← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

4. Nisa · Ajeti 135 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:135–4:141

Dëshmitari pa tjetër është i obliguar ta thotë të vërtetën. Nuk guxon të anojë në favor të pasanikut pse është i pasur, e as ta mëshirojë varfnjakun, pse kujdesin ndaj tyre e mban Zoti. Dëshmitari nuk guxon të frymëzohet nga ndonjë motiv miqësie, frike apo mëshire e të dëshmojë rrejshëm.

Munafikët paraqiteshin ndonjëherë si besimtarë, e pastaj ktheheshin në idhujtari dhe si të tillë mbetën në errësirë të përjetshëm. Është frikë se edhe mëkatari, që pas pendimit kthehet shumë herë në të njëjtin mëkat, nuk do të mund të shpëtojë nga ai.

Sipas ajetit 68 të kaptinës "En'am", besimtarëve në Mekë u ndalohej të rrinin me idhujtarë, të cilët talleshin me Kur'anin që i njihej Muhammedit, e me këtë ajet u ndalohet edhe myslimanëve në Medinë të rrinin me jehudi e me munafikë, të cilët bënin të njëjtën gjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:135

Allahu i Lartësuar i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të jenë gjithmonë dëshmues të së drejtës dhe kurrë të mos devijojnë nga ajo. Ai i udhëzon të jenë të qendrueshëm në këtë rrugë dhe që askush të mos i frikësojë dhe t’i bëjë që t’i largohen drejtësisë dhe të vërtetës. Ai i urdhëron, gjithashtu, që gjithmonë të ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin dhe të kërkojnë ndihmën e Allahut për të dëshmuar të vërtetën: - O ju që keni besuar! Të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut, - Dëshmoni të drejtën për hir të Zotit, pra, duke synuar kënaqësinë e Tij dhe të motivuar nga shpresa për të fituar shpërblimin e Tij. Vetëm në këtë rast, - domethënë, me të tilla synime, - ajo do të jetë një dëshmi e saktë, e vërtetë dhe e padevijuar. Allahu i Lartësuar thotë: - edhe nëse kjo është kundër vetes suaj... - Kështu, të jesh gjithmonë dëshmues i të vërtetës, për hir të Allahut dhe duke synuar shpërblimin e Tij, edhe nëse kjo mund të jetë në dëm të vetes tënde. Të jeni të bindur se, nëse dëshmoni të drejtën për hir të Allahut, Ai ka për t'ju dhënë rrugëzgjidhje nga çdo ngushtim dhe çlirim nga çdo vështirësi. Ky është një premtim i sigurt për atë që i bindet Allahut të Lartësuar dhe dëshmon të drejtën për hir të Tij. - kundër prindërve tuaj ose kundër të afërmve tuaj... - Edhe nëse dëshmia është kundër prindërve apo të afërmve tuaj, të mos ju shtyjë dhembshuria dhe keqardhja për ta që të mos dëshmoni të vërtetën, sepse e vërteta duhet të jetë mbi çdo gjë tjetër. - qoftë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, sepse Allahu është më i ditur rreth tyre. - Kështu, kur dëshmoni, mos merrni parasysh pasurinë dhe pushtetin e dikujt, dhe as mos u ndikoni nga dhembshuria dhe keqardhja për atë që është i varfër, sepse është më parësore për t’iu bindur Allahut. Mendo gjithashtu, se Allahu është më i ditur dhe i mëshirshëm me robërit sesa ti, prandaj urdhri i Tij duhet çuar në vend, duke dëshmuar të drejtën dhe të vërtetën. - Mos ndiqni emocionet e t’i shmangeni drejtësisë! - Mos u ndikoni nga dëshirat, përkatësia farefisnore apo urrejtja për dikë, që të braktisni drejtësinë dhe të vërtetën, në të gjitha çështjet tuaja. Përkundrazi, përkushtohuni në zbatimin e drejtësisë dhe mbështetjen e të vërtetës, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.” [Maide 8]. - Nëse shtrëmbëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia) ... - Pra, nëse e ndryshoni dëshminë, duke devijuar nga e vërteta dhe e drejta. Ky është kuptimi i “Telvû eu tu'ridû” në ajetit. Fjala telvû vjen nga el-leju, që është shtrembërimi, tjetërsimi apo ndryshimi i dëshmisë, duke qenë i vetëdijshëm për mashtrimin. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, një grup prej tyre e shtrembërojnë (jelvûne) Librin me gjuhën e tyre, që ju të mendoni se ato (fjalë) janë prej Librit, por ato nuk janë prej Librit. Ata thonë: “Këto (fjalë) janë prej Allahut”. Por ato nuk janë prej Allahut. Ata thonë gënjeshtra për Allahun, duke e ditur.”

[Al Imran 78]. El-leju ka kuptimin: shtrembërim, tjetërsim dhe ndryshim i fakteve, me vetëdije. Ndërsa El i’râdu do të thotë: të mos dëshmosh fare për të vërtetën dhe të drejtën, domethënë ta fshehësh tërësisht dëshminë, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Mos e fshihni dëshminë, se ai që e fsheh atë e ka zemrën me gjynahe. Allahu di çdo gjë që bëni ju.” [Bekare 283]. Ndërsa Profeti ka thënë: 860. “Dëshmitarët më të mirë janë ata të cilët e sjellin dëshminë e drejtë dhe të vërtetë, përpara se dikush t’i pyesë.” Allahu i Lartësuar ka thënë: - Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju. - Për këtë arsye, Ai do t’ju shpërblejë dhe do t’ju japë shpërblimin ose ndëshkimin e merituar, nëse dëshmoni të drejtën dhe të vërtetën ose jo.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:135

- “O ju që keni besuar, të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut...” - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të jenë vazhdimisht dëshmues të së drejtës, për hir të Allahut. Pra, nuk thotë thjesht: “Jini dëshmues të së drejtës”, por: “jini gjithmonë, në çdo rast dhe gjendje, në anën e të drejtës”. Drejtësia është plotësimi i hakut të Zotit dhe i hakut të krijesave. Por çdo të thotë të jesh i drejtë në plotësimin e hakut të Zotit? Do të thotë që mirësitë e dhuruara prej Tij, - dhe të gjitha mirësitë janë prej Tij - të mos i shfrytëzosh duke bërë poshtërsi ndaj Tij. Përkundrazi, ato duhet të jenë ndihmëse dhe nxitëse për ta adhuruar Allahun sa më mirë dhe për t’iu nënshtruar Atij, në shenjë mirënjohjeje dhe përunjësie për mirësitë e Tij. Ndërsa drejtësia në dhënien e hakut të krijesave arrihet duke plotësuar detyrimet dhe përgjegjësitë kundrejt tyre, ashtu sikurse kërkon prej tyre të përmbushin detyrimet kundrejt teje. Për shembull, të plotësosh shpenzimet e detyrueshme, të lash borxhet dhe t’i trajtosh njerëzit sikurse dëshiron të të trajtojnë ty, me edukatë dhe moral të pranueshëm, etj. Një nga aspektet më të rëndësishme të mbajtjes së drejtësisë është ajo në dëshmi. Nuk lejohet që të gjykojmë në favor të një dëshmie thjesht se ashtu na pëlqen apo se ashtu e ndiejmë. Gjykimi duhet të ndërtohet mbi të vërtetën dhe faktet. Drejtësia kërkon që të mos e fshehësh dëshminë, qoftë ajo edhe kundër të dashurve të tu. I Lartësuari thotë: - “...edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve tuaj, qoftë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, sepse Allahu është më i ditur rreth tyre.” - Mos mbani anën e pasanikut, për shkak të pasurisë së tij, dhe as anën e fakirit, për hir të dhembshurisë për të, por thjesht dëshmoni të vërtetën, në anën e kujtdo qoftë ajo. Dëshmia e të vërtetës dhe qëndrimi gjithmonë në anën e saj janë ndër cilësitë më të mëdha treguese të besimit të njeriut dhe të gradës së tij në Islam. Kushdo që synon të shpëtojë dhe ta lartësojë veten, le të kujdeset që gjithmonë të jetë në anën e së vërtetës. Le të jetë ky qëllim i përhershëm, duke larguar prej vetes çdo gjë që pengon për të qenë i drejtë dhe për të vepruar sipas saj. Duke qenë se penguesi më i madh nga drejtësia është pasimi i epsheve dhe i dëshirave, Allahu i Lartësuar na këshillon dhe thotë:

- “Mos ndiqni emocionet e t’i shmangeni drejtësisë!” - Mos pasoni ato dëshira tuaja që kundërshtojnë të vërtetën, sepse kështu do të largoheni shumë nga e drejta dhe nuk do t’ju jepet mundësi për të gjetur udhëzimin. Dëshirat e pakontrolluara ose të verbojnë, duke bërë që ta shohësh të vërtetën si të gabuar dhe të gabuarën si të vërtetë, ose do ta njohësh të vërtetën, por do ta braktisësh atë, për shkak të këtyre dëshirave. Pra, ai që disiplinon dëshirat dhe pasionet e tij, do të ketë sukses në gjetjen e së vërtetës dhe do të udhëzohet në të rrugën e drejtë. Pasi na qartëson se është detyrë për ne që t’i përmbahemi të vërtetës dhe të drejtës, Allahu na ndaloi edhe nga e kundërta e kësaj: - “Nëse shtrëmbëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia),...” - Ai na ndalon nga të shprehurit me paqartësi, me qëllim për të shtrembëruar të vërtetën gjatë dëshmive apo në çdo rast tjetër. Ai na ndalon nga fshehja e së vërtetës, qoftë kjo e plotë apo e pjesshme. Këty hyn edhe shtrembërimi i dëshmive apo dhënia e tyre jo e plotë, ose shpjegimi jo i saktë i tyre nga dëshmuesi. Të gjitha këto konsiderohen si deklarata të paqarta dhe devijim nga e vërteta. Nëse tërhiqeni nga e vërteta, të cilën është detyrë ta shfaqni, ta mbroni dhe ta përkrahni, si p.sh. mosdhënia e dëshmisë nga dëshmitari, apo mosgjykimi me drejtësi nga gjykatësi; atëherë kujtojeni mirë një fakt shumë të rëndësishëm: - (dijeni se) Allahu e Di mirë gjithçka që bëni ju. ” - Ai përfshin me dijen e Tij të gjerë gjithçka që ju veproni. Ai i di ato të gjitha, të fshehtat dhe të dukshmet. Ky është një kërcënim shumë i rëndë për ata që shtrembërojnë dhe tërhiqen nga e vërteta. Sigurisht që ky kërcënim bie më tepër mbi ata që gjykojnë padrejtësisht dhe dëshmojnë rrejshëm, sepse ky është një krim më i madh. Nëse të parët thjesht e lënë të vërtetën apo nuk e shfaqin atë tërësisht, këta të fundit e lënë të vërtetën tërësisht dhe merren me gënjeshtrën dhe padrejtësinë.

← Nisa 4:135