وَإِن كُلّٞ لَّمَّا جَمِيعٞ لَّدَيۡنَا مُحۡضَرُونَ
Dhe të gjithë, të tubuar, do të paraqiten pranë Nesh.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Kurani nuk e përmend, se cili fshat ishte dhe kush ishin ata të dërguar tek ai popull, sepse shembulli ka si qëllim të parashtrojë çështjen ashtu që t’iu shërbejë si përvojë njerëzve, e nuk ka rëndësi për detaje të mëtejme. Megjithatë disa mufesirinë thonë se fshati ishte Entakije, të dërguarit ishin Sadku, Maduku dhe Shemuni, ndërsa ai njeri i mirë që erdhi prej skajit të qytetit ishte njëfarë Habib Nexhari. Në këtë ngjarje, në të cilën dy të dërguar shkojnë në një vendbanim dhe e thërrasin atë popull në rrugë të drejtë, duket kokëfortësia e atij populli se si nuk i dëgjon, madje përpiqen që të gjitha fatkeqësitë t’ia veshin ardhjes së tyre, se si u kërcënohen se do t’i vrasin me gurë etj. Të dërguarit gjithnjë kanë pasur ndonjë përkrahje të denjë, siç ishte ai që erdhi prej skajit të qytetit dhe e dha jetën për hir të së vërtetës, por e fitoi xhenetin dhe si besimtar i mirë e i sinqertë, e ankoi qëndrimin e popullit të vet, i dhimbsej pse nuk e kuptuan të mirën, që ua dhuroi Zoti, por mbetën jashtë rrugës. Për shkak se ai popull e vrau njeriun e mirë Zoti e urdhëroi Xhebrailin, që me një britmë të fuqishme t’i bëjë të gjithë të vdekur, e këtë do të duhej ta kuptonin edhe idhujtarët mekas, të cilët nuk e dëgjonin Pejgamberin a.s., se edhe atyre mund t’iu ngjajë ashtu, e në fund kanë për t’u përgjigjur para Zotit.