35. Fatir · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures Fatir Sherif Ahmeti
E zbritur në Mekë, pas sures Furkanë, ajete: 45
Kaptina Fatir zbriti para shpërnguljes së Muhammedit, a.s. Edhe kjo sure i kushtohet qëllimit të përgjithshëm, për shkak të të cilit u shpallën pjesët e Kur'anit në Mekë, e të cilat si qëllim kryesor kanë: vërtetimin për çdo pejgamber që thirri në besim ndaj një Zoti, sjelljen e argumenteve mbi njësinë dhe ekzistencën e Tij, rrënimin e themeleve të idhujtarisë, pastrimin e zemrave nga ato bindje e sjellje të ndyta dhe pajisjen e njerëzve me një moral të lartë Kjo sjell shembuj mbi dallimin e besimtarit dhe jobesimtarit, duke marrë si shembull konkret të verbërin dhe syshëndoshin, errësirën dhe dritën, freskinë dhe vapën, të gjallin dhe të vdekurin.
Bëhet fjalë për llojllojshmërinë e krijesave si: frutat dhe pemët e ndryshme, njerëzit dhe shtazët, format e ndryshme të maleve e të gurëve, shtresat e tokës, gjë që të gjitha këto argumente vërtetojnë ekzistimin e Krijuesit fuqiplotë Flitet për trashëgimin e shpalljes më të lartë qiellore, të cilën e trashëgon ymmeti më i zgjedhur, ymmeti Muhammed. Mandej përmendet se ky yminet do t'u takojë tri kategorive: asaj që lë mangu në zbatim, asaj që është e mesme e punëmirë dhe asaj që është më e zgjedhura.
Quhet: "Suretu Fatir" - kaptina Fatir, e për hir të këtij emri të Zotit, i cili përmendet në fillim të kaptinës, e që jep të kuptohet se Zoti është shpikës, zanafillës, krijues i parë pa kurrfarë gjedhe të mëparshme, edhe sureja e merr emrin Fatir.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 35:1–35:14
Allahu që krijoi qiej e tokë pa ndonjë model të mëparshëm, që i krijoi engjëjt dhe i bëri ndërmjetësues mes Tij dhe pejgamberëve, që ka fuqi t'i krijojë krijesat ashtu si të dojë, i takon çdo falënderim e lavdërim.
Sipas këtij ajeti të Kur'anit dhe sipas shumë haditheve të sakta, melaiket janë me krahë, me lloj-lloj palë krahësh, edhe pse ne e dimë se ata nuk janë trupa fizikë.
Allahu që shpiku çdo send, e mban edhe sundimin ndaj çdo sendi, të mirën që ta jep Ai, nuk mund ta pengojë kush dhe atë që Ai nuk ta jep, nuk mund ta japë kush tjetër, andaj të mirave të Tij duhet falënderuar, por jo vetëm me gojë.
Muhammedit a.s. i jepet të kuptojë se edhe të dërguarit para tij u quajtën rrenacakë, andaj nuk duhet të brengoset.
Kumtesa e Zotit se do të ringjalleni, se ka xhennet dhe xhehenem, është e saktë, andaj nuk duhet shkuar pas mësimeve të shejtanit dhe nuk duhet mashtruar pas kësaj jete e të humbim jetën tjetër, pse duhet ditur se shejtani është armik i njeriut dhe mësimet e tij çojnë në xhehenem. Gjithashtu Muhammedit i thuhet që të mos e dëmtojë veten nga dëshpërimi pse disa nuk po besojnë. Ajo është punë e Zotit. Ai e di kush do të mbetet në errësirë e kush do ta gjejë dritën, andaj të keqit i duket e mirë puna e keqe, e nuk largohet prej saj.
I Kush dëshiron të jetë i ndershëm, krenar, i autoritetshëm, atë le ta kërkojë prej Allahut me I besim e me vepra të mira, e Ai do t'i dhurojë atë në të dy jetët, e dredhia është e asgjësuar.
Ai Zot që njeriun e parë e krijoi nga dheu, e origjinën e tij e vazhdoi përmes një pike uji, i di të gjitha, e di çka ka në barkun e nënës, kur do të lindë, sa do të jetojë etj.
Deti i ëmbël dhe i njelmëti, janë shembull i besimtarit dhe i jobesimtarit.
Pozicioni i tokës ndaj diellit dhe forma e rrumbullakët e saj, bëjnë që nata e dita të zgjaten ose të shkurtohen, e të gjitha këto janë fakte që dokumentojnë për fuqinë dhe mjeshtërinë e Allahut.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 35:1
- “I lavdëruar qoftë Allahu, Krijuesi i qiejve e i tokës (nga asgjëja), i Cili i bëri melekët të dërguar me nga dy, tre dhe katër palë krahë.” - Allahu është Ai i Cili i krijoi ato nga hiçi. Ai i bëri melekët të dërguar e lajmëtarë mes Tij dhe profetëve të Tij. Allahu i Lavdëruar i bëri melekët me flatra, nëpërmjet të cilave ata fluturojnë për të çuar në vend urdhëresat e Zotit, në mënyrë të shpejtë, të menjëhershme. Allahu i Lartësuar thotë: “... i bëri melekët të dërguar me nga dy, tre dhe katër palë krahë.” Pra, disa prej tyre kanë dy palë krahë, tre, katër palë, madje disa kanë edhe
më shumë se kaq, sikurse vjen në hadithin, që thotë se: 2208. “Profeti i Allahut pa Natën e Israsë Xhibrilin, i cili kishte 600 flatra. Hapësira mes çdo çifti flatrash ishte si hapësira mes lindjes dhe perëndimit.” - “Ai shton në krijim çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” - Sudiu shpjegon: “Domethënë, Allahu shton në numrin e flatrave të melekëve dhe në formësimin e tyre çfarë të dëshirojë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 35:1–35:2
- I lavdëruar qoftë Allahu, Krijuesi i qiejve e i tokës (nga asgjëja) , - Allahu i Lartësuar e lavdëron veten e Vet për krijimin e qiejve dhe të tokës dhe të çdo krijese në to. Ai e lavdëron veten sepse ky krijim madhështor tregon për pushtetin e Tij të gjerë, sundimin e Tij gjithëpërfshirës, për
mëshirën e Tij të pashembullt, për urtësinë e Tij të paanë e diturinë e Tij të pafund. Pasi përmendi faktin që Ai është Krijuesi i gjithçkaje, vijoi të përmendë edhe çështjet e tjera plotësuese, që janë domosdoshmëri për krijesat: - i Cili i bëri melekët të dërguar me nga dy, tre dhe katër palë krahë. - Melekët e Zotit janë zbatuesit e urdhrave të Tij të krijimit dhe të përkujdesit për krijesat. Ata janë të ngarkuarit e Zotit për trasmetimin e urdhëresave dhe ligjeve të Tij fetare. Vërej me kujdes kur Allahu thotë: "… i Cili i bëri melekët të dërguar..." Kjo fjali i përfshin të gjithë melekët e Zotit, gjë që tregon se të gjithë melekët e Zotit janë rob të bindur dhe të nënshtruar ndaj Tij. Duke përshkruar melekët, Allahu i Madhëruar thotë: "... nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron. Ata zbatojnë gjithçka për të cilën urdhërohen." [Tahrim 6]. Duke qenë se melekët përmbushin urdhrat e Tij, Allahu i Madhëruar përmend forcën e tyre të madhe, shpejtësinë dhe saktësinë e përmbushjes së detyrave të tyre. Ai na tregon se i ka bërë melekët: "...me nga dy, tre dhe katër palë krahë”, që të fluturojnë me shpejtësi në zbatimin e detyrave të Zotit. Ai i ka bërë ata me dy, tre dhe katër palë krahë, sipas urtësisë së Tij. - Ai shton në krijim çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. - Allahu i Madhëruar veçon disa krijesa nga disa të tjera me cilësi të spikatura, për shembull, me forcë të madhe ose bukuri, me gjymtyrë të shtuara më shumë nga e zakonshmja, me zë të bukur që të mahnit etj. - Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga Mëshira e Tij, askush nuk mund ta pengojë e atë (mirësi) që Ai e ndal, askush përveç Tij nuk mund ta japë; - Çdo gjë që Ai e dëshiron mund ta realizojë dhe askush nuk mund ta pengojë Atë. Nga këto çështje janë edhe shtesat dhe ndryshimet që Ai bën në disa nga krijesat e Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për faktin se Ai është i vetmi që përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave, që jep dhe privon, ashtu siç e kërkon urtësia e Tij. Ai thotë: - Ai është Ngadhënjimtari, i Gjithëdituri. -Kjo është një nxitje për ta lidhur zemrën veçse me Allahun e Madhëruar dhe që t'i shprehësh Atij varfërinë dhe nevojën e madhe, në të gjitha aspektet. Vetëm Atij t'i përgjërohesh dhe t'i lutesh dhe vetëm Atij t'i frikësohesh dhe tek Ai të shpresosh. Ai është Ngadhënjimtari i Plotfuqishëm, që ka nënshtruar çdo krijesë. Ai është i Urti, që çdo gjë e vendos në vendin e vet dhe i jep atë që meriton.