← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

33. Ahzab · Ajeti 9 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:7–33:20

Edhe në kaptinën Ali Imran është përmendur besa e marrë prej pejgamberëve se do ta vërtetojnë, do ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe do t'i përmbahen saktë detyrës së besuar prej Zotit. Këtu përmenden pesë pejgamberët më autoritativë, "Ulul Azmi", por për hir të pozitës dhe famës më të lartë, i pari përmendet Muhammedi, anipse është i dërguari i fundit.

Zoti xh. sh. i thërret besimtarët të përkujtojnë të mirën, ndihmën që u ofroi me rastin e rrethimit të Medinës prej ushtrisë së armikut.

Në të vërtetë, afër një viti e sipër pas luftës së Uhudit, idhujtarët arabë, kurejshë e Gatafanë dhe jehuditë: Beni Nadir dhe Kurejdha, formojnë një ushtri të përbashkët për ta sulmuar Medinën, gjegjësisht, Pejgamberin dhe myslimanët. Për aleancën e armikut, e cila kishte tubuar më tepër se dhjetëmijë ushtarë dhe të cilës ushtri i printe Ebu Sufjani, kishte dëgjuar Pejgamberi. Me propozimin e Selman Farisiut, Pejgamberi urdhëron hapjen e një kanali (hendeku, istikami) rreth e përqark Medinës. Ushtria myslimane numëronte tremijë veta. kur arriti ushtira e armikut dhe e rrethoi qytetin, e asaj iu kishin bashkuar edhe jehuditë e vendit me të cilët myslimanët kishin pasur marrëveshje, frika u shtua, belaja u zmadhua sa që pati mendime të ndryshme. Myslimanët mbanin shpresë në ndihmën e Zotit, e formalistët munafikë i humbën shpresat dhe premtimin e Allahut e të Muhammedit, e konsideruan mashtrim. Shumë prej munafikëve kërkonin leje nga Pejgmaberi të shkonin në shtëpitë e veta për t'u mbrojtur. Pejgamberi u dha leje, por e dinte se po ikin prej luftës. Kur'ani i thotë se ata, edhe sikur të ishin në mesin tuaj, nuk do të luftonin, do të pranonin të kthehen në idhujtari po qe se armiku do të dominonte. Ata thonin me vete se më mirë do të ishte për neve sikur të ishim beduinë, e të jetonim në shkretëtirë e të mos ishim në Medinë, e prej atje do të kuptonim se ç'po ngjanë me myslimanët. i Si përfundim i kësaj lufte që quhet: Lufta e Hendekut, sipas kanalit të hapur, ose: Lufta e Ahzabit, sipas aleancës i ushtarake të armikut, armiku e mban të rrethuar Medinën për disa ditë, por një natë kur ishte errësirë e madhe, Zoti I e lëshon një frymë të stuhishme e të ftohtë, ua shuan zjarrin, ua rrënon çadrat, ua shtie frikën në shpirt dhe e lëshojnë rrethimin e ikin. Myslimanët shpëtojnë pa kurrnjë të keqe, por zbulohen ata që ishin vetëm formalisht myslimanë dhe ashtu i pastrojnë radhët e veta. Thuhet se gjatë asaj nate të errët ushtria e padukshme që përmendet, ishin engjëjtë, të cilët i frikësuan ushtarët e armikut dhe ndihmuan ushtrinë myslimane.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:9–33:10

Allahu i Lartësuar u kujton robërve të Tij besimtarë bujarinë e Tij të pashembullt, përkujdesin dhe mirësinë e madhe që u bëri në atë moment, kur një ushtri e madhe e disa aleatëve u mblodh për t'i luftuar dhe shfarosur, duke i nxitur të jenë mirënjohës. Kjo ndodhi në luftën e Hendekut në muajin Sheual, vitin e pestë të hixhretit, sipas mendimit më të njohur dhe më të përhapur. Jehudët e fisit Beni Nadir u dëbuan nga Profeti prej Medinës, pas thyerjes së paktit nga ana e tyre, prandaj ata shkuan në Hajber. Prej parisë së tyre ishin Selam Ibn Ebu Hukajku, Selam Ibn Mushkemi dhe Kenane Ibn Rabia. Pikërisht këta u takuan me disa prijës kurejshë, që t’i nxisnin për luftë kundër Profetit, dhe ata iu përgjigjën këtyre nxitjeve. Pastaj ata shkuan në fiset e Gatafanit, të cilët arritën t’i bindnin për të marrë pjesë në këtë luftë. Kurejshët me në krye prijësin e tyre Ebu Sufjan Harb Ibn Saħr, nga ana e tyre filluan lëvizjet dhe ftuan fiset Ahbashe dhe aleatët e tyre. Në krye të Gatafanit ishte Ujejne Ibn Hisn Ibn Bedri. Kështu u mblodh një ushtri prej dhjetë mijë luftëtarësh. Për të përballuar sulmet e ushtrisë së madhe, Profeti ﷺ hapi një hendek të madh rreth Medinës nga ana lindore e saj. Këtë plan mbrojtjeje ia sugjeroi Selman el Farisiu. Edhe vetë Profeti ﷺ punoi për hapjen e hendekut. Ushtria e idhujtarëve u vendos në lindje të Medinës, jo larg malit të Uhudit. Një pjesë e tyre zbritën e u vendosën në pjesën e sipërme të Medinës, siç thotë i Lartësuari: “Kur ata ju erdhën prej së larti dhe prej së poshtmi...”. Profeti i Allahut doli në këtë luftë me rreth 3000 luftëtarë. Thuhet, gjithashtu, se ishin vetëm 700. Ata u pozicionuan duke u vendosur me shpinë nga

mali Selu dhe me fytyrë nga a rmiku, në drejtim të hendekut. Hendeku u hap në mënyrë që të frenonte sulmet e kalorësve dhe këmbësorëve. Gratë dhe fëmijët u vendosën në kodrat e Medinës. Njëri nga fiset jehude, e pikërisht Benu Kurejdha, kishin kështjellat e fortifikatat e tyre në pjesën lindore të Medinës. Ata kishin marëveshje me Profetin që të mos luftonin kundër tij apo të ndihmonin armiqtë e tij. Ata kishin rreth 800 luftëtarë. Tek ata shkon për vizitë Hujej Ibn Ahtab el Nadriu, i cili negocioi me ta, derisa i bindi që të thyenin paktin me Profetin e Allahut. Kështu, ata u bënë aleatë me ushtrinë e kurejshëve dhe idhujtarëve arabë kundër Profetit. Atëherë, çështja u vështirësua shumë dhe situata u bë e frikshme, ashtu siç e përshkruan i Madhëruari: “Atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën fort.” Muslimanët ndenjën atje të rrethuar për afro një muaj, por idhujtarët nuk mundën të çanin e të kalonin hendekun dhe mes tyre nuk pati përleshje e luftë. Sidoqoftë, një kalorës i sprovuar nga rradhët e idhujtarëve, Umer Ibn Abdi Udd el Amiri, i njohur për dyluftimet e fituara, arriti të kalonte me vështirësi në një anë të hendekut së bashku me një pjesë kalorësish dhe kërkoi dyluftim me muslimanët. Profeti i Allahut urdhëroi Aliun të përballej me të në dyluftim. Ata u ndeshën dhe Aliu e vrau atë. Ky ishte një lajm i mirë e paralajmërim për fitoren e muslimanëve. Më pas, Allahu i Madhëruar dërgoi një erë të furishme kundër ushtrisë së idhujtarëve, të tillë që nuk u la çadër pa ua shkulur, zjarr pa ua shuar, derisa ata nisën tërheqjen të poshtëruar e duarbosh. - “O ju që keni besuar! Kujtoni mirësinë e Allahut, kur ju erdhi një ushtri dhe Ne lëshuam kundër tyre një furtunë ...” - Kjo lloj furtune quhet “ el sabâ” në arabisht. Në një hadith thuhet: 2109. “Më është dhënë fitorja dhe ndihma nga Zoti nëpërmjet el sabâ-s. Ndërsa Populli i Adit u shkatërrua me el debûr (emërtimi i furtunës).”. - “... dhe forca që ju nuk i shihnit. ” - Ata ishin melekët e Zotit, të cilët i tronditën ushtritë idhujtare, duke hedhur në zemrat e tyre tmerr e frikë. Imam Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin e Eameshit, që e përcjell nga Ibrahim el Tejmi, e ky nga i ati, Jezid Ibn Sheriku, i cili rrëfen: 2110. “Kur ishim njëherë te Hudhejfa (Allahu qoftë i kënaqur me të), dikush tha: “Sikur ta kisha arritur të Dërguarin e Allahut, do të luftoja përkrah tij dhe do të flijohesha.” Hudhejfa ia ktheu: “Vërtet do të veproje ashtu? Po sikur të na shihje një natë në betejën e Hendekut, kur na goditi fryma e fortë dhe të ftohtët? Atëherë i Dërguari i Allahut na tha: “Kush prej jush do të na sjellë lajme nga armiqtë, që Allahu ta afrojë pranë meje Ditën e Kijametit?” Ne heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk u përgjigj. Ai e përsëriti: “Kush prej jush do të na sjellë lajme nga armiqtë, që Allahu ta afrojë pranë meje Ditën e Kijametit?” Ne heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk u përgjigj. Sërish thirri: “Kush prej jush do të na sjellë lajme nga armiqtë, që Allahu ta afrojë pranë meje Ditën e Kijametit?” Ne sërish heshtëm dhe asnjëri prej nesh nuk u përgjigj. Pastaj tha: “Çohu Hudhejfe, dhe na sill lajme nga armiqtë!” Kur më thirri me emër, nuk pata zgjidhje tjetër veçse të çohesha. Ai më tha: “Shko dhe më sill lajme nga armiqtë, por mos i trazo ata kundër nesh!” Posa u shkëputa nga ai ﷺ ndihesha aq rehat, saqë nuk ndieja më as frymën e fortë as të ftohtët. Atje pashë Ebu Sufjanin, i cili po e ngrohte shpinën tek zjarri. Vura një shigjetë në mes të harkut dhe u mata ta godisja, por m’u kujtua fjala e të Dërguarit të Allahut: “mos i trazo ata kundër nesh!” Po ta gjuaja, do ta qëlloja, por bëra pas, duke ndier të njëjtën rehati që ndieja më parë. Kur u ktheva dhe u çova lajmet për ta, fillova prapë të ndieja të ftohtët. Atëherë, i Dërguari i Allahut më mbështolli me cepin e një rrobeje, me të cilën ai falej, dhe mua më mori gjumi deri në agim. Kur u zgjova më tha: “Zgjohu, o gjumash!” Junus Ibn Bukejri sjell nga Zejd Ibn Eslem një version të ngjashëm, ku ndër të tjera thuhet: 2111. “Ajo fortunë e përfshiu të gjithë kampin e

tyre dhe nuk e kaloi as edhe një pëllëmbë më tutje. Betohem në Allah, se unë dëgjoja zërin e përplasjes së gurëve në çadrat dhe shtrojet e tyre. Ajo erë i goditi me forcë. Atëherë, unë dola prej andej, për t’u kthyer tek Profeti dhe kur isha pothuajse në gjysëm të rrugës apo afër gjysmës, përballem me 20 kalorës - ose afërsisht aq - të maskuar, të cilët më thanë: ‘Njoftoje shokun tënd se Allahu i Lartësuar e mbrojti nga sherri i këtyre njerëzve.” Unë u ktheva tek Profeti i Allahut dhe e njoftova rreth atyre njerëzve dhe se unë i lashë të largoheshin. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “O ju që keni besuar! Kujtoni mirësinë e Allahut, kur juve ju erdhi një ushtri dhe Ne lëshuam kundër tyre një furtunë dhe forca që ju nuk i shihnit. Allahu e sheh mirë gjithçka që bëni ju.”. Ndërsa Ebu Daudi ka sjellë në Sunenin e tij hadithin: 2112. “Kur e shqetësonte ndonjë çështje, Profeti i Allahut falte namaz.” - “Kur ata ju erdhën prej së larti dhe prej së poshtmi ...” - Domethënë, ushtritë e idhujtarëve ju erdhën për së larti dhe, - ashtu siç e përmendëm më sipër nga Hudhejfa - fisi i Beni Kurejdhas, që rrezikonte prej së poshtmi. - “... shikimet tuaja u shtangën, zemrat erdhën në fyt ...” - Domethënë, nga frika e madhe. - “... dhe ju sajonit për Allahun lloj-lloj mendimesh.” - Pra, menduan gjëra të ndryshme. Gjithësecili mendoi diçka, por mendimet nuk ishin të njëjta. Kështu, munafikëve u doli në shesh hipokrizia, pasi ata të mjerë menduan se Muhamedi dhe shokët e tij do të shfaroseshin në atë luftë. Ndërsa besimtarët menduan tjetër gjë për Allahun. Ata u siguruan edhe më shumë se premtimi i Allahut dhe Profetit të Tij ishte i vërtetë dhe se Allahu kishte për ta bërë këtë fe të epërme dhe triumfuese mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrenin këtë. Ibn Ebu Hatimi sjell nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), këtë rrëfim: 2113. “Ditën e luftës së Hendekut, unë thashë: “O i Dërguari i Allahut! A ka ndonjë gjë që mund ta themi, sepse zemrat na kanë ardhur në fyt.” Ai tha: “Po. Thoni: “Allahum-me ustur aurâtinâ ue âmin reuâtinâ”, pra: “O Allah, na i mbulo të metat dhe na mbro nga çdo gjë që na frikëson!” Pastaj, - rrëfen Ebu Seidi, - Profeti gjuajti në fytyrat e armiqve të tij me erë të furishme (ushtri e dërguar nga Zoti) dhe i mundi ata me atë furtunë.” Kështu e ka sjellë Imam Ahmedi nga Ebu Amir Akdi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:9–33:11

- O ju që keni besuar! Kujtojeni Mirësinë e Allahut, kur ju erdhi një ushtri (për t'ju sulmuar) dhe Ne lëshuam kundër tyre një furtunë dhe forca që ju nuk i shihnit. Allahu e sheh mirë gjithçka që bëni ju. - Allahu i Lartësuar u kujton robve të Tij besimtarë mirësinë e madhe që u bëri gjatë kësaj historie kur një ushtri e madhe e disa aleatëve u mblodh për t'i luftuar dhe shfarosur, duke i nxitur të jenë mirënjohës. Ushtritë e Mekës dhe gjithë Hixhazit u mblodhën për t'i luftuar nga sipër, ndërsa ushtritë e Nexhdit u mblodhën nga poshtë. Ata vendosën prerazi dhe u betuan që të shfarosnin Profetin dhe sahabët e tij. Kjo ishte lufta e Hendekut ose e Ahzabit. Përveç këtyre ushtrive, kundër tij u vunë edhe fiset judeje, që ishin rreth e rotull Medinës. Për të përballuar sulmet e ushtrisë së madhe, Profeti (a.s) hapi një hendek të madh rreth Medinës. Kështu aleanca e mohuesve dhe idhujtarëve bëri një rrethim shumë të dhimbshëm dhe të vështirë për muslimanët. Aq shumë u vështirësua jeta në Medinë, saqë Allahu i përshkroi me fjalët: - Kur ata ju erdhën prej së larti dhe prej së poshtmi, shikimet tuaja u shtangën, zemrat erdhën në fyt (nga frika) dhe ju sajonit për Allahun lloj lloj mendimesh (të kota). - Zemrat u shkuan në fyt nga frika dhe vështirësia, aq sa u shkonin lloj -lloj mendimesh. Pasiguria arriti kulmin kur shihnin gjithë ato masa shtrënguese dhe atë rrethim aq të fortifikuar. Ky rrethim vazhdoi për një kohë të gjatë. Allahu e përshkruan kështu gjendjen e besimtarëve: "...shikimet tuaja u shtangën, zemrat erdhën në fyt (nga frika) dhe ju sajonit për Allahun lloj lloj mendimesh (të kota) .". Ju kishit mendimet e këqija se Allahu nuk do të ndihmonte fenë e Tij dhe se nuk do të plotësonte dhe lartësonte fjalën e Tij.” - Atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën me një tronditje të fortë. - Kjo ishte për besimtarët një sprovë shumë e madhe dhe ata u tronditën shumë, me ankth e pasiguri për jetën e familjet e tyre, me uri e vuajtje të pashembullta. Kështu i sprovoi Allahu besimtarët, që të dilte në pah imani i tyre dhe t’u shtohej e forcohej më shumë siguria për ndihmën e Allahut. Dhe, vërtet,

u shfaq dhe doli në pah imani i tyre, sinqeriteti dhe siguria e mbështetja e pathyeshme në Allahun! Vetëm Allahut i qoftë lavdërimi e mirënjohja! Me këtë qëndresë, ata ia kaluan dhe i lanë pas të parët dhe të fundit. Pikërisht kur u shtuan vuajtjet e sprovat rëndonin njëra tjetrën, atëherë imani i tyre arriti gradën e sigurisë së plotë, ashtu si ta shihje të vërtetën me sy. I Lartësuari thotë: “Dhe kur panë ushtritë armike, besimtarët thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij na thanë të vërtetën”. Dhe ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu). " [Ahzab 22.] Në të tilla sprova del qartë edhe hipokrizia e dyfytyrëshve. Ata e nxorën në shesh atë që e mbanin fshehur në zemër.

← Ahzab 33:9