4. Nisa · Ajeti 148 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:148–4:162
Vetëm ankesën e atij që i bëhet zullum, Allahu nuk e kthen mbrapa, edhe nëse nga zullumi nuk mund të ndalë veten e shprehet keq.
Zotin ta besosh, kurse pejgamberët - jo, nuk është besim i pranueshëm, sikurse nuk është besim i pranueshëm as i atij që nuk pranon ndonjë nga pejgamberët.
Jehuditë, me qëllim tendencioz kërkuan prej Muhammedit t'iu sillte një libër komplet nga Allahu, ashtu sikur qe shpallur Tevrati përnjeherë. Zoti i tregon Muhammedit për sjelljet e tyre edhe më të rënda ndaj Musait dhe për masat ndëshkuese të cilat i përjetuan për shkak të mizorisë së tyre në sjellje e vepra. tregon edhe për përpjekjet e tyre që ta mbytnin Isain, por Zoti atë e shpëton prej dorës së tyre.
Kur'ani nuk flet diçka më qartë rreth Isait se Zoti e ngriti me trup e me shpirt ose vetëm me shpirt. Mirëpo, shumë hadithe të vërteta flasin mbi atë se Isai është ngritur me trup dhe se përsëri do të duket në tokë... Ajo që nuk ka kurrfarë dyshimi rreth Isait është se Isain nuk e kanë mbytur jehuditë as nuk e kanë varur e as gozhduar dhe se të gjithë ata që nuk e pranuan si pejgamber, do ta pranojnë në momentin e vdekjes edhe pse pranimi i tillë nuk do t'i sjellë dobi atij që e pranon.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:148–4:149
- Allahu nuk e do thënien hapur të shprehjeve të këqija... - Ibn Ebu Talha sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili duke shpjeguar këtë ajet, ka thënë: “Allahu nuk dëshiron që dikush të lutet (e mallkojë) kundër një tjetri, vetëm nëse i është bërë padrejtësi, dhe në këtë rast i është dhënë lejë që të lutet për atë padrejtësi që i është bërë dhe në varësi të saj.” Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: - përveçse nga ata që u është bërë padrejtësi. - Megjithatë, nëse bën durim, është më mirë. Ebu Daudi sjell një hadith nga Aishja, ku tregohet se, njëherë, asaj i vodhën diçka, ndaj filloi që të mallkonte hajdutin. Por Profeti ﷺ i tha: 869. “Mos ia lehtëso (dënimin) atij (duke e mallkuar)!” Është thënë se kuptimi i ajetit ka të bëjë me rastin kur dikush të shan, që do të thotë se atëherë mund ta shash edhe ti. Por nëse ai
shpif e trillon gënjeshtra kundër teje, ti mos e bëj të njëjtën gjë kundër tij. Ndërsa Hasan el Basriu ka thënë: “Të mos e mallkojë, por le të thotë: “O Allah! Më ndihmo mua kundër tij dhe merre hakun tim prej tij!” Nga Muxhahidi përcillet ky shpjegim: “Një burrë ftoi një tjetër si mik në shtëpinë e tij, por nuk i dha hakun e mysafirit. Atëherë, ky burrë, kur doli nga shtëpia e bujtësit, filloi t’u thoshte njerëzve se filani nuk e kishte respektuar mikun. Nëse atij nuk do t’i ishte bërë padrejtësi, por do t’i jepej haku i mysafirit, - thotë Katadja, - këto do të konsideroheshin si fjalë të këqija, që Zoti nuk i do. Por ai kishte të drejtën ta thoshte, derisa të respektohej dhe t’i jepej haku si mysafir.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Mikdam Ibn Eb u Kerimeh se Profeti ka thënë: 870. “Kur muslimani pret dikë si mik në shtëpinë e tij dhe miku gdhin i privuar nga e drejta e tij (si mysafir), atëherë çdo musliman ka të drejtën e plotë që t’ia marrë hakun e bujtjes për një natë prej të mbjellave dhe pasurisë së tij (bujtësit të padrejtë).” Duke u bazuar në këtë hadith e të tjerë, imam Ahmedi ka gjykuar se respektimi i mysafirit ashtu siç i takon atij është i detyrueshëm. Hafidh Bezzari sjell hadithin nga Ebu Hurejra, që tregon se një burrë shkoi tek Profeti dhe i tha: 871. “Unë kam një komshi që më jep mundim e më shqetëson vazhdimisht!” Atëherë, Profeti ﷺ i tha: “Nxirri në rrugë të gjitha plaçkat e shtëpisë!” Ashtu veproi: i nxori të gjitha plaçkat e shtëpisë dhe i hodhi në rrugë. Sa herë që pranë tij kalonte dikush dhe e pyeste: “Ç’të ka gjetur kështu?”, ai i përgjigjej duke thënë: “Fqinji im më mundon e më shqetëson.” Atëherë, njerëzit luteshin: “O Allah, mallkoje! O Allah, poshtëroje!” Atëherë, fqinji i tha: “Kthehu në shtëpinë tënde, se, për Zotin, nuk kam për të të munduar e shqetësuar kurrë më!” - Allahu dëgjon dhe di gjithçka. Nëse ju bëni ndonjë punë të mirë haptazi ose fshehtazi, ose falni dikë për ndonjë vepër të keqe, Allahu është Falës i madh e i Plotfuqishëm. - Nëse ju bëni mirësi haptazi ose fshehtazi, ose jini falës e tolerues ndaj atyre që ju bëjnë keq, të gjitha këto janë ndër punët më të mira, që ju afrojnë shumë tek Allahu dhe e shumëfishojnë shpërblimin tuaj. Dihet mirë se prej cilësive të Allahut është falja e mbulimi i gjynaheve të robërve , edhe pse është i Plotfuqishëm që t’i ndëshkojë ata. Për këtë arsye, Ai thotë: “Allahu është Falës i madh e i Plotfuqishëm.” N ë hadith të saktë është thënë: 872. “Nuk pakësohet pasuria nga sadakaja. Allahu i Madhëruar, ka për t’ia shtuar krenarinë atij që gjithmonë fal (e është tolerant). Ai që tregohet modest dhe i përulur për hir të Allahut, Allahu ka për ta lartësuar atë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:148–4:149
- “Allahu nuk e do thënien hapur të shprehjeve të këqija, ...” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai nuk i do fjalët e këqija, kur thuhen hapur. Ai i urren dhe ndëshkon për to. Këtu përfshihen të gjitha llojet e fjalëve të këqija, të cilat njerëzit i njohin si të tilla. Fjalë të këqija janë ato që të bëjnë të ndihesh keq, të shqetësojnë, të mërzisin dhe trishtojnë, si sharjet, shpifjet, gënjeshtrat etj. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe të urryera nga Allahu i Lartësuar. Kuptimi i ajetit tregon, gjithashtu, se fjalët e mira janë të dashura për Allahun dhe të shpërblyeshme prej Tij. Të tilla janë, për shembull: dhikri, fjalët e ngrohta dhe të buta etj. Pastaj i Lartësuari thotë: - “...përveçse nga ata që u është bërë padrejtësi.” - Pra, të dëmtuarve u lejohet që të luten dhe të ankohen kundër atyre që i kanë bërë padrejtësi. U lejohet edhe që të shajnë dhe të flasin keq kundër atyre që i kanë sharë e ofenduar, por pa thënë gënjeshtra e shpifje. Gjithashtu, ata nuk duhet ta teprojnë e të fyejnë edhe të tjerët që nuk janë të përzier. Megjithatë, fakti që ky veprim është i lejuar nuk do të thotë që është zgjedhja më e mirë. Sigurisht, falja dhe toleranca është rruga më e mirë, sikurse thotë i Lartësuari: “Ai që fal dhe përmirëson e ka shpërblimin tek Allahu.”. - “Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka.” - Pasi ajeti na mësoi rreth fjalëve të lejuara, fjalëve të këqija dhe fjalëve të mira, Allahu i Lartësuar na kujton një fakt shumë të rëndësishëm, që të shërbejë si këshillë për fjalët që themi dhe veprimet që kryejmë. Kështu, Ai është El Semiu - Dëgjuesi. Ai dëgjon të gjitha fjalët që ne themi, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos nxjerrim nga goja fjalë me të cilat zemërohet Allahu, sepse Ai do t’i ndëshkojë njerëzit për to. I parë ndryshe, ajeti nxit për të thënë fjalë të mira dhe të dobishme. Allahu është gjithashtu El Alim - i Gjithëditur. Ai i njeh mirë qëllimet që fshihen brenda shpirtit tonë dhe shkakun e fjalëve tona. Pastaj i Lartësuari thotë: - “Nëse ju bëni ndonjë punë të mirë haptazi ose fshehtazi” - Këtu bëhet fjalë për çdo lloj të mire, me fjalë a me vepra, punë të shfaquara a të fshehta, punë të detyrueshme a të pëlqyeshme. - “...ose falni dikë për ndonjë vepër të keqe...” - Pra, tregohuni falës dhe tolerantë ndaj atyre që ju kanë dëmtuar në trup, në pasuri, në nder apo në dinjitetin tuaj, sepse shpërblimi do të jepet sipas veprave që ju bëni. Kush tregohet falës dhe tolerant, ta dijë se edhe Allahu i Madhërishëm do të tregohet Falës dhe Mëshirues ndaj tij. Kush tregohet bamirës, ta dijë se Allahu do të jetë Bamirës me të. - “Allahu është Falës i madh e i Plotfuqishëm.” - Allahu i fal gabimet dhe gjynahet e mëdha të robve të Tij. Ai ua mbulon mangësitë dhe i trajton me faljen dhe mëshirën e Tij të madhe, që burojnë nga pushteti i Tij absolut. Ky ajet është nxitje për t’u thelluar në kuptimin e emrave dhe cilësive të Allahut të Madhërishëm.
Krijimi dhe pushteti janë vetëm në dorën e Tij, dhe kjo tregohet nga emrat dhe cilësitë e Tij. Atëherë, përse duhet të jemi falës dhe tolerantë ndaj të tjerëve? Sepse Allahu i Madhërishëm është Falës i madh dhe i Plotpushtetshëm, i Cili i shpërblen ata që falin të tjerët me të njëjtën mënyrë. Ky shpërblim nuk është përmendur konkretisht, por është nënkuptuar duke përmendur emrat dhe cilësitë e Tij të mësipërme. Për ata që mendojnë, kaq mjafton si nxitje për të bërë punë të mira.