← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

34. Sebe · Ajeti 43 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:34–34:45

Duke u mbështetur në forcën e vet, pasanikët gjithnjë refuzonin mësimet e pejgamberëve e ndonjëherë jusitifikoheshin me atë se sikur të mos ishin të mirë te Zoti, Ai nuk do t'u jepte pasuri e fëmijë, pra edhe thoshin se nuk do të na dënojë. Ata nuk e kuptonin se Zoti është Ai që sipas urtësisë së Vet bën përndarjen e begative, dikuj i jep më shumë e dikuj më pak, por kjo nuk do të thotë se pasanikët janë më afër Zotit. Më afër janë ata që besuan dhe bënë punë të mira. Shpërblimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, andaj edhe do të vendosen në villat më të larta të xhennetit. Pasanikët do të duhej të shpenzonin për në rrugën e Zotit, meqë Ai do t'u kompensojë atë, e jo të përpiqen të mohojnë faktet e Zotit.

Pati popuj që adhuronin engjëjt, ndonjë pejgamber e diçka tjetër, e ditën e kijametit u bëhet pyetja engjëjve, se a mos juve u adhuruan" Kjo ka për qëllim demaskimin e të gjithë atyre që pos Zotit adhuruan diçka tjetër, pra së pari idhujtarët.

Idhujtarët mekas, edhe pse nuk dinin se si është pejgamberi, si është shpallja ose libri, ata mohuan Pejgamberin, mohuan Kur'anin, e nuk kuptonin se mohuesit para tyre, të cilët ishin nja dhjetë herë më të fuqishëm se këta, nuk i shpëtoi forca e tyre prej shkatërrimit që u solli Zoti, e edhe këta nuk do të mund të shpëtojnë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:43–34:45

- “E, kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata thonë: “Ky është veçse një njeri që dëshiron t’ju shmangë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj” dhe: “Ky (Kur’ani) është veçse një gënjeshtër e trilluar!”” - Allahu i Lartësuar na tregon se mohuesit e besimit të vërtetë e meritojnë tërësisht ndëshkimin, sepse ata - edhe pse i dëgjonin ajetet e sjella me besnikëri nga Profeti i Tij, - thoshin: “Ky është veçse një njeri që dëshiron t’ju largojë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj.” Me këtë, ata mëtonin se feja e të parëve të tyre ishte e

vërteta e sigurt, ndërsa feja e Muhamedit ishte gënjeshtër. Allahu i mallkoftë ata dhe paraardhësit e tyre, që mohuan besimin e vërtetë dhe refuzuan këtë dritë të qartë të sjellë nga Zoti. Ata thoshin gjithashtu: “Ky është veçse një gënjeshtër e trilluar!” Kështu e vlerësonin ata. I Lartësuari vijon me përshkrimin e tyre: - “Dhe, kur u vjen e vërteta, jobesimtarët thonë: “Kjo (feja islame / Kur’ani) është veçse një magji e qartë.” ” - Prandaj e refuzojnë me forcë këtë të vërtetë. - “Dhe Ne nuk u kemi dhënë atyre ndonjë libër që të mund ta studionin dhe as nuk dërguam tek ata ndonjë para - lajmërues (profet) para teje. ” - Allahu i Lartësuar nuk u pati zbritur arabëve ndonjë libër tjetër përpara Kuranit dhe as ndonjë profet përpara Muhamedit ﷺ . Bëhet fjalë për kohën pas Ibrahimit. 197 Ata gjithmonë dëshironin që mes tyre të dërgohej një profet, madje mëtonin se, nëse do t’u dërgohej ndonjë profet, ata do të ndiqnin udhën e drejtë më besnikërisht se popujt e tjerë.198 Megjithatë, kur Allahu i Lartësuar e dërgoi atë mes tyre, ata nuk e pranuan. - “Edhe të parët e tyre i patën mohuar Shpalljet Tona.” - Shumë popuj para tyre i mohuan profetët. Allahu i Madhëruar i përshkruan pasuritë dhe zhvillimin e atyre popujve: - “Këta nuk kanë arritur as një të dhje - tën e asaj që Ne ua patëm dhënë atyre ...” - Domethënë, as një të dhjetën e fuqisë dhe pushtetit që u dhamë në këtë jetë, - e shpjegon Ibn Abasi. Po kështu e kanë shpjeguar edhe Katade, Suddiju dhe Ibn Zejdi. I Lartësuari thotë: “Ne u patëm mundësuar atyre gjëra që nuk jua mundë-suam juve. Ne u dhamë atyre dëgjim, shi -kim dhe zemër, por as dëgjimi, as shikimi e as zemrat e tyre nuk u bënë dobi, sepse ata i refuzonin ajetet e Allahut. Ata i përfshiu dënimi me të cilin talleshin.” [Ahkaf 26]. “A nuk udhëtojnë ata nëpër Tokë dhe të shohin se si qe fundi i atyre që jetuan më parë? Ata qenë më shu - më dhe më të fortë për gjurmët që kanë lënë në tokë, por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar. Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata u mburrën me ditu - rinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” [Gafir 82]. Pra, me gjithë atë fuqi e pushtet që u dhamë në jetën e kësaj dynjaje, ata nuk mundën t’i shpëtonin ndëshkimit të Zotit. Për shkak se ata i refuzuan me forcë shenjat dhe shpalljet e Tij, Allahu i Madhëruar i tronditi nga the - melet dhe i shkatërroi vendbanimet e tyre. Ai i shfarosi tërësisht qytetërimet e tyre. - “... e megjithatë, i mohuan të dërguarit e Mi. A e dini se si ishte dënimi Im! ” - Si ishte ndëshkimi Im dhe cila qe ndihma që u dhurova profetëve të Mi?

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:43

Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e idhujtarëve kur atyre u lexohen ajetet e qarta të Tij, argumentet e Tij të shfaqura e të dukshme, dhe faktet e Tij të pacenueshme dhe të prera, të cilat afrojnë dhe udhëzojnë rreth çdo të mire dhe të ndalojnë e këshillojnë të ruhesh nga çdo ligësi. Madje, këto fakte dhe argumente e kjo Shpallje e mrekullueshme janë mirësia më e madhe që Zoti u ka dhënë njerëzve dhe dhurata më e çmuar që u ka mbëritur. Ato duhet që të priten dhe respektohen nga krijesat, duke i besuar dhe pohuar si të vërteta të padiskuteshme, sipas të cilave duhet të nënshtrohesh, të jetosh dhe të adhurosh Zotin e gjithësisë dhe t'i dorëzohesh dhe t'i përulesh Atij. Por këta të mjerë bëjnë krejtësisht të kundërtën e kësaj dhe e mohojnë Shpalljet, që Zoti solli përmes profetëve. Ata i fyejnë dhe përdhosin figurën e profetëve, duke thënë për secilin

prej tyre: Ky është veçse një njeri, i cili dëshiron t’ju largojë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj. Ky është qëllimi i tij kur ju urdhëron që ta adhuroni Allahun si një të vetëm me sinqeritet. Ai synon që ju të braktisni rrugën e të parëve tuaj dhe të mos i respektoni ata. Kështu e refuzojnë të vërtetën, duke dëgjuar fjalët e të humburve dhe nuk pyesin për argumente a fakte të besueshme. Madje, as që i vënë në dyshim fjalën e tyre. Mendoni pak në arsyetimin e këtyre njerëzve të humbur dhe justifikimin e tyre për të mos pranuar të vërtetën që sollën profetët! Profeti i fton në të drejtën, që është e mbështetur me mrekulli, por edhe nga ana e logjikës dhe natyrës së pastër, kurse ata e refuzojnë, sepse të parët e tyre dhe vëllezërit e tyre që janë në të njëjtën rrugë të humbjes nuk e kanë pranuar ftesën e Profetit dhe vazhdojnë në atë rrugë që ishin. Meqë ata nuk e kanë pranuar ftesën e profetëve, - thonë ata, - edhe ne nuk do ta pranojmë. A është kjo një përgjigje që e jep një i mençur? Po të mendosh me kujdes kjo është mënyra që përdorin ata që nuk duan besimin, për të justifikuar refuzimin e ftesës së Zotit për të besuar drejt. Gjithmonë do t'i shohësh se ata paraqesin si argument fjalët dhe arsyetimet e idhujtarëve të hershëm ose filozofëve mosbesimtarë, e grupacioneve të shumta të humbura që e kanë refuzuar të vërtetën. Këta të mjerë mendojnë se, duke qenë se po marrin mendimin e këtyre njerëzve e grupeve të humbura, janë në rregull. Kështu do të vazhdojnë ta refuzojnë të vërtetën ata që nuk e duan atë, duke marrë si shembull të gjitha këto grupacione të humbura, që llomotitin kotësira, thjesht për të refuzuar të vërtetën dhe nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të medituar rreth saj e për të gjykuar me drejtësi. Pasi këta të mjerë argumentojnë se pasojnë veprat dhe rrugën e të parëve të tyre dhe pretendojnë se është kjo arsyeja pse e refuzojnë të vërtetën, ata vijojnë që të shpifin kundër të vërtetës dhe të mbajnë një qëndrim edhe më armiqësor e refuzues ndaj saj. Ata thonë: “Ky (Kurani) është veçse një gënjeshtër e trilluar! Këto janë thjesht një mashtrim e trillim i këtij njeriu. Kjo (Feja, Kurani) është veçse magji e qartë!” janë magji e qartë dhe e dukshme, që mund ta dallojë çdokush.” Sigurisht, të gjitha këto fjalë janë si një rrugëdalje për të mohuar të vërtetën dhe për të mashtruar dhe manipuluar mendjen e të paditurve. Ata shpifin gënjeshtra për të bërë sa më të lehtë mohimin e të vërtetës.

← Sebe 34:43