← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

34. Sebe · Ajeti 40 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:34–34:45

Duke u mbështetur në forcën e vet, pasanikët gjithnjë refuzonin mësimet e pejgamberëve e ndonjëherë jusitifikoheshin me atë se sikur të mos ishin të mirë te Zoti, Ai nuk do t'u jepte pasuri e fëmijë, pra edhe thoshin se nuk do të na dënojë. Ata nuk e kuptonin se Zoti është Ai që sipas urtësisë së Vet bën përndarjen e begative, dikuj i jep më shumë e dikuj më pak, por kjo nuk do të thotë se pasanikët janë më afër Zotit. Më afër janë ata që besuan dhe bënë punë të mira. Shpërblimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, andaj edhe do të vendosen në villat më të larta të xhennetit. Pasanikët do të duhej të shpenzonin për në rrugën e Zotit, meqë Ai do t'u kompensojë atë, e jo të përpiqen të mohojnë faktet e Zotit.

Pati popuj që adhuronin engjëjt, ndonjë pejgamber e diçka tjetër, e ditën e kijametit u bëhet pyetja engjëjve, se a mos juve u adhuruan" Kjo ka për qëllim demaskimin e të gjithë atyre që pos Zotit adhuruan diçka tjetër, pra së pari idhujtarët.

Idhujtarët mekas, edhe pse nuk dinin se si është pejgamberi, si është shpallja ose libri, ata mohuan Pejgamberin, mohuan Kur'anin, e nuk kuptonin se mohuesit para tyre, të cilët ishin nja dhjetë herë më të fuqishëm se këta, nuk i shpëtoi forca e tyre prej shkatërrimit që u solli Zoti, e edhe këta nuk do të mund të shpëtojnë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:40–34:42

- “Një ditë, Ai do t’i tubojë të gjithë dhe do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz adhuronin?” - I Lartësuari na tregon për fjalët poshtëruese dhe të dhimbshme, që u drejton idhujtarëve në Ditën e Kijametit, përpara gjithë krijesave. Kështu, Allahu i Lartësuar do të pyesë melekët që adhuroheshin prej idhujtarëve, duke i konsideruar si partnerë të Tij, me qëllim për t’u afruar sa më shumë tek Allahu: “Ju ishit ata që këta njerëz adhuronin?” Pra, mos vallë, ju i urdhëruat ata për një adhurim të tillë? Ose siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ditën kur Ai do t’i tubojë ata dhe idhujt, që ata adhuruan veç Allahut, do t'u thotë (idhujve): “A ju qetë ata që i udhëzuat robërit e Mi që t’ju adhurojnë, apo ata vetë e braktisën rrugën (e drejtë)?” Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për ty! Kurrë nuk do të parapëlqenim

që përveç Teje të kemi ndonjë mbrojtës tjetër, por Ti i begatove me të mira ata dhe të parët e tyre dhe ata i harruan paralajmë - rimet e tua dhe u bënë popull i shkatërruar.” [Furkan 17 - 18]. Ose” “ Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im) ! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë rob ërit e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti. ” [Maide 116 - 118]. Ndërsa në këto ajete, i Lartësuari na tregon përgjigjen e melekëve, këtyre robërve të mirë të Tij: - “Ata do të thonë: “I madhëruar qofsh Ti!” - I pastër i dëlirë nga çdo mangësi je Ti, o Zot, që përveç Teje të ketë të adhuruar të tjerë me meritë. - “Ti je Zoti ynë dhe ne distancohemi prej tyre.” - Ne distancohemi prej tyre dhe Ne jemi adhuruesit e Tu të sinqertë dhe të përulur. - “Jo. Ata adhuronin xhindët dhe shumica e tyre i besonin ato. ” - Këtu janë për qëllim shejtanët, sepse ishin pikërisht ata të cilët i devijuan nga rruga e drejtë, që ua zbukuruan të keqen dhe adhurimin e idhujve. Sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ata (idhujtarët) lusin vetëm idhuj femërorë dhe i drejtohen vetëm Shejtanit plot sherr.” [Nisa 117]. - “Kështu, atë ditë ata nuk do të kenë asgjë në dorë t’i bëjnë dobi e as dëm njëri-tjetrit.” - Melekët do të distancohen nga ata që ishin adhuruesit e tyre në jetën e dynjasë pa asnjë lloj të drejte dhe argumenti. Këta adhurues të melekëve nuk kanë për të patur asnjë dobi nga ajo që aq shumë e shpresonin. Ata shpresonin shumë se me adhurimin e idhujve do të përfitonin në Ditën e Gjykimit, por tashmë çdo gjë u del e kotë dhe e padobishme. - “Kurse keqbërësve do t'u themi: “Shijojeni dënimin e zjarrit - atë që e quanit gënjeshtër!” - Atyre që e rënduan veten me padrejtësi duke adhuruar diçka tjetër veç Allahut, do t’u themi: “Shijojeni dënimin e zjarrit - atë që e quanit gënjeshtër!” Ky është ndëshkimi i atyre që adhurojnë diçka tjetër veç Allahut të Lartësuar dhe që nuk besojnë në ditën e llogarisë me drejtësi përpara Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:40–34:42

- Një Ditë, Ai do ti tubojë të gjithë dhe do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz ju adhuronin?” - Kjo do të ndodhë kur Allahu t'i tubojë së bashku, si ata që adhurojnë zota të tjerë veç Allahut, ashtu edhe ata që adhuroheshin, mes të cilëve

edhe melekët, që njerëzit i adhuronin në dynja. Atë ditë, Allahu do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz ju adhuronin?” Kjo në fakt është një skenë poshtërimi për idhujtarët, edhe pse pyetja u drejtohet melekëve. Pas kësaj pyetjeje, melekët distancohen nga kjo padrejtësi e madhe dhe thonë: - Ata do të (melekët) thonë: “I Madhëruar qofsh Ti! - Ti je i Pastër, i Lavdëruar dhe i Lartësuar nga çdo mangësi dhe nga kjo që shpifin të padrejtët, pra, se Ti paske shokë e partnerë në pushtetin Tënd! - Ti je Zoti ynë, dhe ne distancohemi prej tyre. - Ne jemi nevojtarë për mbrojtjen e kujdesin Tënd për ne. Atëherë, si mund të ftojmë të tjerët që të na dedikojnë neve adhurimin?! Është e padrejtë që ne të zgjedhim për veten tonë mbrojtës e kujdestar tjetër veç Teje! Në fakt, këta idhujtarë nuk na adhuronin ne: - Jo. Por ata adhuronin xhindet dhe shumica e tyre besonin në to”. - Ata adhuronin shejtanët, të cilët, për t'i devijuar, i urdhëronin të na adhuronin neve ose çdo gjë tjetër veç Allahut. Kështu, ata u bindeshin këtyre shejtanëve dhe pikërisht kjo bindje ishte adhurimi që u përkushtonin. Ibadeti është pikërisht bindje e nënshtrim, sikurse thotë Allahu, duke iu drejtuar të gjithë atyre që adhuronin dikë tjetër veç Tij: "O bijtë e Ademit, a nuk ju pata paralajmëruar që të mos e adhuronit shejtanin, se në të vërtetë ai është armiku juaj i hapur, dhe që të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë!" [Ja sin 60]. Pastaj melekët thonë: "…shumica e tyre besonin në to”. Ata u besonin xhindëve dhe u nënshtroheshin atyre, sepse iman do të thotë që të besosh e ta lidhësh zemrën me diçka, lidhje kjo e cila sjell nënshtrimin dhe bindjen ndaj asaj gjëje. Pasi melekët distancohen prej tyre, Allahu i Madhëruar u thotë melekëve: - Kështu, atë ditë ata nuk do të kenë asgjë në dorë t’i bëjnë dobi e as dëm njëri-tjetrit. - Tashmë nuk ka asnjë mundësi lidhjeje dhe dobie mes jush. Asnjë dobi nuk mund t'i sillni njëri tjetrit! - Dhe keqbërësve do t'u themi: “Shijojeni dënimin e zjarrit - atë që e quanit gënjeshtër!” - Këto fjalë do t'u thuhen atyre që bëjnë padrejtësi, duke mohuar mësimin e vërtetë dhe duke bërë gjynahe e paudhësi, kur ata të hyjnë në Zjarr: “Shijoni dënimin e Zjarrit, të cilin e konsideruat gënjeshtër! Tani që hytë në të, ju po e shihni me sytë e ballit atë që e mohonit. Ky është shpërblim i merituar për mohimin tuaj. Ky është ndëshkimi për ato vepra të këqija që ju i kryenit për shkak se nuk besonit. Ju nuk u kujdesët që të ruheshit nga ky ndëshkim nëpërmjet veprave që Zoti ju urdhëroi t'i bënit.

← Sebe 34:40