4. Nisa · Ajeti 32 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 4:29–4:35
Është i ndaluar shfrytëzimi i pasurisë pa djersë, siç është vjedhja, mashtrimi, plaçkitja, kamata etj.: gjithashtu është e ndaluar mbytja e vetvetes apo e tjetrit.
Mëkat i madh ose i vogël konsiderohet në bazë të pasojave që shkakton ai, megjithëse në një hadith janë përmendur shtatë sosh si mëkate të mëdha: "Idhujtaria, mbytja pa kurrfarë të drejte, magjia, ngrënja e kamatës, ngrënja e mallit të jetimit, zmbrapsja në fushën e betejës dhe shpifja kundër femrave të ndershme myslimane". Në disa hadithe të tjera përmenden: mosrespektimi ndaj prindërve, betimi i rrejshëm, prostitucioni etj.
Ky ajet është shumë shpresëdhënës, ngase Allahu premton faljen e mëkateve të vogla atyre që ruhen nga ato të mëdhatë. Epërsia e burrave ndaj grave nuk është epërsi komanduese, por detyrë përgjegjëse, andaj nuk duhet bërë zili ndaj veçorisë së tjetrit me të cilën e dalloi Zoti.
Gratë e padëgjueshme së pari duhet këshilluar, pastaj duhet larguar prej shtratit, e nëse asnjëra nuk ndikojnë në përmirësimin e tyre, atëherë lejohet një rrahje, por e lehtë. Duhet ditur se Allahu i është më i larti ndaj çdo sendi, e edhe ndaj burrit që sillet keq me gruan.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 4:32
- Mos lakmoni ato gjëra, me të cilat Allahu ka dalluar disa prej jush mbi disa të tjerë. - Imam Ahmedi përcjell nga Muxhahidi, se Ummu Seleme i tha njëherë Profetit ﷺ : 698. “O i Dërguari i Allahut! Burrat marrin pjesë në luftë, kurse ne nuk kemi mundësi të marrim pjesë në luftë. Gjithashtu, neve na është përcaktuar sa gjysma e pjesës së burrave në trashëgimi...” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Mos lakmoni ato gjëra, me të cilat Allahu ka dalluar disa prej jush mbi disa të tjerë...” Këtë hadith e sjell edhe Tirmidhiu, bashkë me disa të tjerë. Ibn Ebu Hatimi, Ibn Xheriri, Ibn Merde uejhi dhe Hakimi në Mustedrak-un e tij sjellin nga Muxhahidi rrëfimin që, Ummu Seleme i tha njëherë Profetit ﷺ :699. “O i Dërguari i Allahut! Ne nuk mund të luftojmë dhe të biem dëshmore dhe as nuk kemi pjesë njëlloj në trashëgimi...” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “...Unë nuk ua humb mundin për punët e mira asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” [Al Imran 195]. Ali Ibn Ebu Talha përcjell se Ibn Abasi, duke shpjeguar ajetin, ka thënë: “Njeriu nuk duhet që të ushqejë ëndrra boshe dhe të thotë: “Sikur të kisha edhe unë pasurinë dhe familjen e filanit!” Allahu i Lartësuar e ka ndaluar nga diçka e tillë. Megjithatë, njeriu mund të lutet dhe t’i kërkojë Allahut nga mirësitë e Tij, duke thënë: “O Zot, më jep nga mirësitë e Tua!” Ky është një kuptim i qartë, i dukshëm dhe i drejtpërdrejtë, që del nga ajeti kuranor. Sigurisht, ky nuk duhet marrë si një kuptim që bie në kundërshtim me atë që Profeti ﷺ ka thënë në hadith të saktë : 700. “Nuk duhet të ketë smirë për asgjë, përveçse në dy raste: kur dikujt Allahu i Madhëruar i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë për bamirësi dhe me drejtësi, dhe dikush thotë: “Ah, sikur të kisha edhe unë si filani, që të veproja edhe unë njëlloj si ai!” Këta të dy e kanë shpërblimin të
njëjtë...” Kështu, çështja për të cilën flet ky hadith ndryshon nga ajo që na ka ndaluar Allahu i Madhëruar në ajetin kuranor. Hadithi e nxit njeriun që të shpresojë dhe të lutet që të ketë mirësi të ngjashme me dikë tjetër, ndërsa ajeti ndalon që të shpresosh të njëjtën mirësi që Allahu i ka dhënë dikujt, në mënyrë konkrete, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Mos lakmoni ato gjëra, me të cilat Allahu ka dalluar disa prej jush mbi disa të tjerë”, pra, në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Meshkujt meritojnë aq sa kanë punuar; po ashtu, edhe femrat meritojnë aq sa kanë punuar. - Çdokujt i takon shpërblimi për punët që ka bërë me duart e veta. Nëse ka bërë punë të mira, atëherë do të marrë shpërblimin për to dhe meriton të mira nga Zoti. E nëse ka bërë punë të këqija, atëherë të keqen meriton. Kështu e ka shpjeguar Ibn Xherir el Taberiu. Është thënë, gjithashtu, se qëllimi këtu është për pjesët e trashëgimisë. Pra, në trashëgimi çdokush do të marrë pjesën e vet, sipas asaj që ka përcaktuar Zoti me urtësinë e Tij. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Në vijim, Allahu i Lartësuar i udhëzon njerëzit te diçka, e cila i rregullon çështjet dhe gjendjen e tyre: - Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij! - Mos shikoni me zili ato mirësi me të cilat Ne kemi dalluar disa njerëz mbi disa të tjerë, sepse thjesht ëndërrimi nuk sjell asgjë në realitet. Përkundrazi, m’u lutni Mua, që Unë t’ju dhuroj prej mirësive të Mia, sepse Unë jam Bujar dhe Dhurues i madh. Ebu Nuajmi sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 701. “Kërkojini Allahut nga mirësitë e Tij, sepse Allahu i Madhëruar e dëshiron dhe kënaqet që t’i kërkojnë. Dijeni se robi më i dashur tek Allahu është ai i cili kërkon çlirimin nga ngushtia.” - Allahu ka dije të plotë për çdo gjë. - Allahu është i gjithëditur për ata të cilët është më e drejtë dhe e mirë që t’u jepet dynjaja, prandaj dhe ua jep atë. Ai është i gjithëditur për ata që është më e drejtë që të jenë të varfër, prandaj dhe i le të varfër. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për ata që e meritojnë shpërblimin e ahiretit, prandaj Ai i veçon ata dhe i përdor në punët e ahiretit, për t'i ngritur atje në grada të larta. Ai është i gjithëditur për ata që e meritojnë poshtërimin dhe humbjen, që ata të mos bëjnë punë të mira dhe që të mos ndërmarrin rrugët që të çojnë drejt mirësisë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ka dije të plotë për çdo gjë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 4:32–4:33
- “Mos lakmoni ato gjëra, me të cilat Allahu ka dalluar disa prej jush mbi disa të tjerë. ” - Allahu i Lartësuar i ndalon besimtarët që të lakmojnë ato veçori me të cilat Ai ka dalluar disa njerëz a kategori mbi disa të tjerë, qofshin këto gjëra të mundshme apo të pamundshme. Kështu, për shembull, gratë nuk duhet të synojnë të kenë veçoritë e burrave, të varfërit nuk duhet të kenë smirë të pasurit etj. Allahu i Lartësuar na ka ndaluar që të kemi smirë për ato gjëra me të cilat Ai i ka dalluar të tjerët, sepse ky është tregues i pakënaqësisë me kaderin e Tij dhe të çon në përtaci dhe ëndrra të kota. Këto ëndërra nuk nxisin për punë dhe për fitim të të mirave në mënyrë të lejuar. Kështu që, këshillat për njeriun janë: së pari, të përpiqet dhe të punojë maksimalisht për të arritur gjithçka të dobishme për fenë dhe jetën e tij dhe, së dyti, të lusë Allahun e Lartësuar që t’i dhurojë nga bujaria dhe mirësitë e Tij. Njeriu duhet të mbështetet vetëm te Zoti i tij, e te askush tjetër, as te vetvetja. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - “Meshkujt meritojnë aq sa kanë punuar; po ashtu edhe femrat meritojnë aq sa kanë punuar.” – Secili meriton aq sa punon dhe është përpjekur. Të gjithë do të marrin veçse atë për të cilën janë lodhur e përpjekur. Megjithatë, bujaria e Allahut të Lartësuar është vendimtare për gjithçka. - “Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij!” - Kërkojini Allahut t’ju dhurojë nga mirësitë e Tij, që rregullojnë çështjet e besimit dhe të jetës suaj. Kjo këshillë e vyer sjell lumturinë e njeriut dhe përsosmërinë e tij. Ata që i lënë përpjekjet dhe nuk mbështeten tek Allahu, ata janë gjithmonë të dështuar. - “Allahu ka Dije të plotë për çdo gjë. ” - Kjo tregon se Allahu i Lartësuar i jep atij që meriton t’i jepet dhe e privon atë që meriton të privohet. E gjithë kjo bazohet në dijen e Tij absolute për gjithçka. - “Ne i kemi caktuar secilit prej jush të afërm që trashëgojnë nga ajo që lënë prindrit dhe farefisi.” - Allahu i Lartësuar i ka mundësuar çdokujt të ketë mbështetës ose ndihmës prej të afërmve ose farefisit. Këtu hyjnë të gjithë të afërmit: rrë njët, trungu dhe degët e fisit. Pastaj i Lartësuari përmend një lloj tjetër mbështetësish: - “Jepuni pjesën e vet edhe atyre me të cilët keni marrëveshje.” – Pra, janë ata me të cilët është lidhur pakt për ndihmë, për bashkëpunim dhe mbështetje. Edhe kjo është mirësi e Zotit për krijesat e Tij. Ai i udhëzon dhe i ndihmon për të tilla aleanca dhe bashkëpunime, pa të cilat njerëzit nuk do të arrinin shumë mirësi. I Lartësuari thotë: “Jepuni pjesën e vet edhe atyre...”. Domethënë, jepuni hakun atyre, sipas marrëveshjes që kini me ta, por, sigurisht, ajo të mos jetë në kundërshtim me Zotin. Ndihma dhe mbështetja duhet të jetë për bindje e devotshmëri ndaj Zotit, për vepra të mira e të lejuara. Ndërsa për sa i përket trashëgimisë, ajo u takon të afërmve të fisit, sipas përcaktimit dhe ligjeve të vendosura nga Zoti i botëve. - “Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.” - Allahu i Lartësuar është Vështrues dhe Dëshmues për gjithçka. Dija e Tij është e plotë për çdo çështje. Ai shikon të gjitha lëvizjet e robve dhe i dëgjon të gjithë zërat e tyre.