg (nga e vërteta). Kur u thuhet atyre “Ejani te Shpallja që ka sjellë Allahu dhe tek i Dërguari!”, dyfytyrakët të kthejnë shpinën.” [Nisa 60 , 61 ]. Buhariu sjell hadithin nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti ﷺ ka thënë: 2107. “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka besuar asnjë prej jush, derisa të jem më i dashur për të, sesa prindi e fëmija i tij, si dhe krejt njerëzimi.” Abdullah Ibn Hishami (Allahu qoftë i kënaqur me të) rrëfen: “Po rrinim me Profetin ﷺ , i cili e kishte kapur Umer Ibn Hatabin për dore. Umeri i tha: “O i Dërguari i Allahut, ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime.” Profeti ﷺ i tha: “Jo, betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të bëhem më i dashur për ty sesa vetja jote!” - “Tani po, për Allahun! Tani ti je më i dashur për mua sesa vetja ime!” - ia ktheu Umeri. - “Tani po, o Umer!” - i tha Profeti ﷺ . Për këtë arsye, i Madhëruari thotë në këtë ajet: “Profeti është më i mëshirshëm (e i

kujdesshëm) për besimtarët se sa ata vetë për veten e tyre.” Pra, ai duhet të jetë më i vyer e i rëndësishëm për besimtarët edhe se vetë vetja e tyre. Buhariu sjell hadithin tjetër: “Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 2108. “Për secilin besimtar unë jam njeriu më i afërt, në këtë botë dhe në tjetrën. Nëse doni, lexojeni ajetin: “I Dërguari është më i mëshirshëm (e i kujdesshëm), sesa ata për veten e tyre ...” Andaj, nëse një besimtar vdes dhe lë pasuri, le ta trashëgojnë të afërmit, kushdo qofshin ata. Gjithashtu, nëse lë borxh ose dikë të humbur, le të vijë tek unë, sepse unë jam kujdestar i tij.” Buhariu është i vetëm në sjelljen e këtij hadithi. - “... ndërsa gratë e tij janë si nënat e tyre.” - Ato konsiderohen si nënat e tyre, për sa i përket moslejimit të martesës me to, si dhe nderimit e respektit që duhet treguar për to. Megjithatë, nuk lejohet veçimi me to. Gjithashtu, kjo ndalesë e martesës me bashkëshortet e të Dërguarit ﷺ nuk tregon dhe nuk mund të konsiderohet si shkak që të jenë të ndaluara për martesë edhe vajzat ose motrat e tyre. Kjo ndalesë ka të bëjë vetëm me to dhe jo me vajzat e motrat e tyre, sipas mendimit unanim të dijetarëve. - “Në ligjin e Allahut, farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët .” - Në lidhje me çështjen e trashëgimisë, farefisi juaj ka më shumë të drejta dhe është më parësor për të përfituar prej trashëgimisë, sesa muhaxhirët dhe ensarët. Ky ajet e abrogoi rregullin që ishte vendosur në fillim të Islamit në lidhje me trashëgiminë për shkak të marrëveshjeve dhe vëllazërimit mes ensarëve dhe muha - xhirëve. Ibn Abasi shpjegon: “... Në fjalën e Allahut “Jepuni pjesën e vet edhe atyre me të cilët keni marrëveshje”, flitet për muhaxhirët, të cilët, kur shkuan në fillim në Medinë, kishin pjesë në trashëgiminë e ensarëve, duke përjashtuar kështu nga trashëgimia të afërmit e ensarëve (nga gjaku). Kjo e drejtë trashëgimie mes muhaxhirëve dhe ensarëve erdhi si pasojë e vëllazërimit që bëri Profeti mes tyre, në kohën kur muhaxhirët sapo mbërritën në Medinë, por kur zbriti ajeti: “Ne i kemi caktuar secilit prej jush të afërm që trashëgojnë nga ajo që lënë prindërit dhe farefisi”, dispozita e mësipërme u abrogua. Në vijim, - thotë Ibn Abasi - Allahu i Lartësuar thotë: “Jepuni pjesën e vet edhe atyre me të cilët keni marrëveshje.” Në kohën para Islamit ndodhte që dikush të lidhte besën me një burrë tjetër, duke i thënë: ‘Unë do të të trashëgoj ty dhe ti do të më trashëgosh mua.” Mund të ndodhte që edhe fise të ndryshme të binin dakord dhe lidhnin besën që të trashëgonin njëri tjetrin, por Profeti i Allahut tha: “Islami respekton çdo besëlidhje dhe çdo marrëveshje të lidhur para Islamit, madje e përforcon detyrimin për t’i përmbushur ato, por tashmë në Islam nuk ka më marrëveshje të tilla.” Kështu u abrogua e drejta e trashëgimisë përmes marrëveshjeve dhe besës së lidhur. Megjithatë, marrëveshjet e tjera, që ishin lidhur më përpara, mbetën të detyrueshme për t’u përmbushur. Në këtë mënyrë, më pas, trashëgimia do të ndahej veçse mes të afërmve të farefisit, ashtu sikurse e përcaktoi Allahu i Lartësuar.” Po kështu kanë thënë shumë selefë dhe dijetarë të mëvonshëm. Ibn Ebu Hatimi përcjell se në lidhje me fjalën e Allahut: “Në ligjin e Allahut, farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju sesa besimtarët e tjerë dhe muha - xhirët.”, Zubejr Ibn Auami ka thënë: “Ky ajet zbriti në mënyrë të veçantë për ne, muhaxhirët prej kurejshëve dhe për ensarët. Kur mbërritëm në Medinë, shumë prej nesh, kurejshëve, nuk kishim asnjë pasuri me vete. Atje gjetëm ensarët vëllezër të vërtetë. Me ta lidhëm vëllazëri dhe kishim të drejtë në trashëgiminë e njëri -tjetrit. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u vëllazërua me Harixhete Ibn Zejdin, Umer Ibn Hatabi u vëllazërua me filanin, Uthman Ibn Afani u vëllazërua me një burrë nga Beni Zurejkët, disa thonë me të tjerë. Ndërsa unë, - vazhdon Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) - u vëllazërova me Kab

Ibn Malikun. Kur shkova tek ai, e gjeta një njeri të bindur dhe të respektueshëm dhe pashë se armët (lufta) e kishin rënduar gjendjen e tij. Betohem në Allah, o djalosh, se nëse ai do të vdiste në atë kohë, nuk do të kishte tjetër trashëgimtar të pasurisë së tij, veç meje! Por më pas zbriti ajeti që flet për ne, besimtarët kurejsh ë dhe mikpritësit ensarë, e kështu u vendos rregulli i trashëgimisë.” Në vijim Allajhu i Lartësuar thotë: - “Megjithatë, lini çfarë të jetë e mirë për miqtë tuaj të ngushtë .” - Domethënë, megjithëse u përjashtuan nga e drejta për të përfituar nga trashëgimia, përsëri mbetet në vend mbajtja e lidhjeve miqësore, bamirësia e ndërsjelltë, përfshirja në testament, ndihma e mbështetja mes njëri-tjetrit. - “Kjo është e shkruar në Libër. ” - Ky gjykim është përcaktuar nga Zoti dhe është i shkruar në Librin e Parë ( Leuhi Mahfudh), i cili nuk ndryshon dhe as tjetërsohet. Sipas këtij gjykimi, të afërmit me lidhje farefisnore mes tyre, kanë përparësi dhe meritojnë trashëgiminë, edhe pse Allahu i Lartësuari ligjëroi përkohësisht një gjykim të ndryshëm, për vetë urtësitë dhe dobitë e mëdha që ai do të sillte. Ai e dinte mirë që ky ligj ishte i përkohshëm dhe do të abrogohej më pas, për të përfunduar në atë që Ai e ka përcaktuar në kaderin e Tij, si pjesë e ligjit të përhershëm e të pandryshue - shëm të Tij. Allahu është më i Dituri.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:6

Allahu i Lartësuar u bën besimtarëve një përshkrim të Profetit, që ata të njohin gradën dhe cilësitë e tij të larta dhe të sillen me të me respekt, ashtu siç e meriton ai. Allahu i madhëruar thotë: - Profeti është më i mëshirshëm (e i kujdesshëm) për besimtarët se sa ata vetë për veten e tyre, ndërsa gratë e tij janë si nënat e tyre (pra nuk lejohet martesa me to). - Njeriu më i rëndësishëm, madje edhe më i rëndësishëm se vetja jonë, është Profeti i Zotit. Kështu duhet parë dhe trajtuar Profeti i Zotit, sepse ai na ka ofruar dhembshurinë, mëshirën dhe këshillat më të mira, si njeriu më i dashur. Ai ka qenë më i mëshirshmi dhe më i dhembshuri për ne, madje edhe më i dhembshur sesa ne për veten tonë. Profeti (a.s) është njeriu që na ka ofruar shembullin dhe mirësinë më të madhe që mund ta ofrojë një krijesë. Mjafton të mendosh se çdo grimcë mirësie dhe çdo ligësi, nga e cila kemi shpëtuar, ka ndodhur nga udhëzimi që Profeti solli nga Zoti ynë. Ai është rruga e porta çdo mirësie që Zoti solli ndër ne. Prandaj duhet që dëshirat tona të mos bien ndesh me udhëzimet e këtij Profeti dhe asgjëje nuk duhet t'i jepet përparësi para asaj që dëshiroi Profeti i Zotit. Përparësi i duhet dhënë vetëm dëshirës dhe porosive të tij. Fjalës dhe udhëzimit të tij i duhet dhënë pëparësi mbi fjalën e çdokujt prej njerëzve, kushdo qoftë ai. Besimtari e shkrin gjithë pasurinë, madje dhe jetën e tij dhe të familjes e fëmijëve të tij para jetës së Profetit dhe nderit të figurës së tij. Nuk ka në zemrën e besimtarit dashuri më të madhe për ndonjë krijesë sesa dashuria për Profetin e Zotit. Ata nuk flasin para Profetit dhe kurrë nuk dalin para gjykimit dhe qëndrimit të Profetit, në çdo çështje që ai ka gjykuar. Profeti (a.s) është si prind për besimtarët, sipas disa leximeve që sahabët i kanë bërë ajetit kuranor. Ai është kujdesur për çdokënd dhe për udhëzimin e të gjithë besimtarëve, ashtu si prindi për fëmijët e vet. Nga kjo rrjedh edhe ligji që gratë e tij konsiderohen si nëna të besimtarëve; si nëna qoftë në aspektin që e kanë haram të martohen me to, por edhe në aspektin e respektimit dhe nderimit të tyre. Megjithatë, nuk lejohej që burrat e huaj të veçoheshin me to apo që ata të shërbenin si shoqërues (mahrem) në udhëtimet e tyre. Me sa duket, këto ajete janë si një parathënie e historisë së Zejdit, të birit të Harithit, i cili më parë quhej Zejdi i biri i Muhamedit. Kështu vazhdoi, derisa u shpallën ajetet: "Muhamedi nuk është babai i asnjërit prej burrave tuaj por (ai është) i dërguari i Allahut dhe vula e të gjithë Profetëve." [Ahzab 40]. Atëherë, ata u thirrën sipas atësisë biologjike. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na njofton se besimtarët janë të gjithë si fëmijë të Muhamedit (a.s) dhe ai është si prind për ta; askush nuk ka ndonjë status e vend të veçantë, në këtë aspekt. Kështu, edhe pse Zejdi nuk quhet më Zejdi i biri i Muhamedit në aspektin e atësisë biologjike, ai vazhdon të jetë djali i Muhamedit në Islam, ashtu si të gjithë besimtarët. Për këtë arsye, nuk ka shkak për pakënaqësi e shqetësim për dispozitat rreth birësimit. Duke qenë se gratë e Profetit janë si nëna për besimtarët, atëherë nuk lejohej martesa me to pas Profetit (a.s), ashtu siç edhe thotë shprehimisht Allahu i Madhëruar: "Ju nuk duhet ta mundoni të dërguarin e Allahut, e nuk ju lejohet të martoheni kurrë me gratë e tij, pas tij. Këto janë gjynah shumë i madh tek Allahu." [Ahzab 53]. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:

- Në ligjin e Allahut, farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë) sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit). - Farefisi, të afërmit apo të largëtit qofshin "...kanë më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë), sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit).” Kështu, ata trashëgojnë njëri tjetrin dhe kujdesen për njëri tjetrin. Ata janë më parësorë se çdo aleancë e lidhje tjetër, në këtë aspekt. Në fillim të Islamit, edhe fëmijët e birësuar merrnin pjesë nga trashëgimia e adoptuesit, ashtu si trashëgimtarët e farefisit. Por më pas Allahu i Lartësuar e kufizoi trashëgiminë veçse në farefis dhe i përjashtoi të birësuarit. Kjo tregon butësinë, mëshirën dhe urtësinë e madhe të Allahut. Nëse do të vazhdonte siç ishte në fillim, atëherë do të kishte konflikte dhe përçarje të madhe ndër njerëz, sepse nga trashëgimia mund të përjashtoheshin njerëz të farefisit dhe gjakut. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: " ... farefisi juaj ka më shumë të drejta mbi ju (në çështjen e trashëgimisë) sesa besimtarët e tjerë dhe muhaxhirët (të mërguarit). " Pra, nuk ka rëndësi a janë të afërmit prej muhaxhirëve apo jo, farefisi është parësor në këto aspekte. Ky ajet tregon se afërsia me farefisin është më e madhe dhe ata janë përgjegjës dhe sipërmarrës më parësorë për njëri tjetrin mbi çdo njeri tjetër, në të gjitha llojet e sipërmarjeve, si ajo për martesë, në lidhje me kujdestarinë ligjore, kujdestaria mbi pasurinë etj. etj. Farefisi janë sipërmarës dhe përgjegjës për njëri tjetrin. (Sigurisht, nëse janë besimtarë). Pastaj i Madhëruari thotë: - Megjithatë, lini çfarë të jetë e mirë për miqtë tuaj të ngushtë (nëpërmjet testamentit, dhuratës etj). - Kjo është në dëshirën tuaj, nëse e bëni vullnetarisht, por jo me detyrim dhe të sanksionuar. Mund t'u jepni atyre nëse dëshironi t'u bëni bamirësi. - Kjo është e shkruar në Libër . - Ky gjykim është i shkruar dhe vendosur në Librin e Zotit dhe është renditur në Kur'anin e Tij. Kështu që duhet që të veprojmë dhe ta zbatojmë atë.

← Ahzab 33:6