← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

39. Zumer · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:1–39:20

Kur'ani është libër i shpallur prej Zotit Një, e derisa pos Tij nuk ka Zot tjetër, atëherë adhurimi dhe çdo vepër tjetër duhet të kryhet thjesht për hir të Tij, pse adhurimi ose veprat që kryhen edhe për hir të dikujt tjetër, janë të papranueshme. Është gabim i madh në besim, të mendohet se dikush tjetër do të ketë ndikim të afrojë te Zoti, pse Zotit, të vetmit krijues dhe komandues me gjithçka ekziston, nuk i nevojitet ortak, as nuk i nevojitet ndonjë fëmijë, andaj t'i shoqërohet Zotit ndonjë send a qenie, në adhurime ose në vepra, do të thotë t'i asgjësojë ato, pse si të tilla Zoti nuk i pranon.

Në argumentet që duket fuqia e pakufishme e Zotit Krijues, përmenden qiejt, toka, dielli, hëna, e përmenden edhe nata e dita se si e mbështjellin, e mbulojnë njëra-tjetrën. Vetë fjala "kevr" do të thotë: të vihet një palë mbi palën tjetër të petkave, e këtu e kuptojmë se atë vend të globit të tokës të cilin e ka mbuluar nata, më vonë e mbulon dita dhe anasjelltas, pra e tërë sipërfaqja e tokës është e mbështjellë me natë ose me ditë, për arsye se toka është e rrumbullakët.

Përmenden etapat e krijimit të njeriut dhe tri errësirat në barkun e nënës: errësira e cipës së mbështjellë, errësira e mitrës dhe errësira e barkut. Për këto tri errësira të fetusit, dituria vetëm tash arriti t'i dijë Allahu është i kënaqur me ata që kanë besim të drejtë e vepra të mira, e nuk është i kënaqur me ata me besim të kotë e me punë të këqia, por megjithatë, Zoti nuk ka nevojë për asnjërin, I porse njerëzit kanë nevojë për Zotin.

Është karakter i dobët i atij që kur është në vështirësi e lut Zotin, e kur Ai ia largon vështirësitë, e harron Atë e i mbështetet tjetërkujt.

Nuk është i njëjtë si besimtari si jobesimtari, si ai që bën vepra të mira dhe si ai që bën të këqia, pra nuk është i barabartë i padijshmi me të dijshmin.

Toka e Zotit është e gjerë. Ky ajet thuhet se shpallet si përforcim i binjdes së Xhafer ibni Ebi Talibit dhe të shokëve të tij, të cilët mendonin të shpërngulen për në Abesini dhe atje ta adhurojnë lirisht Zotin.

Pejgamberi ynë është njeri i parë që nuk ndoqi traditat e të parëve në fe, që i përbuzi dhe i rrënoi idhujt, iu dorëzua Zotit, i besoi Atij dhe thirri për në rrugën e Tij, e urdhërat që i drejtohen atij në disa ajete, kanë të bëjnë me të gjithë myslimanët. Të dëgjueshmin Zoti e ndihmon ta gjejë rrugën e drejtë, kurse të padëgjueshmin, e lë pa ndihmë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:10–39:12

Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të jenë të vazhdueshëm, të përqendruar dhe të palëkundur në bindjen ndaj Tij, duke u stolisur me devotshmëri, frikë dhe bindje ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Tij. - “Thuaj: “O ju robërit e Mi që keni besuar! Kini frikë Zotin tuaj! Ata që bënë mirë në këtë jetë, do të kenë mirësi.” - Atyre që përmirësojnë veprat do t’u jepen mirësi të shumta në dynja dhe në ahiret. - “Me të vërtetë, toka e Allahut është e gjerë.” - Muxhahidi shpjegon: Pra, emi - groni, luftoni dhe përpiquni në rrugën e Allahut, për t’u larguar sa më shumë nga idhujt, poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut. Largohuni nga çdo gjë që sjell ndëshkimin e Allahut! Mërgoni në tokën e gjerë të Zotit, në ato toka ku zbatohet Islami dhe njerëzit adhurojnë vetëm Allahun. 6 - “Durimtarëve do t’u jepet shpërblim pa masë.” - Atyre u jepet shpërblim jo duke u peshuar dhe matur, por u jepet pa hesap, me shumicë. - “Thuaj: “Unë jam urdhëruar ta adhu - roj Allahun me përkushtim të sinqertë.” - Domethënë, të mos i bëj shok Allahut asgjë dhe asnjë në adhurimet përkushtuar Atij. - “Unë jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve.” - Suddiu shpjegon: “Pra, të jem prej umetit të Muhamedit ﷺ.”7

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:11–39:16

- Thuaj: “Unë jam urdhëruar ta adhuroj Allahun, me përkushtim të sinqertë. Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve!” - Thuaju njerëzve, o Profet: “Unë jam urdhëruar ta adhuroj Allahun, me përkushtim të sinqertë.” (Ky është urdhri që e mori që në fillim të sures, kur Allahu i Madhëruar tha: "Adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!”) Unë jam ftuesi për në udhën e drejtë dhe, si i tillë, duhet të jem i pari që i zbaton dhe përmbush ato për të cilat urdhëron dhe udhëzon të tjerët. Unë duhet të jem i pari që i është dorëzuar Allahut tërësisht. Kjo është diçka që patjetër duhet të përmbushet nga Muhamedi dhe të gjithë ata që pretendojnë se e pasojnë rrugën e tij. Kështu, ata duhet të plotësojnë Islamin në veprat e tyre të shfaqura haptas, si edhe duhet të kenë sinqeritetin e plotë për Allahun, qoftë në veprat e shfaqura, qoftë në ato që bëhen fshehtas. - Thuaj: “`Po të mos i bindesha Zotit tim, do t'i frikësohesha Dënimit të një Dite të Madhe. - Nëse nuk i binden Atij në përmbushjen e besimit të sinqertë dhe çështjeve të Islamit, thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një dite të madhe…". Ata që i shoqërojnë Atij shokë në adhurim do të dënohen përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit. Edhe ata që cenojnë detyrat dhe bëjnë harame e gjynahe përveç shirkut, janë të kërcënuar se do të ndëshkohen dhe duhet të frikësohen për përfundimin e tyre në atë Ditë të Madhe. Prandaj thuaj dhe dëshmo me bindje dhe përkushtim: - Thuaj: “Është vetëm Allahu Ai që unë e adhuroj, me përkushtimin tim të sinqertë." - Thuaju ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar: "Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni. As ju nuk adhuroni Atë që unë e adhuroj. Dhe unë kurrë nuk do të adhuroj atë që ju e adhuroni. Por as ju nuk do të adhuroni Atë që unë e adhuroj. Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time." [Kafirun 1 – 7]. - Kurse ju, adhuroni çfarë të doni përveç Tij!” - Ju veproni si të doni dhe adhuroni çfarë të doni, se të dështuarit dhe të humburit e vërtetë janë pikërisht ata që humbin veten dhe familjet e tyre në Ditën e Kijametit. Ata e humbin vetveten, sepse e privojnë atë nga shpërblimi i Zotit dhe, me veprat e tyre, meritojnë ndëshkimin e përjetshëm e dëshpërues. Ata do të humbin edhe familjet e tyre, sepse atë ditë do të ndahen nga njëri tjetri dhe dhimbja e tyre do të jetë e papërshkrueshme. - Thuaj: “Të humbur në Ditën e Kijametit janë ata që e humbën veten dhe familjen e tyre. Dhe kjo është ajo humbja (e vërtetë dhe) e qartë. - Nuk ka ndonjë humbje që mund të krahasohet me të, sepse ajo është e vazhdueshme dhe e përjetshme, që kurrë nuk pritet të përfundojë apo të shpresohet ndonjë e mirë pas saj. Nuk ka as përmirësim dhe as

shpëtim. Në vijim, Allahu i Madhëruar e shtjellon këtë ndëshkim, duke thënë: - Ata do të kenë shtresa zjarri nga sipër dhe shtresa zjarri nga poshtë. - Një valë dënimi e madhe do t’i mbulojë nga sipër, si një re e madhe. Po kështu do të kenë dënim edhe nga poshtë. - Me këtë i frikëson Allahu robtë e Vet: “O robtë e Mi, kijeni frikë (dënimin)!” - Ky ndëshkim dhe përshkrimi i tij është një paralajmërim nga Allahu dhe shprehje e mëshirës së Tij për ne, që të na kthejë në rrugën e Tij, prandaj thotë: “O robtë e Mi, kijeni frikë (dënimin)!” Domethënë, të gjitha këto ndëshkime të banorëve të Zjarrit, Ai na i tregon që të ftojë robtë e Tij të pajisen me devotshmëri dhe të ruhen nga gjithçka që i çon tek ndëshkimi. I lavdëruar qoftë Allahu, që i mëshiron robtë e Tij në çdo gjë dhe ua lehtëson rrugët drejt Tij. Ai i nxit ata që t'i hyjnë këtyre rrugëve. Ai i bën ata të përmallohen për ftesën e Tij dhe t'u qetësohen zemrat. Allahu i ka paralajmëruar dhe kërcënuar që kurrë të mos adhurojnë gjë tjetër veç Tij, duke u sjellë çdo lajm dhe arsye që t'i bëjë të largohen prej rrugëve të humbjes dhe dënimit. Pasi përmendi keqbërësit dhe dënimin që i pret, Allahu i Madhëruar flet për të penduarit e të kthyerit tek Ai me bindje, si edhe shpërblimin që i pret ata. Ai thotë:

← Zumer 39:11