39. Zumer · Ajeti 5 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:1–39:20
Kur'ani është libër i shpallur prej Zotit Një, e derisa pos Tij nuk ka Zot tjetër, atëherë adhurimi dhe çdo vepër tjetër duhet të kryhet thjesht për hir të Tij, pse adhurimi ose veprat që kryhen edhe për hir të dikujt tjetër, janë të papranueshme. Është gabim i madh në besim, të mendohet se dikush tjetër do të ketë ndikim të afrojë te Zoti, pse Zotit, të vetmit krijues dhe komandues me gjithçka ekziston, nuk i nevojitet ortak, as nuk i nevojitet ndonjë fëmijë, andaj t'i shoqërohet Zotit ndonjë send a qenie, në adhurime ose në vepra, do të thotë t'i asgjësojë ato, pse si të tilla Zoti nuk i pranon.
Në argumentet që duket fuqia e pakufishme e Zotit Krijues, përmenden qiejt, toka, dielli, hëna, e përmenden edhe nata e dita se si e mbështjellin, e mbulojnë njëra-tjetrën. Vetë fjala "kevr" do të thotë: të vihet një palë mbi palën tjetër të petkave, e këtu e kuptojmë se atë vend të globit të tokës të cilin e ka mbuluar nata, më vonë e mbulon dita dhe anasjelltas, pra e tërë sipërfaqja e tokës është e mbështjellë me natë ose me ditë, për arsye se toka është e rrumbullakët.
Përmenden etapat e krijimit të njeriut dhe tri errësirat në barkun e nënës: errësira e cipës së mbështjellë, errësira e mitrës dhe errësira e barkut. Për këto tri errësira të fetusit, dituria vetëm tash arriti t'i dijë Allahu është i kënaqur me ata që kanë besim të drejtë e vepra të mira, e nuk është i kënaqur me ata me besim të kotë e me punë të këqia, por megjithatë, Zoti nuk ka nevojë për asnjërin, I porse njerëzit kanë nevojë për Zotin.
Është karakter i dobët i atij që kur është në vështirësi e lut Zotin, e kur Ai ia largon vështirësitë, e harron Atë e i mbështetet tjetërkujt.
Nuk është i njëjtë si besimtari si jobesimtari, si ai që bën vepra të mira dhe si ai që bën të këqia, pra nuk është i barabartë i padijshmi me të dijshmin.
Toka e Zotit është e gjerë. Ky ajet thuhet se shpallet si përforcim i binjdes së Xhafer ibni Ebi Talibit dhe të shokëve të tij, të cilët mendonin të shpërngulen për në Abesini dhe atje ta adhurojnë lirisht Zotin.
Pejgamberi ynë është njeri i parë që nuk ndoqi traditat e të parëve në fe, që i përbuzi dhe i rrënoi idhujt, iu dorëzua Zotit, i besoi Atij dhe thirri për në rrugën e Tij, e urdhërat që i drejtohen atij në disa ajete, kanë të bëjnë me të gjithë myslimanët. Të dëgjueshmin Zoti e ndihmon ta gjejë rrugën e drejtë, kurse të padëgjueshmin, e lë pa ndihmë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:5–39:6
Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Pronari, Mbretëruesi, Sunduesi, Ai që administron dhe rregullon çdo çështje të këtij krijimi. Ai thotë: - “Ai krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi. Ai bën q ë nata të mbështjellë ditën dhe q ë dita të mbështjellë natën; Ai e nënshtroi Diellin e Hënën, që të lëvizin sipas një afati të caktuar. ” - Allahu i Lartësuar i ka nënshtruar këto dy krijesa, natën dhe ditën, që të lëvizin dhe të zëvendësojnë njëra - tjetrën, në mënyrë të pandërprerë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” [Araf 54]. Vërej fjalën e Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Ai e nënshtroi Diellin e Hënën, që lëvizin sipas një afati të caktuar.” Domethënë, deri në një afat të njohur tek Zoti dhe të përcaktuar nga Ai. - “Ai është Ngadhënjimtari, Falësi i Madh.” - Me gjithë madhështinë, fuqinë absolute e pushtetin e pacenueshëm të Tij, Allahu është Falësi, për të gjithë ata që nuk i binden, por që pastaj pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar, për ta adhuruar dhe zbatuar urdhrat e Tij. - “Ai ju krijoi të gjithëve prej një njeriu të vetëm ...” - Të gjithë i krijoi prej një njeriu të vetëm; të gjithë janë pasardhës të Ademit (paqja e Zotit qoftë me të!). - “... pastaj prej (brinjës së) tij krijoi bashkëshorten e tij ...” - Domethënë, krijoi Havanë (paqja e Zotit qoftë me të!). Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten, e prej atyre të dyve përhapi shumë burra e gra. ...” [Nisa 1]. - “... dhe Ai krijoi për ju tetë çifte kafshësh.” - Këto janë delet, dhitë, devetë dhe lopët në çift, sikurse është përmendur në ajetin tjetër: “Janë tetë krerë bagëtish: dy krerë dhensh (femër e mashkull) dhe dy krerë dhish (femër e mashkull) . Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat e këtyre, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Më tregoni, pra, me dije të saktë, nëse ato që thoni janë të vërteta! Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull) ...” [Enam 143, 144]. - “Ai ju krijon në barkun e nënave tuaja, etapë pas etape, në tri errësira. ” - Allahu ka përcaktuar gjithçka që lidhet me ju dhe krijimin tuaj në barkun e nënave tuaja, pra, krijim pas krijimi, fazë pas faze. Fillimisht është një pikë, pastaj droçkë gjaku, pastaj mish i përtypur, pastaj krijohen të gjitha pjesët e njeriut prej mishit, kockave, nervave, damarëve dhe gjithçka tjetër. Pastaj i fryhet shpirti dhe ai shndërrohet në një krijesë tjetër, tashmë të gjallë, pasardhës
i Ademit, siç thotë i Lartësuari: “Ne e krijuam njeriun prej një balte të përzgjedhur (nga e gjithë toka) . Pastaj atë (njeriun) e bëmë (të shumohet) nga një pikë (fare), që vendoset në një vend të sigurt (në mitër) . Më pas, atë pikë (fare) e bëjmë një droçkë gjaku dhe atë droçkë gjaku e bëjmë copë mishi (fetus). Pastaj atë copë mishi e shndërrojmë në eshtra dhe më pas, eshtrat i veshim me mish. Pastaj atë e bëjmë një krijesë tjetër (me shpirt) . I lartësuar qoftë Allahu, më i miri Krijues!” [Mu’minun 12 - 14]. Në këtë ajet, i Lartësuari thotë se e krijoi njeriun: “etapë pas etape, në tri errësira.” Këto tri errësira janë: errësira e mitrës, e mbështjellëses (placentës) dhe e barkut. - “Ky është Allahu, Zoti juaj. Në dorën e Tij është i gjithë pushteti. ” - Ai është Pronari i gjithçkaje, që administron dhe rregullon të gjitha çështjet në krijimin e Tij. - “Nuk ka zot tjetër, përveç Atij. ” - Allahu është i vetmi që meriton t’ia përku - shtosh adhurimet. Askush tjetër nuk meriton të adhurohet, ta duash, ta madhërosh dhe t’i nënshtrohesh tërësisht.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:5–39:7
Allahu i Madhëruar na njofton se Ai: - Ai krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi. - I krijoi me urtësi dhe për një qëllim të madh e mirësi të madhe. Ai i krijoi ato që t'i urdhërojë robtë dhe t'i shpërblejë e ndëshkojë, për përmbushje ose jo të ligjeve të Tij. - Ai bën që nata ta mbulojë (mbështjellë) ditën dhe që dita ta mbulojë (mbështjellë) natën; - Allahu e ndërfut njërën në tjetrën dhe e bën që ato të zëvendësojnë njëra tjetrën. Ato nuk bashkohen të dyja bashkë. Kur vjen njëra, largohet tjetra dhe ia lë vendin asaj. - Ai i ka nënshtruar Diellin e Hënën (sipas ligjit të Tij), - Allahu i nënshtroi që të lëvizin me rregull dhe sistem. - që lëvizin sipas një afati të caktuar. - Secili nga këta trupa lëviz me urdhrin dhe rregullin e Zotit, deri në afatin e caktuar nga Ai, kur kjo botë të përfundojë dhe të shkatërrohet. Atë ditë, Allahu do ta shkatërrojë çdo rregull të saj, do të shkatërrojë Diellin e Hënën dhe do t'i ringjallë krijesat me krijimin e ri, që të përfundojnë në vendin e përjetshëm, ose në Xhenet ose në Zjarr. - Ai është Ngadhënjimtari - Allahu është El Aziz , domethënë, Krenari, Ngadhënjimtari, i Plotfuqishmi, që kurrë nuk mposhtet. Ai është Mëshiruesi i gjithçkaje. Për atë asgjë nuk është e pamundur. Me fuqinë e Tij, Allahu krijoi gjithë këto krijesa madhështore dhe i nënshtroi të lëvizin dhe funksionojnë ashtu siç Ai dëshiron. Allahu është Falësi i madh. Ai fal dhe fal pandërprerë gjynahet e robve të Tij besimtarë, që gjithmonë pendohen dhe kthehen tek Ai. - Falësi i Madh. - Ai është Falës edhe për ata që i bëjnë shirk, që, pasi i shikojnë argumentet e Tij, pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar. - Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit); - Tregues i krenarisë dhe fuqisë së Zotit është edhe fakti që: "Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit);...", edhe pse tashmë jeni aq të shumtë dhe të shpërndarë në të gjitha anët e tokës. - pastaj prej tij krijoi bashkëshorten e tij (Havanë) - Ai bëri që njeriu të ketë shoqen e tij, që të gjejë strehim, qetësi e prehje. Kështu plotësohet mirësia e Zotit mbi njeriun. - Dhe Ai krijoi për ju katër lloje kafshësh në çift. - Allahu i krijoi me caktimin që zbriti nga Ai. Ai i krijoi katër lloje kafshësh në çift, që janë përmendur në suren Enam: "Janë tetë krerë bagëtish: dy krerë dhensh
(femër e mashkull) dhe dy krerë dhish (femër e mashkull) . Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat e këtyre, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Më tregoni, pra, me dije të saktë, nëse ato që thoni janë të vërteta! Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull) . Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Mos vallë, ishit dëshmitarë kur Allahu vendosi këto rregulla?” E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut për t’i devijuar njerëzit nga padija e tyre? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit. " [Enam 143 – 144]. Edhe pse Allahu i Lartësuar ka krijuar edhe kafshë të tjera në shërbim të njeriut, i veçoi këto për vetë dobinë e tyre të madhe ndër njerëz. Ai i dalloi me cilësi që nuk i kanë të tjerat. Kështu, ato vlejnë dhe janë zgjedhur t’i përdorim për kurban dhe akika. Për ato nxirret zekat dhe ato përdoren edhe për të përmbushur e paguar dëmshpërblimet për gjakun dhe vrasjen, ndërkohë që të tjerat nuk përdoren për të tilla rregulla dhe ligje. Pasi përmendi fillimin e krijimit të prindërve tanë të parë, Allahu i Lartësuar vijon të na tregojë edhe krijimin tonë në barkun e nënave. Ai thotë: - Ai ju krijon ju në barkun e nënave tuaja, etapë pas etape, në tri errësira. - Ai ju krijon fazë pas faze, atje ku nuk ju prek asnjë dëm dhe as një sy nuk ju sheh. Është Allahu Ai që kujdeset për ju në atë vend të ngushtë. Ai thotë se na krijon: "...në tri errësira...", që janë errësira e barkut, errësira e mitrës dhe errësira e placentës. - Ky është Allahu, Zoti juaj. Në dorën e Tij është i gjithë pushteti. Nuk ka zot tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Atij. - Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, vendosi dhe nënshtroi Diellin dhe Hënën, ju krijoi ju, që krijoi për ju kafshët dhe çdo mirësi tjetër, është Allahu, Zoti i juaj. Ai është i Adhuruari, që duhet ta doni me gjithë shpirt dhe ta madhëroni. Është Ai që kujdeset dhe rregullon çështjet tuaja. Ashtu siç është i vetëm dhe i pashoq në faktin që ju ka krijuar dhe kujdeset për çështjet tuaja, ashtu duhet të jetë i vetëm në meritën e adhurimit tuaj. - Atëherë, si i shmangeni (adhurimit të Tij)? - Si devijoni dhe largoheni nga kjo, pas gjithë atyre argumenteve që tregojnë se vetëm Ai e meriton sinqeritetin tuaj, dhe zhyteni në errësirën e idhujtarisë?! Si adhuroni ata që nuk kanë asgjë në dorë, që të kujdesen për ndonjë çështje?! - Nëse ju mohoni (besimin e vërtetë), Allahu nuk ka asnjë nevojë për ju. - Atë nuk e dëmton aspak mohimi juaj, ashtu siç nuk i sjell ndonjë dobi bindja dhe adhurimet tuaja. Urdhëresat dhe ndalesat që ka ligjëruar për ju janë thjesht mirësi dhe bujari e Tij, që jua ka dhuruar për të mirën dhe dobinë tuaj. - Atij nuk i pëlqen që robtë e Tij të mohojnë (besimin). - Sepse mirësia e Tij mbi ju është e madhe dhe e plotë. Ai nuk kënaqet që ju ta mohoni, sepse e di mirë se çfarë fatkeqësie e madhe është diçka e tillë. Nëse ju zgjidhni mohimin, kjo do të sjellë dëshpërimin dhe vuajtjen tuaj të përhershme, pas së cilës nuk keni për të gjetur lumturi e kënaqësi. Ai nuk kënaqet që ju të mohoni, sepse ju krijoi që ju ta adhuroni Atë. Ky është qëllimi pse i krijoi krijesat dhe Ai nuk kënaqet që ata ta braktisin qëllimin për hir të të cilit i krijoi. - Nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, kjo është ajo që Ai e pëlqen për ju. - Kjo është ajo që Ai e dëshiron prej jush. Ai e dëshiron që t'i shprehni mirënjohjen duke e njësuar me teuhid dhe duke iu përkushtuar me sinqeritet, për të zbatuar Ligjin e Tij dhe për ta adhuruar Atë sipas fesë që dëshiron për ne. Ai dëshiron këtë për ju, sepse Ai ju mëshiron dhe ju do. Nga mëshira, dashuria dhe bamirësia e Tij, Ai dëshiron që ju ta falënderoni dhe të tregoheni mirënjohës ndaj Tij. Kjo është ajo për të cilën edhe ju krijoi. Mos harroni edhe një fakt të rëndësishëm: Çdokush do të merret në llogari veçse për punët e veta, të mira apo të këqija:
- Dhe askush nuk do të bartë barrën e tjetrit. - Ajo që ju sjell dobi është besimi juaj dhe punët e mira. - Në fund, vetëm te Zoti juaj do të ktheheni të gjithë dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e gjithçkaje që keni bërë (në këtë jetë) . - Kjo do të ndodhë në Ditën e Gjykimit dhe ky është një lajm i vërtetë, i sigurt, i sjellë nga Zoti, me diturinë e Tij që ka përfshirë gjithçka, dituri të cilën e shkroi lapsi i Tij. Ato punë janë ruajtur në Librin e Tij, ku i kanë shënuar melekët e Tij të nderuar, por do të dëshmohen edhe nga gjymtyrët tuaja. Kështu, secili nga ju do të marrë atë që e meriton. - Ai e di mirë gjithçka që fshihet në zemrat e robve. - Ai di gjithçka që fshihet brenda gjokseve, e mirë ose e ligë, dhe do t'ju shpërblejë të gjithëve me drejtësinë e Tij të plotë, pa i bërë padrejtësi askujt.