أَفَلَمۡ يَرَوۡاْ إِلَىٰ مَا بَيۡنَ أَيۡدِيهِمۡ وَمَا خَلۡفَهُم مِّنَ ٱلسَّمَآءِ وَٱلۡأَرۡضِۚ إِن نَّشَأۡ نَخۡسِفۡ بِهِمُ ٱلۡأَرۡضَ أَوۡ نُسۡقِطۡ عَلَيۡهِمۡ كِسَفٗا مِّنَ ٱلسَّمَآءِۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَأٓيَةٗ لِّكُلِّ عَبۡدٖ مُّنِيبٖ
A nuk e shohin qiellin e tokën që i ka rrethuar ata para dhe prapa? Sikur të duam, Ne e shafitim tokën me ta ose shembim mbi ta copa nga qielli. S'ka dyshim se në këtë ka argument për secilin njeri që kthen mendjen te Zoti.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pesë kaptina fillojnë me “Elhamdu Lil-Lahi...” Një prej tyre është kjo dhe falënderimi që i takon Allahut të Madhëruar ka të bëjë edhe me të mirat e kësaj bote, ndërsa falënderim i posaçëm i bëhet në botën tjetër, kur besimtarët e sinqertë gjejnë kënaqësinë që ua dhuron, por falënderimi ndaj Tij në këtë botë është obligim për njerëzit, e falënderimi që do t’i shprehet në botën tjetër është nga gëzimi. Edhe në këtë kaptinë Muhamedi a.s. urdhërohet të betohet në Zotin, se do të vijë Kijameti, do të ringjallen njerëzit dhe se do të përgjigjen për vepra. Është menduar se pjesa më e imtë e materies është atomi, e këtu, në këtë kaptinë e gjejmë fjalën e Zotit, që iu kumtua Muhamedit a.s. para katërmbëdhjetë shekujsh, se ka pjesë edhe më të imëta, që nuk mund t’i shohë njeriu në asnjë mënyrë, e ka edhe aq të mëdha, saqë prapë njeriu nuk mund t’i përfshijë me shikimin e vet. Këtë thënie tashmë e ka vërtetuar shkenca. Pra asnjë vepër, fjalë a send, nuk është që nuk ka efektin e vet pozitiv ose negativ, e njeriu do të përgjigjet për të gjitha. E mu këtu qëndron shkaku, pse kriminelët donin të talleshin me Muhamedin a.s., kur ai iu shpjegonte, se do të ringjallen e do të përgjigjen. Kriminelët nuk mendonin, se qiej e tokë janë krijime të Zotit, pra janë të rrethuar prej fuqisë së Tij nga të gjitha anët, e Ai ka fuqi t’i ringjallë.