38. Sad · Ajeti 88

سورة ص
Përkthimi Sherif Ahmeti
88

وَلَتَعۡلَمُنَّ نَبَأَهُۥ بَعۡدَ حِينِۭ

E ju gjithsesi do ta kuptoni pas pak kohe vërtetësinë e tij.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Mëkatarët, të ndrydhur në zjarrin e xhehenemit do të bëjnë polemika mes vete, duke u përpjekur që fajin t’ia hedhin njëri-tjetrit. Fjala “Merhaba”, ka kuptimin e shlirimit, rehatimit, komoditetit, mirëseardhjes etj. Paria idhujtare në xhehenem do të thonë: Ku janë ata që ne nuk i kemi llogaritur fare si njerëz, sa ishim në dynja; këtu kanë si qëllim: Bilalin, Suhejbin, Amarin, shokë të Pejgamberit. Këtë pyetje e bëjnë se nuk besonin që muslimanët do të jenë në xhenete, por atëherë e kuptojnë. Ebu Xhehli do ta kuptojë, se u bë musliman i biri i tij Ikreme, bija e tij Xhuvejrija, nëna e tij, vëllai i tij, e ai vetë kishte mbetur në kufër. Muhamedi a.s. urdhërohet t’iu tregojë njerëzve pse është i dërguar, se nuk ka Zot pos Allahut, se Ai komandon me çdo gjë, se ka fuqi të pakufishme, se është mëkatfalës dhe se Ai përmes Kuranit e mësoi për bisedën, që bënë engjëjt kur u krijua Ademi, për kryeneçësinë që tregoi djalli, për analogjinë që parashtroi si arsyetim. Shejtani u dëbua prej xhenetit, por iu lut Zotit t’i japë të jetojë deri kur të bëhet ringjallja. Zoti i dha, por jo deri në ringjallje, pse pas ringjalljes nuk ka vdekje, e ashtu ai do të shpëtonte; i dha jetë deri kur Ai vetë e di. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Sad. Falënderoj Allahun e Madhëruar! Zoti, Krijues i gjithësisë, i njerëzve, nuk ka nevojë për shok e as për fëmijë, nuk i bën kurrfarë dëmi mosbesimi i jobesimtarëve, e nuk i sjell kurrfarë dobie, as besimi i besimtarëve, por urdhri dhe pëlqimi i Tij është besimi dhe veprat e mira, e nuk është i kënaqur me ata, që nuk besojnë ose bëjnë punë të këqija. Në këtë kaptinë përshkruhen mjerimet e atyre që janë kriminelë në këtë botë, përshkruhen llojet e ndryshme të dënimeve, të cilët do t’i përjetojnë. Madje sillet shembulli i atij, që e beson një Zot dhe atij që beson shumë sish, dhe gjendja e çdonjërit prej tyre. Ftohen të gjithë njerëzit, që t'i kthehen Allahut, se dëshprimi që do ta shfaqin në Ditën e Kijametit nuk do t’iu vlejë asgjë. Në fund të kësaj sureje përmendet Suri (briri), të cilit do t’i fryjë Israfili, sipas urdhrit të Zotit, një herë për vdekjen e çdo gjallese, e herën tjetër për ringjallje. Flitet edhe për atë skenë të tmerrshme, se si njerëzit në turma të mëdha shtyhen për në xhehenem dhe si të tjerët sillen te xheneti, se si do të prezentohen shënimet e veprave në praninë e pejgamberëve, se si e tërë ekzistenca i shpreh falënderim Allahut, se si engjëjt qëndrojnë rreth e përqark Arshit duke e madhëruar Zotin. Quhet: “Suretuz Zumeri” - kaptina e turmave, pse në këtë mënyrë përshkruhen turma e fatbardhëve dhe e atyre fatzinjve, të parët të gëzuar e të nderuar, kurse të dytët të dëshpëruar e të përbuzur.