← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

36. Ja Sin · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:48–36:68

Idhujtarët, përveç që nuk besonin bënin tallje e thoshin kur do të vijë kijameti. Zoti u tha se do t'ju vijë papritmas dhe shpejt sa nuk do të kenë kohë as t'i lënë dikujt ndonjë amanet, e as ta shohin familjen e tyre. Pastaj do t'i fryhet Surit, e ju shpejt do të paraqiteni te Unë, por do ta mjeroni veten pse nuk mbetët në varreza. E ky është ai premtimi që talleshit. Xhennetlinjtë janë në vendet e tyre të këndshme, kënaqen me të mirat e tij, por kënaqësinë më të madhe do ta përjetojnë kur Zoti Mëshirues u prezentohet dhe u jep selam. Pejgamberi ka thënë: "Duke qenë xhennetlinjtë të preokupuar më kënaqësitë e xhennetit, u paraqitet një dritë, ngrisin kokat, kur qe, Zoti i madhërishëm u thotë: Es Selamu alejkum, o xhennetlinj, Ai i shikon ata dhe ata e shikojnë Atë, nuk u shkojnë sytë tjetërkah derisa të largohet prej tyre, por mbetet drita e Tij, gëzimi ndaj Tij në vendin e tyre.

Atë ditë mëkatarëve u thuhet veçohuni prej besimtarëve, pse ju e dëgjuat shejtanin, edhe pse u pata porositur dhe treguar se ai është armik i juaj, se ka humbur shumë të tjerë më parë, u thashë se e vetmja rrugë e shpëtimit është njohja dhe adhurimi ndaj Meje. Tash pra, shijoni dënimin. Gjymtyrët tuaja nuk janë tash nën sundimin tuaj, Ne komandojmë me to, na flasin duart, na dëshmojnë këmbët, e ju vetëm do të heshtni. Ne u dhamë të gjitha gjymtyrët e shëndosha, por ju i keqpërdorët. Ne kemi pasur mundësi t'ju bëjmë të gjymtë, të verbër, t'ju japim të jetoni shumë, por ju kthejmë në atë krijimin e parë, ju bëjmë sërish fëmijë. Kjo është fuqia Jonë të cilën është dashur ta kuptoni!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:51–36:54

- “Pastaj do t'i fryhet Surit, dhe menjëherë ata do të dalin prej varreve, për të rendur drejt Zotit të tyre. ” - Kjo është fryrja e tretë, që është fryrja e ringjalljes dhe tubimit. Ky është momenti i daljes nga varret, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe menjëherë ata do të dalin prej varreve, për të rendur drejt Zotit të tyre.” En-neslân është ecja me të shpejtë, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “..ditën kur, duke rendur, ata do të dalin prej varreve, sikur ishin duke nxituar drejt idhujve të tyre. Të përulura do jenë shikimet e tyre. Ata do t’i ketë kapluar poshtërimi. Kjo është dita që u është premtuar. ” [Mearixh 43, 44]. Në vijim, Allahu i Lartësuar, duke na treguar fjalët e krijesave kur të ringjallen, thotë: - “Ata do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej shtretërve, ku qemë shtrirë?” - Domethënë, nga varri, për të cilin thoshin se do të ishte vendqëndrimi i përhershëm dhe se kurrë nuk do të ringjalleshin prej tij. Por kur ata të shohin dhe të përjetojnë me të gjitha përmasat, atë që dikur e mohonin, do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej shtretërve, ku qemë shtrirë?” Këto fjalë nuk duhet të kuptohen gabim dhe të mendohet se këtu mohohet fakti se ata nuk ndëshkohen në varre, por ndëshkimi që vuajnë në varr, në krahasim me atë që i pret më pas, do t’u duket si prehje. Pas këtyre fjalëve të mohuesve, besimtarët do të përgjigjen: - “Kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi dhe e vërtetë qe fjala e të dërguarve.” - Disa janë të mendimit se këto janë fjalët e melekëve, kurse të tjerë thonë se janë fjalë të vetë mohuesve. Ibn Xheriri, pasi i sjell këto mendime, thotë se këto janë fjalë të besimtarëve, si në ajetin: “Atëherë ajo do të jetë një britmë e vetme, dhe menjëherë ata do të ngrihen (nga varret), do të shohin dhe do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Kjo është Dita e Gjykimit.” (Atyre do t'u thuhet) “Kjo është dita e ndarjes që ju e konsideronit gënjeshtër.” [Safat 20, 21]. Ose: “Ditën kur të vijë Ora (e Gjykimit), (për t'u shfajësuar) keqbërësit do të betohen se nuk kanë qëndruar (në këtë botë) shumë, por veçse një orë. Pikërisht kështu gënjenin ata edhe më parë (në dynja). Kurse ata të cilëve u qe dhënë dituri dhe besim, do të thonë: “Ju keni qëndruar aq sa e pati caktuar Allahu, deri në Ditën e Ringjalljes. Pikërisht kjo është Dita e Ringjalljes, që ju nuk e pranonit ”.” [Rum 55, 56]. - “Ai do të jetë veçse një zë i fuqishëm, dhe menjëherë ata do të sillen të gjithë para Nesh.” - Kjo i ngjan ajetit tjetër: “ Ajo do të jetë një britmë e vetme, dhe menjëherë ata do t’ia behin mbi sipërfaqen e tokës. ” [Naziat 13, 14]. Ose: “Vetëm Allahu i di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Çështja e Orës së Kijametit është sa hap e mbyll sytë ose edhe më shpejt. Allahu është i Fuqishëm për gjithçka.” [Nahl 77]. Ose: “... Por ata do të tundin kokën e do të thonë: “Kur do të ndodhë ajo (Ringjallja)?” Thuaj: “Ndoshta është afër!” Ditën, kur Ai t'ju thërrasë dhe ju t'i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar, do t'ju duket se qëndruat (në dunja) veçse për pak kohë.” [Isra 52]. Pra, do të mjaftojë veçse një urdhër i vetëm, dhe të gjithë do të sillen para Zotit. - Sot askujt nuk do t'i bëhet asnjë padrejtësi dhe ju do të merrni shpërbli - min e veprave tuaja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:51–36:54

- Pastaj do t'i fryhet Bririt dhe ata do të dalin prej varrezave me të shpejtë, për te Zoti i tyre. - Fryrja e parë e Bririt do të jetë për t’u bërë Kijameti, dhe atëherë do të vdesin të gjithë. Ndërsa këtu bëhet fjalë për fryrjen e dytë, e cila është fryrja për ringjalljen dhe tubimin para Zotit. Kështu, kur t'i fryhet Surit, të vdekurit do të dalin nga varret e tyre dhe do të nxitojnë të grumbullohen përpara Zotit. Askush nuk do të vonohet. Ajo është një ditë kur mohuesit e besimit të vërtetë do të dëshpërohen dhe do të shfaqin pendesën e tyre dhe keqardhjen: - Ata do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Po kush na ka ngritur prej shtretërve ku qemë shtrirë?” - Në disa hadithe transmetohet se të vdekurit në varreza do të kenë një lloj gjumi (mes fryrjes së parë të Bririt dhe fryrjes së dytë), përpara se t’i fryhet Bririt për ringjallje. Për këtë arsye, ata do të pyesin: “Kush na ngriti nga "merkadi", pra, nga gjumi ynë në varr? Dhe atyre do t'u jepet kjo përgjigje: - Kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi dhe e vërtetë qe fjala e të dërguarve. - Kjo është ajo që ju premtoi Zoti se do të ndodhte, ashtu siç ju paralajmëruan profetët, dhe tashmë u shfaq vërtetësia e tyre dhe ju po e shihni me sytë e ballit. Mos mendo se përmendja e emrit Er - Rahman këtu është bërë pa qëllim, pasi ajo është bërë për të treguar se atë ditë krijesat do të shohin prej mëshirës së Zotit atë që as nuk u ka shkuar ndër mend dhe nuk e kanë llogaritur ndonjëherë se mund të ndodhë. Edhe në ajete të tjera që flasin për Ditën e Gjykimit Allahu i Madhëruar përmend emrin e Tij Er -Rahman, si: "Atë ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit." [Furkan 26]. Ose: "Të gjitha zërat do të ulen para të Gjithëmëshirshmit dhe nuk do të dëgjohet asgjë përveçse pëshpërimë." [Ta Ha 108]. - Ai do të jetë veçse një zë i fuqishëm Ringjallja nga varret do të bëhet veçse pas një fryrje të Bririt nga Israfili, kur të gjithë të vdekurit do të dalin të gjallë. - dhe ja, ata do të sillen të gjithë para Nesh. - Të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhindët do të dalin të gjithë para Nesh, që të llogariten për veprat e tyre dhe të marrin atë që meritojnë, prej shpërblimit ose ndëshkimit. - Sot askujt nuk do t'i bëhet asnjë padrejtësi - Nuk do t'u pakësohet gjë nga të mirat që kanë bërë dhe as do t'u shtohet gjë nga të këqijat që kanë bërë. - dhe ju do të merrni shpërblimin e veprave tuaja. - Do të shpërbleheni veçse për atë që keni bërë, të mira ose të këqija. Ai që gjen mirësi të falënderojë dhe lavdërojë Allahun e Madhëruar, kurse ai që gjen diçka tjetër, të mos qortojë asnjë, veç vetvetes.

← Ja Sin 36:51