34. Sebe · Ajeti 15 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:15–34:33
Sebe'ë quhej një popull sipas emrit të të parit të tyre, e që kishin vendbanimet e tyre në Jemen. Ai popull kishte një vendbanim shumë të begatshëm që shtrihej në një luginë dhe në të dy anët e saj kishte kopshte me lloj-lloj frutash. Ata do të duhej falënderuar Zotin për ato begati, por nuk i dëgjuan as pejgamberët dhe nuk falënderuan, andaj i vërshoi uji i pendës dhe u shkatërroi çdo të mirë. Madje, Zoti u kishte mundësuar që prej Jemenit të shkojnë në Sham, duke pushuar fshat më fshat, pse ato ishin të afërta dhe ashtu të tregtojnë sa më lehtë. Mirëpo, duke parë se edhe më të varfërit kishin mundësi të udhëtonin, meqë nuk nevojitej ndonjë përgatitje e fortë, kjo pasanikëve nuk u shkoi për shtati, andaj e përbuzën atë të mirë të Zotit dhe Ai i shpartalloi.
Djalli ka qenë betuar se do t'i mashtrojë njerëzit sa të mundet, e në disa raste ia arriti qëllimit edhe pse nuk ka pushtet mbi ta, por duke i mashtruar me sende të kota. Zoti gjithnjë i ka ditur dhe i di të prishurit, por mashtrimi i shejtanit e qet në shesh atë që e ka ditur Ai, Adhuruan zota që s'kanë asgjë në dorë, pse edhe pejgamberët nuk do të mund të bënin shefaatë, vetëm pas lejes së Zotit, e zotat e tyre kurrë., Pejgamberi ynë nuk ishte i dërguar vetëm për arabët, por për mbarë botën, e megjithatë disa talleshin, duke thënë se kur do të vijë kijameti? Ai vjen në çastin e caktuar dhe zullumqarët do të fyejnë njëri-tjetrit dhe do të përpiqen t'ia hudhin fajin njëri-tjetrit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:15–34:17
Sebe’ quheshin mbretërit e Jemenit dhe banorëve të atyre viseve. Ndër ta është edhe linja e mbretërve, që quheshin Tubea, mes të cilëve edhe Belkisa, mbretëresha së cilës i dërgoi mesazh Sulejmani (a.s.) Ata jetonin në mirësi të shumta, në tokat e tyre të begata e plot prodhime. Allahu i Madhëruar dërgoi mes tyre profetë, që t’i mësonin të ishin mirënjohës ndaj Tij, duke e adhuruar Atë si një e të vetëm. Ata vazhduan kështu për aq sa dëshiroi Zoti i Madhëruar. Më pas, ata u kthyen shpinën porosive të Zotit, prandaj u ndëshkuan me përmbytje të madhe, pas prishjes së pendës që i mbronte. Ata përfunduan të shpërndarë nëpër vende të ndryshme, sikurse do ta shtjellojmë më pas, në dashtë Allahu i Lavdëruar, tek i Ci li e kemi shpresën dhe besimin. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi se, një burrë e pyeti njëherë të Dërguarin e Allahut rreth Sebeit, a ishte ai burrë, apo grua, apo ishte emërtim i vendit ku ata jetuan. Profeti tha: “Sebei ishte një burrë, të cilit i lindën dhjetë fëmijë, nga të cilët gjashtë jetuan në Jemen dhe katër në Sham. Ata që jetuan në Jemen ishin Medh’haxh -i, Kendeh -i, El Uzd-i, El Eshari jun, Enmar-i dhe Humejr -i. Ndërsa ata që jetuan në Sham ishin Lahm -i, Xhudham-i, Amila dhe Gassan -i. Për shkak të haditheve e teksteve të tjera mbështetëse, ky është një hadith hasen. Dijetarët e gjenealogjive, mes të cilëve edhe Muhamed Ibnu Is’haku, kanë thënë: “Emri i Sebeit ishte Abdushems Ibn Jeshxhub Ibn Jearib Ibn Kahtani. Sebe’ quhej ai që braktiste fenë dhe idhujt e të parëve të tyre dhe besonte në një Zot të vetëm. Është thënë se ai ishte ndër ata burra që paralajmëruan ardhjen e Profetit Muhamed ﷺ ,shumë kohë para se ai të dilte, siç është përmendur në një vjershë prej tij, ku, ndër të tjera, përmend daljen e këtij Profeti dhe gatishmërinë e tij për t’iu bërë krah e mburojë atij në rrugën e Zotit, si dhe këshillon popullin e vet që, kur të dalë, ta ndihmojnë e mbështesin atë. Këtë e ka përmendur Hemedhani në librin “ El Iklil ”. Kështu, prej këtij burri të quajtur Sebe’ ishin edhe këta të dhjetë, që konsiderohen si degët kryesore të fiseve arabe të Jemenit. Në fakt, thuhet se këta ishin pasardhës të tij, pra, nipër e stërnipër, dhe jo bij të lindur drejtpërdrejt prej tij. Mes tyre u dërguan profetë të Zotit, që t’i urdhërojnë për besimin e pastër në një Zot të vetëm dhe pa ortak. Kështu vazhduan në këtë besim të pastër, sa dëshiroi Zoti. Më pas, ata e lëshuan rrugën e drejtë dhe shpërfillën urdhëresat e Zotit. Kjo solli ndëshkimin e tyre, duke lëshuar mbi ta një përmbytje të madhe, pas shembjes së digës, që mbronte viset e tyre nga uji. Pas kësaj, disa qëndruan në vendin e tyre e disa të tjerë u larguan në vende të tjera. Vendbanimet e tyre ishin në një zonë ku uji u vinte me shumicë nga dy male. Masa e ujit shtohej edhe më shumë nga shirat e shumtë dhe përrenjtë që bashkoheshin në një rrjedhë. Mbretërit e tyre të hershëm vendosën që të ndërtonin një digë gjigante dhe të fortë, për të bërë që uji të mblidhej mes dy maleve, për ta përdorur me kujdes dhe me masë për vaditjen e të mbjellave të tyre. Kështu, prodhimet dhe begatia e atij vendi u shtua. Shumë selefë, mes të cilëve Katadja, thonë se, aq të mëdha ishin prodhimet e tyre, saqë mjaftonte që gruaja të ecte mes drufrutorëve duke mbajtur mbi kokë koshin e frutave dhe ai mbushej nga frutat e pjekura, që binin vetë, pa qenë e nevojshme t’i vilnin me dorë. Ai vend quhej Diga e Meribit dhe
ndodhej afërsisht tre merahil (njësi matëse për distancën) larg Sanait, (kryeqytetit të sotëm të Jemenit). Disa thonë se, për shkak të tokës së mirë, ajrit të pastër, në atë vend nuk kishte mushkonja, miza, morra apo parazitë të tjerë dhe as brejtës e gjallesa helmuese. E gjithë kjo ishte prej mirësive të Allahut dhe kujdesit të Tij, që ata ta besonin Atë si një e të vetëm dhe ta adhuronin si të tillë. - “Në vendbanimet e popullit të Sebeit pati shenja të shumta .” - Në vijim, i Lartësuari shpjegon më hollësisht: - “Atje ndodheshin dy plantacione: nga ana e djathtë dhe nga ana e majtë. ” - Dy plantacionet ndodheshin në faqet e malit dhe mes tyre ndodheshin vendbanimet. - “Hani nga begatitë e Zotit tuaj dhe jini mirënjohës ndaj Tij! Ky është një vend i mirë dhe Zoti është Falës i Madh. ” - Ai ka për të qenë gjithmonë Falës i madh, nëse vazhdoni ta besoni e ta adhuroni si Një e të vetëm. - “Po ata i kthyen shpinën ...” - Pra, hoqën dorë prej teuhidit, prej adhurimit të Allahut si një e i vetëm dhe mirënjohjes ndaj Tij për ato mirësi të shumta që u kishte dhuruar, duke u zhytur në adhurimin e Diellit. Hud’hud-i (pupëza) e njoftoi Sulejmanin rreth këtij populli: “Por nuk zgjati shumë dhe ajo (pupëza) erdhi dhe tha: “Unë kam qenë në ato vende që ti nuk ke qenë dhe kam ardhur nga Sebei me lajme të vërteta”. Atje pashë një grua që i sundonte ata (popullin e Sebe -it). Asaj i ishte dhënë (mirësi) nga çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. (Atje) pashë që ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Shejtani ua kishte hijeshuar veprat e tyre në sytë e tyre dhe i kishte larguar nga Rruga, kështu që ata nuk e gjenin udhën e drejtë. (Shejtani i kishte mashtruar) Që të mos i përuleshin Allahut i Cili zbulon çdo të fshehtë në qiej e në Tokë dhe që e di atë që fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi. ” [Neml 22 - 25] - “Ne lëshuam kundër tyre vërshimin e digës ...” - Vërshimin e ujit që kishte mble - dhur diga. Shtimi i ujit nga reshjet e mëdha e shkatërroi murin mbajtës të digës. Atë - herë, uji vërshoi në luginë, duke shkatërruar vendbanimet e të mbjellat e atij populli. Po kështu, pemëtoret në anët e malit mbetën pa vaditur dhe pa u trajtuar si zakonisht, prandaj u thanë e u shkretuan. Me kalimin e kohës, plantacionet e begata u zëvendësuan me bimë të pakta: - “... dhe dy plantacionet e tyre ua kthyem në kopshte me fruta të hidhura, kopër ...” - El ħamtu, - shpjegon Ibn Abasi, - është arâku 190 dhe ushqimi i barbarëve. Ndërsa el ethlu, po sipas Ibn Abasit, është el tarfâu. 191 Gjithashtu, është thënë se është el semru. 192 Allahu është më i ditur. - “... dhe pak sidër të egër.” - Kjo ishte më e mira e pemëve dhe bimësisë, që mbeti në atë vend, pas atyre frutave të shumëllojshme dhe pamjes mahnitëse, me hije të thella, përrenj e lumenj të dobishëm, që rridhnin nëpër to. Të gjitha këto u zëvendësuan me bimë me gjemba shumë e me fryte të pakëta. Kjo ndodhi për shkak të kufrit dhe idhujtarisë së tyre, duke përqafuar të kotën dhe devijimin. - “Ky qe shpërblimi që u dhamë atyre për shkak të mosbesimit. Me këtë lloj shpërblimi, Ne dënojmë veçse mohuesit .” - Muxhahidi shpjegon: “Kështu ndëshkojmë veçse mohuesit.” Ndërsa Ebu Hatimi përcjell prej Ibn Hajrih -ut, i cili ishte prej shoqëruesve më të afërm të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se: “Prej pasojave të hidhura të gjynaheve janë: dobësia në kryerjen e adhurimeve, ngushtimi i jetesës, vështirësia në përjetimin e kënaqësive e prishja e tyre.” E pyetën: “Çfarë kupton me këtë të fundit?” Ai tha: “Sa herë që kërkon të kënaqet, qoftë edhe me diçka që është e lejuar, i vjen diçka që ia prish dhe ia trazon kënaqësinë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:15–34:21
Sebei ishte një popull i njohur, që jetonte në rrethinat e Jemenit. Vendbanimi i tyre quhej Merib. Allahu i Lartësuar, nga mëshira e madhe dhe butësia e Tij me njerëzit në përgjithësi dhe me arabët në veçanti, u
tregoi në këtë Kur'an historitë e popujve të ndëshkuar dhe të shkatërruar, që kishin jetuar rreth e rrotull arabëve. Shumë nga gërmadhat e tyre ende mund të shiheshin nga njerëzit dhe historitë e tyre transmetoheshin brez pas brezi. Kjo e bëri më të thjeshtë që ata të pranonin Kur'anin dhe të besonin mesazhin e tij. I Lartësuari thotë: - Në vendbanimet e Popullit të Sebe -it pati shenja të shumta (të mirësive të Allahut). - Në vendin ku ata jetonin, Zoti u kishte sjellë shenja madhështore. Shenjat për të cilat flitet këtu janë mirësitë e shumta dhe mbrojtja nga çdo e keqe që Allahu u kishte mundësuar. Kjo duhet t'i bënte që ta adhuronin Allahun si një të vetëm dhe të tregoheshin mirënjohës ndaj Tij. Pastaj i Lartësuari i shpjegon më hollësisht këto shenja: - Atje ndodheshin dy kopshte - nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani nga begatitë e Zotit tuaj dhe jini mirënjohës ndaj Tij! Ky është një vend i mirë dhe Zoti është Falës i Madh.” - Mes këtyre dy kopshteve të begatshme, ishte një luginë, në të cilën rridhte një lumë me ujë shumë dhe i rrëmbyer. Për këtë arsye, ata kishin ndërtuar një pendë të madhe e të mirëprojektuar, që t'i ruante nga përmbytjet dhe që të mblidhte ujin, që ta përdornin kur të dëshironin. Kështu, kur vinte sezoni i shirave, uji mblidhej aty, të cilin ata e shpërndanin më vonë në kopshtet e lulëzuara e madhështore. Aq të shumta ishin prodhimet, saqë të gjithë i kishin zili. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i urdhëroi që të ishin mirënjohës për gjitha këto mirësi që u kishte dhuruar. Ndër to ishin këto dy kopshte, nga të cilat u vinte shumica e prodhimeve të tyre. Allahu e quan vendin e tyre si “vend i mirë”, sepse kishte një klimë të mrekullueshme dhe ajër të pastër. Ata nuk vuanin nga pluhuri e tymi dhe jetonin një jetë të këndshme. Allahu u premtoi se, nëse tregoheshin mirënjohës, do t’ua falte gjynahet dhe do t'i mëshironte. - Po ata i kthyen shpinën (Allahut) dhe Ne lëshuam kundër tyre vërshimën e Digës - Ata kundërshtuan urdhrin, duke mohuar Allahun dhe duke u treguar mosmirënjohës ndaj Tij. Për këtë arsye, Allahu i ndëshkoi pikërisht duke i privuar nga ato mirësi, të cilat u bënë shkak që ata të kalonin kufijtë në gjynahe e mosbesim. Ai lëshoi mbi ta ujin e furishëm, që i kaloi digat që kishin ndërtuar. Ajo ishte një valë e madhe uji, që ua shkatërroi të gjitha kopshtet e tyre. Ato u shndërruan në një vend me bimë e pemë të padobishme. Allahu i Madhëruar thotë: - dhe dy kopshtet e tyre ua kthyem në "kopshte" me fruta të idhëta, kopër dhe pak sidër të egër. - Toka tani u sillte shumë pak prodhim dhe disa lloje pemësh të padobishme. Kjo u erdhi sipas punës që bënin. Ashtu sikurse ata e zëvendësuan mirënjohjen me mohimin dhe poshtërsitë, po ashtu Allahu ua zëvendësoi ato mirësi, me atë që u përmend. - Ky qe shpërblimi që u dhamë atyre për shkak të mosbesimit . Me këtë lloj shpërblimi Ne dënojmë veçse mohuesit. -
Ky lloj ndëshkimi u jepet veçse atyre që mohojnë dhe nënçmojnë mirësitë e Zotit, duke u treguar mosmirënjohës për to. - Dhe, mes tyre dhe qyteteve që i patëm bekuar (në Sham) , Ne patëm vendosur qytete në vende të dukshme dhe jua bëmë udhëtimin të lehtë: "Udhëtoni të sigurt nëpër to natën e ditën!"” - Ndër mirësitë e shumta ishte edhe udhëtimi i sigurt për tregtinë e tyre. Allahu i Lartësuar e dinte mirë se ata kishin nevojë për të udhëtuar drejt tokave të bekuara të Shamit, ose të Jemenit, sikurse janë të mendimit shumë dijetarë selefë të tefsirit. Për këtë arsye, Allahu u bëri të mundur çdo gjë të nevojshme që udhëtimet tyre të tregtisë të ishin të sigurta dhe të lehta. Ata udhëtonin të qetë, sepse të gjitha vendbanimet kishin lidhje me njëra tjetrën, duke mënjanuar kështu shumë vështirësi dhe duke patur shumë begati. Nuk humbisje nëpër ato udhëtime. Allahu thotë gjithashtu: "Udhëtoni të sigurt nëpër to natën e ditën!" E tillë ishte mirësia që Zoti u dhuroi. - Por ata (të velur nga mirësitë) thanë: “O Zoti ynë! Bëji udhëtimet tona më të largëta!” - Ata i kthyen shpinën mirënjohjes ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij. Ata shprehën pakënaqësi dhe i nënçmuan ato mirësi, madje dëshironin që udhëtimet të ishin të largëta, kur e kishin aq të lehtë të udhëtonin mes tyre. Kështu, ata thoshin:“O Zoti ynë, bëji udhëtimet tona më të largëta!” - dhe kështu e ngarkuan veten me padrejtësi. Ne i bëmë ata rrefenja (që tregohen gojë më gojë) dhe i përndamë plotësisht. - Pasi i goditi ndëshkimi, ata u shpërbënë si popull dhe u shpërndanë. Zoti i bëri subjekt tregimesh që tregohen ndër njerëz, për t'u argëtuar e kaluar kohën. Madje, ata merreshin si shembull për përçarjen që u ndodhi, duke thënë: "U përçanë dhe shpërndanë, si populli i Sebe'it" dhe çdokush fliste për atë që u ndodhi atyre. Por të tilla mësime u vlejnë veçse një kategorie të veçantë njerëzish, për të cilët Zoti thotë: - Në këtë ka argumente për çdo durimtar e mirënjohës. - Për ata që janë durimtarë në çdo vështirësi e fatkeqësi dhe i bëjnë ballë atyre veçse për hir të Allahut; për ata që nuk revoltohen ose të rebelohen kundër Zotit, por e presin me zemër të qetë e mirënjohëse për mirësitë e Zotit. Ato zemra i njohin dhe i vlerësojnë mirësitë që Zoti u ka dhënë. Ata e lavdërojnë dhe përlëvdojnë Zotin dhe i përdorin mirësitë veçse në bindje ndaj Tij dhe për kënaqësinë e Tij. Këta lloj njerëzish, kur dëgjojnë histori të tilla, e kuptojnë mirë mesazhin dhe janë të bindur se ajo që ndodhi ishte shpërblim i merituar për mohimin e Zotit dhe mosmirënjohjen ndaj Tij. Ata e dinë mirë se çdokush që vepron si ata do të ndëshkohet njëlloj si ata. Ata e kuptojnë se mirënjohja ndaj Allahut është siguria dhe ruajtja më e mirë e mirësive të Tij dhe larguesja e çdo fatkeqësie. Ata besojnë se profetët e Zotit janë të vërtetë e besnikë në atë që kanë kumtuar prej Zotit dhe se dënimi e shpërblimi i Tij është i vërtetë, ashtu siç janë të vërteta këto shembuj që na jepen në këtë dynja. - Në të vërtetë, shejtani e realizoi mendimin e vet në lidhje me ta dhe ata e pasuan atë,... - Populli i Sebe'it ishte nga ata tek të cilët u vërtetua dhe u realizua ai premtim që Iblisi bëri para Zotit. Ai tha, siç përmendet në ajetin kuranor: “Betohem në krenarinë Tënde, se kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!” [Sad 82, 83]. Ky ishte një mendim dhe supozim i Iblisit, sepse ai nuk e dinte të fshehtën. Kjo ishte ajo që Iblisi mendoi, pra, se do t'i humbiste të gjithë, përveç një pakice, që janë të sinqertët. Populli i Sebe'it bënin pjesë në grupin e humbur. - përveç një pakicë besimtarësh. - Këta të zgjedhur ishin nga ajo pakicë të cilët nuk i mohonin mirësitë e Allahut. Këta mirënjohës kurrsesi nuk mund të ishin nga ata që binin pre e mashtrimit të Iblisit. Megithatë, ka shumë mundësi që historia e popullit të Sebe'it të ketë mbaruar tek ajeti:
"Në këtë ka argumente për çdo durimtar e mirënjohës." Pastaj vijohet për njerëzit në përgjithësi: "Në të vërtetë, shejtani e realizoi mendimin e vet në lidhje me ta dhe e ata e pasuan atë." Pra, flet për ata njerëz që e pasuan Iblisin në rrugën e tij. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - Ai (Iblisi) nuk kishte asnjë pushtet mbi ta - Ai i mallkuar nuk është se kishte ndonjë pushtet imponues e nënshtrues, në lidhje me atë që dëshironte prej tyre. Por ishte urtësia e Allahut që e lejoi atë t'u bëjë vesvese, t'ua zbukurojë të këqijat njerëzve, aq sa duket sikur merr njëfarë force mbi ta. Kështu i sprovoi Zoti bijtë e Ademit, me një qëllim të rëndësishëm: - por, Ne dëshiruam që të dallohet ai që beson në botën tjetër, prej atij që ka dyshim për të. - Nëpërmjet këtyre joshjeve dhe sprovave, do të realizohet qëllimi i kësaj jete, pra, dallimi i qartë i të sinqertëve nga mashtruesit, për të dalë në pah ata që e kanë imanin të saktë dhe të qëndrueshëm gjatë sprovave, dyshimeve e trillimeve të shejtanëve, nga ata që kanë iman të dobët dhe të paqëndrueshëm, që lëkunden me dyshimin dhe pasiguritë më të vogla, dhe ndërron rrugë që me ftesën e parë në humbje. Kështu, Allahu i Madhëruar e ka bërë këtë dynja që robërit të sprovohen dhe të dalë në pah i keqi nga i miri. - E Zoti yt është Mbikëqyrës mbi gjithçka. - Ai mbikëqyr dhe kujdeset për të gjithë robërit dhe i ka ruajtur edhe veprat e tyre. Ai i ka llogaritur ato dhe ruan të sigurt edhe shpërblimin për to. Ai ka për t'ua dhënë shpërblimin të plotë dhe pa ia pakësuar askujt hakun e vet.