← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

35. Fatir · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 35:15–35:28

Çdo krijesë, a gjallesë, e në mesin e tyre edhe njeriu, kanë nevojë për të mirat e Zotit në çdo çast dhe në çdo gjendje, ndërsa Allahu nuk ka nevojë për krijesa, vetvetiu është i lavdëruar. Nëse Ai dëshiron, i zhduk njerëzit e një kohe dhe sjell të tjerë, sepse është i pavarur.

Në ditën e kijametit secili do të përgjigjet për veprat e veta, askush, e edhe më i afërmi, nuk do të pranojë të bartë përgjegjësinë për mëkatet e tjetrit. Ky është ligj i Allahut.

Krahasimi që bëhet në mes të verbërit dhe syshëndoshit, errësirës e dritës, freskisë e vapës, të gjallëve e të vdekurve, aludon në besimtarin dhe jobesimtarin. Veni re! Errësira vjen në trajtën e shumësit, errësirat-zulumatë, ngase rrugët e gabuara janë të llojllojta, ndërsa drita, e vërteta është një, andaj edhe vjen në numrin njëjës: nurë.

Nuk pati popull që Allahu nuk i dërgoi pejgamber, por shumë popuj nuk u besuan, edhe Muhammedi nuk do të duhej të brengosej aq shumë pse edhe atij nuk i besuan.

Fuqia e Krijuesit dhe mjeshtëria e Tij e përsosur, duket në çdo dukuri në gjithësi, siç është uji që i jep jetë çdo bime e gjallese, e ato mandej janë të ngjyrave e shijeve të ndryshme. Andej, ai ndryshim vërehet edhe në shtresat e tokës - e bardhë, e kuqe, e zezë. Vërehet edhe në gjallesa, në njerëz, në shtëpiake, e këtë fuqi dhe këtë mjeshtëri të Krijuesit e kuptojnë dhe u përulën vetëm njerëzit e dijshëm, të cilët në përpjekjet e tyre për zbulimin e fshehtësive në natyrë, arrijnë ta njohin dhe ta kuptojnë Krijuesin e plotfuqishëm.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 35:15–35:18

- “O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun …” - Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Lartësuar u drejtohet njerëzve dhe u thotë se ata janë nevojtarë për Të, në të gjitha

lëvizjet e tyre, ndërsa Allahu është i pasur e nuk ka nevojë për ta. - “... kurse Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar.” - Ai është i vetmi që nuk ka nevojë për asgjë e askënd dhe i pasur në çdo gjë. Ai është i vetëm në këtë veçori dhe nuk ka ortak apo të ngjashëm me Të, në pasu - rinë e lavdinë e Tij. Gjithashtu, Ai është i Përlëvduari, për të gjitha fjalët dhe veprat e Tij, për çdo ligj që ka përcaktuar në këtë dynja, sipas të cilit ajo funksionon dhe në çdo ligj që ka vendosur për krijesat, përmes profetëve të Tij, sipas të cilit ata duhet të jetojnë dhe ta adhurojnë Atë. - “Po të dëshironte, Ai mund t'ju zhdukte e të sillte krijesa të tjera, dhe kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun. ” - Po të dëshironte Ai, do t’ju zhdukte dhe t’ju zëvendësonte me të tjerë. Kjo nuk është aspak e vështirë apo e ndaluar për Zotin. - “Askush nuk do të ngarkohet me barrën (gjynahet) e tjetrit. ” - Ditën e Kijametit, askush nuk mund të mbajë peshën apo gjynahun e tjetrit. - “Edhe nëse i rënduari me gjynahe thërret ndonjë për t’ia bartur ato, askush nuk do të mund t'ia bartë ato, edhe sikur të jetë nga të afërmit e tij. ” - Nëse dikush, që është i rënduar nga pesha e rëndë e gjynaheve të veta, do t’i kërkonte ndihmë dikujt, për ta mbartur atë peshë, qoftë edhe një pjesë të vogël të saj, kjo nuk do të bëhej, edhe sikur ai të ishte prindi, biri, vëllai, gruaja, të afërmit dhe miqtë e vet. Secili ka hallin e vetes së vet, sikurse thotë i Lartësuari: “Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” [Abese 34 - 37]. Nëse u kërkon atyre të mbajnë një pjesë të peshës, askush nuk do t’i përgjigjet kësaj kërkese, madje do të thonë: “... shumë e pakët është kjo që kërkon, por unë kam frikë një lloj sikurse t i frikësohesh dhe nuk mund të të jap gjë.” Kështu, ai kërkon prej të gjithë këtyre që t’i falin ndonjë sevap e t’ia lehtësojnë peshën e rëndë, por ata japin të njëjtën përgjigje, pa asnjë ndryshim. Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj dhe kijeni frikë atë Ditë kur prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet dhe as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. ...” [Lukman 33]. - “Ti mund t’u tërheqësh vërejtjen veçse atyre që e kanë frikë Zotin e tyre në fshehtësi dhe e falin rregullisht nama - zin.” - Nuk ka dyshim se nga Shpallja, që Profeti solli ndër njerëz. marrin mësim vetëm ata të cilët janë të mençur dhe shohin me dritën e Zotit, ata të cilët i frikësohen vërtet Zotit të tyre dhe këtë frikë e shprehin duke vepruar dhe përmbushur çdo porosi, urdhëresë dhe rregull të vendosur prej Tij. - “Kush e pastron veten, e ka për të mirën e vet ...” - Ai i cili bën punë të mira, në fakt, mirësia dhe shpërblimi i këtyre punëve i kthehet vetë atij, për të mirën e vetes së vet. - “... dhe tek Allahu do të kthehen të gjithë.” - Tek Allahu do të jetë kthimi dhe Ai do të shpërblejë gjithësecilin me atë që e meriton.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 35:15–35:18

- O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun - Allahu i Madhëruar u drejtohet të gjithë njerëzve dhe u tregon për gjendjen e tyre nevojtare, si atribut i tyre i pandashëm. Ai u tregon se ata janë të varfër dhe nevojtarë para Tij nga çdo drejtim. 1. Së pari, Ai i bëri që të ekzistojnë. Nëse Ai nuk do t'i bënte të ekzistonin, ata nuk do të ekzistonin. 2. Ata janë nevojtarë që Allahu t'i pajisë me fuqi e aftësi, me gjymtyrë e shqisa. Nëse Allahu nuk do t'i pajiste me to, ata nuk do të mund të kryenin asgjë. 3. Ata janë nevojtarë që Allahu t'i furnizojë e ndihmojë me mirësi të shfaqura e të fshehura. Nëse nuk do të ishte mirësia, bujaria dhe lehtësimi i veprave nga Ai, asnjë mirësi dhe domosdoshmëri të jetës nuk do të mund të arrinin. 4. Ata janë nevojtarë tek Allahu që Ai të largojë prej tyre çdo ligësi e sprovë të rëndë, çdo dëshpërim nga hallet e kësaj dynjaje e të ahiretit. Nëse nuk do të ishte mbrojtja e Tij e mëshirshme dhe largimi i fatkeqësive e rëndesave prej Tij, ato do të

ishin të vazhdueshme mbi robin dhe do ta shkatërronin jetën e tij. 5. Ata janë nevojtarë për edukimin dhe përkujdesin e Tij (si dhe për rregullimin e veprave nga ana e Tij). 6. Ata janë nevojtarë edhe që ta adhurojnë Atë me dashuri. Ata kanë nevojë ta duan Atë, të shpresojnë tek Ai, t'i frikësohen e përgjërohen në adhurime, kanë nevojë t'i shprehin Atij sinqeritetin e plotë në adhurimet e tyre. Kështu lumturohen shpirtrat e tyre dhe gjejnë gëzimin dhe kuptimin e jetës. Nëse Ai nuk do t'i udhëzonte dhe të krijonte në zemrat e tyre këtë besim, ata do të ishin shkatërruar, shpirtrat e tyre do të kishin vdekur, zemrat e tyre do të ishin verbuar dhe gjendja e tyre do të ishte e pashpresë. 7. Ata janë nevojtarë që Ai t'u mësojë atë që nuk e dinë dhe t’u japë forcë që të kryejnë atë që u sjell dobi dhe rregullon gjendjen e tyre. Nëse Ai nuk do t'i mësonte, asgjë nuk do të dinin dhe nëse nuk do t'u jepte fuqi të bënin vepra të mira, gjendja e tyre nuk do të përmirësohej. 8. Ata janë të varfër e nevojtarë kundrejt Tij me gjithë qenien e tyre, në çdo kuptim e këndvështrim, edhe pse ata nuk e kuptojnë ndonjë aspekt të kësaj nevoje. Më i përkryeri është ai njeri që e ndien nevojën e tij në çdo gjendje e çast, si në çështjet e dynjasë, ashtu edhe në çështjet e fesë dhe besimit. Për këtë arsye, të tillë njerëz i sheh që gjithmonë t'i luten e përgjërohen me këmbëngulje Allahut që kurrë të mos i lerë të mbështeten në forcat e tyre, as një çast të shkurtër sa një pulitje sysh. Ata i luten që Ai t'i ndihmojë e t'u japë dituri e forcë në çdo vepër e çështje. Kjo është një ndjenjë nevoje, që i shoqëron ata në çdo çast të jetës. Këta e meritojnë që Zoti t'i ndihmojë dhe t'i mëshirojë në varfërinë e nevojën e tyre. E si të mos i ndihmojë Ai, që është më i mëshirshëm për ta sesa prindërit për fëmijën e tyre.37 - kurse Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar. - Ai është i pasur dhe s’ka nevojë për asnjë. Atij i takon pasuria e pavarësia e plotë nga çdo aspekt. Allahu nuk ka nevojë për atë që kanë nevojë krijesat e Tij dhe nuk është i varur e nevojtar, siç janë krijesat. E si mund të ketë nevojë Ai që është i Plotë dhe Absolut në cilësitë e Tij. Të gjitha cilësitë e Tij janë të plota dhe absolute, pa asnjë mangësi dhe të gjitha atributet e Tij janë madhështore dhe të bukura. Pjesë e pasurisë së pushtetit të Tij të madh është edhe fakti që Ai i pasuron dhe furnizon krijesat e Tij në dynja dhe në ahiret. Allahu është i Lavdëruari në Veten e Tij dhe në cilësitë e Tij, sepse të gjitha ato janë të bukura. Ai është i Lavdëruari për atributet dhe veprat e Tij, që janë të larta dhe të ndërtuara mbi bujarinë, bamirësinë, drejtësinë, urtësinë e mëshirën. Ai është i Lavdëruar edhe për të gjitha urdhëresat e ndalesat e Tij, për ligjin e Tij të mrekullueshëm, sipas të cilit krijesat duhet ta adhurojnë dhe duhet të ndërtojnë jetën e tyre. Ai është i Lavdëruar e meriton dashurinë e plotë e çdo përlëvdim për ato cilësi e vepra të Tij dhe për gjithçka e çdo ligj, mirësi e porosi që vjen prej Tij. Allahu është i Lavdëruar në pasurinë e Tij dhe faktin që është i Vetëmjaftueshëm. Ai është i Pasur e nuk ka nevojë për lavdërimin e krijesave. - Nëse do të dëshironte Ai mund t'ju zhdukte e të sillte krijesa të tjera. - Kuptimi: Nëse Ai dëshiron, mund t'ju zhdukë juve dhe të sjellë njerëz të tjerë, që të jenë të bindur dhe adhurues të mirë. Këtu kemi të bëjmë me një kërcënim për shfarosje, dhe nëse Allahu dëshiron diçka, askush nuk mund ta pengojë a ndalojë atë që Ai dëshiron. Por ka mundësi të ketë një kuptim tjetër: Nëse dëshiron Ai, e sjell fundin e jetës suaj në këtë dynja, dhe pastaj ju ringjall, për t'ju marrë në llogari e për t'ju shpërblyer e ndëshkuar, sipas veprave tuaja. Dhe dëshirën dhe premtimin e Tij askush nuk mund ta kthejë pas. Ai është i Plotpushtetshëm që t'ju ringjallë pas vdekjes suaj. Por kjo ka një kohë të përcaktuar nga Zoti se kur do të ndodhë, që as nuk do të shpejtohet e as mund të vonohet.

- Dhe kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun. - Nuk ka asgjë të pamundur për Zotin dhe asgjë nuk mund ta pengojë Atë për atë që dëshiron. Për kuptimin e dytë tregon edhe konteksti i ajeteve në vazhdim. I Lartësuari thotë: - Askush nuk do të ngarkohet me barrën (gjynahet) e tjetrit. - Ditën e Kijametit, çdokush do të shpërblehet sipas veprave të tij dhe askush nuk do të bartë gjynahet e të tjerëve. - Edhe nëse i rënduari me gjynahe thërret ndonjë për t’ia bartur ato, askush nuk do të mund t'ia bartë ato, edhe nëse është nga të afërmit e tij. - Njerëzit që janë të ngarkuar me gjynahe e padrejtësi do të kërkojnë që ndokush t'i ndihmojë e të mbajë një pjesë të peshës së atyre gjynaheve, po askush nuk ka për t'i ndihmuar, edhe sikur të jenë të afërmit dhe miqtë më të ngushtë në këtë dynja. I afërmi nuk pyet aspak për të afërmin. Gjendja në ahiret ndryshon nga dynjaja, në të cilën të dashurit bëjnë për njëri tjetrin dhe shoku e ndihmon shokun. Ndërsa Ditën e Gjykimit, njeriu do të dëshirojë të gjejë ndonjë mundësi sado të vogël për të përfituar diçka nga të tjerët. Aty njerëzit do t'i kërkojnë me të madhe çdo padrejtësi që u kanë bërë të tjerët. Madje, edhe sikur të bëhej fjalë për prindërit dhe të afërmit, do të kërkojë prej tyre edhe një grimcë të drejte, sado e vogël të jetë ajo. - Ti mund t’u tërheqësh vërejtjen veçse atyre që e kanë frikë Zotin e tyre në fshehtësi dhe e falin rregullisht namazin. - Kështu, paralajmërimet u sjellin dobi veçse këtyre lloj njerëzve. Ata e kanë frikë Zotin e tyre edhe kur janë mes njerëzve dhe i shohin të tjerët, por edhe kur nuk i sheh askush veç Zotit. Këta e falin rregullisht dhe me shumë kujdes namazin, duke përmbushur kushtet, shtyllat, detyrat dhe çdo fjalë e vepër të pëlqyeshme të namazit. Ata përpiqen që ta falin namazin duke përmbushur atë që konsiderohet si thelbi dhe shpirti i namazit: frikërespekti e përunjësia ndaj Zotit. Kështu, ata e përforcojnë drojën nga Zoti në zemrat e tyre. Është pikërisht kjo drojë, që i bën ata të jenë shumë të kujdesshëm në përmbushjen e çdo urdhërese të Zotit dhe në largimin e ruajtjen nga çdo ndalesë. Ata i frikësohen dënimit të Allahut, nëse i shkelin këta kufij. Namazi i forcon ata për të bërë vepra të mira dhe për t'u larguar nga çdo ligësi. - Dhe kush e pastron veten, e ka për të mirën e vet dhe tek Allahu do të kthehen të gjithë. - Ai e pastron veten nga mangësitë e gabimet, nga syfaqësia, mendjemadhësia, mashtrimi, hilet, intrigat e hipokrizia e shumë cilësi të ulta. Nga ana tjetër, Ai stoliset me cilësi të larta, si vërtetësia, çiltërsia, modestia, butësia, dhembshuria, dashamirësia për të tjerët, si edhe zemërpastërtia nga urrejtja, zilia e shumë cilësi të ulta të moralit. Çdokush që e pastrohet nga ligësitë dhe stoliset me virtyte të larta, i bën dobi veçse vetes. Asgjë nga këto vepra të mira nuk ka për të humbur apo shkuar kot. Allahu i Madhëruar thotë: "...tek Allahu do të kthehen të gjithë." Ai do t'i

shpërblejë krijesat për atë që kanë bërë dhe do t'i marrë në pyetje për gjithçka kanë bërë. Ai nuk ka për të lënë asgjë, të madhe a të vogël pa ua nxjerë në shesh atë ditë, sepse Ai i ka ruajtur dhe shënuar plotësisht ato.

← Fatir 35:15