39. Zumer · Ajeti 1 · Tefsir
Hyrja e sures Ez-Zumer Sherif Ahmeti
E zbritur në Meke, pas kaptinës Sebe'ë, ajete 75.
Edhe në këtë sure jepen fakte për Kur'anin se është shpallje e Zotit, e nëpërmjet tij Muhammedit dhe të gjithë besimtarëve u bëhët me dije se çdo adhurim dhe çdo vepër që e kryejnë duhet ta kenë për qëllim vetëm Zotin, e të ruhen prej formaliteteve, pse besimi ose vepra formale nuk ka kurrfarë vlere te Allahu.
Zoti, Krijues i gjithësisë, i njerëzve, nuk ka nevojë për shok e as për fëmijë, nuk i bën kurrfarë dëmi mosbesimi i jobesimtarëve, e nuk i sjell kurrfarë dobie as besimi i besimtarëve, por urdhëri dhe pëlqimi i Tij është besimi dhe veprat e mira, e nuk është i kënaqur me ata që nuk besojnë ose bëjnë punë të këqia.
Në këtë kaptinë përshkruhen mjerimet e atyre që janë kriminelë në këtë botë, përshkruhen llojet e ndryshme të dënimit, të cilin do ta përjetojnë Madje, sillet shembulli i atij që e beson një Zot dhe atij që beson shumë sish, dhe gjendja e çdonjërit prej tyre. Ftohen të gjithë njerëzit që t'i kthehen Allahut, se dëshprimi që do ta shfaqin në ditën e kijametit nuk do t'u vlejë asgjë.
Në fund të kësaj sureje përmendet Suri (briri), të cilit do t'i fryjë Israfili, sipas urdhërit të Zotit, njëherë për vdekjen e çdo gjallese, e herën tjetër për ringjallje Flitet edhe për atë sqenë të tmerrshme, se si njerëzit në turma të mëdha shtyhen për në xhehenem dhe si të tjerët sillen te xhenneti, se si do të prezentohen shënimet e veprave në praninë e pejgamberëve, se si e tërë ekzistenca i shpreh falënderim Allahut, se si engjëjt me pozicionin "gatitu" qëndrojnë rrethepërqark Arshit duke e madhëruar Zotin.
Quhet: "Suretuz Zumeri" - kaptina e turmave, pse në këtë përshkruhet turma e i fatbardhëve dhe e atyre fatzinjve, të parët të gëzuar e të nderuar, kurse të dytët të dëshpëruar e të përbuzur.
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:1–39:20
Kur'ani është libër i shpallur prej Zotit Një, e derisa pos Tij nuk ka Zot tjetër, atëherë adhurimi dhe çdo vepër tjetër duhet të kryhet thjesht për hir të Tij, pse adhurimi ose veprat që kryhen edhe për hir të dikujt tjetër, janë të papranueshme. Është gabim i madh në besim, të mendohet se dikush tjetër do të ketë ndikim të afrojë te Zoti, pse Zotit, të vetmit krijues dhe komandues me gjithçka ekziston, nuk i nevojitet ortak, as nuk i nevojitet ndonjë fëmijë, andaj t'i shoqërohet Zotit ndonjë send a qenie, në adhurime ose në vepra, do të thotë t'i asgjësojë ato, pse si të tilla Zoti nuk i pranon.
Në argumentet që duket fuqia e pakufishme e Zotit Krijues, përmenden qiejt, toka, dielli, hëna, e përmenden edhe nata e dita se si e mbështjellin, e mbulojnë njëra-tjetrën. Vetë fjala "kevr" do të thotë: të vihet një palë mbi palën tjetër të petkave, e këtu e kuptojmë se atë vend të globit të tokës të cilin e ka mbuluar nata, më vonë e mbulon dita dhe anasjelltas, pra e tërë sipërfaqja e tokës është e mbështjellë me natë ose me ditë, për arsye se toka është e rrumbullakët.
Përmenden etapat e krijimit të njeriut dhe tri errësirat në barkun e nënës: errësira e cipës së mbështjellë, errësira e mitrës dhe errësira e barkut. Për këto tri errësira të fetusit, dituria vetëm tash arriti t'i dijë Allahu është i kënaqur me ata që kanë besim të drejtë e vepra të mira, e nuk është i kënaqur me ata me besim të kotë e me punë të këqia, por megjithatë, Zoti nuk ka nevojë për asnjërin, I porse njerëzit kanë nevojë për Zotin.
Është karakter i dobët i atij që kur është në vështirësi e lut Zotin, e kur Ai ia largon vështirësitë, e harron Atë e i mbështetet tjetërkujt.
Nuk është i njëjtë si besimtari si jobesimtari, si ai që bën vepra të mira dhe si ai që bën të këqia, pra nuk është i barabartë i padijshmi me të dijshmin.
Toka e Zotit është e gjerë. Ky ajet thuhet se shpallet si përforcim i binjdes së Xhafer ibni Ebi Talibit dhe të shokëve të tij, të cilët mendonin të shpërngulen për në Abesini dhe atje ta adhurojnë lirisht Zotin.
Pejgamberi ynë është njeri i parë që nuk ndoqi traditat e të parëve në fe, që i përbuzi dhe i rrënoi idhujt, iu dorëzua Zotit, i besoi Atij dhe thirri për në rrugën e Tij, e urdhërat që i drejtohen atij në disa ajete, kanë të bëjnë me të gjithë myslimanët. Të dëgjueshmin Zoti e ndihmon ta gjejë rrugën e drejtë, kurse të padëgjueshmin, e lë pa ndihmë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:1–39:4
- “Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Urtit.” - Allahu i Lartësuar na bën me dije se zbritja e Kuranit madhështor është prej Tij. Ky Kuran është e vërteta, për të cilën nuk ka asnjë dyshim se është prej Zotit, i Cili thotë në ajetin tjetër: “Pa dyshim, ky (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed), për t’u bërë paralajmërues, me një me gjuhë të kulluar arabe.” [Shuara 192 - 195]. Ose: “Ata që e mohojnë Mesazhin (Kuranin), kur ai u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një libër madhështor. Atij (Kuranit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” [Fusilet 41, 42]. Ndërsa në këto ajete, i Madhëruari thotë: “Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Urtit.” Allahu është i Pamposhturi, Krenari dhe Ngadhë - njimtari. Ai është El Hakim , pra, i urti në fjalët dhe veprat e Tij, në Sheriatin që ligjëroi për njerëzit, për të adhuruar Zotin e tyre dhe për të jetuar sipas tij, si edhe në ligjin e kaderit, pra, të çdo gjëje që ekziston në këtë botë dhe mënyrën se si ajo funksionon. - “Jemi Ne që ta shpallëm ty Librin me të Vërtetën, prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!” - Adhuroje Atë me dashuri të plotë dhe madhërim dhe ftoi krijesat që ta adhurojnë si një të vetëm dhe pa ortak. Adhurimin nuk e meriton askush tjetër, përveç Tij. - “Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë.” - Asnjë vepër nuk meriton të pranohet, veç asaj që është kryer me sinqeritet vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, që është i vetëm dhe pa ortak. Pastaj Allahu i Lartësuar përshkruan adhuruesit e idhujve dhe fjalët e tyre: - “Por ata që, në vend të Tij, marrin mbrojtës të tjerë, thonë: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu.”. - Kështu, ata u përkushtuan ndaj disa statujave dhe putave, të cilat i kishin gdhendur sipas hamendësimeve të tyre, në formën e melekëve të afërm te Zoti, dhe i adhuruan ato figura, duke e konsideruar këtë adhurim si diçka që i afronte më shumë me Zotin. Gjithashtu, ata u përkushtonin adhurime melekëve, me qëllimin që ata të ndërmjetësonin për adhuruesit e tyre tek Allahu i Lartësuar, që Ai t’u dhuronte fitore, furnizim dhe t’u plotësonte çdo kërkesë në lidhje me çështjet e dynjasë. Ndërsa për sa i përket Ditës së Premtuar, Ditës së Ringjalljes, kur jepet llogari përpara Zotit, ata e refuzonin tërësisht. Në fakt, të gjithë idhujt e putat, që ata i merrnin si ndërmjetë - sues për tek Zoti, edhe në gjykimin e idhujtarëve, ishin thjesht krijesa të Allahut të Lartësuar dhe të nënshtruar ndaj Tij. Kështu, është shënuar se, kur ata bënin telbie-n e haxhit, gjatë kohës së injorancës para Islamit, thoshin: “ Lebbejke lâ sherike leke, il-lâ sheriken hue lek, temlikuhû ue mâ
melek (Të përgjigjemi Ty, o Zot! Ti nuk ke ortak, përveç ortakut që e ke zgjedhur për Veten Tënde! Ai dhe ajo që ai zotëron janë prona Jote.” Me këtë mendësi, pra, i adhurojnë idhujt, si idhujtarët e kohëve të vjetra edhe të sotmit, pra, me besimin se ata do t’i afrojnë më shumë tek Allahu dhe do të ndërmjetësojnë tek Ai. Në fakt, të gjithë profetët erdhën me mesazhin e qartë e të prerë, që hedh poshtë të tilla adhurime të kota. Ata ftuan në adhurimin e Allahut si një të vetëm. Adhurimi i idhujve është diçka që idhujtarët e shpikin nga vetja e tyre, me pretendimin se ata i afrojnë tek Zoti dhe ndërmjetësojnë tek Ai dhe se ky adhurim i bën më të pranueshme lutjet dhe adhurimet për Zotin. Ky është një besim, për të cilin Allahu i Madhëruar nuk ka sjellë asnjë argument dhe nuk është i kënaqur me të. Madje, Ai e urren dhe e ka ndaluar rreptësisht atë. I Lartësuari thotë: “Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni shejtanëve!”” [Nahl 36]. Ose: “ Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” [Enbija 25]. Edhe ata të cilët idhujtarët i konsiderojnë si ndërmjetësues dhe të tillë që i afrojnë më shumë tek Zoti, edhe ata nuk munden që të ndërmjetësojnë, përveçse nëse i jep leje Zoti dhe kur Ai është i kënaqur me atë gjë. Në këtë mënyrë, këta ndërmjetësues nuk kanë tek Zoti i Lartësuar pozitën e ministrave tek mbretërit e tyre, të cilët mund të ndërmjetësojnë edhe pa miratimin e mbretit, ose edhe duke e detyruar mbretin që ta pranojë këtë ndërmjetësim. I lartësuar qoftë Allahu nga të gjitha këto trillime të kota dhe besime të pabaza. I Lartësuari thotë: “Ata (idhujtarët) adhurojnë përveç Allahut krijesa, të cilat nuk janë në gjendje t’u sjellin asnjë rizk as nga qiejt, as nga toka dhe as që kanë mu - ndësi. Mos i përshkruani Allahut shembuj! Allahu di gjithçka e ju nuk dini.” [Nahl 74]. - “Nuk ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim.” - Ditën e Kijametit, Allahu i Lartësuar ka për të bërë ndarjen dhe lloga - rinë e drejtë mes krijesave. Gjithësecili do ta shpërblehet sipas veprave të veta, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Një ditë, Ai do t’i tubojë të gjithë dhe do t'u thotë melekëve: “Ju ishit ata që këta njerëz ju adhuronin?” Ata do të thonë: “I madhë - ruar qofsh Ti! Ti je Zoti ynë dhe ne distancohemi prej tyre!” Në fakt, ata adhuronin xhindët dhe shumica e tyre i besonin”.” [Sebe 40,41]. - “Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar e refuzues.” - Allahu i Lartësuar na bën me dije se Ai nuk ka për t’i udhëzuar dhe nuk për t’ua lehtësuar udhëzimin atyre të cilët trillojnë gënjeshtra për Të, si edhe refuzojnë shpalljet, argumentet dhe faktet e sjella prej Tij. - “Sikur Allahu të dëshironte të kishte një fëmijë për Vete, Ai do të mund të kishte zgjedhur kë të donte nga ata që Ai krijon.” - Kjo fjali në dukje është kushtore, por në thelb nuk flitet për një kusht të domosdoshëm që të përmbushet, madje as nuk lejohet të mendohet që ekziston një kusht i tillë, pasi është diçka e pamundur dhe kurrsesi nuk mund të ndodhë. Qëllimi i sjelljes së kësaj fjale është për të treguar thellësinë e injorancës së idhujtarëve në lidhje me besimet e tyre të kota. Allahu është i lartësuar, i madhëruar, i pastër nga çdo e metë e nga besimi që ai të ketë fëmijë dhe ortakë në madhështinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë në ajetin tjetër: “Ne nuk e krijuam qiellin, tokën e çdo gjë mes tyre pa një qëllim. Po të kishim dashur argëtim, Ne do ta bënim si i shkon madhështisë Sonë (pa e ditur ju) , por nuk e bëmë diçka të tillë.” [Enbija 16, 17]. Ose: “Thuaju (o Muhamed): “Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i tij.” I lartësuar dhe larg të metave është Zoti i qiejve e i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo që ata i përshkruajnë!” [Zuhruf 81, 82]. Të gjitha këto ajete janë të ngjashme dhe kumti që ato përcjellin është i njëjtë.
- “Por i pastër është Ai. Ai është Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari.” - I Lartësuar dhe i Dëlirë është Allahu i Lartësuar, që të mund të mendohet se Ai ka fëmijë! Ai është Një, i Vetmi, i Cili nuk ka lindur kënd dhe as nuk është lindur prej kujt dhe me të askush nuk mund të jetë i barabartë. I lartësuar qoftë Allahu nga trillimet, që bëjnë zullumqarët dhe ata që refuzojnë Shpalljen dhe mësimet e Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:1–39:3
Allahu i Madhëruar na njofton për madhështinë e këtij Kur'ani dhe për rëndësinë e tij të madhe. Ai na njofton se Kur'ani është fjala e Tij, që Ai e ka folur, dhe Shpallje e zbritur nga i Madhërishmi. Ai thotë: - Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Urtit. – Kur'ani është shpallja e Allahut, që është i vetmi i Adhuruar me meritë nga krijesat. Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, sepse është i Plotë, Absolut dhe i Madhëruar në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Krenari, Ngadhënjimtari e i Plotfuqishmi, që ka nënshtruar çdo krijesë me fuqinë dhe krenarinë e Tij. Para Tij është përulur çdo gjë. Ai është i Urti dhe urtësia e Tij shpaloset qartë në krijimin dhe në ligjin e Tij. Ky Kur'an është shpallur nga Allahu, që është i përshkruar me të tilla cilësi. Ai është fjala e Allahut. Të folurit është cilësi e atij që flet dhe cilësia e tij vlerësohet sipas atij që e ka folur. Kështu, duke qenë se Allahu është i plotë dhe absolut në çdo aspekt dhe nuk ka shembull dhe të ngjashëm me të, po kështu edhe Fjala e Tij është e plotë dhe absolute në çdo këndvështrim dhe nuk ka të ngjashme ose si shembulli i saj. Vetëm ky detaj do të mjaftonte në përshkrimin e Kur'anit, për të treguar gradën dhe rëndësinë e tij të lartë dhe të jashtëzakonshme. Por Allahu i Madhëruar na sjell edhe më shumë sqarime dhe lëvdata për Kur'anin. Ai na përmend faktin se kujt iu zbrit ky libër. Ndër faktet që e shtojnë edhe më shumë mirësinë dhe gradën e Kur'anit është edhe fakti ai që iu shpall Muhamedit (a.s), më të nderuarit të krijesave. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ky libër është fjala më e nderuar dhe më e rëndësishme! Ndër faktet që tregojnë madhështinë dhe rëndësinë e Kur'anit është edhe përmbajtja e tij. - Jemi Ne që ta shpallëm ty Librin me të Vërtetën (e sigurt). - Ky është libër në të cilin u tregua dhe ndriçua e vërteta e sigurt dhe në të nuk ka asnjë dyshim dhe pasiguri. Nëpërmjet të vërtetës, krijesat do të shpëtojnë dhe nxirren nga errësirat në dritë. Lajmet e sjella në të janë të vërteta dhe të sigurta, ndërsa ligjet dhe dispozitat janë të drejta dhe plot mirësi e bekime. Çdo kumt i sjellë në të përmban të vërtetën më të lartë. Çdo udhëzim i tij të drejton në qëllimet më të larta dhe mirësinë e të dy botëve. E çfarë mund të presësh pas të vërtetës, veç humbjes dhe errësirës? Kur'ani është drita dhe e vërteta dhe çdo gjë që bie ndesh me të është errësirë dhe humbje. - Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij! - Duke qenë se ky libër zbriti nga Ai që është Zoti i vërtetë, duke qenë se përmban kumte të vërteta për të udhëzuar dhe ndriçuar rrugën e krijesave dhe duke qenë se iu dha më të mirit të krijesave, Muhamedit (a.s), atëherë ai është një mirësi dhe bekim i pashembullt, që duhet vlerësuar dhe respektuar shumë, me mirënjohje dhe përunjësi. Kjo bëhet veçse me një mënyrë, që nuk pranon ndryshim: sinqeritet i plotë në zbatimin e fesë së Zotit të kumtuar në këtë libër. I Madhëruari thotë: "Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!" Përkushtoji Allahut të gjitha
adhurimet dhe zbatimin e kësaj feje, që e zbriti për ty, qofshin ato ligje dhe dispozita që lidhen me veprat e jashtme dhe të shfaqura dukshëm, qofshin çështjet e besimit dhe punët e zemrës dhe të shpirtit. Me fjalë të tjera, ajo që kërkohet është plotësimi i të gjitha gradave të besimit: islamin, imanin dhe ihsanin. 3 Mirënjohësi e beson dhe dëshmon se i vetmi i Adhuruar me meritë është Allahu, që adhurohet sipas asaj që Ai e ka shpallur në këtë libër. Të gjitha adhurimet bëhen veçse për të kënaqur Zotin. Kjo është mënyra për t'i treguar mirënjohjen për këtë libër madhështor që na dhuroi. Të tilla çështje vijnë të shtjelluara në ajetet në vazhdim. Allahu i Madhëruar thotë: - Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë. - Kjo është një nxitje për sinqeritet në zbatimin e fesë së Zotit dhe përmbushjen e saj në veten tonë. Allahu i Lartësuar na qartëson se, ashtu sikurse Ai është i Plotë, Absolut në të gjitha emrat, cilësitë, përshkrimet dhe veprat e Tij, ashtu sikurse Ai është i vetmi që kujdeset dhe dhuron mirësi krijesave në çdo çështje, po kështu Atij dhe vetëm Atij i duhen përkushtuar të gjitha adhurimet dhe zbatimi i fesë së Tij duhet të bëhet i pastër dhe i patrazuar nga asnjë ndërhyrje e ndryshim. Islami është feja që Ai e pëlqen dhe e ka zgjedhur për Veten e Tij, që krijesat ta adhurojnë përmes zbatimit të saj. Islami është feja që Ai e zgjodhi për të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij, që Ai urdhëroi që t'i përmbahen dhe të zbatojnë me korrektësi dhe besnikëri. Allahu e deshi Islamin për ne, sepse përmes kësaj feje, ne mësojmë si të adhurojmë Atë, si t'i shprehim dashurinë për Të, fikën ndaj Tij dhe shpresën tek Ai. Kurani na mëson si të pendohemi e t'i kthehemi Zotit sa herë që gabojmë. Ai na mëson madje si t'i kërkojmë ndihmë Zotit që të na udhëzojë dhe që të përmbushim adhurimin e Tij sa më mirë, ashtu siç Ai kënaqet dhe e dëshiron prej nesh. Ai na mëson si t'ia kërkojmë ndihmën dhe udhëzimin e Tij të plotë, për të realizuar të gjitha synimet e larta që kanë robtë, qoftë në jetën e dynjasë, qoftë në ahiretin e tyre. Feja e zbritur në këtë libër madhështor është e vetmja rrugë për të pastruar dhe ndriçuar shpirtrat dhe zemrat e robve, dhe jo idhujtaria. Çdokush që e cënon teuhidin e Zotit dhe ia përkushton ndonjë adhurim dikujt tjetër veç Allahut, ai është i refuzuar dhe i privuar nga mirësia. Allahu është larg tij, e braktis atë. Allahu është më i pasuri, që nuk ka nevojë për shirkun dhe idhujtarët e as për punët e tyre. Cënimi i njëshmërisë së Zotit dhe i pastërtisë së Islamit i prish zemrat dhe shkatërron dynjanë dhe ahiretin e njeriut. Madje, ajo bëhet shkak për dëshpërimin dhe fatkeqësitë më të mëdha. Kjo vepër ka për t'i sjell mundime të mëdha robit. Pasi urdhëroi për teuhid dhe sinqeritet ndaj Tij, Allahu i Madhëruar vijon të na ndalojë nga e kundërta, pra, nga shirku dhe na tregoi se sa të ulët dhe të përçmuar janë ata që i bëjnë shokë në adhurim: - Por ata që, në vend të Tij (Allahut), marrin mbrojtës të tjerë, thonë: "Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më
shumë tek Allahu.". - Këta të mjerë u afrohen dhe përulen idhujve të tyre me adhurime dhe lutje, me blatime dhe përkushtime, të cilat i meriton veçse Allahu, si një dhe i vetëm. Por ata e justifikojnë këtë krim ndaj Allahut me fjalët: "Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë më shumë tek Allahu. Ne u përkushtohemi dhe lutemi atyre, që ata t'i paraqesin lutjet dhe nevojat tona tek Zoti, duke ndërmjetësuar për ne tek Ai. Ky është qëllimi ynë, sepse ne e dimë mirë se ata as krijojnë, as furnizojnë dhe nuk kanë gjë në dorë, për asnjë çështje.” Në këtë mënyrë, këta të mjerë e hedhin poshtë urdhërin për sinqeritet të plotë dhe adhurim të Zotit si një dhe të vetëm dhe marrin guximin që të bëjnë padrejtësinë dhe krimin më të madh që ekziston, idhujtarinë. Ata e kryejnë këtë krim të shëmtuar sepse bëjnë një krahasim të gabuar dhe të padrejtë me mendjet e tyre të sëmura dhe të prishura. Ata e mendojnë Zotin e Plotfuqishëm të Madhërishëm ashtu si mbretërit e kësaj bote. Sipas mendjeve të këtyre kokëboshëve, meqë tek mbretërit e kësaj bote nuk mund të afrohesh dhe dërgosh kërkesat e tua, veçse nëpërmjet ndërmjetësve dhe të afruarve në oborrin e tyre, atëherë edhe me Zotin duhet të jetë njëlloj. Sipas tyre, mbretërit e këtushëm nuk i dinë hallet tona, prandaj është e nevojshme që diksh t'ua paraqesë në mënyrë sa më të shtjelluar. Gjithashtu, ndoshta ata as nuk duan t'ia dinë për ata që i parashtrojnë nevojat e tyre, prandaj është e nevojshme që dikush të nxisë tek ata mëshirën e keqardhjen për nevojtarin. Gjithashtu, ndodh që ndërmjetësit dhe interesat e tyre të jenë të fuqishme, aq sa mbreti të shohë veten të detyruar që t'i plotësojë kërkesat e tyre, për t'i kënaqur dhe mbajtur në anën e tij. Mbretërit kanë frikë se varfërohen, prandaj dhe nuk pranojnë lutjen dhe kërkesat e çdokujt. Kështu, një kërkesë nga një i afërt është më e pranueshme. Kështu e mendojnë këta të mjerë mendjelehtë edhe Zotin e botëve. Por Zoti i botëve është i Gjithëdituri, që me diturinë e Tij ka përfshirë atë që duket dhe atë që fshihet. Ai nuk ka nevojë që dikush ta njoftojë për kërkesat e popullit të Tij apo t'ia shpjegojnë dhe vënë në dukje nevojat dhe gjendjen e tyre. Allahu është më i mëshirshmi i gjithë të mëshirshmëve, më i miri që dhuron dhe kujdeset me dashuri për robtë. Ai nuk ka nevojë që dikush nga krijesat e Tij ta bëjë të mëshirshëm apo të nxisë mëshirën e Tij. Madje Ai është më i mëshirshëm për ta se ata vetë për veten e vet apo sesa prindërit e tyre për ta. Ai i nxit ata që të kryejnë ato punë, nëpërmjet të cilave të arrijnë mirësinë e Tij. Madje, Ai dëshiron të mirën dhe dobinë e tyre më shumë sesa mund të kërkojnë robtë. Allahu është i Pasuri, të Cilit i takon pasuria e plotë dhe absolute, pa asnjë mangësi apo nevojë. Nëse të gjitha krijesat, nga e para deri tek e fundit, të mblidheshin në një vend të gjithë dhe t'i luteshin për kërkesat e tyre dhe Ai t'i jepte çdokujt atë që kërkon dhe e ëndërron, kjo nuk do ta pakësonte pasurinë e Tij aspak, as aq sa mund të pakësojë një majë gjilpëre kur zhytet në oqean. Të gjithë ata që mund të ndërmjetësojnë i frikësohen Allahut dhe askush prej tyre nuk merr guximin të ngrejë zërin dhe të ndërmjetësojë pa lejen e Tij, sepse e gjithë e drejta për ndërmjetësimin është në dorë të Zotit. Ai i jep leje të ndërmjetësojë vetëm atij që Ai dëshiron dhe është i kënaqur që të ndërmjetësojë. Është vetë Zoti që vendos se për kë duhet ndërmjetësuar. Për këtë arsye, këto ndërmjetësime janë treguese të injorancës dhe mendjelehtësisë së idhujtarëve. Kjo tregon se sa të padrejtë dhe të ulët tregohen kur kanë guximin t'i shoqërojnë Zotit shokë në adhurim. Nga kjo kuptohet edhe urtësia e vendimit të Zotit që të mos e falë shirkun, që është cënim i madhështisë së Zotit, si dhe shpifja e trillimi më i ulët. Allahu i Madhëruar, duke kërcënuar idhujtarët, u kujton atyre se do të vijë dita kur Ai të gjykojë mes dy grupeve, njësuesve të sinqertë dhe idhujtarëve: - Nuk ka dyshim se Allahu do t’i gjykojë për atë çështje që ata ishin në
kundërshtim. - Dihet mirë se për besimtarët do të vendoset që të jenë në kopshtet e mirësive. Ndërsa gjykimi për mohuesit dhe idhujtarët është se: "Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar." [Maide 72]. Atëherë, le ta dinë këta zullumqarë e të padrejtë, të cilët trillojnë për Zotin gjëra të paqena, se: - Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë gënjeshtarë e refuzues (të besimit të drejtë). - Allahu nuk u jep sukses që udhëzimi në rrugën e drejtë të zërë vend në zemrat e tyre dhe t'i ndriçojë e lartësojë, sepse ata janë gënjeshtarë e refuzues . Ata janë mashtrues, mohues e refuzues të së vërtetës. Ata nuk e pranojë të vërtetën kur u vjen. Sa herë që u vijnë këshilla, paralajmërime e kërcënime, ose shenja dhe argumente nga Zoti për ta pranuar udhëzimin dhe dritën e tij dhe për t'ia hapur zemrën, ata i refuzojnë me forcë dhe i quajnë gënjeshtra. Atëherë, si mund të hyjë udhëzimi e drita e Zotit në zemrën e tyre, kur ata vetë ia kanë mbyllur portat dhe rrugët këtij udhëzimi? Për këtë arsye, njerëz të tillë ndëshkohen me të drejtë nga Zoti, duke ua vulosur zemrat, që ata të mos besojnë më kurrë.