← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

38. Sad · Ajeti 30 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:27–38:54

Të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë në këtë botë, japin të kuptojmë se Zoti nuk e krijoi këtë gjithësi shkel e shko I dhe pa ndonjë qëllim të caktuar. Natyrisht se nuk do të jenë të barabartë para Zotit si ai që besoi, e si ai që nuk besoi: ose si ai që bëri punë të mirë dhe si ai që ishte mëkatar. E për të kuptuar të vërtetën, Zoti ia shpall Kur'anin Muhammedit, kuptohet për të zotët e mendjes.

Sylejmani bir i Davudit, pejgamber dhe mbret, rob i mirë te Zoti, në një pasdite të vonë, përcjell me një kënaqësi të madhe parakalimin e ushtrisë së vet kalorësiake, por i mahnitur prej atyre kuajve të shpejtë si vetëtima, u habit derisa perëndoi dielli dhe mbeti pa e kryer lutjen që e kishte për detyrë ta bëjë para mbrëmjes. I zemëruar për këtë lëshim, urdhëroi t'i kthehen kuajt t'i rrahë me shpatë këmbëve e qafave. Është sprovuar edhe me dobësimin e shëndetit sa që rrinte në postin e vet si një figurë derisa Zoti ia ktheu shëndetin dhe ai atëherë iu lut t'ia falë gabimin dhe t'ia forcojë edhe më sundimin si pejgamber. Tregimet e tjera rreth gabimeve të Sulejmanit, janë të pabaza sikurse ato të Davudit, andaj nuk duhet besuar atyre.

Ejjubi është një pejgamber i njohur dhe shembull për durueshmërinë që e tregoi. U sprovua me humbje të familjes, të pasurisë, e edhe më rëndë, me sëmundje të gjatë e të padurueshme. Ndoshta qëndroi tetëmbëdhjetë vjet i sëmurë, e kur nuk pati mundësi më për jetë, iu lut Zotit për ndihmë. Zoti e urdhëroi t'i mëshojë tokës me këmbë dhe aty gufoi ujë i ftohtë dhe mjekues. Me të larë u shërua nga sëmundja e trupit, e me të pirë u shërua nga sëmundja e brendshme. Për hir të durueshmërisë së tij, Zoti ia ktheu familjen edhe më të madhe, pasurinë dhe shëndetin.

Të gjithë pejgamberët ishin njerëzit më të zgjedhur, më të mirët, andaj besimtarët duhet me vëmendje të përcjellin shembëlltyrën e tyre për çdo rast të jetës së kësaj bote dhe për fitimin e të mirave në botën tjetër të përjetshme. Thuhet se Ejjubi ishte betuar ta rrahë gruan me njëqind të rëna. Zoti i tha: "Mëshoj me njëqind thupra në dëng e mos the betimin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:30–38:33

- “Ne i dhuruam Davudit Sulejmanin ...” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i dhuroi Daudit një djalë, Sulejmanin, për të qenë edhe ai një profet i nderuar dhe i zgjedhur. Allahu i Lartësuar thotë: “Sulejmani qe trashëgimtari i Davudit. ” [Neml 16]. Domethënë, trashëgoi profetësinë prej tij. Pikërisht për këtë ‘dhuratë’ bëhet fjalë në këtë ajet, sepse, përveç Sulejmanit a.s., Daudit (a.s) iu dhuruan edhe bij të tjerë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “... rob shumë i mirë dhe i kthyer te Zoti.” - Ky është një lavdërim për Sulejmanin, që na tregon se ai ishte i përkushtuar në vepra të mira, në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ai ishte i përkushtuar në adhuri - me dhe pendohej sinqerisht para Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Ibn Ebu Hatimi sjell këtë rrëfim nga Mekhuli: “Kur Allahu i Lartësuar i dhuroi Daudit (a.s) birin e tij Sulejmanin, për të qenë edhe ai një profet, ai e pyeti të birin dhe i tha: “O biri im, cila është gjëja më e mirë?” Ai u përgjigj: “Qetësia e dhuruar prej Allahut dhe imani”. Pastaj e pyeti: “Po gjëja më e shëmtuar, cila është?” - “Mohimi pas besimit.” - “Cila është gjëja më e ëmbël dhe më e dashur?” - “Shpresa, mëshira dhe mirësia që Allahu shpërndan ndër njerëz.” – “Cila është gjëja më qetësuese?” - “Është falja që Allahu u ofron njerëzve dhe falja që njerëzit i ofrojnë njëri-tjetrit.” Atëherë, Daudi (a.s) i tha: “Ti je Profet!” - “Një pasdite sollën para tij kuaj të racës më të mirë e shumë të shpejtë. ” - Gjatë mbretërimit të tij, Sulejmanit i sollën kuaj të racës më të mirë e shumë të shpejtë. Muxhahidi thotë se ishin kuaj që, në mënyrë demonstrative e me elegancë, qëndrojnë në tre këmbë, duke e ngritur këmbën e katërt, dhe me skajin e thundrës së saj prekin pak tokën. Ndërsa fjala tjetër e përdorur në përshkrimi e kuajve është ‘ el xhijâd’, që do të thotë: “cilësorë e shumë të shpejtë.”. Mes tyre ishin 20 kuaj, të cilët kishin edhe flatra.” Kështu e sjell Ibn Xheriri këtë fjalë të Muxhahidit. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ai tha: “Nga dashuria për kuajt, unë harrova të përmend Zotin tim, derisa dielli u fsheh pas vellos së natës.” - Disa selefë dhe dijetarë të tefsirit, duke shpjeguar këtë ajet, kanë thënë se Sulejmani ndoqi shfaqjen e kuajve, aq sa i kaloi namazi i ikindisë. Nuk ka dyshim se atij nuk i iku ky namaz me vetëdije, por nga harresa. Diçka e ngjashme i ka ndodhur Profetit ﷺ gjatë luftës së Hendekut, kur arriti ta falte namazin e ikindisë vetëm pas perëndimit të diellit. Kjo vjen në dy Sahih-ët me rrugë të shumta, një prej të cilave është ajo e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sipas të cilit, në Betejën e Hendekut, Umeri shkoi tek Profeti pas perëndimit të diellit, duke sharë mohuesit kurejshë, dhe pastaj tha: 2262. “O i Dërguari i Allahut! Unë munda ta fal ikindinë vetëm kur dielli gati po perëndonte…” Ndërsa Profeti a.s. i tha: “Për Allah, unë ende nuk e kam falur!” Pastaj u ngrit dhe fali namazin e ikindisë.” Kështu, ne u ngritëm në Bat’hae dhe, pasi Profeti mori abdes për namaz, dhe ne gjithashtu, falëm ikindinë. Pas saj, falëm namazin e akshamit.” Disa dijetarë kanë thënë se diçka e tillë ishte e ligjëruar në fillim, por pas namazit të frikës, vonimi i namazit dhe falja e tij jashtë kohe u abrogua. 2 - “M’i ktheni ata! Dhe i goditi në këmbë e në qafa . - Hasen el Basriu ka shpjeguar: “Sulejmani tha: “Vallahi, nuk keni për të më shpërqendruar më nga adhurimi i Zotit tim!” Pastaj urdhëroi që të thereshin.” Kështu e ka shpjeguar edhe Katade. Ndërsa

Suddiu thotë: “Domethënë, i goditi qafat dhe këmbët e tyre me shpatë.” Kurse Ali Ibn Talha ka sjellë këtë shpjegim nga Ibn Abasi: “Domethënë, Sulejmani përkëdheli qafat dhe këmbët e tyre, si shprehje dashurie për to.” Këtë shpjegim e ka parapëlqyer edhe Ibn Xheriri, i cili e përforcon edhe me arsyetimin se Sulejmani (a.s) nuk do t’i ndëshkonte ose torturonte kurrë këto kafshë dhe, po ashtu, nuk do të dëmtonte kot një pasuri të tillë, pa asnjë shkak. Fakti se ai u hutua nga kuajt dhe harroi namazin nuk mund të shërbejë si arsye për vrasjen e tyre, sepse ata nuk kishin asnjë faj për atë që ndodhi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:30–38:40

Pasi lëvdoi Daudin, duke përmendur mirësitë e shumta që i dhuroi atij, Allahu i Madhëruar lëvdon edhe djalin e Daudit, Sulejmanin (a.s), duke thënë: - Ne i dhuruam Davudit (një djalë,) Sulejmanin - rob shumë i mirë dhe i

kthyer te Zoti. - E begatuam Daudin, duke i dhuruar Sulejmanin, duke i kënaqur kështu syrin dhe zemrën e Tij. Sa i mirë ishte Sulejmani! Allahu e përshkroi atë me cilësi të lëvdueshme, duke thënë: "…rob shumë i mirë dhe i kthyer te Zoti." Ai kthehej vazhdimisht tek Zoti, në çdo gjendje, me adhurime të shumta, pendim e përunjësi, duke i shprehur dashurinë e madhe, duke e lavdëruar shumë Zotin dhe duke iu përgjëruar Atij me lutje. Ai përpiqej shumë që të kënaqte Allahun e Lartësuar dhe i jepte Atij përparësi mbi gjithçka. - Ja. Një pasdite u prunë para tij kuaj të rracës më të mirë e shumë të shpejtë. - Ata ishin kuaj shumë të shpejtë, nga më të mirët. Zoti i përshkruan si me pamje të bukur, kur qënronin me njërën këmbë lart. Në mënyrë të veçantë, ata iu bënin përshtypje atyre që kishin nevojë për kuaj të stërvitur dhe të shpejtë lufte më shumë se të tjerët, siç ishin mbretërit. Kështu, Sulejmani vazhdoi t'i sodiste me vëmendje, derisa dielli perëndoi dhe ai harroi të falte namazin e pasdites dhe të përmendte Zotin. Atëherë, duke shprehur keqardhjen e madhe këtë harresë dhe duke kërkuar të afrohet tek Allahu me pendesë, Sulejmani tha: - Ai tha: “Për shkak të pasionit për kuajt, unë harrova të përmend Zotin tim, derisa dielli u fsheh dhe perëndoi.” - Kuptimi: Unë i dhashë përparësi dashurisë për pasurinë, që në këtë rast ishin kuajt, dhe kjo më bëri që të harroja të përmendja Zotin tim, derisa dielli perëndoi. - “M’i ktheni ata (kuajt)!” Atëherë filloi t’u mëshojë këmbëve e qafave (të tyre). - Ai i goditi me shpatë në qafë dhe në këmbët e tyre.2 - Ne e sprovuam Sulejmanin - Allahu i Madhëruar e sprovoi Sulejmanin, duke bërë që ta rrëzonin nga froni i mbretërimit për shkak të një gabimi, siç ndodh me njerëzit dhe natyrën e dobët njerëzore. - dhe bëmë që në fronin e tij të ulet një shejtan. - Vendin e tij në fronin e mbretërimit e zuri një shejtan, por me caktimin e Zotit, si sprovë për Sulejmanin. - Pastaj ai u kthye (nga Ne me pendim e përkushtim). - Sulejmani u pendua dhe kthye tek Zoti. Ai tha: - Tha: “O Zoti im! Më fal dhe më dhuro një sundim që të mos e ketë askush tjetër pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhuruesi më i madh. Ne ia nënshtruam erën që të frynte lehtë me urdhër të tij nga të dëshironte ai. Ne ia nënshtruam edhe shejtanët – të gjitha llojet e ndërtuesve dhe të zhytësve. Edhe të tjerë (shejtanë), të lidhur në pranga. - Allahu iu përgjigj dhe e fali atë duke ia kthyer mbretërimin, madje i dha një pushtet që askujt para dhe pas tij nuk ia pati dhënë. Allahu ia nënshtroi edhe shejtanët, të cilët bënin punë të vështira, ndërtonin çfarë ai dëshironte, zhyteshin në thellësi të detit dhe nxirrnin për Sulejmanin diamante, smeralde dhe rubinë. Çdonjërin që nuk i bindej, Sulejmani e lidhte me zinxhirë dhe e burgoste. Me gjithë këtë mirësi që i dhuroi, tha: - Këto janë të mirat Tona (për ty). Dhe ti jep (prej pasurisë) ose mos jep (prej saj) se për këtë nuk do të kesh asnjë përgjegjësi. - Kënaqu me këto mirësi dhe jepi kujt të dëshirosh ose privo kë të dëshirosh, "… se për këtë nuk do të kesh asnjë përgjegjësi " Pra, nuk ke asnjë detyrim e ngarkesë. Gjithçka është në dëshirën tënde. Kështu e nderoi Zoti Sulejmanin, sepse Ai e njihte mirë drejtësinë e Sulejmanit dhe gjykimin e tij të urtë. Askush të mos mendojë se kjo mirësi iu dha Sulejmanit që të kënaqej vetëm në këtë botë. Madje, në ahiret atij do t’i jepen shumë më tepër mirësi. Për këtë arsye, Zoti thotë: - Dhe ai është tek Ne nga më të afruarit dhe ka një fund (e shpërblim) të mirë. - Në ahiret, ai është nga më të afruarit tek Allahu, i nderuar dhe me shpërblime të shumta. Më poshtë janë disa dobi që menduam të nxjerrim nga historia e Daudit dhe Sulejmanit. 1. Allahu i Madhëruar i tregoi Muhamedit (a.s) disa histori të popujve të shkuar, me qëllim që të fuqizonte zemrën e tij dhe ta

bënte të durueshëm dhe të qetë. Ai i tregoi për adhurimet e profetëve të shkuar, për durimin e tyre të madh, si dhe këmbënguljen në rrugën e Zotit. Ai i tregoi, gjithashtu, se ata i ktheheshin Zotit me adhurime e përkushtime të shumta. Kjo u bë që Muhamedi (a.s) të nxitej dhe të garonte me ata të zgjedhur, me dëshirën për ta kënaqur Allahun e Madhëruar. Kështu, ai do të punonte më shumë, që t'i afrohej Zotit me adhurime, ashtu si ata, madje edhe më mirë se ata. Ai do të bëhej më i qëndrueshëm dhe durimtar përballë mundimeve që i jepte populli i vet. Për këtë arsye, kur Allahu e këshillon Profetin që të bënte durim përballë mundimeve të popullit të tij, i thotë që të kujtojë historinë e Daudit: “Por ti bëj durim ndaj asaj, që ata thonë dhe kujto robin Tonë, Dauudin, të fuqishmin (në fé e në trup) ! Ai gjithmonë kthehej tek Allahu (me pendim të sinqertë e bindje të plotë)." Kështu, ai do të gjente ngushëllim dhe qetësi, me ndihmën e sigurt të Zotit. 2. Allahu i Madhëruar e lëvdon Daudin me dy cilësi të bukura: fuqinë trupore dhe shpirtërore, përkushimin në bindje ndaj Tij dhe adhurime. Një njeri me fuqi trupore dhe shpirtërore kryen adhurime të mrekullueshme dhe përmbush urdhëresat e Allahut shumë më mirë se një njeri i dobët dhe i pafuqishëm. Njeriu duhet të marë çdo masë dhe të ndjekë çdo rrugë për të përmbushur urdhëresat e Zotit. Ai nuk duhet t'i dorëzohet plogështisë, dembelizmit, indiferentizmit e pafuqisë. Ai duhet të jetë i gjallë, optimist, plot vullnet dhe ambicie për të arritur qëllimin final, adhurimin e Zotit dhe kënaqësinë e Tij. Ai duhet të marrë masat për t'ia prerë rrugën çdo gjëje që e dobëson dhe e plogështon, çdo gjëje që e ngadalëson nga synimet e tij. 3. Kthimi tek Zoti në çdo çështje, duke i kërkuar ndihmë me adhurime e mbështetje të plotë, është nga cilësitë më të mrekullueshme dhe përshkrimi i saktë i profetëve e traditës së tyre. Allahu i Madhëruar lëvdoi Daudin dhe Sulejmanin me këto cilësi. Për këtë arsye, le të jenë ata shembuj për të gjithë ata që duan Xhenetin dhe le të ndjekin rrugën e tyre ata që duan të kënaqin Allahun, i Cili thotë: "Këta ishin ata të cilët Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë, prandaj me udhëzimin e tyre udhëhiqu." [En'am 90]. 4. Në këto ajete mësojmë për mirësitë e mëdha që Allahu i dhuroi Daudit. Ai i dhuroi atij një zë jashtëzakonisht të bukur, aq sa malet e ngurtë dhe zogjtë këndonin dhe i bënin tesbih Zotit së bashku me Daudin, në mëngjes e në mbrëmje. 5. Ndër mirësitë më të mëdha të Allahut për robin e Tij është që t'i dhurojë dituri të dobishme, t'i mësojë që të gjykojë me drejtësi dhe t'i japë të drejtën çdokujt. Kështu e dalloi Allahu i Madhëruar Daudin (a.s). 6. Në këto ajete del në pah kujdesi i madh i Allahut të Lartësuar për Profetin e Tij dhe për adhuruesit e sinqertë. Ai i sprovon ata për shkak të ndonjë gabimi të tyre, por pastaj ua largon sprovën, që ata të kthehen më të plotë, të përmirësuar dhe më të kompletuar sesa më parë. Kështu ndodhi me Daudin dhe Sulejmanin. Allahu kujdeset për të dashurit e Tij duke i mjekuar dhe pastruar nga çdo mangësi dhe gabim. 7. Profetët kanë qenë të ruajtur nga gabimet që kanë lidhje me kumtimin e saktë të Shpalljes së Zotit, sepse në të kundërt qëllimi i Shpalljes nuk do të realizohej. Por ata edhe mund të bënin ndonjë gabim, ashtu siç është natyra njerëzore, por Allahu shumë shpejt i përmirësonte ata dhe nga këto gabime dilnin shumë dobi dhe mësime, me mëshirën e Allahut. 8. Daudi (a.s) qëndronte gjatë në mihrabin e tij për t'iu përkushtuar Zotit, prandaj ata dy njerëzit që kërkuan gjykimin e tij u hodhën nga muri fshehtaz, sepse vetëm në atë moment mund të gjeje Daudin pa njerëz rreth e rrotull. Në vendin e adhurimit atë nuk e shqetësonte kush. Ai nuk ua kishte kushtuar të gjithë kohën e tij njerëzve, edhe pse dukej e nevojshme, pasi çështjet që i vinin për gjykim ishin të shumta. Me gjithë këto aktivitete, ai kishte veçuar kohë për

Zotin e tij, për t'u veçuar me Të e për të gjetur kënaqësinë e prehjen, duke e adhuruar dhe thurur lavde për Të. Ky ushqim shpirtëror ishte i domosdoshëm për të, sepse e mbushte me sinqeritet dhe forcë për të gjitha punët e tjera. 9. Ruajtja e edukatës dhe etikës me gjykatësit është detyrë dhe normë e domosdoshme, që duhet përmbushur. Kur dy njerëzit hynë tek vendfalja e Daudit në mënyrë jo normale, kjo e shqetësoi atë, sepse ishte sjellje e papëlqyeshme, madje e qortueshme. 10. Gjykatësi nuk duhet të ndikohet në gjykimin e tij nga sjellja e keqe e njerëzve me të. Ai duhet të gjykojë me drejtësi dhe objektivitet, i pandikuar nga sjellja jo e hijshme e njerëzve. 11. Në këto ajete del në pah mirësia dhe dhembshuria e Daudit, falja dhe toleranca e tij e madhe. Ai nuk u zemërua me dy burrat, që hynë pa leje dhe pa edukatë në vendfaljen e tij. Ai ishte mbreti i tyre, por as i qortoi dhe as rëndoi ata me fjalë. 12. Lejohet që dikush që i është bërë padrejtësi t'i thotë kundërshtarit të tij “Më ke bërë padrejtësi”, sepse të dyja palët e ngjarjes i thanë Daudit: “Ne jemi dy palë kundërshtare. Njëri (nga ne) i ka bërë padrejtësi tjetrit." 13. Besimtari, edhe nëse ka dituri të madhe, gradë të larta dhe është i respektuar ndër njerëz, përsëri, nëse dikush e këshillon dhe i tërheq vërejtjen, nuk duhet të zemërohet apo të revoltohet, por duhet që menjëherë të pranojë këshillën dhe t’i shprehë mirënjohjen atij që ia jep këshillën. Kur dy burrat e këshilluan Daudin, ai nuk u zemërua nga këshilla e tyre, dhe kjo nuk e devijoi nga e vërteta, madje gjykoi me drejtësi. 14. Nga ajetet kuptohet se përzierja e shpeshtë me miqtë dhe marrëdhëniet e shumta financiare me ta mund të shkaktojnë armiqësi dhe grindje. Nga të tilla sprova të shpëton veçse devotshmëria ndaj Zotit, durimi, kujdesi, imani i sinqertë dhe veprat e mira. Sigurisht, njerëz të tillë janë shumë të rrallë. 15. Kërkimi i faljes, adhurimet e shumta e në mënyrë të veçantë namazi me përkushtim janë disa nga veprat që bëhen shkak për falje gjynahesh. Po ta vëresh me kujdes, Allahu i Madhëruar e lidh ngushtë faljen e gjynaheve të Daudit me kërkimin e faljes dhe me rënien në sexhde, duke falur namaz. Ai thotë: “Dhe Daudi e kuptoi se Ne e vumë në prove atë. Prandaj i kërkoi falje Zotit të vet, u përkul (ra në sexhde) dhe u kthye (tek Allahu i penduar).” 16. Në këto ajete del qartë nderimi i madh i Allahut për dy robtë e Tij adhurues dhe profetë, Daudin dhe Sulejmanin (a.s). Ai na tregon se ishin nga më të afërmit tek Ai dhe se do t'i shpërblejë me mirësi të shumta. Askush të mos mendojë se ato sprova apo gabime që u ndodhën e ulin figurën dhe gradën e tyre tek Allahu i Lartësuar. Përkundrazi, ato tregojnë se butësia dhe përkujdesi i Tij ndaj atyre ishte shumë i madh. Kështu kujdeset Allahu për robtë e tij të sinqertë. Edhe kur ata gabojnë, Ai ua fal

gjynahet, ua mbulon të metat dhe i bën të kthehen edhe më të mirë dhe të pastër se përpara. Me faljen e Tij largohet çdo gjurmë e keqe që lënë pas gjynahet. Allahu është i Plotfuqishëm që të largojë nga zemra e njerëzve çfarëdo gjurme pakënaqësie kur dëgjohet për ndonjë gabim të atyre të zgjedhurve. Zakonisht, kur dëgjon për dikë se ka gabuar, në sytë e tu bie vlerësimi dhe respekti për të, por jo për këta të zgjedhur e të dalluar, sepse nga falja dhe dashuria e madhe e Zotit për ata, largohet nga zemrat e njerëzve edhe thërrmija më e vogël e këtyre ndjenjave. Kështu, ata janë gjithmonë të dashur dhe të respektuar në zemrat e besimtarëve, dhe kjo për Allahun është e lehtë, sepse Ai është Bujari e Falësi i madh. 17. Roli i gjykatësit është një gradë dhe detyrë fetare, që e kanë patur profetët e Zotit dhe dijetarët pas tyre. Detyra e çdo njeriu që merr këtë detyrë është që të gjykojë me drejtësi dhe t'u largohet epsheve dhe interesave të padrejta. Por, sigurisht, që gjykimi me drejtësi kërkon që gjykatësi të njohë mirë çështjet dhe njohuritë fetare fillimisht. Ai duhet të ketë informacion dhe një pasqyrë të plotë të çështjes, duke e lidhur me ligjet e Sheriatit. Ai që është i paditur në këto drejtime nuk bën si gjykatës dhe nuk i lejohet që të marrë këtë lloj detyre. 18. Gjykatësi duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ruhet nga emocionet dhe ndjekja e dëshirave dhe interesave të njëanshme. Ai duhet të luftojë me egon, që synimi i vetëm të jetë e vërteta dhe e drejta. Gjatë ushtrimit të gjykimit, ai duhet të shmangë çdo ndjenjë dashurie ose urrejtjeje për palët që gjykon. 19. Edhe Sulejmani ishte një vlerësim dhe shpërblim për Daudin (a.s), që Allahu ia dhuroi. Ndër mirësitë më të mëdha të Allahut të Lartësuar, është që Ai të dhurojë një fëmijë të mirë dhe besimtar. Kjo është dritë mbi dritë. 20. Lavdërimi i madh për Sulejmanin, kur Allahu thotë: “Ne i dhuruam Davudit (një djalë,) Sulejmanin - rob shumë i mirë dhe i kthyer te Zoti.” 21. Mirësitë e Allahut për adhuruesit e Tij të sinqertë janë të shumta. Ai i bekon dhe kujdeset që ata gjithmonë të bëjnë punë të mira. Ai i edukon dhe ndihmon të arrijnë gradat më të larta të moralit. Pastaj i lëvdon ata për këto cilësi të mira dhe u lë emër të mirë ndër njerëz. Allahu është Bamirës i Madh dhe Dhurues i çdo mirësie. 22. Dashuria e Sulejmanit për Allahun qëndronte mbi çdo dashuri tjetër. 23. Çdo lloj dashurie që e pengon robin nga dashuria dhe adhurimi i Allahut është e qortuar dhe e keqe. Për këtë arsye, njeriu duhet të dojë dhe t'i përkushtohet veçse atyre gjërave që i sjellin dobi. 24. Në këto ajete gjejmë një argument të fortë vërtetues të rregullit të mrekullueshëm që thotë: "Çdokush që e lë diçka për hir të Allahut, Allahu ka për t'ia zëvendësuar me diçka edhe më të mirë se ajo që lë." Kështu, kur Sulejmani hoqi dorë nga kuajt e mësuar dhe të shpejtë, Allahu ia zëvendësoi me diçka më të shpejtë dhe të mirë sa ata. Ai i nënshtroi erën, që mund ta çonte e transportonte atë dhe ushtritë e tij në çdo vend ku ai dëshironte. Ajo ishte aq e shpejtë, saqë udhëtimin e një muaji e bënte për një pasdite. Allahu i nënshtroi atij edhe shumë shejtanë të fuqishëm, të cilët i kryenin punë të tilla, që askush prej njerëzve apo kafshëve nuk mund t’i kryente. 25. Nënshtrimi i xhindëve ishte i veçantë për Sulejmanin (a.s). Askush tjetër nuk e ka pasur këtë pushtet. 26. Sulejmani (a.s) ishte mbret dhe profet. Atij i ishte dhënë liri që të vepronte si të dëshironte. Pavarësisht nga kjo, ai ishte njeri i drejtë. Profetët që nuk kanë qenë mbretër e sundimtarë i kanë patur të gjitha dëshirat dhe prirjet e tyre të nënshtruara sipas urdhëresave të Allahut. Sa herë që vepronin ose nuk vepronin, e bënin veçse me urdhër nga Allahu. I tillë ishte profeti ynë Muhamedi (a.s) dhe, pa dyshim, që grada e Muhamedit ishte më e lartë se të gjithë të tjerët.

← Sad 38:30