← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

36. Ja Sin · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Ja Sin Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures "El Xhinnu", ajete: 83

Kjo kaptinë ka përfshirë si tema themelore tri sosh: Besimin në ringjallje dhe tubimin para Zotit xh. sh., rrëfimin për banorët e një fshati, dhe fakte e argumente për Njësinë e Zotit Krijues e Fuqiplotë.

Fillon me betim në Kur'anin e famshëm se është shpallje e vërtetë prej të madhit Zot, dhe se Muhammedi, bir i Abdullahut është Pejgamberi i Zotit. Mandej flitet mbi arrogancën e idhujtarëve kurejshë, se si këta përgënjeshtrojnë Pejgamberin dhe Kur'anin, andaj edhe e merituan azabin.

Pastaj sjell rrëfimin për banorët e vendbanimit "Entakije", të cilët nuk i dëgjuan mësimet e të dërguarve, nuk dëgjuan as këshillat e atij besimtarit të sinqertë, të Habib Nexharit, e si përfundim i sjelljeve të tyre ishte shkatërrimi i merituar në këtë jetë, përveç dënimit që i pret në jetën tjetër. Me këtë u tërhiqet vërejtja jobesimtarëve për pasojat që mund t'i përjetojnë për shkak se refuzojnë edhe shpalljen edhe Pejgamberin. Zatën, të gjitha tregimet në Kur'an kanë për qëllim njerëzit të marrin përvojë e këshilla.

Pas argumenteve të Zotit, të cilat manifestohen në krijesat e krijuara në këtë gjithësi, në këtë universum, pasqyrohet gjendja në ditën e kijametit, pas fryerjes në Sur, pas ringjalljes e tubimit për veçimin e kriminelëve për në xhehenem, të besimtarëve për në xhennet, e përfundon me temën themelore, me ringjallje.

Quhet: "Suretu Jasinë" - kaptina e Jasinit, ngase Allahu e filloi me të Pejgamberi ka thënë: "Çdo send ka zemër, e zemra e Kur'anit është Jasini: do të dëshiroja që kjo sure të jetë në zemër të çdo njeriu nga ymmeti imi"

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:1–36:12

Edhe këto shkronja të ndara në këtë sure, "Ja" dhe "Sinë", janë mrekulli e Kur'anit, e sipas ibni Abasit do të thotë: O njeri. Eshtë thënë se mos është emër i Pejgamberit, pasi që po vjen ajeti: Ti je nga të dërguarit.

Allahu betohet në Kur'anin se është i paprekur prej të metave, se është i shpallur prej Tij, se vërteton që Muhammedi a.s. është Pejgamber që ka për detyrë të thërrasë në rrugë të drejtë një popull që në të kaluarën e afërt nuk pati të dërguar, andaj janë naivë.

Zoti e di se disa prej tyre nuk do të besojnë, ata janë si të ishin të frenuar me koka të ngrira lart, andaj nuk u bën dobi këshilla.

Këshilla i bën dobi vetëm atij që ndjek mësimet e Kur'anit dhe i ruhet të keqes dhe kur nuk e shohin njerëzit, andaj i tilli ka shpërblim të madh.

Allahu është Ai që i ngjall të vdekurit dhe që ua paraqet çdo vepër që kanë bërë, ua shënon edhe hapat që i bënë për në namaz e punë të mira, ua shënon të mirat që i përhapën e sipas tyre punojnë edhe të tjerët e edhe të këqijat që u lanë traditë të tjerëve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:1–36:7

- “Ja, Sin! ” - Në lidhje me germat e alfabetit në fillim të sureve, kemi folur hollësisht në fillim të sures Bekare. Kush dëshiron, le të kthehet e të lexojë hollësisht atje. Allahu i Lartësuar thotë: - “Betohem në Kuranin plot urtësi. ” - Kurani është tëresisht i qartë, me drejtësi në gjithçka që përmban, si urdhëresa e porosi, dhe atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta dhe kotësia nga asnjë anë. - “... se ti (o Muhamed) je prej të dërguarve.” - Ti je në një rrugë dhe fe të drejtë, me Sheriat të mrekullueshëm e të pacenueshëm, të dhuruar nga Zoti yt.

- “Ti je në një rrugë të drejtë. (Kurani është) Shpallje e të Plotfuqishmit, Mëshi - rëplotit ...” - Kjo rrugë, kjo fe dhe ky ligj i mrekullueshëm, që t’i ke sjellë ndër njerëz, është shpallje prej Zotit të botërave, Zotit të krenarisë, ngadhënjimit, pus htetit absolut, i Cili është Er -Rahim për robërit e Tij besimtarë, sikurse thotë Ai në ajetin tjetër: “Po kështu, Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë, në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë. Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” [Shura 52, 53]. Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - “... që të mund të paralajmërosh një popull, të parët e të cilëve nuk qenë para - lajmëruar dhe ishin të pavëmendshëm.” - Këtu flitet për arabët, ndër të cilët nuk pati shkuar ndonjë paralajmërues dhe profet përpara Muhamedit ﷺ.206 - “Tashmë ka marrë fund vendimi kundër shumicës së tyre, prandaj dhe ata nuk besojnë.” - Ibn Xheriri shpjegon se kjo do të thotë që është bërë detyrë ndëshkimi për shumicën e tyre, sepse Allahu i Lartë - suar e ka vendosur dhe shkruar në librin bazë se ata nuk do të besojnë, shkrim i cili është bazuar në diturinë e Tij absolute për gjithçka.207

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:1–36:12

- Ja, Sin! Betohem në Kuranin plot urtësi. - Allahu i Lartësuar betohet në këtë Kur'an duke përmendur edhe një cilësi të Tij: urtësinë. Përkufizimi i urtësisë është: vendosja e çdo gjëje në vendin që i takon. Kështu janë urdhëresat dhe ndalesat e këtij Kur'ani: të drejta dhe me vend. Edhe shpërblimi me të mira dhe ndëshkimi me të këqija vendoset atje ku duhet dhe në lidhje me ata që e meritojnë. Të gjitha dispozitat ligjore dhe ato të shpërblimit dhe ndëshkimit që janë sjellë në këtë Kur'an janë në kulmin e urtësisë. Prej urtësisë madhështore të këtij Kur'ani është edhe fakti se ai jo vetëm që përmend gjykimin për diçka, por na tregon edhe urtësinë dhe qëllimet madhështore të këtyre gjykimeve. Allahu i Lartësuar na nxit, gjithashtu, që të përdorim mendjen për të medituar rreth shkaqeve, mësimeve apo mesazheve të dhënies së një gjykimi të caktuar. Po përse betohet Allahu i Lartësuar në Kur'anin të mbushur plot urtësi? Përgjigjja vjen më poshtë: - se ti (o Muhammed) je prej të dërguarve. - Ai betohet në këtë Libër plot urtësi për të treguar se Muhamedi (a.s) është prej të dërguarve të Tij. Ti, o Muhamed, je Profet i Allahut, si shumë profetë që janë dërguar para teje. Ti nuk je i pari i dërguar ndër njerëz. Edhe mesazhet që përcjell nga Zoti janë si të gjitha mesazhet e sjella nga profetët e parë, sepse përçojnë të njëjtat parime të besimit të pastër dhe të drejtë. Çdokush që mediton në përshkrimet dhe cilësitë e Profetit do të arrijë të dallojë veçoritë dhe dallimin e tij nga të tjerët. Kush mediton në cilësitë e përshkrimet e tua, o Profet, do të bindet se ti je ndër më të mirët e të dërguarve nga Zoti, sepse ty të janë dhënë cilësitë dhe virtytet më të larta dhe të plota. Vërej me kujdes lidhjen e ngushtë mes Kur'anit, në të cilin Zoti betohet, dhe arsyen për çfarë Ai betohet, pra, profetësinë e Muhamedit. Ajeti duket sikur thotë: Sikur të mos kishte asnjë argument tjetër që të vërtetonte profetësinë e Muhamedit, përveç Kur'anit, kaq do të ishte mëse e mjaftueshme si argument dhe dëshmi. Madje, Kur'ani madhështor është absolutisht argumenti më i fortë dhe i vazhdueshëm që tregon vërtetësinë e Muhamedit si profet i dërguar nga Zoti i gjithësisë. Çdo argument i sjellë në këtë Kur'an është argument edhe për vërtetësinë e Muhamedit si profet i vërtetë i Zotit të botëve. Pastaj ajeti na njofton për cilësinë e mrekullueshme të Profetit (a.s), që tregon më së miri se ai ishte vërtet profet i dërguar nga Allahu. Ai thotë: - Ti je në një rrugë të drejtë. - Je në rrugë të drejtë, që të çon tek Zoti dhe në vendin e nderimit dhe shpërblimit. Kjo rrugë e drejtë është e ndërtuar mbi vepra të mira të cilat përmirësojnë zemrën dhe trupin, rregullojnë jetën dhe të bëjnë të fitosh lumturinë këtu dhe në ahiret. Ato vepra përmirësojnë moralin dhe pastrojnë shpirtin. Ato të mundësojnë të fitosh shpërblime të shumfisha. Qenia në rrugën e drejtë është jo vetëm cilësi e Profetit të Zotit, por edhe atribut i fesë dhe Shpalljes që ai solli nga Zoti. Feja dhe Kur'ani që ai solli nga Zoti është tregues i rrugës së drejtë dhe i çdo pune mbi të cilën ajo rrugë ndërtohet. Vërej me kujdes madhështinë e këtij Kur'ani në kumtet që na përcjell! Ai sjell një betim në gjënë më madhështore, - që është Kur'ani plot urtësi, Fjala e vetë Zotit, dhe këtë betim e sjell për të na treguar se Muhamedi është Profeti i Tij. Sigurisht që ky betim i Allahut mjafton për t'u bindur për faktin që Muhamedi është profet i Tij. Por Allahu i Lavdëruar e ka mbështetur këtë edhe me argumente të tjera, mes të cilave është rruga e drejtë në të cilën ishte Profeti i Tij. Në këtë mënyrë, ai sikur na nxit që të meditojmë në fenë dhe rrugën në të cilën

Muhamedi e ftoi botën. Mjafton të meditoni në rrugën e drejtë në të cilën ai ftoi, për të kuptuar shumë më thjesht se ai ishte i dërguar i Zotit, prandaj është detyrë që ta ndiqni udhëzimin e sjellë prej tij. - (Kur’ani është) Shpallje e të Plotfuqishmit, Mëshirëplotit - Kjo është rruga që Allahu i Lartësuar e shpalli në Librin e Tij. Ajo është e vetmja rrugë për robërit, që të arrijnë tek Ai. Kjo rrugë është e ruajtur nga ndryshimi dhe devijimi, sepse është Ngadhënjimtari, Krenari, i Plotfuqishmi Ai që e zbriti udhëzuesin për këtë rrugë. Ajo rrugë është mëshirë e dhuruar për adhuruesit, sepse u mundëson që të arrijnë në vendin e mëshirës së Zotit. Për këtë arsye, ajeti mbyllet me këta dy emra, që sjellin siguri për vërtetësinë e rrugës dhe shpresë për shpërblimin dhe mëshirën e Zotit. Ai tha se Kur'ani është Shpallje e të Plotfuqishmit e Mëshirëplotit. - Që të mund të paralajmërosh një popull, të parët e të cilëve nuk qenë paralajmëruar dhe ata mbetën të pavëmendshëm ( ndaj Argumentave të Allahut). - Pasi u betua për vërtetësinë e Shpalljes dhe profetësinë e Muhamedit dhe solli argumente treguese të saj, Allahu i Madhëruar na tregon se dërgimi i Profetit dhe sjellja e Shpalljes ishte nga nevojat më të mëdha për njerëzimin: "Për të paralajmëruar një popull, të parët e të cilëve nuk qenë paralajmëruar..." Këta ishin fillimisht arabët, që ishin popull i paditur dhe i paqytetëruar, tek të cilët nuk ishte sjellë ndonjë shpallje qiellore apo profet. Ata i kishte mbuluar padituria dhe ishin tërësisht të zhytur në humbje. Për këtë shkak, popujt e tjerë talleshin dhe i nënçmonin arabët. Atëherë, Allahu i Lartësuar dërgoi një profet nga gjiri i tyre, që t'i pastronte, t'u mësonte Librin dhe urtësinë, kur më parë ishin në humbje të thellë. Ai e dërgoi Profetin që fillimisht t'i këshillonte e paralajmëronte ata, e pastaj të gjithë popujt e tjerë. Ai e dërgoi këtë Profet madhështor që t'i këshillonte e t'u kujtonte atë Shpallje që kishin në duart e tyre dhe që ata të pasonin të vërtetën e Zotit. Me dërgimin e Profetit, Allahu u bëri një mirësi të madhe arabëve në mënyrë të veçantë dhe gjithë botës në përgjithësi. Megjithatë, edhe pas dërgimit të Profetit, njerëzit u ndanë në dy grupe. Njëri grup e refuzoi atë Shpallje që Muhamedi solli nga Zoti dhe e shpërfillën paralajmërimin e tij. Këta janë ata për të cilët Allahu thotë: - Tashmë ka marrë fund vendimi kundër shumicës së tyre, prandaj dhe ata nuk besojnë. - Allahu nuk dëshiroi t'i udhëzonte dhe t'i bënte zemrat e tyre që të nënshtroheshin e të besonin. Ndodhi kështu, sepse Ai ua ofroi udhëzimin dhe rrugën e drejtë dhe ata e refuzuan. Kjo bëri që të dënohen me të drejtë dhe t'u vulosen zemrat e tyre, që në to të mos hyjë drita e besimit. Më pas përmendet shkaku përse drita e imanit nuk mund të gjejë rrugë për në zemrat e tyre: - Ne u kemi vënë pranga në qafë që u arrijnë deri në nofulla, kështu që ata mbeten me kokën lart. - El aglal janë ato pranga hekuri që i vendosen skllavit në qafë, që ai të mos lëvizë. Ato janë aq të mëdha, saqë e bllokojnë gjithë qafën e tij dhe arrijnë deri tek nofullat. Kështu, të lidhurit i mbetet koka ngritur lart dhe nuk mund ta ulë poshtë. Kështu janë ata në lidhje me pranimin e imanit. - Ne u kemi vënë pengesë edhe para edhe prapa tyre dhe ua kemi mbuluar shikimin, prandaj ata nuk mund të shohin. - Ka vendosur pengesë, që e bën të pamundur që imani të hyjë në zemrat e tyre. Për këtë arsye, ata nuk shohin. Ata i ka zaptuar errësira e paditurisë dhe dëshpërimi nga të gjitha anët. Atyre nuk u sjell dobi asnjë lloj këshille e paralajmërimi. - Nuk ka dyshim se për ata (që mohojnë Besimin), është njëlloj - i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë. - E si mund ta gjejë udhëzimin ai që ka zemër të vulosur dhe të vërtetën e sheh si kotësi, ndërsa kotësinë e sheh si të drejtë, të logjikshme dhe të mirë?! Ky ishte grupi i parë. Ndërsa grupi i dytë janë ata që

i pranojnë këshillat dhe paralajmërimin. Për këta Allahu thotë: - Ti mund të paralajmërosh veçse atë që e ndjek Mesazhin (Kur’anin) dhe i frikësohet të Githëmëshirshmit në fshehtësi. - Këtyre u bën dobi këshilla dhe paralajmërimet, sepse ata synojnë të vërtetën, prandaj dëgjojnë me kujdes dhe meditojnë në këshillat që u bëhen. Kjo është cilësia e parë, pra, dëshira për të vërtetën e nënshtrimi për të kuptuar dhe pasuar atë. Së dyti: "...i frikësohet të Gjithëmëshirshmit në fshehtësi" Domethënë, ai njeri që i ka këto shenja e cilësi ka për ta parë të vërtetën dhe drita do të hyjë në zemrën e tij: Së pari, qëllimi i mirë dhe dëshira për ta gjetur të vërtetën dhe, së dyti, frika nga Zoti, frikë kjo që vjen nga dituria rreth Tij, për emrat dhe cilësitë e Tij. Të tillët përfitojnë nga Shpallja e Zotit. Përmes kësaj Shpalljeje, ata do t'i pastrojnë e lartësojnë shpirtrat dhe zemrat e tyre, pastaj do të mund të marrin diturinë e dobishme rreth Librit të Zotit dhe urtësive të Profetit të Tij. Ata që i kanë këto dy mirësi dhe sakrifikojnë për t’u pajisur me to, meritojnë një përgëzim nga Zoti: - Pra, përgëzoje atë për falje dhe shpërblim bujar. - Përgëzim për dy gjëra: për falje dhe fshirje e plotë të gjynaheve dhe, së dyti, shpërblim të mrekullueshëm për veprat e mira dhe qëllimet e tyre të pastra. - Ne do t'i ngjallim të vdekurit - Ne kemi për t’i ringjallur robërit pas vdekjes dhe kemi për t'i shpërblyer për veprat e paraqitura në dynja. - Ne i shkruajmë veprat e tyre dhe gjurmët që lanë pas. - Allahu ka shkruar dhe ruajtur çdo vepër e fjalë të mirë apo të keqe që kanë bërë gjatë jetës së tyre në dynja. Madje, jo vetëm fjalët e veprat që kanë bërë vetë, por edhe pasojat që ato kanë lënë e shkaktuar, si gjatë jetës në dynja, ashtu edhe pas vdekjes. Çdo vepër e mirë apo e keqe që shkaktohet nga fjalët dhe veprat e dikujt do të shkruhen në regjistrin e veprave të tij. Kështu për shembull, nëse ai ka përhapur dituri të dobishme dhe u ka mësuar njerëzve mirësinë, duke i urdhëruar për mirësi e drejtësi dhe duke i ndaluar nga ligësitë dhe padrejtësitë, çdokush që punon sipas kësaj diturie jo vetëm që do të shpërblehet, por të njëjtin shpërblim do të marrë edhe ai që e mësoi dhe u bë sebep për këto vepra të mira. Po kështu veprohet edhe me atë që u mëson njerëzve mirësinë dhe dije të dobishme, ose lë pas një libër të dobishëm, që u mëson njerëzve mirësinë. Ai do të marrë shpërblimin për çdo njeri tjetër që përfiton nga kjo njohuri gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes së tij, deri në Kijamet. Nëse dikush adhuron Allahun duke falur namaz, duke dhënë zekat e sadaka, duke bërë bamirësi të shumta e sillet me moral të lartë dhe të tjerët e marrin si shembull dhe ndjekin rrugën e tij, ai merr shpërblimet e të gjithë atyre që punojnë sipas tij, pa iu pakësuar atyre asnjë shpërblim. Të gjitha këto shpërblime shkruhen në librin e veprave të tij. Gjithashtu, nëse dikush ndërton një xhami ose një shkollë, ose lë një pasuri vakëf, që njerëzit të përfitojnë prej saj, ose mbjell një pemë nga e cila hanë

njerëzit dhe kafshët, ai merr sevape dhe veprat e shpërblimet i shënohen në librin e veprave të mira. Po kështu veprohet edhe me veprat e këqija, për të cilat njeriu është bërë shkak që t'i bëjnë të tjerët. Për këtë arsye, Profeti (a.s) ka thënë: "Kush bën në islam një punë të mirë dhe (bëhet shkak që) sipas saj punojnë edhe të tjerët, ai do të shpërblehet për atë punë (të mirë) dhe do të marë edhe shpërblimet e të gjithë atyre që punojnë me atë punë pas tij, pa iu pakësuar gjë nga shpërblimi i tyre. Dhe Kush bën në islam një punë të keqe dhe (bëhet shkak që) sipas saj punojnë edhe të tjerët, ai do të ngarkohet me peshën e gjynahut të tij për atë punë (të keqe) dhe do të marë edhe gjynahet e të gjithë atyre që punojnë me atë punë pas tij, pa iu pakësuar gjë nga pesha e gjynaheve të tyre." 38Nga këto tekste kuptohet qartë se sa i dobishëm dhe i rëndësishëm është misioni i davetit në rrugën e Allahut dhe përhapjes së diturisë dhe udhëzimit të Allahut ndër njerëz, me çdo rrugë e mënyrë të lejueshme e të mundshme. Gjithashtu, ai tregon se sa e frikshme është të qenurit ftues në rrugën e keqe dhe udhëheqës në ligësi. Këta janë njerëzit më të këqinj dhe keqbërësit më të mëdhenj, që do të mbartin gjynahet dhe peshën më të rëndë mbi shpinën e tyre. - Dhe çdo gjë Ne e kemi regjistruar në Librin e ruajtur (Leuhi Mahfudh). - Allahu i Madhëruar ka regjistruar dhe ruajtur çdo gjë në ato shënime, qoftë veprat e fjalët, qoftë qëllimet dhe ato që fshihen në zemër në Leuhi Mahfudh, që është Libri Mëmë, ku janë shënuar edhe shkrimet që janë në duart e melekëve për veprat e njeriut.

← Ja Sin 36:1