← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 131 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:127–4:134

Arabët injorantë nuk u jepnin grave jetime ose të veja atë që u takonte nga trashëgimi ose nga niqahu. Donin të martoheshin me to për t'iu marrë pasurinë e tyre. Të miturve nuk u njihnin të drejtë në trashëgim. Ky ajet ka lidhje me ajetin tre në fillim të kaptinës.

Megjithatë, që drejtësia mes grave është e vështirë, burri është i obliguar ta mbajë drejtësinë I praktike, duke mos anuar ndaj njërës e as duke lënë tjetrën si të pazot. Pejgamberi ka thënë: "Kush i ka dy gra dhe praktikisht anon nga njëra, do të dalë në ditën e gjykimit gjysmak".

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:131–4:134

- Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është Pronari, Sunduesi, Mbretëruesi i qiejve dhe i Tokës dhe Ai që gjykon dhe vendos ligjet në to. Prandaj dhe tha i Lartësuari: - Ne i kemi porositur ata që iu dha Libri para jush, ashtu si edhe ju, që ta keni frikë Allahun. - Edhe juve ju dhamë të njëjtën këshillë dhe porosi, që u dhamë të gjithë brezave të shkuar: të pajiseni me devotshmëri ( takua) ndaj Allahut Krenar

dhe të Lartësuar në adhurimin e Tij si një të vetëm dhe të pashoq. - Por nëse ju e mohoni Atë, (ta dini se) të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Allahu është Jonevojtar e i Lavdëruar. - Ky i ngjan ajetit tjetër në suren Tegabun, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, ata nuk besuan dhe kthyen shpinën. Por Allahu nuk ka nevojë për ta, se Allahu është i Pasur e i Lavdëruar.” [Tegabun 6]. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për robërit e Tij, nuk ka nevojë për adhurimin e tyre dhe për asgjë nga ata. Gjithashtu, Ai është i lavdëruar në gjithçka që Ai ka përcaktuar dhe vendosur si ligje të kësaj ekzistence dhe si ligje për adhurimin dhe për jetesën e krijesave. - Të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Mjafton që Allahu është Mbrojtësi (e Kujdestari) juaj! - Allahu mbikëqyr çdonjë se çfarë vepron. Ai është Mbikëqyrësi dhe Dëshmuesi i gjithçkaje. - Nëse Ai dëshiron, ju zhduk ju, o njerëz, e sjell të tjerë. Ai është fuqiplotë ta bëjë këtë. - Allahu është i Plotfuqishëm që t’ju zhdukë ju nga ekzistenca dhe t’ju zëvendësojë me të tjerë, nëse ju nuk iu bindeni urdhëresave të Tij dhe nuk jetoni sipas ligjit të Tij: “Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” [Muhamed 38]. Disa nga të parët tanë kanë thënë: “Sa të parëndësishëm dhe të pavlerë bëhen robërit tek Allahu kur shpërfillin urdhëresat e Tij!” - Kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote, (le ta dijë se) tek Allahu është shpërblimi edhe i kësaj bote edhe i botës tjetër. Allahu dëgjon dhe shikon gjithçka. - O ju njerëz, të cilët keni shqetësim vetëm jetën e kësaj bote! Mësojeni mirë se tek Allahu është shpërblimi dhe të gjitha mirësite e dynjasë dhe ahiretit! Dijeni se, nëse i kërkoni Atij qoftë prej mirësive të kësaj dynjaje, qoftë prej mirësive të jetës tjetër, Allahu ka për t’ju dhënë me bollëk, që të mos keni nevojë për asgjë: “Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë! Na jep (të mira) në këtë botë!” Por, për këta nuk ka pjesë në botën tjetër. Por ka edhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!” Këta do ta kenë pjesën e tyre për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari.” [Bekare 200-202]. Për këtë arsye, njeriu nuk duhet të jetë i dobët në ambicie. Ai nuk duhet të kufizohet dhe të synojë vetëm jetën dhe mirësite e kësaj bote me përpjekjet që bën. Përkundrazi, ai duhet të synojë lart, për të arritur qëllimet më të mira në dynja dhe ahiret. Njeriu duhet ta dijë mirë dhe të ketë bindje të plotë se përmbushja e të gjitha këtyre qëllimeve, qofshin në lidhje me dynjanë apo me ahiretin, është në dorë të Allahut të Lartësuar. Në dorë të Tij është dëmi dhe dobia. Ai është Allahu, i Adhuruari, i Pastri dhe i Dëliri nga çdo e metë! Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij! Është Allahu i Madhëruar Ai që e ka shpërndarë e përcaktuar si lumturinë, ashtu edhe dëshpërimin mes njerëzve në dynja dhe ahiret. Është Allahu i Madhëruar që çdo gjë e ka bërë me drejtësi mes tyre, duke u bazuar në diturinë e Tij absolute. Ai është i

Gjithëditur dhe i Urtë. Ai e di mirë se kush meriton lumturinë dhe kush e meriton dëshpërimin dhe ndëshkimin. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëgjon dhe shikon gjithçka.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:131–4:132

- “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë.” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjithëpërfshirjes së pushtetit dhe mbretërimit të Tij. Ky pushtet i jep të drejtën Atij që të veprojë dhe të administojë të gjitha çështjet në gjithësinë, që Vetë e ka krijuar. Është Ai që vendos ligjet, qofshin ato në lidhje me funksionimin e kësaj gjithësie, qofshin në lidhje me Sheriatin. Ndër ligjet që kanë të bëjnë me Sheriatin, është edhe porosia për t’u pajisur me devotshmëri: - “Ne i kemi porositur ata që iu dha Libri para jush, ashtu si edhe ju, që ta keni frikë Allahun. ” - Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar të parët dhe të fundit njerëz, nëpërmjet librave hyjnorë, që të jenë të devotshëm dhe t’i frikësohen Atij. Ky urdhër për devotshmëri sigurisht që është shoqëruar me shumë ligje e norma, që rregullojnë marrëdhëniet e robve me Zotin dhe mes njëri -tjetrit. Ai është shoqëruar edhe me përgëzim për shpërblim të përjetshëm dhe të pamasë për ata që iu përmbahen këtyre ligjeve e normave, dhe me paralajmërim për ndëshkim dhe vuajtje të përjetshme për ata që i shpërfillin dhe nuk iu përmbahen atyre. Më pas, i Lartësuari thotë: - “Por nëse ju e mohoni Atë, (ta dini se) të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Allahu është (i Pasur) Jonevojtar e i Lavdëruar. - Nëse ju mohoni Zotin dhe e shpërfillni porosinë e Tij për të qenë të devotshëm, nëse ju i konsideroni idhujt si të barabartë me Zotin, gjë për të cilën nuk keni asnjë provë nga Zoti, atëherë ju, në këtë mënyrë, dëmtoni veçse veten tuaj, dhe kurrsesi Zotin. Mosbesimi, idhujtaria dhe mosbindja juaj nuk e pakësojnë aspak pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Nëse ju e mohoni, dijeni se Atë e adhurojnë me përkushtim dhe bindje të plotë adhurues që janë më të mirë dhe më të mëdhenj se ju. El Ganij është një nga emrat e Allahut të Lartësuar, që do të thotë: Jonevojtar, i Pasur i tillë që nuk ka nevojë për asgjë, por gjithçka ka nevojë për Të. Ai është Bujari e Bamirësi absolut. Bujaria dhe bamirësia e Allahut të Lartësuar burojnë nga mëshira e Tij, të cilën kurrë nuk mund ta shterojnë shpenzimet dhe dhuratat që Ai jep natë e ditë. Sikur të gjithë banorët e qiejve dhe të tokës, të parët dhe të fundit, njerëzit dhe xhinët, të mblidheshin së bashku dhe secili

prej tyre të kërkonte çdo gjë që të dëshironte, kjo nuk do ta pakësonte aspak pasurinë e Tij, sepse Ai është Xheu-uâd (Bamirës), i Pasur dhe i Plotpushtetshëm. Mirësia që Allahu i Lartësuar dëshiron për krijesat bëhet thjesht me një fjalë. Edhe kur dëshiron të godasë me ndëshkimin e Tij, kjo bëhet veç me një fjalë. Çdo gjë që Ai dëshiron bëhet me fjalën e Tij: “ Kun!” - “Bëhu!”. Allahu i Lartësuar s’ka nevojë për adhurimet tona, sepse Ai është absolut në të gjitha cilësitë dhe atributet e Tij. Të qenurit i varfër dhe nevojtar janë cilësi mangësie, prandaj nuk kanë lidhje me të Madhërishmin. Atij i takon çdo cilësi dhe përshkrim i plotë, prandaj dhe është i Pashoq dhe i Pakrahasueshëm. Asnjë krijesë nuk i ngjan Atij. Duke qenë Jonevojtar, Allahu i Lartësuar nuk ka grua apo fëmijë, nuk ka partner a bashkëpunëtor në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Ai nuk ka nevojë për ndihmës në mbretërimin e Tij. Ai është i Pasuri Jonevojtar, për mëshirën, furnizimin dhe përkujdesjen e të Cilit kanë nevojë bota qiellore dhe ajo tokësore. Të gjithë i drejtohen vetëm Allahut të Lartësuar për çdo kërkesë, e madhe apo e vogël qoftë ajo, ndërsa Ai i plotëson këto kërkesa, duke i kënaqur dhe qetësuar ata, duke i udhëzuar ata në mirësi dhe mbarësi. El Hamid është një emër tjetër i Allahut të Lartësuar, që do të thotë: i Lavdëruari. Ky emër tregon që Allahu meriton çdo lavdërim, dashuri e mirënjohje. Atij i takon lavdia e plotë, sepse Ai i ka të gjitha cilësitë e bukurisë dhe madhështisë. Për të gjitha mirësitë e mëdha dhe kujdesin gjithëpërfshirës që Ai u kushton krijesave të Tij, Ai meriton lavdinë e plotë në çdo gjendje. Sa e bukur është përmendja e këtyre dy emrave së bashku me njëri-tjetrin. Allahu është Absolut për faktin se është Jonevojtar, është Absolut sepse është i Lavdëruar. Ai është Absolut edhe për të dyja cilësitë bashkë. - “Të Allahut janë ç’ka në qiej e ç’ka në tokë. Mjafton që Allahu është Mbrojtësi (e Kujdestari) juaj!” - Këtu i Lartësuari flet për përfshirjen në pushtetin e Tij të gjithçkaje në qiell dhe në tokë dhe për faktin se Ai është Mbrojtësi e Kujdestari, që kujdeset për çdo çështje, me dijen dhe urtësinë e Tij absolute. Kujdestari i një çështjeje duhet të jetë i ditur për atë çështje dhe të ketë fuqinë e pushtetin për ta përmbushur atë në formën e duhur dhe me urtësi. Çdo mangësi në dije, pushtet dhe urtësi është dobësi e kujdestarit, ndërsa Allahu është i pastër nga çdo mangësi.

← Nisa 4:131