← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

39. Zumer · Ajeti 9 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 39:1–39:20

Kur'ani është libër i shpallur prej Zotit Një, e derisa pos Tij nuk ka Zot tjetër, atëherë adhurimi dhe çdo vepër tjetër duhet të kryhet thjesht për hir të Tij, pse adhurimi ose veprat që kryhen edhe për hir të dikujt tjetër, janë të papranueshme. Është gabim i madh në besim, të mendohet se dikush tjetër do të ketë ndikim të afrojë te Zoti, pse Zotit, të vetmit krijues dhe komandues me gjithçka ekziston, nuk i nevojitet ortak, as nuk i nevojitet ndonjë fëmijë, andaj t'i shoqërohet Zotit ndonjë send a qenie, në adhurime ose në vepra, do të thotë t'i asgjësojë ato, pse si të tilla Zoti nuk i pranon.

Në argumentet që duket fuqia e pakufishme e Zotit Krijues, përmenden qiejt, toka, dielli, hëna, e përmenden edhe nata e dita se si e mbështjellin, e mbulojnë njëra-tjetrën. Vetë fjala "kevr" do të thotë: të vihet një palë mbi palën tjetër të petkave, e këtu e kuptojmë se atë vend të globit të tokës të cilin e ka mbuluar nata, më vonë e mbulon dita dhe anasjelltas, pra e tërë sipërfaqja e tokës është e mbështjellë me natë ose me ditë, për arsye se toka është e rrumbullakët.

Përmenden etapat e krijimit të njeriut dhe tri errësirat në barkun e nënës: errësira e cipës së mbështjellë, errësira e mitrës dhe errësira e barkut. Për këto tri errësira të fetusit, dituria vetëm tash arriti t'i dijë Allahu është i kënaqur me ata që kanë besim të drejtë e vepra të mira, e nuk është i kënaqur me ata me besim të kotë e me punë të këqia, por megjithatë, Zoti nuk ka nevojë për asnjërin, I porse njerëzit kanë nevojë për Zotin.

Është karakter i dobët i atij që kur është në vështirësi e lut Zotin, e kur Ai ia largon vështirësitë, e harron Atë e i mbështetet tjetërkujt.

Nuk është i njëjtë si besimtari si jobesimtari, si ai që bën vepra të mira dhe si ai që bën të këqia, pra nuk është i barabartë i padijshmi me të dijshmin.

Toka e Zotit është e gjerë. Ky ajet thuhet se shpallet si përforcim i binjdes së Xhafer ibni Ebi Talibit dhe të shokëve të tij, të cilët mendonin të shpërngulen për në Abesini dhe atje ta adhurojnë lirisht Zotin.

Pejgamberi ynë është njeri i parë që nuk ndoqi traditat e të parëve në fe, që i përbuzi dhe i rrënoi idhujt, iu dorëzua Zotit, i besoi Atij dhe thirri për në rrugën e Tij, e urdhërat që i drejtohen atij në disa ajete, kanë të bëjnë me të gjithë myslimanët. Të dëgjueshmin Zoti e ndihmon ta gjejë rrugën e drejtë, kurse të padëgjueshmin, e lë pa ndihmë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 39:9

- “A është njëlloj ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde e duke qëndruar në këmbë, që i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? ”- Si mund të jetë njëlloj ai që është tërësisht i përulur, i mbushur me frikërespekt dhe madhërim për Zotin, e që në mes të natës bie në sexhde, qëndron në këmbë për Zotin, i bindur dhe kokëulur para Tij, me atë që i shoqëron Zotit të Lartësuar idhuj, që i adhuron, u bindet dhe u nënshtrohet? Jo, kurrsesi nuk mund të jenë të njëjtë tek Allahu i Lartësuar, sikurse ka thënë i Madhëruari në ajetin tjetër: “Jo të gjithë prej tyre janë njëlloj. Disa nga ithtarët e Librit i qëndrojnë

besnikë të vërtetës duke lexuar ajetet e Librit të Allahut gjatë natës dhe bien në sexhde. Ata besojnë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, këshillojnë për të mirë, ndalojnë nga e keqja dhe garojnë për vepra të mira. Ata janë prej të mirëve. Çfarëdo të mire që ata bëjnë, nuk do t’u mohohet. Allahu i di mirë të devotshmit.” [Al Imran 113 - 115]. Në vijim, i Lartësuari thotë: “... i ruhet botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet?” Domethënë, gjatë kohës së adhurimit të tyre, këta njerëz të zgjedhur janë të mbuluar nga dy ndjenja të forta: frika dhe shpresa e madhe për shpërblimin e Zotit. Pa dyshim që një adhurim i përkryer dhe i pranuar e ka si kusht praninë e frikës dhe të shpresës brenda tij. Gjatë jetës në këtë dynja, ajo që më së shumti duhet ta pushtojë zemrën e robit është frika dhe droja prej Zotit, por kur vjen agonia e vdekjes, duhet që të mbizotërojë shpresa për faljen, mëshirën dhe bujarinë e Zotit. Kështu, imami Abd Ibn Humejdi sjell në ‘ Musnedin’ e tij hadithin nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili rrëfen: 2268. “Profeti ﷺ vizitoi një burrë, i cili ishte i sëmurë në shtratin e vdekjes dhe i tha: “Si e ndien veten”? Ai u përgjigj: “Kam shpresë dhe frikë.” Atëherë Profeti i Allahut tha: “Nëse këto dy ndjenja bashkohen në zemrën e një robi në të tilla gjendje, Allahu i Lartësuar dhe Krenar ka për t’i dhuruar atij atë që ai shpreson dhe ka për ta ruajtur nga ajo që ai i frikësohet.” Kështu e kanë sjellë Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe. - “Thuaj: “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” - A mund të jetë njëlloj ky besimtar i përkushtuar, që qëndron në këmbë, bie në sexhde i mbushur me përulësi, me frikë e madhërim për Zotin, që shpreson mëshirën dhe shpërblimin e Tij, me atë, i cili i shoqëron Zotit idhuj si të barabartë me Të, duke devijuar veten dhe të tjerët nga rruga e Allahut dhe nga e vërteta që Ai ka shpallur. - “Por vetëm të mençurit marrin mësim.” - Ky është ndryshimi mes tyre: e dallon dhe nxjerr mësime nga kjo veçse ai që ka urtësi, mençuri e logjikë. Allahu është më i ditur!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 39:9–39:10

- A është njëlloj ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde e duke qëndruar në këmbë, që i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet (me ata që nuk i bëjnë këto) ? - Në këto ajete, Allahu i Madhëruar vendos përballë atë që e adhuron

(bindet) dhe punon e jeton në bindje ndaj Tij dhe atë që nuk është i tillë; atë që është i ditur, me atë që është injorant. Të tilla krahasime janë të dobishme për mendjet e shëndosha, të cilat arrijnë të bëjnë qartë dallimin. Ato krijojnë bindjen se dy shembuj janë të ndryshëm dhe meritojnë të trajtohen ndryshe. I pabinduri që i ka kthyer shpinën adhurimit të Zotit dhe ndjek epshet e veta, kurrë nuk mund të jetë njësoj si ai që i është përkushtuar Zotit. I pari përkushtohet në adhurime të shumta, më e rëndësishmja e të cilave është falja e namazit. Ai zgjedh kohën më të mirë për këtë lloj adhurimi, gjatë natës. Ky është përshkrimi i të përzgjedhurve: ata bëjnë veprat më të mira, në formën dhe kohën më të mirë. Më pas, ata përshkruhen me dy cilësi: frika ndaj Zotit dhe shpresa për shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar na tregon se nga frikësohen këta të zgjedhur. Ata frikësohen nga dënimi i ahiretit, për gjynahet që kanë kaluar. Ndërsa kur flet për shpresën, Ai na tregon se shpresa e tyre është e lidhur dhe me mëshirën e Allahut. Kështu na i përshkruan Allahu i Madhëruar këta fatlumë, me punët e shfaqura dhe me ndjenjat që fshihen brenda zemrave të tyre. - Thuaj (O Muhamed): “A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” - Këta e njohin Zotin e tyre, e njohin mirë fenë dhe ligjet e saj, i dinë mirë kriteret e shpërblimit dhe ndëshkimit të Tij. Ata arrijnë të shikojnë dhe kuptojnë të fshehtat dhe urtësitë e Tij në të gjitha këto ligje. Ndërsa të padituri nuk dinë asgjë nga këto dhe nuk e kuptojnë urtësinë e Zotit në ligjin e Tij. Atëherë, këto dy grupe nuk mund të jenë njëlloj, ashtu siç nuk janë njëlloj dita me natën, drita dhe errësira, uji dhe zjarri. - Por vetëm të mençurit marrin mësim. - Ata që përfitojnë kur u tregohet vërteta dhe paralajmërohen, janë ata që Zoti i quan: "të mençurit", pra, ata që kanë mendje dhe logjikë të shëndetshme dhe të pastër. Ata dinë të dallojnë dhe t'i japin përparësi asaj që është e lartë, kundrejt asaj që është e ulët dhe e parëndësishme. Kështu, ata e vlerësojnë diturinë mbi injorancën, bindjen ndaj Zotit mbi kundërshtimin e Tij. Ata gjykojnë drejt dhe arrijnë të kuptojnë përfundimin e gjërave, ndryshe nga ata që nuk kanë logjikë dhe nuk dinë të mendojnë dhe gjykojnë me urtësi e mençuri. Të paditurit kanë për zot veçse epshet dhe dëshirat e tyre të shfrenuara. Vetëm atyre iu binden dhe i nënshtrohen dhe vetëm ato i adhurojnë. - Thuaj: “O robtë e Mi që keni besuar! Kijeni frikë Zotin tuaj! - Allahu i Madhëruar iu drejtohet më të nderuarve dhe të zgjedhurve mes krijesave, me më të dashurin emërtim: "O robtë e Mi, që keni besuar! O ju që besoni, me besimin e pastër dhe të sinqertë!” Domethënë, drejtojuni këtyre të zgjedhurve, duke i urdhëruar për të përmbushur më të mirin e më të rëndësishmin e urdhërave, atë për devotshmëri. Kur t'i urdhërosh për devotshmëri, kujtoju edhe arsyen përse duhet ta bëjnë: sepse ata janë rob të Allahut, i Cili është Zoti dhe Krijuesi i tyre, që kujdeset dhe u ka dhuruar çdo mirësi. Për këtë arsye, ata duhet t'i frikësohen dhe t'i ruhen zemërimit dhe dënimit të Tij. Ky është kuptimi i devotshmërisë: t’i ruhesh zemërimit dhe dënimit të Zotit që të krijoi, duke zbatuar urdhëresat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Ata duhet ta kuptojnë se është Allahu Ai që e meriton t'i frikësohesh dhe nënshtrohesh, ta adhurosh me dashuri dhe madhërim, sepse është Ai që ju bekoi duke ju dhuruar imanin dhe ju quajti adhurues dhe besimtarë të Tij. Ky besim, nëse është i sinqertë, duhet të prodhojë devotshmëri në mënyrë të pashmangshme. Ajeti: “O robtë e Mi që keni besuar, kijeni frikë Zotin tuaj." është njëlloj si të thuash: "O njeri bujar, jep diçka nga bujaria që të karakterizon!" Ose: "O trim dhe i guximshëm, lufto në rrugën e Zotit me trimërinë tënde!". Ndërsa këtu thotë: "O adhurues i Zotit e besimtar i vërtetë, plotësoje dhe përmbushe devotshmërinë ndaj Allahut, ashtu siç të urdhëron dhe e kërkon imani i sinqertë!".

Pas kësaj porosie, Allahu i Madhëruar përmend një shpërblim, i cili do t'i bëjë besimtarët që të jenë më të gjallë dhe me vullnet për të bërë vepra të mira. - Ata që bënë mirë në këtë jetë, do të kenë mirësi. - Ata që janë bamirës dhe arrijnë gradën e ihsanit në adhurimin e Zotit të tyre, në këtë dynja Zoti do t'u japë të mira, rizk të gjerë, shpirt të qetë dhe të rehatuar, zemër të çliruar dhe të mbuluar nga prehja dhe siguria. I Lartësuari thotë: "Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira." [Nahl 97]. - E gjerë është Toka e Allahut. - Nëse pengoheni që të adhuroni Allahun në një vend, atëherë emigroni për hir të Allahut në një vend tjetër, ku mund ta adhuroni Zotin dhe praktikoni fenë tuaj lirisht. Mendo pak në fjalën e Allahut: "Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, kanë mirësi të madhe." Disa, duke u mbështetur në faktin se kjo është një fjalë gjithpërfshirëse, dhe si e tillë, çdokush që bën punë të mira do të ketë mirësi të mëdha, kanë paqartësi dhe mund të pyesin: “Po ata që bëjnë punë të mira dhe tregohen bamirës në adhurimin e Allahut, por ndodhen në një vend ku persekutohen dhe sprovohen, ku është mirësia që u premtohet në këtë dynja? Këtyre nuk u jepet dhe as u mundësohet kjo mirësi e premtuar." Atëherë, kësaj pyetjeje i vjen si përgjigje fjala e Allahut, që i udhëzon besimtarët në këto mirësi të panumërta. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, toka e Allahut është e gjerë." Në lidhje me këtë, është sjellë edhe një përgëzim nga Profeti (a.s), i cili thotë: "Një grup nga umeti im do të vazhdojë që t'i përmbahet së vërtetës dhe ta shfaqin haptas atë. Ata nuk mund t'i dëmtojnë as ata që i tradhtojnë (e i lënë në baltë) dhe as ata që i kundërshtojnë. Kështu do të vazhdojnë, derisa të vijë çështja e Zotit dhe ata do të jenë në atë rrugë." Në të tilla vende i udhëzon ajeti besimtarët që të shkojnë, nëse persekutohen, përndiqen e luftohen në fenë e tyre. Allahu i Lartësuar na njofton se toka e Tij është e gjerë dhe kurdo që besimtarët të luftohen dhe u ndalohet që të adhurojnë Zotin, atëherë të emigrojnë në një vend tjetër. Ky urdhër është i vlefshëm për çdo kohë dhe për çdo vend. Në çdo kohë dhe çdo vend do të gjendet një vend emigrimi, ku muslimanët të shkojnë e të strehohen, që të adhurojnë Zotin dhe të zbatojnë fenë e tyre haptazi. Më pas, Allahu i Madhëruar përgëzon besimtarët durimtarë: - Durimtarëve do t’u jepet shpërblim pa masë.” - Kjo është e përgjithshme, për të gjithë llojet e durimit, si për shembull: durimi në caktimet dhe sprovat e sjella nga Zoti, duke mos u rebeluar dhe shprehur zemërimin për to, por duke shprehur kënaqësinë me caktimin e Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Gjithashtu, durimi përballë gjynaheve, duke e përmbajtur veten dhe duke u larguar nga ato. Po ashtu, durim në bindje ndaj urdhërave të Allahut, duke i përmbushur ato me formën më të plotë, të saktë dhe të sinqertë për Allahun. Të gjithë këtyre durimtarëve Allahu ua premton shpërblimin "pa masë", domethënë, me shumicë e në mënyrë të begatshme. Kjo tregon për vlerën dhe rëndësinë e madhe të sabrit tek Allahu. Durimi është ai që të ndihmon në plotësimin e çdo pune të mirë.

← Zumer 39:9