← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

35. Fatir · Ajeti 36 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 35:29–35:45

Ata që e lexojnë Kur'anin, e falin namazin dhe japin një pjesë të pasurisë për në rrugën e Zotit, atyre përveç shpërblimit të merituar, Zoti u dhuron edhe më shumë nga mëshira e vet, pse Ai është që edhe falë gabimet edhe është mirënjohës. Kur'anin që ta shpallëm ty Muhammed, është një e vërtetë nga Zoti yt, e jo shpikje jotja, e popullit më të zgjedhur, ymetit të Muhammedit ia lamë në trashëgim që të veprojë sipas tij deri në ditën e kijametit, mirëpo, prej tyre do të ketë që e lexojnë, por nuk veprojnë, e të tillët dëmtojnë veten - dhalimun linefsihi. Disa të tjerë bëjnë punë të mira dhe në shumicën e rasteve veprojnë sipas tij, por në disa raste lënë mangu, të tillët janë) të mesëm - muktesidun. E prej tyre do të ketë që bëjnë gara në punë të mira, e ata janë fituesit - Sabikun fil hajratë.

Pasi të vendosen të mirët në xhennete, të fillojnë t'i gëzojnë të mirat e tij, e falënderojnë Allahun në shenjë gëzimi për atë vendosje të këndshme, pa lodhje e pa brenga.

Ata që refuzuan mësimet e Zotit, i kap zjarri i xhehenemit, por nuk i mbyt, sepse ashtu rehatohen, e as nuk u lehtësohet ndëshkimi, e ata, kuptohet si gjë normale, do të thërrasin Zotin që t'i kthejë edhe njëherë në dynja e të bëjnë vepra të mira, por marrin përgjegjën: Po Ne u dhamë mjaftë jetë në dynja dhe patët mundësi të mendonit, e ju nuk menduat, tash përjetonie dënimin.. Nuk ka send që mund të fshihet prej Zotit, Ai i di edhe qëllimet e njerëzve, Ai solli popull pas populli në këtë jetë, s mosbesimi i atyre që refuzojnë, është e keqja e tyre, pse janë të larguar dhe të dëshpëruar prej mëshirës së Zotit.

E - Për idhujt që i adhuruan mushrikët, nuk kanë kurrfarë fakti por duke e mashtruar njëri-tjetrin, e nuk menduan për madhërinë e Allahut që vetëm Ai komandon me qiej e tokë, e askush tjetër.

Para se t'u vinte pejgamberi dhe para se të shpallej Kur'ani, idhujtarët kurejshitë betoheshin në Allahun se nëse do t'u vijë ndonjë pejgamber, ata do të bëheshin më të mirë se sa jehuditë ose të krishterët, të cilët devijuan mësimet e pejgamberëve të tyre, e kur u erdhi, ata edhe më shumë e kundërshtuan, duke e mbajtur veten lart dhe i bënë shumë dredhi, por dredhia i goditi vetë ata. tillë është ligji i Zotit, ai as nuk ndryshon, as nuk lakon.

Allahu është shumë mëshirues, andaj nuk ndërmerr masa ndëshkuese. Duke u bazuar në vepra të këqia të njerëzve, u jep afat që të përmirësohen, të pendohen, pse Ai ka në dorë, e në afatin e caktuar bën të veten, por është shumë i kujdesshëm ndaj robve të vet.

Me ndihmën e Zotit, Përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Fatir". Lavdëruar qoftë Allahu i madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 35:36–35:37

Pasi përshkroi gjendjen e fatlumëve, Allahu i Lartësuar tregon se çfarë që i pret të mjerët: - “Ata që mohuan i pret zjarri i Xhehenemit.” - Sikurse thotë në një ajet tjetër i Lartësuari: “Atë që do të dalë para Zotit të vet si keqbërës e pret Xhehenemi, ku as nuk do të vdesë dhe as nuk do të jetojë.” [Ta ha 74]. Në Sahih-un e Muslimit është hadithi i sakë se Profeti i Allahut ka thënë: 2221. “Banorët e Zjarrit, të cilët do të jenë përjetësisht atje, as vdesin dhe as jetojnë. ...”. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë.” [Zuhruf 77]. Në gjendjen në të cilën do të ndodhen, mohuesit e fesë së vërtetë edhe vdekjen do ta shihnin si rehati dhe shpëtim për ta, por kjo është e pamundur. - “Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin, as nuk u lehtësohet ndëshkimi. ” - Sikurse thotë në ajetet e tjera: “Kriminelët do të jenë në ndëshkimin e Xhehenemit përjetësisht. Për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim. Të pashpresë do të mbeten në të (Xhehenem) përgjithmonë! Ne nuk u bëmë asnjë padrejtësi atyre, por ishin ata që bënin padrejtësi (kundër vetes).” [Zuhruf 74 - 76]. Ose: “Atë që Allahu e drejton në Rrugë të Drejtë, ai është i udhëzuar, kurse ata që Ai i lë të humbur, për ata nuk do të gjesh asnjë ndihmës, përveç Tij. Ditën e Kijametit, Ne do t'i tubojmë ata duke i tërhequr zvarrë me fytyra përmbys, të verbër, memecë dhe të shurdhër. Vendi i tyre është Xhehenemi. Sa herë që duket se flaka po shuhet, Ne do t'ia shtojmë flakërimin.” [Isra 97]. Ose: “Me të vërtetë, Xhehenemi është në pritë. Ai është vendstrehim i keqbërësve (mosbesimtarë); ata do të mbesin atje përgjithmonë. Atje nuk do të shijojnë as freski, as ndonjë pije, përveçse ujë të valë e kalbësira, si ndëshkim të merituar. Ata nuk besojnë se do të japin llogari dhe argumentet Tona i mohojnë me forcë. Ne e kemi ruajtur çdo gjë me shkrim. Tani vuani! Ne do t’ju shtojmë vetëm se vuajtje.” [Nebe’ 21 - 30]. - “Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues.” - Ky është shpërblimi i drejtë për të gjithë ata që mohojnë Zotin e tyre dhe të vërtetën që Ai solli përmes profetëve. - “Atje ata do të klithin: “O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” - Me klithmat e tyre, ata shprehin dhimbjen e tmerrshme, duke iu përgjëruar Allahut Krenar dhe i Lartësuar që t’i kthejë sërish në dynja, që të bëjnë punë të mira, ndryshe nga ligësitë që bënë herën e parë. Por Allahu i Madhëruar e di mirë se, edhe nëse do t’i kthente në dynja, ata përsëri do t’i ktheheshin të njëjtës rrugë të keqe. Ai e di mirë se ata janë mashtrues, të pavërtetë në atë që thonë, prandaj dhe nuk ua jep atë që

kërkojnë. Allahu i Lartësuar na tregon rreth tyre: “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne i pranojmë gjynahet tona tani. Prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?” - “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si një të vetëm, ju e refuzonit, ndërsa kur i bëheshin ortakë Atij (në adhurim), ju e pranonit. Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” [Gafir 11, 12]. Pra, Ai na tregon edhe arsyen përse nuk i përgjigjet asaj kërkese. - “Por, a nuk ju dhamë Ne jetë, aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshi - ronte të merrte mësim, duke ju ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? ” - A nuk jetuat mjaftueshëm në dynja, që të përfitonit prej të vërtetës? Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme se sa është kjo kohë e mjaftueshme, për të cilën bëhet fjalë në ajet. Disa kanë thënë se është 17 vjet, disa 20 vjet, disa 40 vjet e të tjerë thonë se është 60 vjet. Në fakt, mendimi më i saktë është për 60 vjet. Kështu, Imam Buhariu në Sahihun e tij, e pikërisht në kapitullin ‘ Er-Rikak’, sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2222. “Allahu i Madhëruar ia ka shuar çdo justifikim atij njeriu që i ka mundësuar të jetojë gjashtëdhjetë vjet.”. Këtë hadith e sjellim edhe Ahmedi, Nesaiu dhe Bezari. Kjo moshë, të cilën ai që e arrin nuk ka asnjë justifikim tek Allahu i Lartë - suar, është pikërisht jetëgjatësia e shumicës së këtij umeti, sikurse thuhet në hadithin që Hasen Ibn Arafe përcjell nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 2223. “Jetëgjatësia e pjesëtarëve të umetit tim do të jetë 60 deri në 70 vjet. Pakica e tyre do ta kalojnë këtë moshë.” Të ngjashëm me këtë version e kanë sjellë edhe Tirmidhiu, Ibn Maxhe nga Hasen el Arafe. Kurse Ebu Bekër Ibn Ebu Dunja e sjell përmes një tjetër rruge transmetimi dhe me një tjetër formulim. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “...duke ju ardhur edhe paralajmëruesi i qartë.” Ibn Abasi dhe të tjerë shpjegojnë se ‘paralajmë -ruesi’, për të cilët bëhet fjalë në ajet, janë dalja e thinjave. Kurse Sudiu, Abdurrahman Ibn Zejd Ibn Eslemi thonë se është fjala për Profetin e Allahut. Ibn Zejdi, duke argu - mentuar këtë mendim, lexon fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ky (Muhammedi) është një paralajmërues, si gjithë paralajmë - ruesit e mëparshëm.” [Nexhm 56]. Ky është mendimi më i saktë i sjellë prej Katades, sikurse e citon Shejbani konkretisht: “Allahu i Madhëruar argumenton kundër robërve me moshën dhe kohën e gjatë që i ka lënë që të jetojnë dhe nëpërmjet profe - tëve që ka dërguar ndër ta.” Ky mendim është përzgjedhur edhe nga Ibn Xheriri dhe, në fakt, ky është mendimi më i dukshëm, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë. Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj.”” [Zuhruf 77, 78]. Pra, Ne jua qartësuam plotësisht të vërtetën, përmes profetëve që dërguam tek ju, por ju i refuzuat me forcë dhe iu kundërvutë të vërtetës. Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “Kush ndjek udhëzimin në rrugën e drejtë ka udhëzuar vetveten dhe kush devijon ka devijuar veçse veten e vet. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Ne nuk kemi dënuar askënd para dërgimit të profetëve.” [Isra 15]. “Nga zemërimi që ka, ai (Xhehenemi) gati sa nuk shpërthen! Sa herë që ndonjë turmë do të hidhet në të, roja do t’i pyesë: “A s’ju erdhi ndonjë paralajmërues?” Ata thonë: “Po, na erdhën paralajmërues (nga Zoti), por ne i mohuam e thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë, ndërsa ju nuk jeni gjë tjetër, por veçse njerëz në një humbje të madhe.”Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!” [Mulk 8, 9]. - “Shijoni frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmës. ” - Vuajeni ndëshkimin e zjarrit, si shpërblim i

drejtë për kundërshtimin e të vërtetës dhe luftën kundër profetëve, gjatë jetës së mjaftueshme në këtë dynja. Sot ju nuk keni asnjë ndihmës, që t’ju shpëtojë nga vuajtja, zemërimi i Zotit dhe prangat e ndëshkimit, me të cilat jeni mbërthyer.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 35:36–35:37

Pasi përmendi banorët e Xhenetit dhe gjendjen, shpërblimet dhe kënaqësitë e tyre të shumta Allahu i Lartësuar vijon të përmendë edhe banorët e Xhehenemit, cilësitë e tyre dhe ndëshkimin që i pret. Ai thotë:

- Ata që mohuan (Alahun) i pret zjarri i xhehenemit. - Cilësia e tyre është mohimi i besimit. Ata refuzojnë me inat e kokëfortësi Shpalljet që profetët i sollën prej Zotit ose i shpërfillin ato dhe e quajnë gënjeshtër takimin me Allahun dhe llogarinë para Tij. Për këta, Allahu i Madhëruar thotë: "Ata që mohuan (Alahun) i pret zjarri i xhehenemit.". Ata do të ndëshkohen me dënimet më të rënda e më të dhimbshme. - Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues. - As u jepet fund që të vdesin dhe të asgjësohen, e kështu të përfundojnë vuajtjet e tyre, dhe as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Dhimbjet, vuajtjet dhe dënimet do të jenë të vazhdueshme përgjithmonë. Ky është dënimi i merituar për çdo mohues. I Lartësuari thotë: "Kështu i ndëshkojmë Ne të gjithë mohuesit." - Dhe atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë): “O Zoti ynë! Na nxirr (prej këtu). Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” - Ata ulërasin me dhimbje dhe thonë: “O Zoti ynë! Na nxirr që të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë!” Ata e pranojnë se kanë gabuar dhe se dënimi i Allahut është i drejtë, por luten që të kthehen edhe njëherë, për të bërë vepra të mira. Atyre do t'u thuhet: - Por, a nuk ju dhamë Ne jetë aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrete mësim dhe ju pati ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? - Ne ju dhamë jetë të jetonit mjaftueshëm që të merrte mësim cilido që dëshironte të merrte mësim. Gjatë kësaj kohe, çdokush që dëshironte të merrte mësim dhe të përfitonte, mund ta bënte këtë. Në jetën e dynjasë, ju mundësuam një jetë të mirë dhe ju furnizuam me mirësi, komoditet dhe rehati. Gjatë jetës së dynjasë, ju erdhi edhe paralajmëruesi i qartë. Gjatë asaj kohe, ju sollëm shenja dhe paralajmërime të shumta, që të gjenit rrugën e drejtë. Madje, ju vumë në provë me mirësi dhe fatkeqësi, me rehati e vështirësi, që gjithmonë të ktheheshit tek Ne të penduar dhe të nënshtruar, por asgjë nga këto paralajmërime e shenja nuk ju bëri dobi. Këshillat nuk gjetën rrugë brenda zemrave tuaja. Kështu, Allahu ju dha afat gjatë gjithë jetës suaj dhe jua vonoi dënimin. Por kur koha e jetës suaj në dynja përfundoi dhe ditët tuaja morën fund, ju ishit në gjendjen më të keqe të mundshme, për të vazhduar rrugën në jetën e përtejshme, e cila është jeta ku ju do të shpërbleheni për atë që bëtë në dynja. Ndërsa ju, pikërisht tani kur është koha e llogarisë me drejtësi, kërkoni që të ktheheni pas në dynja?! Kjo që kërkoni është e pamundur dhe tashmë nuk ka më kohë për justifikim e shpëtim! Mëshirëploti i Gjithëmëshirshëm është sot i zemëruar me ju, ndërsa zjarri i Xhehenemit është i ndezur flakë e mezi pret që t'ju përvëlojë brenda tij. Banorët e Xhenetit ju kanë harruar dhe as që ju sjellin ndër mend dhe ju do të qëndroni në Zjarr përjetësisht. Ju do të vuani dënimin poshtërues e nënçmues: - Shijojini frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar. - Askush nuk mund t'ju ndihmojë e t'ju nxjerrë prej Zjarrit dhe as t'jua lehtësojë sado pak atë dhimbje e poshtërim.

← Fatir 35:36