← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 128 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:127–4:134

Arabët injorantë nuk u jepnin grave jetime ose të veja atë që u takonte nga trashëgimi ose nga niqahu. Donin të martoheshin me to për t'iu marrë pasurinë e tyre. Të miturve nuk u njihnin të drejtë në trashëgim. Ky ajet ka lidhje me ajetin tre në fillim të kaptinës.

Megjithatë, që drejtësia mes grave është e vështirë, burri është i obliguar ta mbajë drejtësinë I praktike, duke mos anuar ndaj njërës e as duke lënë tjetrën si të pazot. Pejgamberi ka thënë: "Kush i ka dy gra dhe praktikisht anon nga njëra, do të dalë në ditën e gjykimit gjysmak".

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:128–4:130

- Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë, ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri -tjetrin. - Allahu i Lartësuar na sjell rregulla e dispozita në lidhje me trajtimin e problemeve të ndryshme bashkëshortore, në varësi të gjendjes dhe marrëdhënieve mes çiftit. Ndodh që burri të ketë ftohje ose largim ndaj gruas. Në të tilla raste, mund të ndodhë që palët të gjejnë një zgjidhje mes tyre, por mund të ndodhë edhe ndarja. Kështu, nëse gruaja i druhet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri -tjetrin. Gruaja mund të heqë dorë nga të drejtat e saj ose nga disa të drejta të saj bashkëshortore, si ushqimi, veshja dhe e drejta e kalimit të natës me të, ose të drejta të tjera, e t’i sugjerojë burrit të saj që lidhja bashkëshortore të vijojë e të mos zgjidhet. Kështu, as ajo nuk ka gjynah që të heqë dorë nga këto të drejta të saj, e as burri nuk e ka të ndaluar që t’i pranojë të tilla sugjerime, prandaj i Lartësuari thotë: “...atëherë, ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri -tjetrin.” Madje, më pas i Madhëruari thotë: - Pajtimi është më i miri. - Marrëveshja e pajtimi janë më mirë sesa ndarja. Kështu na udhëzon edhe Profeti dhe vepra e tij. Kur një nga gratë e Profetit, Seuda Bintu Zumate, u shty në moshë, ajo i sugjeroi Profetit që të vazhdonte të ishte gruaja e tij dhe që natën e saj t’ia dhuronte Aishes. Profeti e pranoi këtë propozim dhe e mbajti si grua.” 211 Ebu Daud el Tajalisi sjell hadithin nga Ibn Abasi, që ka thënë: 856. “Seuda mendoi se Profeti i Allahut do ta divorconte atë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, mos më ndaj! Nata ime le të jetë e Aishes!” Profeti ia pranoi propozimin. Atëherë zbriti fjala e Allahut: “Nëse ndonjë grua i druhet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj...” Ibn Abasi komenton: “Pra, çfarëdo marrëveshje me njëri -tjetrin është e lejueshme dhe mund të zbatohet.” Këtë hadith e ka sjellë Tirmidhiu duke thënë që është hasen garib . Ndërsa në dy Sahih-ët është rrëfimi i Aishes, që ka thënë: 857. “Kur Seuda Bintu Zumate u shty në moshë, ajo ia dhuroi natën e saj Aishes, prandaj Profeti shkonte tek Aishja natën e Seudas.” Një hadith i ngjashëm vjen nga Aishja edhe në Sahih-un e Buhariut. Sërish në Sahih-un e Buhariut shënohet se Aishja ka thënë që ky ajet flet për rastin kur një burë ka një grua të shtyrë në moshë, e nuk shkon shpesh me të (për shkak të moshës ose sëmundjes së saj) e dëshiron që ta ndajë atë, por ajo i thotë: “Unë ta kam bërë hallall në lidhje me çështjen time! (pra, jam gati të heq dorë nga disa prej të drejtave të mia, veç të mbetemi të lidhur në martesë)” Atëherë zbriti ky ajet: “Nëse ndonjë grua i druhet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri -tjetrin.”. Allahu i Lartësuar tha: “Pajtimi është më i miri.” Pra, lëshimi që gruaja bën në të drejtat e saj dhe pranimi nga ana e burrit i kësaj marrëveshjeje është më mirë sesa divorci. Kështu veproi Profeti me Seudan, të cilën nuk e ndau. Profeti e bëri këtë që umeti i tij të mësojë se si veprohet në raste të ngjashme. Nuk ka dyshim se ky veprim pritej nga Profeti, sepse Allahu i Lartësuar dëshiron më shumë pajtimin dhe rregullimin sesa ndarjen e prishjen. Madje divorci është i urryer për Zotin e Lartësuar.

- Njerëzit janë të prirur nga lakmia. Nëse ju bëni mirë dhe tregoheni të devotshëm, s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju. - Nëse e ushtroni veten e përpiqeni që të bëni durim në diçka që e urreni te gratë dhe i trajtoni barabartë si të tjerat, pa qenë e nevojshme që ato të heqin dorë nga të drejtat e tyre, ta dini se Allahu di gjithçka që bëni ju dha ka për t’ju dhënë shpërblimin më të madh dhe të plotë. - Ju nuk do mund të mbani drejtësi të plotë mes grave, edhe nëse përpiqeni. - Dijeni, o njerëz, se ju kurrë nuk do të jeni në gjendje që të mbani barazi në të gjitha aspektet e trajtimit të grave tuaja. Edhe nëse nga ana e jashtme ju i ndani me drejtësi netët mes tyre, nuk do të jeni të barabartë në aspekte të tjera, si p.sh. në drejtim të marrëdhënieve me to, apo të dashurisë e simpatisë për secilën. Kështu e kanë shpjeguar ajetin Ibn Abasi dhe një grup tabiinësh. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Ebu Melikete, i cili ka thënë që: ky ajet ka zbritur dhe flet për Aishen. Profeti e donte atë më shumë se të tjerat, sikurse thuhet në hadithin që Imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve sjellin nga Aishja: 858. “Profeti i ndante ditët me barazi mes grave të tij, pastaj thoshte: “O Zoti im! Kjo është ndarja ime, me aq sa kam mundësi! Mos më qorto për atë që është në dorën Tënde, e jo në timen!” Këtu kishte për qëllim çështjet e zemrës.” - Por mos anoni tërësisht nga njëra, e ta lini tjetrën pezull. - Mos anoni tërësisht tek njëra grua, duke lënë tjetrën pezull, pra, as me burrë e as të ndarë. Ebu Daud el Tajalisi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 859. “Ai që ka dy gra dhe anon tërësisht tek njëra 212 do të vijë në Ditën e Kijametit me trup të anuar.” Me këto fjalë e kanë sjellë Imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve. - Nëse ju i përmirësoni marrëdhëniet dhe ruheni nga padrejtësitë, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Nëse ju i rregulloni çështjet dhe i ndani me drejtësi ato gjëra që janë në dorën dhe brenda mundësive tuaja, duke qenë gjithmonë të devotshëm, Allahu ka për t’ju falur për këto anime. - Nëse ata (nuk gjejnë rrugë pajtimi e) ndahen, Allahu do të begatojë secilin prej tyre me mirësitë e Tij. - Ky është rasti i ndarjes mes çiftit, kur nuk ka mundësi pajtimi. Në këtë rast, Allahu i Madhëruar na njofton se Ai do t’i mjaftojë secilës palë dhe do t’ia zëvendësojë me mirësi. - Allahu është Bujar dhe i Urtë. - Mirësia e Allahut është e madhe e gjithëpërfshirëse. Ai ka urtësi në të gjitha veprimet dhe vendimet e Tij, sigurisht, edhe në ligjin me të cilin na ka udhëzuar që të rregullojmë adhurimet dhe jetën tonë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:128

- “Nëse ndonjë grua i frikësohet largimit ose ftohjes së burrit të vet ndaj asaj, atëherë, ata nuk gabojnë nëse gjejnë rrugë pajtimi me njëri -tjetrin.” - Nëse gruaja i druhet largimit dhe ftohjes së burrit të vet ndaj saj, më e mira në të tilla raste është që ata të pajtohen mes njëri -tjetrit. Kështu, gruaja ose burri mund të tolerojnë dhe të heqin dorë nga disa prej të drejtave të tyre, me qëllim që të vazhdojnë lidhjen martesore, dhe këtu nuk ka asnjë gjynah. Përkundrazi, pajtimi është më i mirë sesa ndarja, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Pajtimi është më i miri. ” - Marrëveshja ose pajtimi është më i mirë sesa këmbëngulja e secilës palë për të marrë tërësisht hakun e vet, në rastet kur ata kërkojnë të drejtat nga njëri-tjetri. Pra, është mirë që secila palë t’i bëjë lëshime palës tjetër. Pajtimi mundëson që afrimiteti të jetë i vazhdueshëm dhe kultivon te njeriu virtytet e faljes, tolerancës dhe bamirësisë. Marrëveshjet janë të lejuara në çdo çështje, me kusht që të mos bëhet haram diçka që Zoti e ka lejuar dhe të mos bëhet e lejuar diçka që Zoti e ka ndaluar. Në këto raste, marrëveshjet janë të padrejta dhe të palejueshme. Dije se asnjë gjykim nuk hyn në fuqi derisa të plotësohen kushtet dhe të hiqen pengesat e zbatimit të tij. Në rastin tonë, kur kemi të bëjmë me gjykimin për pajtim, Allahu i Lartësuar ka thënë se ky është një veprim i mirë dhe i drejtë. Gjithashtu, çdo njeri i logjikshëm i konsideron të mira të tilla ndërmarrje dhe nxit për plotësimin e tyre. Megjithatë, kur mëson që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për të tilla marrëveshje, besimtari motivohet edhe më shumë për kryerjen e tyre. - “Njerëzit janë të prirur nga lakmia. ” - Njerëzit janë të prirur që të mos i shpenzojnë të mirat që zotërojnë. Ata janë të prirur, gjithashtu, që ta kërkojnë hakun e tyre të plotë, pa asnjë mangësi. Këto prirje i kanë rrënjët në natyrën e njeriut. Duket sikur ky ajet urdhëron dhe thotë: “Është detyrë për ju që të përpiqeni shumë për ta shkulur nga shpirti këtë cilësi të ulët dhe, në vend të saj, të kultivoni faljen, tolerancën dhe bujarinë. Toleranca ose lëshimi që njeriu bën në të drejtat e tij, në emër të faljes dhe bujarisë, është një virtyt shumë i lartë dhe i rëndësishëm. Nëse njeriu e kultivon te vetja këtë cilësi të lartë, ai e ka më të thjeshtë të arrijë pajtimin me të tjerët. Ndërsa ai që nuk e ka edukuar veten dhe nuk e mjekon sëmundjen e koprracisë, ai e ka shumë të vështirë që të bëjë konpromise dhe të tolerojë të tjerët, por kërkon me ngulm hakun e vet, pa asnjë tolerim dhe lëshim. Në këtë rast, nëse edhe kundërshtari i tij është me të njëjtat prirje, çështja

vështirësohet shumë dhe bëhet e rrezikshme. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - “Nëse ju bëni mirë dhe tregoheni të devotshëm, s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju. ” - Këtu Allahu i Lartësuar jep dy porosi. Porosia e parë është: të bësh mirë. Bamirësia ( ihsan) tregohet në dy drejtime: 1. Bamirësi në drejtim të adhurimit të Zotit të Lartësuar, e cila, siç e ka shpjeguar Profeti (a.s.), arrihet duke adhuruar Zotin sikurse ti e sheh Atë, sepse, edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty. 2. Bamirësi ndaj krijesave, me të gjitha rrugët dhe mënyrat e saj të larmishme, si nëpërmjet pasurisë, dijes, famës, pushtetit, njohjeve dhe miqësive etj. Porosia e dytë është devotshmëria. Devotshmëri do të thotë të ruhesh nga ndëshkimi i Zotit të Lartësuar. Ajo arrihet duke kryer të gjitha urdhëresat e Zotit dhe duke iu larguar të gjitha ndalesave të Tij. Megjithatë, ka mundësi që shprehja: “ bëni mirë” të ketë si qëllim kryerjen e urdhrave, ndërsa: “tregoheni të devotshëm ” të nënkuptojë largimin nga haramet. Pra, nëse plotësoni këto dy kushte, atëherë: “... s’ka dyshim se Allahu di gjithçka që bëni ju. ”. Allahu i Lartësuar e di të dukshmen dhe të fshehtën. Ai i ka regjistruar veprat tuaja dhe do t’ju japë për to shpërblimin e merituar.

← Nisa 4:128