37. Safat · Ajeti 149 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 37:149–37:182
Pas rrëfimit për pejgamberët dhe për ndëshkimet që i përjetuan popujt e padëgjueshëm, përshkruhet qëndrimi i idhujtarëve mekas, të cilët shpifnin trillime se gjoja engjëjt janë bija të Zotit, se Zoti ka fëmijë, se në mes Zotit dhe engjëjve (ose xhinëve ekziston një lloj lidhmërie farefisnore ose lidhmëri miqësore. Zoti xh. sh. përmes Kur'anit sjell argumente bindëse, të cilat edhe në mënyrë logjike mposhtin thëniet e trilluara të idhujtarëve.
E Së pari ata thonin se engjëjt janë femra, e Zoti ju thotë se ju nuk ishit prezentë kur Unë i krijova engjëjt, andaj ju nuk dini asgjë, vetëm se shpifni. Ju shpifni edhe kur thoni se Zoti i vlerësoi vajzat më shumë se djemtë, e Zoti ju thotë, a fakt për çka thoni, sillnie librin dokumentues që po u mëson ashtu.
Përpjekjet e idhujtarëve me idhujt e tyre janë të kota, pse besimtarin e sinqertë ata nuk mund ta sprovojnë me ato thënie, përveç atyre që janë të përgatitur për xhehenem.
Engjëjt janë krijesa të Zotit, që siç thonë ata vetë: secili prej nesh e dimë dhe e kemi të caktuar detyrën dhe për zbatimin e saj gjithnjë jemi të rreshtuar duke madhëruar Zotin fuqiplotë prej shpifjeve që ia mveshin idhujtarët.
Para se të kishin libër, arabët idhujtarë thoshin se sikur të kishim pasur ndonjë nga librat e shpallur më herët, ne do të ishim besimtarë të sinqertë, por gënjeshtra e tyre u zbulua kur erdhi Kur'ani, sepse po ata të njëjtit e mohuan.
Ndihma e Zotit ndaj pejgamberëve, ndaj besimtarëve është e garantuar qysh herët, andaj i thuhet pejgamberit tonë: "Hiqu tyre se edhe ti edhe ata keni për ta parë premtimin e Allahutt"
Prej Sha'biut mursel e prej Aliut merfuë, thuhet se Pejgamberi ka thënë: "Kush dëshiron shpërblimin me peshë më të madhe, le t'i thotë në fund të lutjes së tij këto tri ajete... Subhane rabike..."
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Es Safati". Falënderuar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 37:149–37:160
Allahu i Lartësuar u drejtohet idhujtarëve, duke hedhur poshtë pretendimet e tyre të shëmtuara, kur thanë se fëmijët e Zotit janë femra, ndërkohë që për veten e vet preferojnë djemtë! I Lartësuari na tregon rreth tyre në sure të tjera: “Ata shpifin se Allahu ka (si fëmijë) vajzat - i pastër qoftë Ai nga përshkrimet e tyre! - ndërsa për veten e tyre zgjedhin çfarë ua ka ënda (djemtë). Kur ndonjëri prej tyre përgëzohet se i ka lindur vajzë, fytyra i nxihet dhe ai mbushet plot dëshpërim. Fshihet prej njerëzve për shkak të së keqes që ja
njoftuan. A ta mbajë atë, ashtu i turpëruar, apo ta mbulojë atë (të gjallë) në dhé? Sa i keq është gjykimi i tyre!” [Nahl 58]. Ata dëshpërohen me të tillë lajm, pasi për veten e vet duan veçse fëmijë meshkuj. Atëherë, si është e mundur, - thotë Allahu i Lartësuar nëpërmjet këtij ajeti, - që t’i atribuojnë Zotit Krenar dhe të Lartësuar diçka që as për veten e tyre nuk e pranojnë?! Prandaj dhe Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin ﷺ ,që t’u thotë atyre: - “Tani pyeti ata ...” - Pyeti ata, për të treguar se ky pretendim është i kotë: - “Vallë, Zotit tënd i takojnë vajzat, kurse atyre u takojnë djemtë? ” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në një sure tjetër: “A mendoni se meshkujt janë tuajt e të Atij femrat? Atëherë kjo është një ndarje vërtet e padrejtë.” [Nexhm 21, 22]. - “Vallë, ata ishin dëshmitarë kur Ne i krijuam melekët femra? ” - Si është e mundur që të gjykojnë se melekët janë vajzat e Zotit, ndërkohë që ata nuk kanë qenë dëshmitarë në krijimin e tyre?! Ngja - shëm thuhet në ajetin tjetër: “Edhe melekët, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmë - shirshmit, ata (jobesimtarët) pretenduan se janë femra. A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje. ” [Zuhruf 19]. Ata do të pyeten për të tilla trillime e shpifje në Ditën e Kijametit. - “Vini re se si trillojnë e thonë: “Allahu ka lindur fëmijë.” Nuk ka dyshim se ata janë gënjeshtarë. ” - Duke trilluar, ata thonë se prej Zotit lindi një fëmijë, një bir. Kështu ata bënë tri mashtrime rreth Zotit, që konsiderohen si shfaqjet më të shëmtuara të mohimit. Së pari, pretenduan se melekët janë vajzat e Zotit dhe thanë se Zoti ka edhe një djalë, - i lartësuar, i pastër dhe i dëlirë qoftë Allahu nga shpifjet dhe trillimet e tyre! Së dyti, ata pretenduan se fëmijët që i takojnë Zotit janë femra. Së treti, i adhuruan ata, pra, adhuruan melekët, që pretenduan se janë bijat e Zotit. Do të mjaftonte vetëm njëra nga këto, që ata të jenë të përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit. E di do të jetë, vallë, kur bashkohen këto tri shpifje të shëmtuara? Më pas, Allahu i Lartësuar duke ua hedhur poshtë të tilla shpifje, thotë: - “Vallë, Ai i ka bërë vajzat më të zgjedhura se djemtë? ” - Për çfarë arsye, Ai do të zgjidhte vajzat përkundrejt djemve, sikurse thotë në ajetin tjetër: “A mos ju dalloi Zoti juaj me djem e për vete zgjodhi melekë që ju i mendoni femra? Ju jeni duke thënë fjalë (trillime), vërtet të mëdha.” [Isra 40]. - “Ç'është me ju? Si gjykoni kështu? ” - Çfarë ka ndodhur me aftësinë tuaj e të menduarit dhe të logjikuarit?! - “A nuk po mendoni? ” - A nuk mendoni në fjalët që dalin nga goja juaj? - “Apo mos vallë, keni ndonjë provë të sigurt për atë që thoni?! ” - Pra, a keni ndonjë argument nga Zoti, në lidhje me atë që thoni? - “Atëherë, silleni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën! ” - Nëse keni një fakt dhe argument, ku të mbështeteni apo ndonjë libër të shpallur nga Zoti më përpara, silleni, që të vërtetoni pretendimet tuaja.
- “Ata (idhujtarët) kanë trilluar edhe lidhje farefisnore mes Tij dhe xhindëve. ” - Muxhahidi shpjegon se idhujtarët thanë: “Melekët janë bijat e Allahut të Lartësuar.” Kurse Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Atëherë, cilat janë nënat e tyre?” Ata thanë: “Janë femrat e Xhindeve”. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë në këtë ajet: - “Por, xhindët e dinë mirë se ata do të jenë në zjarr.” - Ata të cilët i atribuan Zotit të tilla fjalë “... do të jenë në zjarr.” Të gjithë kanë për t’u mbledhur në Xhehenem, për shkak të trillimeve rreth Zotit, për shkak të fjalëve të pavërteta dhe të thëna pa dije. - “I madhëruar qoftë Allahu nga ajo që ata i përshkruajnë. ” - I lartësuar, i dëlirë dhe i pacenueshëm është Zoti nga shpifja se ka bir dhe nga çdo trillim i ulët, që bëjnë zullumqarët dhe mohuesit e besimit të vërtetë. - “Përveç robërve të sinqertë të Allahut. ” - Allahu i Lartësuar veçon të sinqertët, ata të cilët e ndjekin të vërtetën e shpallur nga Zoti tek profetët dhe të dërguarit e Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 37:149–37:157
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të tij të dashur, Muhamedit, dhe i thotë: - Tani pyeti ata (o Muhamed): “Vallë Zotit tënd i takojnë vajzat, kurse atyre u takojnë djemtë?” - Pyeti këta idhujtarë, që adhurojnë idhuj ose melekët, duke pretenduar se melekët janë bijat e Allahut! Folu atyre që i bëjnë shirk Zotit dhe e përshkruajnë atë me diçka që nuk i shkon madhështisë së Tij. Vallë, Zotit i takojnë vajzat, kurse atyre djemtë? Ky është një gjykim shumë i keq, së pari, sepse pretendon se Zoti ka fëmijë dhe, së dyti, pretendon se Atij i takon ajo kategori e fëmijëve që konsiderohet më pak e preferuar ndër ju dhe të cilën ju nuk i doni për veten tuaj. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: "Ata shpifin se Allahu ka (si fëmijë) vajzat - i pastër qoftë Ai nga përshkrimet e tyre! - ndërsa për veten e tyre zgjedhin çfarë ua ka ënda (djemtë). Kur ndonjëri prej tyre përgëzohet se i ka lindur vajzë, fytyra i nxihet dhe ai mbushet plot
dëshpërim. Fshihet prej njerëzve për shkak të së keqes që i përcjellin. A ta mbajë atë, ashtu i turpëruar, apo ta mbulojë atë (të gjallë) në dhé? Sa i keq është gjykimi i tyre!" [Nahl 57 – 59]. Ata bënë padrejtësi edhe në një aspekt tjetër, kur thanë se melekët janë bija të Zotit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e nxjerr në pah mashtrimin e tyre, kur thotë: - Mos vallë Ne i krijuam melekët femra dhe ata ishin dëshmitarë? - Mos, vallë, ishin dëshmitarë kur Zoti i krijoi melekët? Kjo tregon se ata i thanë ato fjalë pa asnjë lloj diturie, pra, ishin thjesht trillime pa bazë për Zotin. Të shumta janë shpifjet dhe trillimet e tyre për Zotin. - Vini re se si trillojnë e thonë:“Allahu ka lindur fëmijë.” - Duke gënjyer haptas, ata thanë: “Allahu ka lindur fëmijë.” - Nuk ka dyshim se ata janë gënjeshtarë. - Pa dyshim që kjo është gënjeshtër dhe ata janë mashtrues. - Mos, vallë, Ai i ka bërë vajzat më të zgjedhura se djemtë? - Mos, vallë, Zoti e bëri këtë përzgjedhje? Ç’është ky gjykim i padrejtë?! - Ç'është me ju, si gjykoni kështu? A nuk po mendoni? - A nuk po mendoni fare në ato që thoni? Nëse do të mendoheshit, nuk do të nxirrnit të tilla shpifje. - Apo mos vallë keni ndonjë provë të sigurt për atë që thoni?! - Mos, vallë, keni ndonjë argument të fortë dhe të qartë nga ndonjë Shpallje e Zotit ose nga ndonjë profet? Asgjë nga këto nuk është dhe nuk do të ndodhë. - Atëherë silleni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën! - Kështu, çdokush që bën një pohim për Allahun e nuk sjell asnjë argument të pranueshëm nga ligji i Allahut, ai konsiderohet mashtrues dhe i padrejtë, që ka bërë një padrejtësi shumë të madhe, që ka folur për Allahun pa dije.